Moikom Zeqo: “Transparenca e zgjedhjeve është më e rëndësishme edhe se fituesi”


  
Qytetarët shqiptarë kanë përgjegjësi, për atë që lidhet me të ardhmen
   kombëtare më shumë, se sa me të ardhmen e partive

   Moikom Zeqo, një politolog me një vizion të qartë, në intervistën për
   “Telegraf”, thekson se në 23 Qershor, nuk ka rëndësi se cili është
   fituesi, por duhet që të fitojmë të gjithë, duke bërë zgjedhje
   demokratike dhe transparente.

   - Zoti Moikom, mund të shpresojmë se zgjedhjet në 23 Qershor, do të
   sjellin një erë të re demokratike?

   - Zgjedhjet elektorale të 23 Qershorit 2013 mund të jenë një datë
   historike, ku mund të ndalet e kaluara me të ardhmen në çështjen më
   hamletiane dhe groteske të politikës shqiptare: A do ta kapërcejmë
   Rubikonin e politikës drejt një demokracie të vërtetë dhe funksionale
   si dhe procedurale, apo do ta mitizojmë marrëzisht një demokraci
   apokrife dhe të gënjeshtër, që vetëm na dëmton dhe na sfilit barbarisht
   dhe ritualisht? Përgjegjës për këtë prapambetje janë shumë faktorë, por
   përgjegjësi ka në këtë pikë Berisha. Prandaj 23 Qershori 2013 do të
   jetë përgjegjësia më e madhe e Berishës si kryeministër, që përgjigjet
   konkretisht për standardet e vonuara, por kaq jetike për demokracinë
   provincial shqiptare. Këtë herë monitorimi i subjekteve ndërkombëtare
   është shumë herë më imponues, më kriticist, më autoritar dhe pa
   ekuivokë dhe “mbyllje sysh”. Pra, është sa një provë kombëtare, aq edhe
   e rrafshit ndërkombëtar, sepse lidhet me shtratin konceptual të
   integrimit të Shqipërisë dhe të ardhmen e saj. Shpresoj -pa qenë utopik
   dhe ëndërrimtar – se këtë herë zgjedhjet do të zhvillohen më të lira në
   raport me të kaluarën e vrazhdë dhe shqetësuese dhe se kjo do të jetë
   fitorja më e madhe – ose duhet të jetë fitorja supreme, e po të ndodhë
   kjo, nuk ka shumë rëndësi se kush është fituesi i zgjedhjeve
   elektorale.

   - A do të ndahen shqiptarët nga e kaluara e zgjedhjeve të manipuluara?

   - Ky është shqetësimi i vërtetë dhe substancial. Në këtë pikë jemi më
   të prapambeturit në rajon edhe në Europë, ndaj vonesa jonë ngjall
   trishtim dhe lodhje, mosbesim, kontestim të vrazhdët, kaos, marrëzi
   ciklike, dhunë verbale, delire të pushtetit dhe të politikës
   primitivisht konfliktuale dhe aspak komplementare. Them se në 23
   Qershor do të ndryshojë diçka, në të kundërtën politika shqiptare do të
   përjetojë një krizë shumë të rëndë. Po e përsëris: zgjedhjet elektorale
   te 23 Qershorit 2013 janë një pikë, ku mund të ndahet e kaluara nga e
   ardhmja, në shumë kuptime të koncentruara në dilemën ekzistenciale të
   klasës politike shqiptare, në raport me elektoratet dhe qytetarët.

   - Fushata elektorale po finalizohet. Partitë a kanë parashtruar para
   elektoratit alternativa, zgjidhje të problemeve të kohës, apo qëllimi
   dhe prioriteti është marrja e pushtetit?

