Merrni pjesë në votime!

Nga Afrim Krasniqi



Merrni pjesë në votime! Përse? Sepse është detyrë morale? Sepse është detyrë ligjore? Sepse është privilegj? Sepse është e drejtë kushtetuese? Sepse është akt patriotik? Sepse vota ka vlerë? Sepse mbi votën bazohet sistemi politik ku jetojmë? Sepse vota ju bën të pushtetshëm, ju jep vetëbesim, tregon respekt dhe dinjitet? Po. Të gjitha janë arsye themelore. Por për rastin shqiptar ka edhe arsye të tjera pse duhet votuar…..
Le të kthejmë kokën pas në historinë tonë 100 vjeçare. Më 1912 kemi qeverinë e parë të zgjedhur me votë konkurruese midis delegatëve. Është e para dhe e fundit në 100 vjet si produkt vote nominale dhe konkurruese! Më 1921 krijuan sistemin dypartiak, më 1923 bëmë zgjedhjet e dyta …pastaj, vijuam 20 vjet pa parti e me zgjedhje fiktive dhe me 46 vjet me një parti dhe me zgjedhje 100% fiktive. Në gjysmën e parë të shekullit nuk patën të drejtë vote qytetarët e thjeshtë, të rinjtë midis 18-25 vjeç, gratë e vajzat, të sëmurët, ushtarakët apo personat pa pronë. Më pas në gjysmën tjetër u përjashtuan nga vota të gjithë ata që konsideroheshin kundërshtarë politikë. Me ligj, u ndalua edhe vota abstenuese, natyrisht vota kundër përbënte krim shtetëror.
Më 1991 rikthyem votën, dhe e shijuam vetëm më 1992. Më pas nisi tregtia e votës, blerja, shitja, kontestimi, por gjithsesi, secili prej nesh, ndryshe nga pjesa më e madhe e shekullit shtetëror, ishte dhe është i lirë të votojë fshehtas dhe sipas vullnetit personal. Vota kundër nuk është më penalizim, nuk ka kosto familjare dhe nuk përbën krim. E kundërta, ata që i frikësohen votës kundër dhe shantazhojnë votën e votuesit përbëjnë krim, sjellin kosto dhe meritojnë penalizim.
Le të shohim edhe një aspekt tjetër: më 1944-1945 u vranë, arrestuan, dënuan apo irnuan rreth 3000 shtetas shqiptarë, shumica me arsim të lartë, pjesë elitare e shoqërisë. Pjesë e këtij terrori ishte ndalimi me ligj, arrestimi dhe dënimi për krerët e partive politike të tjera, Ballit Kombëtar, Legalitetit, Partia Socialdemokrate, Bashkimi Demokratik, Bashkimi Demokristian, etj. Regjimi ekzekutoi 17 deputetë (Shefqet Beja, Enver Sazani, Riza Dani, Kol Prela, Selaudin Toto, etj). Çfarë kërkuan ata? Votim të fshehtë, votim alternativ! Në zonën e Matit u pushkatuan rreth 19 komisionerë. Përse? Sepse nuk pranuan votimin fiktiv dhe mbronin mbretërinë! Në vitet 70 mbylli sytë në internim Musine Kokalari, disidente politike, kryetare e PSD-së. Fjala e saj e fundit: “këtu një kg llaç ka më shumë vlerë se sa një kg tru”!
Po sot çfarë vlere ka 1 vote, 2 vota, 10 apo 100 vota? Le të lexojmë detaje në regjistrat e zgjedhjeve tona:
E dini se nga 250 mijë votues, diferenca në vota midis Edi Ramës dhe Lulzim Bashës në Tiranë 2011 ishte vetëm 10 vota?
E dini se në Pukë (N.C 2000) fitoi me vetëm një votë diferencë mandatin e kryetarit të Bashkisë?
