Agim Janina
Studiues Arti
Karikaturë e shpejtë në të “lexuar”, shpotitëse në goditje, pëgjithësuese në krijim, argëtuese në të parë dhe “mësuese” në jetë.
Një ditë, një gjimnazist simpatik, veshur me shije për kohën, pasi kishte lënë orën e mësimit, do t’i drejtohej redaksisë së revistës “Hosteni”, në Rrugën e Elbasanit.
Shtyu derën, kaloi korridorin e përpara zyrës, ku shkruhej “Redaktorët”, ndali pak çapet, sa për t’u mbushur me frymë. Kishte nxituar. Drejtoi trupin, u mbushi edhe një herë me frymë dhe me vendosmëri trokiti. I ulur para një tavoline të madhe, e priti një burrë i gjatë, tepër i hijshëm, me një pamje disi hijerëndë dhe i heshtur, tepër i heshtur.
Djaloshit i ndizen faqet nga emocioni. Ishte përpara një mjeshtri, një njeriu të madh të karikaturës, një figure të shquar, i cili pasi ishte çuar nga tavolina, i kishte zgjatur dorën, duke i buzëqeshur paska me ashpërsi. Në duar gjimnazisti mban çantën e shkollës, e hap dhe që andej tërheq një fletë, ku kishte të vizatuar një karikaturë.
- Ti e ke vizatuar ?! – do ta pyeste tjetri.
Pyetja mosbesuese do të godiste djaloshin më shumë se sa një e goditur në faqe. Vinte nga gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, ku ka disa kohë që mbasditeve, por edhe në orën e mësimit skicon, vizaton. Në shkollë në gazetën “Muri”, që e drejtonte mësuesi i talentuar Gjergj Zheji, sapo kishte vënë disa karikatura të nxënësve, që ishin të parregullt në mësime dhe ka ndjerë entuziazmin e shokëve, por edhe të mësuesve. Në shtëpi ka disa natyra të qeta, portrete e karikatura. Rruga artistike ka fillesa më të hershme se ato të gjimnazit. Që i vogël është marrë me humor, teatër dhe pikturë.
Tani përpara mjeshtrit, ndjente dyshimin e tij, që i rëndonte e i rëndonte… Respekti i përzihej me një ndjenjë revolte dhe shpejt i përgjigjet:
- Po, unë e kam bërë ! – Dhe faqet do t’i ndizeshin, ndërsa sytë gati iu lëngëzuan.
- Ashtu ?! – do ia bënte tjetri. – Pa ulu aty në tavolinë dhe më vizato diçka !
Djaloshi nxorri nga çanta e shkollës, shpejt e shpejt lapsin dhe mbi një fletë hodhi ravijëzimet e para me një linjë të zhdërvjellët. Pas disa çasteve ndjeu në sup dorën e mjeshtrit, nën një shtrëngim miqësor e të ngrohtë.
- Nuk është nevoja të vazhdosh! Karikatura do të botohet në numrin e ardhshëm të revistës dhe mirëseerdhe te “Hosteni”!
Kush ishin ata? Djaloshi gjimnazist Bujar Kapexhiu, ndërsa mjeshtri i njohur Zef Bumçi. Figurë madhore e karikaturës shqiptare, por edhe e artit shqiptar.
Kapexhiu nuk është artist, që futet në dhomën laborator e fillon e sajon. Takimi me jetën, njerëzit është si një ushqyes dhe aty gjen motivet, sepse artistët e mëdhenj pa dyshim të gjitha motivet i kanë gjetur tamam në jetë, i kanë marrë, mbjellur dhe pastaj i kanë rritur vetë e shndërruar e përpunuar, por bazën e kanë pikërisht nga vëzhgimi në jetë. Për karikaturistin, një artist duhet të jetë vëzhgues i mprehtë në gjithçka, të shikojë njerëzit, sjelljet, fizionomitë, tiparet, veshjet, ecjen, të marrë batutat që ata hedhin, ndodhitë e vogla, ta ndjejë të gjithë lëndën në shpirt, ta përpunojë në duar e pastaj të fillojnë e marrin jetë në një vepër arti.
