Home »
» LAJMET E RRALLA/Maturanteve kineze u ndalohet gjatë provimeve mbajtja e ..sutjenave!
LAJMET E RRALLA/Maturanteve kineze u ndalohet gjatë provimeve mbajtja e ..sutjenave!
LAJMET E RRALLA/
Maturanteve kineze u ndalohet gjatë provimeve mbajtja e ..sutjenave!
Më shumë se nëntë milionë të rinj kinezë kaluan dje provimin e hyrjes në universitet, por kandidateve iu ndalua mbajtja e sutjenave me tela metalikë për të shmangur çfarëdo lloj mashtrimi të mundshëm. Për të parandaluar përdorimin ose fshehjen e aparateve elektronike, përfshirë celularët, qendrat e provimeve të maturës kineze të provincës Jilin në verilindje të Kinës janë pajisur me detektorë metalesh. “Kandidateve ju kërkua që të hiqnin sutjenat me tela metalikë”, shkruante gazeta “Global Times”. “Të mërkurën Ministria kineze e Arsimit premtoi se do të luftonte çdo lloj mashtrimi me anë të vendosjes së kamerave në sallat e provimit”, theksoi e përditshmja “China Daily”. Një diplomë universitare konsiderohet e domosdoshme për arritjet personale dhe sociale në Kinë. Hyrja në universitet është kthyer në një etapë thelbësore dhe konkurrenca është e madhe. Në vitin 2012, Ministria e Sigurisë Publike deklaroi arrestimin e 1 500 personave dhe konfiskimin e 60 000 aparateve elektronike gjatë provimit.
Kafenë mund ta paguani edhe me…. puthje
Për muajin qershor, prej orës 09:00 – 11:00 është e mundur që ta paguani kafenë… me një puthje. Nëse ideja ju tërheq duhet të fluturoni deri në Australi, duke marrë parasysh se nisma e çuditshme e marketingut është ndërmarrë nga bari në Sydney, “Saint James”. Pyetja spontane është: Kë duhet të puthësh? Kamarierët? Pronarin? Sigurisht që jo…Nëse paraqiteni çift te lokali mund të shkëmbeni puthje para kamerierëve, sigurisht pa bërë me hile dhe ja ku keni mbaruar punë me llogarinë. Bari ka menduar ta promovojë nismën me një spot publicitar faqen e vet në “YouTube”, duke u bërë kështu në pak kohë tepër i famshëm. Videoja tregon rrugët e Sydney-t dhe kafenenë “St.James” në orët e para të mëngjesit, me njerëz që shijojnë kafenë e tyre. Kamerieri duke çuar dy ekspresë te tavolina e një çifti u thotë: “Nëse doni të kurseni faturën mund të jepni një puthje të vertetë, sepse nëse mashtroni unë e dalloj. Jam specialist”. Pas një momenti stepjeje çifte të tjetra nisin të puthen, disa dhe me pasion madje. Dhe banakieri tepër i kënaqur bërtet: “Kafe falas për të gjithë”! Kështu nisi kjo iniciativë që ka nxitur kureshtjen e shumë personave. Parulla e lokalit është: “Në barin “Saint James” nuk duam paratë, vetëm puthjet tuaja”. Por mbetet një pyetje pa përgjigje: nëse e pi vetëm kafenë a janë kamerierët apo kamerieret të gatshëm apo të gatshme të të puthin?
Shkon të bëjë operacion hundën, ia heqin fare
Një shtetas amerikano-indian njohu surprizën më të pakëndshme që mund të përjetojë një person kur realizon një ndërhyrje estetike në hundë. Pas një divorci që e la në një gjendje të rënduar psikologjike, Vishal Thakkar vendosi që të bënte diçka për vete, duke zvogëluar hundën, të cilën asnjëherë nuk e kishte pëlqyer. Ndërhyrja, e cila kryhet me anestezi të plotë, duhet të ishte diçka rutinë, por kur u zgjua, Thakkar pa se hunda e tij ishte hequr e gjitha. Pas protestave të pacientit, kirurgu që e kishte operuar u justifikua duke i thënë se gjatë ndërhyrjes kishte konstatuar një infeksion të rëndë në hundë, ndaj ishte detyruar ta hiqte të gjithën, por çështja tashmë ka shkuar në gjykatë. Avokatët mbrojtës të Thakkar kërkojnë një dëmshpërblim nga klinika për dëmin e shkaktuar nga gabimi mjekësor, ndërsa vetë viktima mohon të ketë pasur ndonjëherë probleme me hundën, aq më pak ndonjë infeksion që e bënte të domosdoshme këtë ndërhyrje. Nga ana tjetër, zgjimi nga kjo “ëndërr e keqe” duket se ka kontribuar për të rënduar edhe më shumë gjendjen psikologjike të Thakkar, siç dëshmoi ai në një intervistë të dhënë në një rrjet amerikan.
Presidenti francez ngatërron popullin japonez me atë kinez
Presidenti francez François Hollande bëri një lapsus dje në Tokio duke ngatërruar popullin japonez me atë kinez. Ai rikujtoi një tragjedi në Algjeri gjatë së cilës disa japonezë gjetën vdekjen dhe u shpreh se në atë rast i kishte dërguar ngushëllimet e tij popullit kinez (?!). “Rikujtoj se Japonia u trondit po ashtu si Franca nga marrja e pengjeve në Algjeri. I shpreha popullit kinez ngushëllimet e popullit francez”, tha presidenti gjatë një konference shtypi me kryeministrin japonez Shinzo Abe. Me sa duket, François Hollande nuk e ka kuptuar gabimin dhe ka vazhduar deklaratën. Ndërkohë, përkthyesja në japonisht është vetëkorrigjuar. Marrëdhëniet mes Kinës dhe Japonisë nuk janë të mira prej muajsh. Këto shtete ndodhen në konflikt territorial për Detin e Kinës Lindore. Ushtria japoneze pushtoi një pjesë të Kinës nga viti 1930 deri në 1945.






