Kolonitë në Paqësorin e largët, drejt pavarësisë


Presioni për pavarësinë është ende i gjallë, por jo gjithmonë i suksesshëm, raporton “The Economist” për minishtetet në ishujt e Oqeanit Paqësor
Fundi i perandorive



Tahiti është zakonisht një vend që të sjell ndër mend muajin e mjaltit në resorte luksoze më shumë se sa njerëz që po përpiqen të çlirojnë veten nga sundimi kolonial. Megjithatë, më 17 maj, territori i Polinezisë Franceze, ku Tahiti është ishulli me më shumë popullatë, u rivendos në listën e OKB-së për “territoret jovetëqeverisëse”. Më herët ajo qe territor francez i inkorporuar me një farë pavarësie. Rivendosja në listë nënkupton që OKB po i kërkon Francës të ecë me shpejtësi përpara dhe t’i japë pavarësinë për Polinezisë Franceze.
Franca i bojkotoi bisedimet. Por vetëm 12 ditë më herët, zgjedhjet në atë pararojë ishujsh të shpërndarë të Perandorisë Franceze të Polinezisë, sollën një humbje të thellë për udhëheqësin afatgjatë pro-pavarësisë Oscar Temaru dhe fitore për kundërshtarin e tij, Gaston Flosse, i cili betohet se nuk do të lejojë kurrë një flamur tjetër të valëvitet mbi pallatin presidencial. Vetëvendosja, tha qeveria franceze “nuk mund të ushtrohet kundër vullnetit të vetë popullatës për të cilën flitet”.
Lista e OKB-së për vendet “jo vetëqeverisëse” filloi të krijohej më 1946 dhe në fillim përbëhej nga territore që raportoheshin si zona të varura nga vetë fuqitë koloniale. Në dekadat në vijim, shumica e tyre u bënë të pavarura, ose u aneksuan, ose u njohën zyrtarisht si, në fakt, shtete që gëzojnë autonomi politike. Por 16 territore në të gjithë botën, më së shumti ishuj të vegjël në Karaibe, Atlantik apo Paqësor, mbeten zyrtarisht në listën e vendeve që duhet të dekolonizohen.
Në Paqësor, këtu përfshihet Tokelau, ishujt Pitkairn, Amerikan Samoa, Guami, Kaledonia e Re. Çdo vit, një komitet i OKB-së takohet për të debatuar statusin e tyre, dhe për të dhënë verdiktin e vet për hapat e ndërmarrë drejt dekolonizimit të tyre.
Megjithatë, kur u pyetën, pavarësia nuk ka qenë opsioni i parapëlqyer për shumë banorë të ishujve të Paqësorit. Në dy referendume të mbikëqyrura nga OKB, të zhvilluara më 2006 dhe 2007, Tokelau (me popullatë 1,411 banorë) nuk arriti me rezultat të ngushtë t’i jepte fund statusit të vet si ishull nën varësinë e Zelandës së Re. Në referendum kërkohej një mazhorancë prej dy të tretash për të arritur pavarësinë. Rezultati qe shumë i ngushtë.
Por edhe 47 banorët e Pitkairnit, një ishull që është ende shtëpi e trashëgimtarëve të anijes britanike Bounti, marinarët e së cilës bënë kryengritje dhe u vendosën në këtë ishull në atë kohë jashtë hartave të ishujve të njohur, nuk kanë dëshirë të fitojnë pavarësinë. Politikanët e Amerikan Samoa në mënyrë të përsëritur kanë bërë kërkesë për t’u hequr nga lista e OKB-së e kolonive nën shkolonizim.
Territori në Paqësor me më shumë shanse për dekolonizim është Kaledonia e Re, e pasur me nikel, një koloni franceze që nga viti 1853. Në vitet 1980, udhëheqësit indigjenë Kanak që punonin për të fituar pavarësinë, ia dolën ta rivendosin ishullin në listën e territoreve “jovetëqeverisëse”.
Konflikti i dhunshëm në ishull, ku gjendet një popullatë e konsiderueshme kolonësh francez, përfundoi më 1988 vetëm, pasi autoritetet në Paris ranë dakord se në ishull do të zhvillohet një referendum për pavarësinë brenda një dekade. Kur kjo kohë mbërriti më 1998, udhëheqësit Kanak ranë dakord për një shtyrje të mëtejshme prej 15-20 vjetësh, gjë që nënkupton që referendumi duhet të zhvillohet mes vitit të ardhshëm dhe vitit 2019.
Shumë nga politikanët e kolonëve francezë, të cilët mbeten besnikë ndaj atdheut nënë, shpresojnë se ndonjë kompromis tjetër do të mund të shmangë sërish garën me potencial polarizues elektorale.
Përpjekja e suksesshme e Temarut për ta rikthyer Polinezinë Franceze zyrtarisht në listën e vendeve ende në statusin e kolonisë qe frymëzuar nga eksperienca e Kaledonisë së Re. Në të shkuarën, Parisi ka kërcënuar se do të heqë financimet ekonomike në cilindo prej territoreve që zgjedh pavarësinë, gjë që shpjegon se pse shumë tahitianë parapëlqejnë ndonjë formë autonomie të lehtë, ndërsa mbeten nën sferën e Francës. Megjithatë, me raste qeveria në Paris ka dhënë shenja se po trishtohet gjithnjë e më shumë nga kolonitë e veta në Paqësor dhe kostove që duhet të mbulojë për to.
Kaledonia e Re vendosi së fundmi të kufizojë të drejtën për të marrë pjesë në referendum vetëm për banorët që kanë jetuar aty prej së paku njëzet vjetësh. Kjo përjashtoi shumë njerëz që qarkullojnë nga Franca për një eksperiencë disavjeçare në vende pune të shërbimit publik. Dhe ndërsa mbështetja për pavarësinë është në rreth 40 për qind të popullsisë, kufizimi i të drejtës së votës mund të sjellë një fitore për pavarësinë në rast se mbahet një referendum. Temaru shpreson për një marrëveshje të ngjashme. Nëse pavarësia më në fund vjen, atëherë ajo do të ketë një farë bekimi nga Franca.
 polinesia-bora-bora