Gjatë gjithë jetës bashkëjeton me humorin, takohet me miq, ulet në tavolina, bisedon dhe të gjithë presin diçka të gëzueshme nga ai. Edhe në rrugë kur ecën me çapin e shpejtë, gjatë kohës që përshëndetet, ndokush i hedh ndonjë batutë dhe ai u përgjigjet me humor të këndshëm, duke dhuruar buzëqeshje të këndshme. E di që të tjerët presin prej tij një batutë, një buzëqeshje, një anekdotë, një rrëfim me kripë apo një karikaturë në faqet e shtypit. Janë këto batuta si të “hedhura” që ngjizen më pas në karikatura, ato që i japin pjalmin për lindjen e një vepre të re, sepse e di se sa e rëndësishme është humori në seriozitetin e jetës, që njerëzimi pa të do të ishte si në netët apo ditët polare, kur do të mungonte pikërisht ai, humori. Tek artisti humori mbart vlerë të dyfishtë. Kjo do të thotë që ta shikosh botën me humor dhe është vlerë dyfishtë. E para ke humor në vetvete, sepse që nga brenda i buron humori. Çarli Çaplini thotë, që një ditë pa qeshur është një ditë e çuar dëm. E dyta u dhuron të tjerëve humor. Ndaj karikatura dhe humori i brendshëm tek Kapexhiu burojnë natyrshëm, janë pjesë e qenies. Aq i lidhur ndihet artisti, sa kur afrohet në një tavolinë, ku janë ulur miqtë, ndjen se ata presin një batutë prej tij apo qoftë edhe një buzëqeshje.
“Humori, thotë ai, duhet të jetë i bukur, i këndshëm dhe kur bëhet, të bëhet me dashamirësi. Edhe kur e godet tjetrin, i thua një batutë, ajo duhet të jetë dashamirëse, duhet të jetë miqësia midis dhe jo ligësia, sepse po qe ligësia, atëhere nuk është më humor, pastaj kthehet në urrejtje, përbuzje, që e vret tjetrin”.
Mbaron Institutin e Lartë të Arteve për aktrim dhe pas tij, studion edhe një vit për regjizurë dhe në përfundim të shkollës ishte aktor dhe regjisor. Artisti kujton kohën e fillimeve, kur mënyra e tij e skicimit të karikaturave ishte e shpenguar, e drejtpërdrejtë, jashtë çdo ndërtimi apo rregulli akademik. E hedh karikaturën ashtu siç i regëtin në shpirt, ndërton një stil origjinal, që ishte midis asaj të papranueshmes dhe të pranueshmes, në linja që janë pranë reales. Shprehemi kështu nga se figura është reale vetëm se ka disproporcione që janë humoristike me një hundë të gjatë të madhe, me ca krahë të hollë, me ca këpucë të mëdha, hidhen linja që shkojnë e spërdridhen në forma gjeometrike, ku ravijëzohen tiparet, fabula tregimtare, tipe të goditur, pra shihej si figurë e pëlqyeshme, e këndshme. “Nuk vizatoja me linjat e sotme, por me linja të ndërprera, të drejta. Ishte një stil befasues e origjinal, pa konceptet e realizmit socialist. Dukeshin kubizëm, modernizëm, “Hë mo lere se karikatura janë !”, i kalonin disa, por kishte të tjerë që i thonin “nuk e kuptoj se si të lejojnë ty të vizatosh në këtë formë?”. “Karikatura është si puna e kosit, – shprehej buzagaz regjizori i talentuar Kujtim Spahivogli. Nuk e quaj se kos është…!”. U quajtën moderne, bile disa libra humoristikë të ilustruar nga artisti janë ndaluar të dalin, vetëm thjesht nga vizatimet.
Ato karikatura u quajtën moderne, kubiste”, thotë artisti, dhe i vjen keq nga se shkolla i lartë i “prishi” dorën si për të thënë një të vërtetë. Por po t’i shikosh sot, kupton që janë krijimet e para në Shqipëri të vizatimeve moderne të shtypura të kubizmit apo të surealizmit. I quanin karikatura dhe artisti nuk u nis të bënte krijime abstraksioniste. Ishte dëshira e tij për të vizatuar në këtë mënyrë. I vizatonte me qejf e frymëzim.
