Kanceri i prostatës është lloji i kancerit i cili fillimisht formohet në indin e prostatës (një gjëndër në sistemin repoduktiv mashkullor nën fshikën e urinës dhe para rektumit).
Kanceri i prostatës zakonisht paraqitet te meshkujt më të rritur. Kanceri i prostatës është kanceri dominues te meshkujt, me 25 për qind të të gjithë të pacientëve meshkuj me kancer që janë të prekur pikërisht nga ky lloj.
Çfarë është prostata?
Prostata është pjesë e organeve reproduktive mashkullore. Ajo është e vendosur para rektumit dhe nën fshikën urinare. Prostata rrethon uretrën, gypin nëpër të cilin urina del nga fshika urinare jashtë organizmit.
Prostata është një gjëndër me madhësinë e arrës. Nëse prostata zmadhohet shumë, ajo e shtyp uretrën. Kjo mund të ndalojë ose ngadalësojë rrjedhjen e urinës nga fshika drejt penisit.
Prostata është një gjëndër. Ajo krijon një pjesë të lëngur të farës (spermës). Gjatë ejakulimit, lëngu i farës ndihmon spermën të dalë nga organizmi i mashkullit si pjesë e farës.
Hormonet mashkullore (androgjenet) e bëjnë prostatën të rritet. Testikujt janë burimi kryesor i hormoneve mashkullore, përfshirë testosteronin. Gjëndra mbiveshkore po ashtu krijon testosteron, por në sasi të vogla.
Qelizat kanceroze të prostatës
Kanceri fillon në qelizat, blloqet të cilat ndërtojnë indet. Indet më pas ndërtojnë të gjitha organet tjera në organizëm.
Qelizat normale të organizmit rriten dhe ndahen në një mënyrë të kontrolluar, në varësi të nevojave të organizmit. Kur qelizat normale plaken ose dëmtohen, ato vdesin dhe krijohen qeliza të reja në vend të tyre.
Ndonjëherë ky proces nuk zhvillohet siç duhet. Qelizat e reja krijohen kur organizmi nuk ka nevojë për ta dhe qelizat e dëmtuara nuk vdesin siç duhet. Krijimi i qelizave shtesë shpesh krijon një masë të indit të quajtur tumor.
Rritja e prostatës mund të jetë beninje (jo kanceroze) ose malinje (kanceroze). Hiperplazia beninje e prostatës (HBP) është një rritje jokanceroze e qelizave të prostatës. Pra, ky tumor nuk është kancer. Prostata thjesht rritet dhe bllokon uretrën. Kjo gjë parandalon rrjedhjen normale të urinës.
HBP është një problem shumë i shpeshtë. Shumica e njerëzve mbi moshën 50 vjeçare kanë simptoma të HBP. Te disa meshkuj, simptomat mund të jenë aq të theksuara sa ata kanë nevojë për trajtim.
Tumoret beninje nuk janë aq të dëmshëm sa tumoret malinje.
Tumoret beninje (si HBP):
- Rrallë janë kërcënuese për jetën
- Mund të largohen dhe zakonisht nuk kthehen
- Nuk pushtojnë inde të tjera rreth tyre
- Nuk shpërndahen në pjesë të tjera të organizmit.
- Mund të jenë kërcënuese për jetën
- Zakonisht mund të largohen, por ndonjëherë kthehen
- Mund të pushtojnë dhe dëmtojnë indin dhe organet rrethore
- Mund të shpërndahen në pjesë të tjera të organizmit.







