Jens Smaerup Sorensen
Ju falënderoj përzemërsisht për ofertën që më bëtë për të blerë shpirtin tim. Ajo më erdhi tetë ditë më parë. Në qoftë se nuk ju kam kthyer përgjigje menjëherë, ju lutem që këtë ta merrni vetëm si shenjë të rëndësisë që i kam kushtuar. Për mendimin tim, kjo gjë e meriton që të pleqërohet mirë e mirë. Po i lejoj vetes të shkoj edhe më tej, të them se çfarë mendova, kur mora ofertën tuaj. Megjithatë, së pari, lejomëni të theksoj se propozimi juaj nuk mund të mos i dukej tejet joshës një njeriu si puna ime, që në çdo pikëpamje, e quan veten kaq mediokër. Pavarësisht se çdo të ndodhë, se do të arrijmë apo nuk do të arrijmë një marrëveshje për kushtet e shitjes, të propozuara nga ju, do të doja që ta dinit se thjesht ky rast që m’u dha për të nisur bisedime serioze me dikë që ka një autoritet të padiskutueshëm si puna juaj, do të mbetet përgjithmonë një nga çastet më të shkëlqyera të jetës sime.
Në qoftë se ju do ta kishit gjykuar të volitshme të më qaseshit më herët, të themi dhjetë vjet më parë apo diku aty midis të pesëmbëdhjetave e të njëzetave, nuk dyshoj se këtë çështje do ta kisha përfunduar tak-fak, pa e vrarë mendjen gjatë. Nga sa thashë, ju lutem mos arrini në përfundimin se sot do të jem më skeptik as më i gatshëm për të hedhur poshtë një propozim të tillë. Nga ana tjetër, është e pamohueshme se, me kalimin e moshës, njeriu është më pak i
prirur për të përfunduar marrëveshje me një rëndësi kaq të madhe, cilado qoftë ajo. Blerja e një veture që nuk më doli për mbarë, vite të shkuara, kam frikë se, veçanërisht mua, ma ka përforcuar një prirje të tillë. Duhet t’ju lutem që të më falni, në qoftë se disa nga vërejtjet dhe propozimet që lidhen me hartimin e një kontrate të mundshme do t’ju duken pedante.
Në letrën tuaj, ju merreshit pothuaj me çmimin – dhe një njeri me mend nuk mund të priste gjë tjetër, – e fidei comis lartpërmendur. Pra, unë do të ndalem menjëherë te çmimi, për të shtruar disa çështje që, për mendimin tim, nuk mund të quhen pa interes.
Ju thoni se jeni në gjendje të më propozoni një blerje në formën e tri lloje pagesash. Qysh në çastin që ju theksoni se ato mund të jenë të pakufizuara, ka gjasa se është e kotë të përpiqem të përcaktoj cilës duhet t’i jap më shumë përparësi se sa të tjerave. Pra do t’i trajtoj sipas radhës që keni vendosur ju vetë.
Përsa u përket grave, më duhet të pohoj menjëherë se as që mund të mendohet shfrytëzimi i të gjitha mundësive që më propozoni ju. Sigurisht, gratë mbeten objekti i simpatisë sime të pakufizuar, por “të kem mundësi të shtie në dorë të gjitha gratë e botës”, siç e thoni ju në mënyrë kaq mbresëlënëse, nuk zgjon tek unë një dëshirë aq absolute, siç do të kishte ndodhur pa dyshim në kohën që isha i ri. Tani për tani, ka vetëm tri ose katër përfaqësuese të këtij seksi që me gjithë mend kam dëshirë t’i fus në dorë. Tri i përkasin rrethit të miqve të mi më të afërt dhe të miqve të gruas sime. E katërta që nuk dua ta lë pa e zënë ngoje, është një folëse e televizionit, tepër e njohur, megjithatë marr guximin të pohoj se, në fund të fundit, do të parapëlqeja ta quaja të parëndësishme këtë lidhje, ngaqë ajo është e njëanshme dhe pjesërisht anonime. Përkundrazi, nuk kam asnjë rezervë të kësaj natyre për tri të tjerat që i përmenda më parë. Sidoqoftë kam një rezervë tjetër që lidhet veçan me njërën sosh, së cilës do t’i drejtohesha të parës. Ç’është e vërteta, ajo është e martuar me një burrë që për një kohë të gjatë kam guxuar ta quaj si mikun tim më të mirë. Pra, unë do të ndieja një lehtësim thelbësor, në qoftë se ju personalisht do të jepnit ndihmesën tuaj, me qëllim që marrëdhëniet e mia me këtë grua të mos cenonin besimin që ka tek unë burri i saj. Në rast të kundërt, liria ime për të vepruar mund të kërcënohej nga përkujdesjet që duhet të kem ndaj vajzës së tyre adoleshente, për të cilën gjithmonë kam pasur një dobësi të theksuar. Natyrisht, divorcet e shumta mund të jenë të dobishme edhe për fëmijët, prapëseprapë nuk janë të paktë shembujt kur këta mund ta ndiejnë veten të tradhtuar, e, për