Shpesh mbrëmjeve apo në kohën e lirë kur zë e shfleton ato punime, veç nostalgjisë për të shkuarën, shprehet se tani dhe po të kërkojë t’i vizatojë, si atëherë, e ka shumë të vështirë. Me mbarimin e shkollës, me kanunet e saj, rregullat shkollore të të vizatuarit, sikur u ngurtësua, aq më tepër në atë kohë i thanë që nëse do të vizatosh karikaturë, nuk duhet të vizatosh kështu, dhe u detyrua që linjat e thyera aq shprehëse e të bukura t’i bënte të rrumbullakta.
Kapexhiu do të niste rrugëtimin artistik dhe nuk do të kishte të ngopur. Pas karikaturës, vazhdon me dramën, luan në filma, e afrojnë prezantues, bëhet rregjizor dhe sapo mbaron shkollën caktohet regjizor në Estradën e Tiranës, e cila ishte një kompleks më i madh dhe një zhanër i veçantë. Kishte të bënte me kollosët e humorit Skënder Sallaku, Ramazan Zyberi, Melpomeni Çobani etj dhe shkruan shumë, skeçe, parodi, kuplete, pothuajse gjithçka, por nuk i ndahet karikaturës, duke mbushur faqet e shtypit të kohës.
Shumë shpejt në vitet ’70 merr famën e artistit. Student në vitin e katër në Institutin e Arteve i propozohet roli i Bepinit, në filmin “Duel i heshtur” të regjizorit Dhimitër Anagnosti dhe më pas roli i Spiros në filmin “I teti në bronz”. Luan në filmat “Gjurma”, “Dy herë mat”, , “Stolat në park”, “Edhe ashtu, edhe kështu”, “Tela për violinë”. Kthehet në një personazh tepër i pëlqyer, sepse tek figura e tij moshatarët gjenin vetveten, dëshirat për dashuri, për vajza të bukura, për Perëndimin, për Italinë, muzikën, për një jetë më të mirë. Të gjithë nëse e kishin brenda këtë dëshirë e shikonin të mishëruar në personazhin e Bepinit. Ndoshta të gjithë në sallë ku shfaqej filmi britëm “Fitore !”
Boton ilustrime nëpër libra, ku ai shfaq një lirshmëri të madhe në gjetjen, kapjen e personazheve dhe futjen në botën letrare të veprave të shkruara si të Dritëro Agollit, Qamil Buxhelit etj, libra për fëmijë. Në shtypin e kohës do të shfaqet me një bukuri të madhe me karikaturat dashamirëse ku portretizon me mjeshtëri artistë të mëdhenj si Abdurrahim Buzën, Dritëro Agollin, Alfred Uçin, Goqo Bushakën, Dhimitër Anagnostin, Xhanfize Kekon, Viktor Gjikën, Kristaq Dhamon etj, etj, të cilat edhe sot të prekin thellë për atë ndjenjë jo thjesht humori, por njerëzore që artisti ka derdhur pa kursim ndaj miqve të tij, duke i dhënë në një profil që deri atëhere nuk ishte parë.
Në jetë ka pëlqyer shumtë artistë karikaturistë që i kanë bërë përshtypje dhe ka dashur t’i ndjekë. Takimet e para i ka me karikaturistët hungarezë e gjermano-lindorë. Grafika e tyre e joshte me punimet jashtëzakonisht të bukura.
Ky popullaritet dhe emri i japin kënaqësi, por edhe e vendosin përpara një përgjegjësie, që të ishte i kujdesshëm në çdo gjë.
Nëse ka pasur një “dendi” në Tiranë midis “dendive” të tjerë, në kuptimin e të riut snob, të njeriut që ndjek modën, ky ka qenë Bujar Kapexhiu. Mbahet mend për xhaketën me kuadrate pak të verdhë, pak kafe, të bardhë, këpucët lustrafin, pak baseta…
Kapexhiu është bashkëthemelues i studios së filmit vizatimor për fëmijë, ku bën regjizorin, skenaristin dhe vizatuesin. Fiton edhe disa çmime në festivale, si me filmin “Zhgarravinat” (1977), ku u vlerësua me çmimin e Parë të Festivalit të 3-të të filmit Ballkanik, të organizuar në Stamboll më 1979; me Kupën e Festivalit të 3-të të Filmit Shqiptar më 1979, si dhe me çmim në Napoli të Italisë më 1984. Në biografinë e tij janë rreth 20 filma vizatimorë, ku veçohet pesonazhi i Pipirukut, aq i dashur në botën e fëmijve.