   - Kjo fushatë ka qenë e pashembullt, me spektakle të mëdha dhe
   shpenzime të mëdha. Dhe ku ? Në një vend si Shqipëria, ku ka kaq shumë
   të varfër dhe një papunësi të frikshme, ku humaniteti dhe problemet
   ekzistenciale janë tejet të mprehta dhe shqetësuese? Por imazhi i
   partive të mëdha reflekton një përparësi të kulturës së spektakleve,
   kaq shumë të kushtueshme – si asnjëherë tjetër në këto 22 vjet.
   Groteske, por edhe e vërtetë. Fushata në dukje ka qenë “paqësore”, por
   me një tension të jashtëzakonshëm, me batuta të skajshme dhe
   demonizuese – dihet se batutizimi dhe thelbi i politikës janë dy gjëra
   të ndryshme. Janë bërë shumë premtime – shumica të parealizueshme dot –
   por gjithmonë në drejtim të të varfërve. Besoj se këtë herë fiton
   pikërisht koalicioni i majtë, ndonëse fitorja nuk ka për të qenë më
   diferencë shumë të madhe. Rotacioni në shumë pikëpamje është jetik, por
   nuk arrihet vetëkuptohet me shkopin magjik. Pra do të kemi ende përsëri
   një fazë tranzitore dhe qeverisja do të jetë një provë shumë më e rëndë
   dhe më e komplikuar se sa fitorja elektorale që ka edhe atë që quhet
   shansi historik, pas kronologjisë 8 vjet në opozitë- ndonëse kjo nuk
   duhet të formalizohet në mënyrë të thjeshtëzuar.

   - Ju si mund ta gjykoni apelin e ditëve të fundit të ndërkombëtarëve,
   që kërkojnë nga forcat politike, të njohin rezultatin zgjedhor, duke
   “harruar” tashmë, kërkesën për zgjedhje me standarde?

   - Në fakt të dy çështjet janë e njëjta substancë. Pa standarde ta
   zgjedhjeve nuk do të ketë pranim normal të rezultatit, por do të
   stimulohet kaosi, kontestimi, rikthimi në ciklin e vjetër të politikës
   provinciale, tipologjikisht konfliktuale – kjo do të përbënte një
   atentat ndaj demokracisë funksionale dhe procedurale, do të zbehte
   shpresën, vetëdijen dhe besimin në vetë idenë substanciale të
   demokracisë. Atëherë, rruga e integrimit do të jetë akoma më e
   vështirë, për shkak të vetë përjashtimit delirant nga vetë klasa
   politike shqiptare ende e paemancipuar dhe primitive.

   - Çfarë duhet bërë?

   - Ka vetëm një zgjidhje vizionare: reforma të guximshme kushtetuese për
   kufizimin e mandateve të kryeministrit, kryetarëve të partive, të
   kryetarëve të bashkive, komunave, prokurorëve, gjyqtarëve, guvernatorit
   të bankës kombëtare, të rektorëve të universiteteve etj etj. Kufizimi i
   mandatit të presidentit të Amerikës, është një shëmbëlltyrë e fuqisë
   dhe e zhvillimit të përshpejtuar, për shkak të konceptimit juridik
   vizionar. Klasa politike shqiptare as nuk e mendon fare këtë
   alternative, edhe për arsye të mungesës së vizionit, kulturës dhe
   sindromës delirante të pushtetit.

   - Cili duhet të jetë reagimi i elektoratit ndaj kësaj klase politike?

   - Padyshim do të jetë zhgënjimi- elementë të këtij zhgënjimi janë kudo.
   Maks Veberi ka thënë se, “kriza më e madhe e politikës nuk është
   konflikti pa princip midis partive, por kriza midis partive
   tradicionale me vetë elektoratet e tyre tradicionale”. Diçka e tillë po
   ndihet dhe po ravizohet edhe në Shqipëri.

   - Rotacioni që kërkon e Majta, a mund të përmbushë rotacionin që kërkon
   progresi i zhvillimit dhe i perspektivës të Shqipërisë dhe i
   shqiptarëve?

   - Ky rotacion do të hapë premisa, do të thyejë monopole, do ta hapë
   rrugë të reja, do të jetë një ftillesë për një shpresë për një shoqëri
   më demokratike, për një lloj emancipimi në tërësi, por edhe për vetë të
   majtën.

   - A gjykoni se nga e Majta ka premtime në përmasa të këtilla, që dihen
   që janë të parealizueshme, por bëhen për marketing elektoral?

   - Të gjitha partitë, papërjashtim, bëjnë premtime më të mëdha, se sa
   kanë mundësi t’i realizojnë. Rëndësi ka që e Majta të bëjë ndryshime,
   qoftë dhe jo shumë të shpejta, por të sigurta të karakterit konceptual.
   Por kjo nuk është aspak e lehtë.


   - Faleminderit!