E dini se me vetëm 1 votë diferencë (2011) ka fituar mandatin kryetari i komunës në Finiq (Delvinë) dhe Zharrës (Fier)?
E dini se me vetëm 2 vota diferencë (2011) kanë fituar mandatin kryetari i komunës Poshnje (Berat) me 7.2 mijë zgjedhës, në Brataj (Vlorë) apo në Shalë (Shkodër)?
E dini se me diferencë vetëm 3 deri 9 vota janë fituar mandatet e drejtimit 2011-2014 plot 13 kryetarë komunash në gjithë vendin?
E dini se kryetari i bashkisë Poliçan (A.Z 2011) është rizgjedhur me 31 vota në 6.6 mijë zgjedhës? E dini se kreu i komunës Olltak (Berat) fitoi me 90 vota, se kryetari i bashkisë Belsh (2007) fitoi me 44 vota në 10 mijë zgjedhës, se kryetari aktual i bashkisë Krujë është zgjedhur me 99 vota diferencë në 12 mijë zgjedhës, se në Divjakë kryebashkiaku aktual fitoi me 49 vota në 10 mijë zgjedhës?
E dini se kryebashkiakët e Elbasanit (2007), Durrësit (2007) dhje Tiranës (2011) janë zgjedhur me diferencë deri në 1% në disa qindra mijëra zgjedhës?
E dini se në zgjedhjet parlamentare 2009 një mandat në Fier apo një në Berat është vendosur ne vetëm disa dhjetëra votues nga qindra e mijëra zgjedhës?
E dini se LSI më 2009 fitoi një mandat në Tiranë me vetëm një grusht vota të minutës së fundit? Janë disa detaje teknike që flasin shumë!
Vota vlen, vota bën ndryshimin, vota ndryshon fatin e qeverisjes, vota mund të ndryshojë edhe fatin tonë, fatin e vendit, standardin e demokracisë dhe sistemit qeverisës!
Ndaj miq, të zhgënjyer dhe të lodhur nga tranzicioni, të shantazhuar nga partitë apo të gënjyer nga kandidatë, të distancuar nga politika apo të ndërvarur prej saj, – sot është koha të mendoni, të reflektoni dhe me VOTE të ndëshkoni ata që nuk doni, të mbështesni ata që besoni më shumë! Vota juaj mund të bëjë ndryshimin. Votoni të keni zë, të ndjeheni të respektuar, të keni të drejtë për të kërkuar llogari nesër nga politika, të ndihmoni që ky vend mos të qeveriset nga turmat dhe periferia, të impononi standarde për politikën dhe shoqërinë! Përgjigjuni ndaj politikës së vjetër me mjetin që ata kanë më shumë frikë: VOTEN! Vetëm kështu ju respektojnë, ju dëgjojnë, ju kanë frikë dhe do detyrohen t’u shërbejnë! Dhe ju, fitoni dinjitet, respekt, sovranitet, pavarësi për të qenë qytetar i lirë, – nevoja e sfida më e madhe që ka shoqëria shqiptare!
Është kaq e thjeshtë: Shqipëria ndodhet në udhëkryq. Ju keni shansin të kapni trenin e radhës, ndryshe…..ju duhet të prisni trenin tjetër, 4 vjet më vonë! Atëherë treni do ketë ndryshuar, udhëkryqi do ketë ndryshuar dhe ju vetë do të jeni 4 vjet më të mëdhenj në moshë ndërkohë do të keni humbur 4 vjet në pushtetin tuaj natyror e kushtetues për të marrë vendim për veten tuaj, për miqtë, për familjen, për politikën, për shtetin dhe sistemin qeverisës! Ia vlen shpërdorimi i këtij çasti? Unë besoj se jo. Unë do të votoj me 23 qershor siç kam bërë në çdo zgjedhje politike nga 31 marsi i vitit 1991. Sepse unë besoj se ka ardhur koha që “një kg llaç të mos ketë kurrë më vlerë as krahasim me një kg tru”!