Në vendet e BE-së, komunat mbajnë për vete 50 për qind nga tatimi personal, përderisa në Maqedoni – vetëm 3 për qind. Edhe shuma prej 4.5 për qind nga TVSH, thotë nënkryetari i BNJVL, Izet Mexhiti, është e pamjaftueshme për komunat në Maqedoni dhe jashtë standardeve ndërkombëtare. Ai akuzon se Qeveritë e njëpasnjëshme kanë ngarkuar komunat me kompetenca, por jo edhe me para
Shkup – Përderisa në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, komunat mbajnë për vete 50 për qind nga tatimi personal që grumbullojnë prej qytetarëve, komunave në Maqedoni në arkat e tyre ju mbetet vetëm 3 për qind, ndërsa 97 të tjera përfundojnë në Buxhetin Qendror. Ky është vetëm një nga problemet e procesit të decentralizimit në vend që nga viti 2005 e këndej, si dhe një nga vërejtjet kryesore të kryetarëve të komunave, të cilët ankohen për mungesë të mjeteve për realizimin e detyrave që u janë transferuar atyre nga pushteti qendrorë. Nga Ministria e Financave thonë se për nga procesi i decentralizimit, Maqedonia mund të radhitet me vendet anëtare të BE-së. “Me procesin e Decentralizimit fiskal, Maqedonia mund të krahasohet me vendet tjera të BE-së, gjegjësisht ka arritur standardin ndërkombëtar të decentralizimit me çka bën pjesë në grupin e vendeve, të cilat janë decentralizuar”, thotë zëvendësministri i Financave, Ardian Xheladini. Ai tregon se në periudhën e kaluar, janë ndërmarrë më tepër masa në lidhje me rritjen e të hyrave vetanake të komunave. “Në mënyrë graduale është rritur përqindja e të hyrave nga tatimi në vlerën e shtuar nga 3 për qind në vitin 2009 në 3.4 për qind në vitin 2010, 3.7 për qind në vitin 2011, 4 për qind në vitin 2012 dhe 4.5 për qind në vitin 2013. Shpërndarja e të hyrave nga shitja e tokës ndërtimore është në raport 20:80 për qind në favor të komunave, për dallim nga shpërndarja e vitit 2008, kur komunat fitonin 40 për qind. Ndërsa, shpërndarja e të hyrave nga koncesionet e resurseve minerale është në raport 22:78 për qind në favor të komunave, ku në vitin 2007 – komunat fitonin 40 për qind. Në vitin 2013, të hyrat për komunat nga koncesionet e resurseve ujore për prodhimin e energjisë elektrike janë në raport 50:50, dhe të njëjtat në vitin 2016 pritet të jenë në raport 25:75 në favor të komunave”, shprehet Xheladini. Por, nënkryetari i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, njëherësh kryetarë i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, thotë se Qeveria aktuale dhe ato të mëparshmet, kanë shprehur gjithmonë gatishmëri për decentralizim të obligimeve dhe kompetencave, por jo edhe të mjeteve financiare. Mexhiti thotë se që nga viti 2005, BNJVL ka kërkuar rritje të përqindjes nga tatimi i vlerës së shtuar dhe tatimi personal që duhet t’ju ndahet komunave. “Kemi vazhdimisht kontakte me Qeveritë e njëpasnjëshme dhe ne – edhe më tutje do ta kërkojmë, sepse decentralizimi fiskal është parakusht për decentralizim të vërtetë. Kjo është në planin strategjik të BNJVLsë dhe ne vazhdimisht tentojmë, bëjmë takime me ministrin e Financave, Qeverinë.., mirëpo në këtë drejtim punët lëvizin ngadalë nga secila Qeveri deri më tani. Qeveritë e njëpasnjëshme kanë prirje për decentralizim të kompetencave dhe obligimeve, por jo edhe të financave”, shprehet Mexhiti. Sipas tij, Maqedonia ndan për komunat shumë minimale të mjeteve që grumbullohen nga tatimi personal dhe tatimi i vlerës së shtuar. Rritja nga 3 në 4.5 për qind nga TVSH që ndalet në arkat e komunave, sipas Mexhitit, është shumë larg shumës reale që duhet ti ndahet pushtetit lokal për të funksionuar pa problemet me të cilat ballafaqohet sot. “Tani e 7-8 vite, ne si BNJVL kërkojmë decentralizim fiskal më të fuqishëm me atë që përqindja që ndahet nga TVSH për komunat, të rritet. Edhe pse është miratuar gradualisht një rritje prej në 3 në 4.5 për qind, përsëri kjo është jo e mjaftueshme dhe është larg standardeve evropiane. Ndërkaq, për tatimin personal, kërkesa është të rritet edhe më shumë. Në vendet evropiane, 50 për qind të tatimit personal e marrin komunat, ndërsa në Maqedoni është vetëm 3 për qind. Kërkesa është që sidomos për tatimin personal, të ketë rritje, ndoshta jo menjëherë 50 për qind, por ajo të jetë shumë më e lartë se 3 për qind. Kjo përqindje është qesharake dhe e pamjaftueshme për komunat”, thotë për gazetën “KOHA”, Izet Mexhiti, nënkryetarë i BNJVL-së. Një vërejtje tjetër, e cila edhe në të kaluarën është theksuar nga drejtuesit e komunave në vend, ka qenë edhe ndarja e bllok-dotacioneve për arsim dhe kulturë. Si gjatë debateve publike, ashtu edhe në debatet parlamentare, është theksuar se bllok-dotacionet që Ministria e Financave ndan çdo vit për komunat, janë të pamjaftueshme për mbarëvajtjen e shkollave fillore dhe të mesme, si dhe institucioneve dhe aktiviteteve kulturore./Koha