Festivalet në Radiotelevizion ndiqeshin shumë dhe këngët ishin të bukura, jashtë ngurtësisë e politizimit që iu bë atyre më vonë. Iu kërkua disa herë të bëhej prezantuesi i tyre dhe ai veçon Festivalin e 11. Kujton Vaçe Zelën. Anita Taken, Tonin Tërshanën, Liljana Kondakçiun, Bashkim Alibalin, Sherif Merdanin etj. Me këngët e bukura lirike, pranë frymës rinore. Ishte një mjedis të shkëlqyer pune. “E ndjenim, thotë, që po bënim diçka të re, diçka jo të zakonshme për të thyer disa rregulla, për të kaluar disa pengesa… Entuziazmi nuk ishte vetëm me aktoren e talentuar Edi Luarasin, ishte me vetë regjizorin Mihal Luarasin, i cili thoshte vazhdimisht “Të bëjmë diçka të re!” Çdo mëngjes Kapexhiu shkonte në zyrën e Drejtorit Todi Lubonja, ku i paraqiste tekstin që do të paraqiste atë natë dhe çuditërisht, çdo ditë, në mëngjes, në tre ditët e Festivalit, do të gjente aty edhe shkrimtarin Ismail Kadare, kolosin e letrave shqipe. Bisedonin, jepnin ndonjë ide në drejtim të ecurisë së festivalit, për tekstet etj, etj … dhe më vonë ndodhi ajo që ndodhi.
Erdhën goditje edhe nga ata që ishin korifejtë e karikaturës, sepse ata shikonin tek të rinjtë një lloj lëvizjeje, një lloj përparimi. Ishte lëvizje e lidhur me gjithë frymëmarrjen që do të merrte arti shqiptar në vitet ’60 si në poezi me Kadarenë, Dritëronë, Fatos Arapin, me vargun e lirë, figuracionet, metaforat që ishin krejt ndryshe, diçka e re. Kishte që nuk e kuptuan apo përballuan apo nuki kishin mundësi dhe atëherë filluan goditjet. U goditën piktorët e rinj si Edi Hila, Edison Gjergo apo Ali Oseku. U godit edhe karikatura, dhe “si më i kollajshmi, u gjeta unë” thotë me humor artisti, sepse kisha figurat më të avancuara se gjithë të tjerët… Festivali po ishte, “Ky është shembulli që duhet goditur!”. E largojnë nga Tirana për dy vjet për shkak të shfaqjeve moderniste dhe liberale.
Ndonëse kinematografia nuk e tërhiqte e aq më pak loja e aktorit, realizon filmin “Dy herë mat”, ku bën edhe regjinë e luan edhe rolin e Ilo Pincit. I gjithë filmi është xhiruar në Sarandë për një muaj. Vijojnë pastaj fimat “Tela për violinë”, “Stolat në park”, “Edhe kështu, edhe ashtu”.
Kur e pyet se si do të dëshironte të paraqitej: karikaturist, aktor, regjizor, humorist, prezantues, shkrues skeçesh apo diçka tjetër, artisti buzëqesh lehtë dhe përgjigjet me humor, se në jetë ka dhënë shumë intevista dhe i janë përmendur të gjitha veprimtaritë ku është shfaqur. “E rëndësishme është që të thuhet emri e mbiemri, pastaj ai që është dashamirës ndaj filmit do të thotë, – Ky është aktori që luan tek filmi… ky është Bepini, Ilo Pinci… E dikush tjetër, duke shfletuar gazetën apo revistën thotë, – Ah po ky është ai karikaturisti!” U… ai i Festivalit të 11!”