pasojë, të bëhen indiferentë ndaj gjithçkaje. Pikërisht një rast i tillë i ndodhi një fqinjit tonë, kur, pas ndarjes së prindërve të tij, djali filloi të fitonte shumë para, çka të shtyn të mendosh se ai është zhytur në kriminalitet. Sigurisht, ju e kuptoni se unë do të ndieja një hidhërim të thellë, po t’i ndodhte një gjë e këtillë vajzës së mikut tim e të dashnores që mendoj të fut në dorë. Mirëpo do ta kisha të vështirë t’ju kundërshtoja, në qoftë se ju do të ishit i mendimit se po përpiqem të stolisem me një përgjegjësi që, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, nuk i përket askujt tjetër, përveç prindërve. Ndoshta ju do të keni kënaqësinë të merrni vesh, për këtë ju siguroj se nuk është nevoja të shqetësohem fare për gruan time. Disa herë gjatë viteve, ajo ka shprehur dëshirën të më linte dhe, nëse parashikoj një situatë, në të cilën do të kisha mundësi të tjera, unë nuk do t’i bëhesha pengesë, me qëllim që asaj t’i plotësohej dëshira.
Ka rrezik që t’ju shkaktoj njëfarë habie, duke ju thënë se modestia relative e kërkesave të mia nuk ka të bëjë vetëm e vetëm me gratë. Vetëkuptohet se unë jam po aq i prekur sa dhe i nderuar nga lehtësirat tuaja të jashtëzakonshme, por Pasuria, brusnia që ju ravijëzoni, ar, toka, kështjella e gjithçka, një njeriu të shtresës së mesme e shpirtngushtë siç jam unë, mund t’i duket më tepër si barrë se sa diçka tjetër. Për vite e vite të tëra, kam mundur të vë re se të ardhurat e mia modeste përputheshin për bukuri me nevojat që kisha. Këto ditët e fundit, pasi kam menduar hollë për shumë gjëra, kam parë se kënaqësia ime mbështetej pjesërisht mbi një gënjeshtër. Kur ngulmoja se kurrë nuk do të doja të largohesha nga kjo shtëpi, edhe sikur të më ofronin një tjetër, që do të kushtonte dy herë më shumë, në njëfarë mënyre, këtë duhet ta kem bërë, sepse ma thoshte mendja se asnjëherë nuk do të më binte rasti të më bënin një ofertë të tillë. Një ndjesi të kësaj natyre duhet të më ketë shtyrë, kur kam deklaruar shpesh se kurrë nuk do të hiqja dorë nga vendi ku i kam kaluar pushimet deri tani. Edhe për veturën kam pasur një vizion idealist. Në çdo rast, e kam mburrur madhësinë dhe fuqinë e saj, ndonëse që të dyja ishin modeste. Këtë e kam bërë me një kokëfortësi kaq të madhe sa, si në vendin e punës ashtu edhe në rrethin shoqëror më ka dalë nami sikur jam partizan i zhvillimit të vetëdijes ekologjike të qytetarit të thjeshtë. Vetëm tani, pas ndërhyrjes suaj, jam vetëdijësuar se sa qesharak jam bërë, duke mëtuar se shpëtimi i botës varej nga një individ aq i parëndësishëm si puna ime. Me fjalë të tjera, m’u desh t’u bëja një rishikim nevojave të mia. Tani, unë ia kam vënë syrin një shtëpie më të madhe e më të bukur, në një lagje më të mirë. Këtë gjë unë e quaj një synim të arsyeshëm, për aq kohë sa nuk ia lejoj vetes të shkoj deri atje, sa të mendoj për diçka luksoze apo që është në kontrast me mjedisin rrethues. Po ashtu, unë nuk dëshiroj të kem një ose disa vetura që, thjesht me pamjen e jashtme, mund të ngjallin zilira apo madje të shkaktojnë mynxyra. Mund t’ju vë në dijeni se, vetëm duke i hedhur një sy tregut, kam gjetur modele që gjithkush, me përjashtim të atij që merr vesh nga këto punë, fare lehtë mund t’i ngatërrojë me vetura fare të zakonshme që i përdor klasa e mesme. Vetëm pajisjet e tyre të mrekullueshme mund të përligjnin çmimin e tyre, i cili është aq i lartë, sa deri tani më ka bërë ta injoroja ekzistencën e tyre. Pa u zgjatur më tej me hollësirat, pavarësisht nga ç’thashë, marr guximin të hamendësoj se kërkesat e mia nuk do t’ju bëjnë të tërhiqeni. Sipas përllogaritjeve të mia del se një shumë prej katër milionësh, me para në dorë, dhe një shumë tjetër, me një vlerë prej tetë milionësh, në formën e obligacioneve shtetërore, do t’i mbulonin tërësisht si kërkesat e mia të tanishme ashtu dhe ato që mund të imagjinoj në të ardhmen. Pra, jam i bindur se, me nënshkrimin e mundshëm të kontratës, ju s’do të keni ndonjë kundërshtim të derdhni në bankë, në emrin tim, një shumë që përputhet me shifrat e lartpërmendura.