Ndërsa në pyetjen tjetër, se nëse vërtet ka muza që fantazia e artistëve i ka paraqitur si vajza të bukura, fluturake të lehta, nën rrobat e mëndafshta, që u dallgazohen në erë, drejt kujt do të vraponte, Bujari duke venë buzën në gaz të përgjigjet, “Nëse do të ishin muza, me që jam i dashuruar me të gjitha, nuk mund të braktis dot asnjerën!”. Si pashai në harem, por një pasha artist dhe një harem, ku ngjizen e marrin jetë veprat e bukura artistike në gjini të ndryshme, gjurma të vetë artit shqiptar.
Një vrull të ri me karikaturën Kapexhiu do të marrë pas viteve ’90, kur arrin të nxjerrë edhe disa numra të gazetës me titull “Çoku”, ku shfaq qëndrimet politike në ironizimin dhe satirizimin e shumë personazheve politike të kohës me ravijëzime groteske. Godiste konceptet e prapambetura. “Ishim idhtarë të demokracisë dhe kështu ia kushtuam të gjitha numrat Luftës kundër Komunizmit, atyre të cilët e kishin lënë Shqipërinë në atë gjendje. U mbyll shpejt, sepse pothuajse e bëja vetëm atë gazetë të gjithë, edhe shkrimet edhe vizatimet, gjithçka…” Dikush edhe e ka kërcënuar, por ai nuk është tërhequr. Tashmë është i lirë dhe lirinë e shpreh më shumë se kudo në karikaturat që bën sa mund të thuash që karikatura e ka çuar gjithnjë e më lart në ndjenjën e lirisë, ka qenë udhërëfyesja e tij drejt lirisë. Nuk është trembur nga njerëzit me pushtet që nuk duan të kuptojnë apo durojnë fshikullimin e ironizimin. Është i çliruar plotësisht, boton vazhdimisht, ndeshet me mentalitetin e botuesve që nuk pranojnë karikaturën, për t’i dhënën asaj vendin që meriton. Krijon ciklin e “Pësit”, i cili solli një ngacmim të madh. Deri atëhere, nuk e kishte karikaturuar asnjëherë Presidentin Ramiz Alia. E kërcënuan edhe me armë, duke i thënë se do ta vrisnin, pra, ti nuk duhet ta bësh karikaturë. Nuk mund të pranonin që edhe Presidenti i vendit mund të bëhej karikaturë. “Të nesërmen, tregon artisti, e bëra karikaturë dhe e dërgova tek “RD”. Karikaturën e shoqëron edhe me një artikull të gjatë, ku shkruan kundër mënyrave kërcënuese për t’u mbyllur gojën artistëve.
Kur i bëj një karikaturë dikujt, tregon që e kam vlerësuar, u kam kushtuar një vepër arti. Ka shumë ministra e politikanë, njerëz të shtypit e autoritete shtetërore, të cilët i kam përjetuar në karikatura. Të tjerë jo, pra kanë kaluar pa karikatura, pa një vepër arti, sepse nuk e kanë merituar veprën e artit dhe si të tillë ata janë zhdukur dhe sot nuk dihet se ku janë, nuk kanë asnjë lloj vlere…”.
Kapexhiu solli një frymë të re në karikaturën shqiptare, duke e rritur cilësinë dhe frymëmarrjen. Si artist karikaturën e ka si një nënshkrim, një firmë, një vulë të mendimeve, qëndrimeve apo asaj ç’ka do t’u kumtojë të tjerëve. Ajo hidhet e ndërtohet, jo vetëm me elementë të groteskut, por është edhe rrëfimtare e mbi të gjitha mban qëndrim. Kërkon të rrëfejë dhe e bën këtë jo vetëm me disa elementë të thjeshtë, por e mban gjatë veprën duke e mbushur me elementë humoristik, ka edhe nga ato që tregojnë një histori, një ndodhi në çast, qoftë me diçiturë. Karikatura shkon deri në filozofime grafike me qëndrimet e personazheve, stilizimet e tyre groteske, zbërthimet psikologjike e në fund tharmi – qëndrimi dhe zbërthimi i ngjarjes apo fenomenit.
Kapexhiut i vjen keq që karikatura pak shfrytëzohet nga botuesit e shtypit. Atyre u duket sikur iu ze vendin, por në të vërtetë, sikur të gjesh edhe një copë të vetme gazete në tokë të hedhur, ta parën gjë që kërkon për të parë, shikon se çfarë karikature ka dhe pastaj fillon të lexosh artikujt. Bile ka karikatura që thonë më shumë se sa artikulli vetë”.