Sa për pjesën e tretë të propozimit tuaj për llojin e pagesës, isha gati të hiqja dorë në çast. Të them të drejtën, nuk më kujtohet që Fama të ketë ushtruar ndonjë ngashnjim të njëmendtë mbi mua, qysh nga fëmijëria. Mirëpo nuk marr guximin të them se një ndjesi si kjo që përmenda, nuk ia ka zënë frymën një vetëdijësimi pa paragjykime për prirjet e mia të vërteta. Sidoqoftë do të rreja, po të mëtoja se e kam gjetur me lehtësi përgjigjen për pyetjen se çfarë do të bëja në praktikë me një dhunti të tillë. Ndoshta pa të drejtë kam arritur deri atje sa të dyshoja se kjo gjë do të më bezdiste në jetën e përditshme. Mirë, unë nuk dëshiroj ta hedh poshtë, pa e provuar, ashtu siç nuk do të doja t’ju lija përshtypjen se, në një mënyrë a në një tjetër, i përbuz propozimet tuaja bujare. Pra, do të doja t’ju propozoja që fama ime të kufizohej në një pjesë të caktuar të Afrikës ku tash e mbrapa do të mund t’i kaloja pushimet. Megjithatë do të kërkoja të jepej një çmim, me qëllim që emri im të radhitej midis atyre emrave, tek të cilët mund të arrish vetëm me përpjekje të mëdha, shpirtërore, duke i shtuar kështu famës një penelatë altruizmi. E marr me mend se nderimi i padiskutueshëm që do të kishte njerëzia për mua, do t’u sillte pushimeve të mia atë të veçantë, e cila do t’i shndërronte në një amnezi të plotë; gjithçka që lidhet me jetën e përditshme. Për sa i përket zgjedhjes së veprës epokale, për të cilën do të bëhesha i famshëm, jam i detyruar t’jua lë juve të vendosni, meqenëse nuk marr vesh shumë ku do të ishin mundësitë më të mëdha. Në rast se fama që ju do të parapëlqenit, do të më jepej mua, veç duke iu hequr njëkohësisht dikujt tjetër që do ta meritonte plotësisht, do t’ju lutesha që, sa të jetë e mundur, këtë shpronësim ta kryenit, duke u marrë vesh me këtë palë të tretë për përfitimin që ai do të kishte nga kjo gjë.
Pas këtyre që thashë, kam arritur te pika që natyrisht ju nuk e keni quajtur të nevojshme ta përfshini në propozimin tuaj. Kjo pikë ka të bëjë me moralin tim. Në asnjë mënyrë nuk do të mëtoj se jam më i mirë nga ç’jam në të vërtetë dhe ca më pak të paraqitem, si njëfarë apostulli. Mirëpo nuk mund të mos e marr parasysh se vënia në jetë e rubrikave “Gra” dhe “Pasuri” mund të kërkojë zbatimin e disa metodave që vështirë përputhen me atë që deri tani e kam konsideruar si të drejtë e të arsyeshme në këtë botë. E pohoj se ideja që kam për këto nocione, nuk mund të mbështetet tërësisht tek arsyeja dhe, merret vesh, e kam kuptuar për bukuri se, një të përfunduar kontratën tonë, ato do ta humbasin përfundimisht atë vlerë që më duket se e kanë ende. Me fjalë të tjera, bëhet fjalë për një tram, megjithatë kam përshtypjen se ju duhet ta dini që këtë gjë e përfytyroj me njëfarë shqetësimi. Po vetëm të menduarit për të më mbush me një ankth ta pashpjegueshëm, të cilin arrij ta mposht vetëm gjatë disa sekondave. Të flas me zemër në dorë, kam frikë se gjendja ime shpirtërore, në çastet vendimtare, mund të bëhet pengesë për përfundimin fatlum të kësaj çështjeje. Me qëllim që t’i dalim përpara së keqes, i lejoj vetes t’ju pyes, nëse rastësisht ju do të kishit aso mjetesh që do të mund ta zbutnin këtë gjendje psikike kalimtare. Natyrisht nuk më vete mendja tek alkooli, tek ato medikamente apo tek ato gjëra që në këtë kontekst madhështor mund të dukeshin si diçka e rëndomtë. Unë kërkoj diçka tejet të stërholluar, bie fjala, do të më interesonte të dija, nëse ju keni aso argumentesh që, edhe në qofshin sot për sot në kundërshtim të plotë me atë që duket sheshit, në mënyrë të pamohueshme do të krijonin një lidhje, të paktën pas një kohe të gjatë, midis hapit që do të hidhja unë dhe të mirës së përgjithshme.