Pra, jo thjesht humor e groteks, tallje e telendisje, fshikullim, por artisti në mënyrë intuitive dhe emocionale ka ndjerë që një figurë e meriton karikaturën, sepse ndonëse një politikan, është qoftë edhe larg mendimeve të tij, i kundërt apo kundër një fenomeni të caktuar, i ka kushtuar një vepër arti dhe jo se kërkon ta godasë si njeri. Karikatura ka ardhur si një përgjigje jo me shkrim, as me tribunë, por një përgjigje nëpërmjet artit
“Nuk e kam bërë karikaturën apo pikturën\për të qenë i madh, thotë artisti. Kam shprehur si në çdo art, kënaqësitë e mia dhe mundësitë e mia aq sa i kam. Një brengë e kam në këtë mes, kam shumë vepra e projekte, të mbyllura nëpër dosje. Si dukem nga që merrem më shumë e shumë gjëra i le pa përfunduar. E di që deri në fund të jetës do të kem shumë gjëra pa përfunduar, që do të qëndrojnë nëpër dosje dhe nuk jam i sigurt nëse do t’i realizoj vallë…”. Në studio, ku ruan me dashuri shumë syresh, mrekullohesh nga skrupuloziteti i punimeve me një grafikë të qartë, kupton mjeshtërinë artistike në përkushtimin e madh që u ka bërë punimeve.
Ka subjekte, ngjarje, fenomene që i vijnë menjëherë, godet, ulet dhe e vizaton. Ka të tjera që përpiqesh t’u gjejë formën, ndaj përgatit disa syresh, disa variante dhe pastaj zgjedh atë më interesanten. Pra, të gjitha karikaturat dhe motivet nuk vijnë rastësisht. Secila në formën e vet dhe “ngulen” në formë origjinale krejt të ndryshme: diku e gjetur, diku e pagjetur, e mundimshme për ta realizuar, diku del një karikaturë jo e zakonshme, që kur botohet merr vlera të tjera e ndonjë tjetër i thotë vetes, këtë e paskam bërë kot… Ky është procesi i përditësimit të veprave që mbruhen në shpirtin e artistit për të qenë një dritare humori në faqet e shtypit.
Bujar Kapexhiu është vëzhgues i mprehtë, artist që mban qëndrim, kurdoherë me moton që është me të mirën që do populli. Me karikaturën është kthyer në një barometëri artistik, duke na treguar kohën politike në Shqipëri. Kjo nuk do të thotë që qëndrimi i artistit përputhet me të gjithë shikuesit, por problemi i karikaturuar është ai që shqetëson të gjithë. Secili ka zgjidhjen e vet. Galeria e politikanëve nën thumbin e artistit shtohet përditë. Ata janë shqiptarë e të huaj, të cilët kanë lidhje me zhvillimet në vend. Por jo të gjithë do ta kenë nesër vendin e vëmendjen e kohës, sepse shumë nga ata do të harrohen ashtu si edhe erdhën, por Kapexhiu është i kujdesshëm dhe jo shpesh heziton kur “nuhat” që ndokush ende nuk e ka “merituar” të vihet nën grafikën e tij thumbuese, ndaj pret e vëzhgon, i gatshëm të kapë çastin e ta përjetojë atë me art në faqet e gazetës.
Karikaturën e ka me shumë plane: goditëse, thumbuese, sarkastike, dashamirëse, por kurrë dashakeqe. Është në moralin dhe formimin qytetar të tij.
Ndihet mirë sepse jo rrallë në celularin e tij i vijnë mesazhe lavdëruese, nxitëse e falenderime. Etore Sekui (ambasador i Komunitetit Evropian) deklaron se çdo ditë, të parën merr gazetën “MAPO”, se shikon karikaturën e Kapexhiut dhe nëpërmjet saj kupton politikën shqiptare. Edhe ambasadori amerikan, Arvizu, kur artisti ka qenë i ftuar, jo rrallë është shprehur se, Bujar sot ke bërë një karikaturë të shkëlqyer! Ndërsa Eugen Vollfarth, ambasador i OSBE – së, të gjitha karikaturat që i ka kushtuar artisti, i ka zmadhuar dhe e ka mbushur zyrën e tij. I ruan me dashuri si vepra arti të mirëfillta, ku ai është personazh. Dhe këtë e merr si një vlerë që ai kë lënë në Shqipëri. Janë të rrallë ata politikanë të huaj që janë kthyer në personazhe artistikë. Bujar Kapexhiu është nga të vetmit që i ka shndëruar dhe ka marrë mirënjohjen e tyre.