Për t’i dhënë fund kësaj letre, nëse më lejohet t’ju tërheq vëmendjen edhe për një çështje tjetër, ma do zemra që të caktojmë kushtet, të cilat do të duhej t’i plotësoja për të blerë prapë shpirtin tim. Juve ju çmojnë dhe ju admirojnë për besnikërinë tuaj të plotë si ndaj frymës së përgjithshme ashtu dhe ndaj hollësirave të marrëveshjeve të përfunduara. Me gjithë modestinë që kam, dua të them se edhe unë nuk tundem nga ky parim. Pra, nuk mund të mendohet që në një çast çfarëdo, pas përfundimit të kontratës, t’ju kërkoj që ta rishikojmë. E shoh të udhës të shtoj se kushtet e zakonshme për një përtëritje të kontratës, në qoftë se unë do të shfaqja një dëshirë të tillë, do të më vinin përballë kërkesash kaq të mëdha, sa nuk do të kisha asnjë gjasë të besueshme për t’i plotësuar, po të vlerësohen objektivisht forcat dhe karakteri im. Pra, më duket se do të kisha të drejtë ta qortoja veten, po qe se nuk do ta zija ngoje këtu, qysh më parë, këtë çështje: dua të di a nuk do të ishte më mirë të përfshihej në kontratë një klauzolë me një përmbajtje pak më të zbutur. Një zgjidhje tjetër, ndoshta më e pëlqyeshme, do të ishte kjo: tërë kontrata të mbështetej te parimi i “leasing”-ut, në mënyrë që ju të merrnit një uzurfrukt të plotë, pa kufizime, për një numër vitesh që do ta caktonim bashkë. Natyrisht, unë nuk e di, nëse ju keni ndërmend t’i hyni një marrëveshjeje kësodore, më afatshkurtër. Sidoqoftë nuk mund ta lë pa përmendur se për gjithçka që ka të bëjë me vendosjen e çmimit, unë jam treguar më se i arsyeshëm. Nuk më mbetet gjë tjetër, përveç tundimit pothuaj të pamposhtur për t’ju bërë një pyetje, si të them, krejtësisht vetjake. Merret vesh, ju keni plotësisht të drejtë të mendoni se përgjigjja e kësaj pyetjeje nuk ka ç’më duhet, për pasojë, do t’ju isha mirënjohës shumë më tepër, në qoftë se, si shprehje e veçantë e dashamirësisë suaj ju të më ndihmoni të gjeja zgjidhjen e këtij problemi, gati do të thosha të këtij misteri. Përse m’u drejtuat pikërisht mua? Vërtet, çfarë do të bëni me shpirtin tim? Jam plotësisht i sigurt se, shumë kohë para se të merrnit kontakt me mua, ju e keni hulumtuar deri në skutat më të thella, pra, nuk kam asnjë mundësi të mëtoj për një ndershmëri aq të madhe, sa të tërheq vëmendjen. Tani po e them shkoqur se, sipas gjykimit tim, ai nuk ka aso cilësish që do të mund ta shquanin nga miliona shpirtra të tjerë. Fundi i fundit, ai e meriton emrin që ka, është një shpirt si gjithë të tjerët, por, që t’i biem shkurt, është një shpirt, i cili rastësisht më përket mua. Si njeri mediokër që jam, ju pyes: Përse?
Në pritje të përgjigjes suaj dhe me shpresë se mund të arrihet një marrëveshje që do të na kënaqë si mua ashtu edhe juve, ju lutem shumë etj.
Përktheu: Anton Papleka
Marrë nga “Fjala review”