Karikaturisti i menduar do të shprehet se është përpjekur dhe është bërë gati disa herë për të botuar karikaturat në një vëllim libri dhe tashmë erdhi koha. Ka përgatitur dy vëllime, ku janë mbledhur karikaturat e botuara, që nga numri i parë (viti 2010) i gazetës “MAPO”. Si një krijues i vërtetë librat do të jenë si çdo libër tjetër, por këtë radhë ato kanë diçka të veçantë se gjuha e tyre është figura dhe kjo është e veçanta e tyre. Të flasësh me figurë, ku brenda ka humorin është ëndrra e Kapexhiut dhe atë e përmbushi. Më vonë mund të shkojnë tre, katër e kështu me radhë. Libri i parë mban titullin e rubrikës “Ngërç”, ku paraqiten 350 karikatura, që tregojnë hap pas hapi, gjithë çastet më të rëndësishme të politikës e të politikanëve në këtë kohë.
Libri i dytë, me 350 karikatura, do të titullohet “Për një karrige”, ku janë mbledhur karikatura, që fillojnë nga fushata për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë në Tiranë, dmth luftën ndërmjet Edi Ramës dhe Lulzim Bashës… dhe tjetra është zgjedhja e Presidentit, “kriza ndërmjet njerit për kryetar, e tjetrit për President” buzëqesh artisti.
Çdo ditë ka gjëra të reja për të krijuar. Krijimi është tashmë kryefjala e jetës së tij dhe nuk ndalet. Krijon dhe nuk ka njëanshmëri në kompozime. Është peqëndruar tek politika e politikanët. Ata e mirëkuptojnë, sepse Kapexhiu nuk fyen, nuk veçon apo largon. Ai qëndron dhe qëndron fart në atë ç’ka vetë politika afron dhe shfaq në çast. Rama apo Berisha kur i nxjerr në karikaturë janë shumë dashamirës, sepse në përgjithësi nuk fyen. “Kap momentet, thëniet e tyre dhe i vendos në një situatë humoristike, thotë artisti. Nuk jam me këtë apo me atë politikan, por me atë që është e mira e të gjithëve shqiptarëve. Si Ramën, Berishën, si të gjithë politikanët të gjithë i kam njëlloj. I ndjek hap pas hapi nëpërmjet gazetave që i marr përditë dhe i lexoj të gjitha, i shletoj, i shikoj e zgjedh nga shtypi, se kush është momenti më i rëndësishëm për të ndërtuar karikaturën e nesërme. Kështu artisti ruan domethënien e artit, ngrihet mbi të tjerët dhe ajo çka ofron është një art i pastër dhe shumë vetiak.
Pothuajse të gjithë atyre që i ka bërë karikaturë i ka miq e dashamirës, sepse edhe ata e kuptojnë fare mirë që është një vepër arti. E bukur karikatura është kur e godet, kur bën humor, por edhe kur vetë ai buzëqesh.
Në përgjithësi u është shmangur figurave politike, por edhe shoqërore, që ndonëse bëjnë shumë ndodhira, por nuk mbesin, të cilat artisti i quan “figura sezonale”. Mundohet të kapë figurat e personazhet që janë në vazhdimësi, që janë gjithmonë në rritje personaliteti.
Kapexhiu ka një stil të zhdërvjelltë, të lexueshëm, me gjetje artistike plot humor, ku lidhet situata me kundërpërgjigjen, tipizimin e personazheve, duke kapur anën më domethënëse e më shprehëse. Karikaturizimi i personazhit nuk është thjesht defomim. Ai kërkon gjetje, thellim, kapje të pjesës më domethënëse, më shprehëse, më tipike dhe më përgjithësuese e jo thjesht një tipar, por që kur e shikon thua po ky është ai!
Futja e kompiuterit e zbeh karikaturën dhe artisti e ndjen këtë, ndaj përpiqet shumë që “ta shpëtojë”. Sa është e mundur kjo? Shikuesi gjykon. Ruan dy tre shprehje të personazheve, një shprehje mërzie, një shprehje serioziteti, një shprehje gëzimi, të cilat i përdor vazhdimisht. A është e gjitha? Dihet që është e vështirë, të bësh ditë për ditë një karikaturë. Kompiuteri, është një lehtësim në këtë drejtim, sepse ndihmon kuptimin e të përditësimit. Artisti i ka dhënë një emër. E quan “material konsumi”. Për të është ndryshe vepra e artit. Në botim ka zgjedhur punët më të mira dhe i përpunon edhe një herë nga fillimi.
Dikur një i huaj, e pyeti, nëse e nënshkruan karikaturat politike. Pyetja bëhet vetëm për karikaturat politike dhe kjo ka një domethënie. Lidhet me lirinë e artistit dhe të shoqërisë me lirinë. Kapexhiu është ndoshta i vetmi karikaturist, që nuk ka botuar asnjë karikaturë pa i venë emrin. Hedhja apo vënia e emrit në veprën që krijon është një ndeshje me diktraturën, dhunën dhe sa më shumë le gjurmë aq më shumë i lirë je. Gjurma që Kapexhiu le duhet të dëshmohet që është e tija dhe kjo jo për vetëmburrje.
Shpesh në shtyp shihen karikatura pa emrin e krijuesit. Kjo është e rëndë e duhet të na bëjë të mendojmë për vlerën e demokracisë. Kapexhiu është një shembull i gjallë i lirsë dhe vlerës së njeriut krijues. “Më mirë karikaturisti, të mos e bënte fare karikaturën, se sa ta botoj pa emër, shprehet artisti”. Si qytetar me veprën që krijoj shpreh edhe qëndrimin politik dhe duhet të dihet nga dora e kujt është bërë.
Në shoqëri në periudha të ndryshme, veçohen e dalin e formëzohen figura joshëse, që rrezatojnë vlera në fusha të ndryshme të dijes e kulturës. Biseda me artistin ka humor dhe pjesë të historisë dhe të dhimbjes, që peshon tek çdo artist të brezit të tij.
Disa njerëz bëhen pjesë e memorjes kolektive të një kohe. Disa të tjerë veç kësaj lenë gjurmë edhe në histori. Një prej tyre është edhe Bujar Kapexhiu. Ai sikur të zë pritë në kryqëzime rrugësh mendimesh, që bartin peshën e një brezi të tërë, ku “ndeshesh” me kohën, jetën, personazhe interesantë dhe si pika takimi bëjnë lidhjen me kujtesën, me emocionin dhe ndjesitë që ke përftuar në kohë, që veç nostalgjisë, sjellin bukur atë të kaluar “të vogël, të largët”, jashtë qëndrimeve zyrtare, fjalimeve e shtypjes së diktaturës.
Në moshën më të bukur, Kapexhiu është vital në krijimtari. Ka një studio, ku punon çdo ditë dhe çdo ditë krijon, një punëtor i pashembullt. Është pedagog i brendshëm në Universitetin Evropian të Tiranës, ku jep lëndët, Komunikim pamor dhe Arti i të Folurit në Publik. Është nderuar me titullin “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”. Merr pjesë në shumë ekspozita kombëtare e ndërkombatëre dhe është nderuar me shumë çmime.
Bujar Kapexhiu me karikaturat e shumta “shkruan” historinë politike shqiptare, por në një mënyrë të veçantë, me humor, buzëqeshje dhe në mënyrë figurative. Në faqet e librit si në një film të gjatë, të bukur e të këndshëm, kalon e gjithë historia politike shqiptare e viteve të fundit dhe artisti na thotë – shijojeni! Nuk na mbetet tjetër vetëm të buzëqeshim e falenderojmë krijuesin e tyre.
Karikaturat e paraqitura janë një kthim me humor prapa në histori, për të hedhur vështrimin përpara që të mos përsërisim gabimet që kemi bërë.
Metropol






