Home »
» Ja si diabetikët të parandalojnë çrregullimin e zemrës
Ja si diabetikët të parandalojnë çrregullimin e zemrës
Cilat janë shenjat e çrregullimit të zemrës dhe këshillat
Sëmundjet e zemrës janë më të shpeshta te njerëzit me diabet. Statistikat nga Shoqata Amerikane e Zemrës, vlerësojnë se sëmundjet e zemrës dhe sulmet në tru janë përgjegjëse për 2/3 deri në 3/4 e vdekjeve të personave me diabet. Derisa të gjithë njerëzit me diabet kanë shanse të rritura të zhvillimit të sëmundjes së zemrës, kjo është më e shpeshtë tek ata me tipin 2 të diabetit. Një prej dëshmive të para që tregojnë se njerëzit me diabet janë më të prirë ndaj sëmundjeve të zemrës ka qenë një studim i gjerë i njohur si “Framingham study”. Ky studim ka analizuar disa gjenerata për të përcaktuar faktorët e paraqitjes së sëmundjeve të zemrës. Studimi ka treguar faktorë të shumtë që mund të rrisin gjasat për zhvillim e sëmundjeve të zemrës. Një rrezik i dukshëm ishte të qenit me diabet. Nga të tjerat janë përfshirë tensioni i lartë i gjakut, pirja e duhanit, nivelet e rritura të kolesterolit dhe historia familjare e sëmundjes së hershme të zemrës. Sa më shumë faktorë të rrezikut që ka pasur personi, gjasat për tu prekur nga sëmundja e zemrës kanë qenë më të larta.
Rreziku
Si çdokush tjetër, njerëzit me diabet kanë një rrezik të rritur të vdesin nga sëmundjet e zemrës nëse ata kanë më shumë faktorë të rrezikut. Sidoqoftë, gjasat janë më të larta tek personat me diabet. Prandaj, derisa një person me një faktor të rrezikut mund të ketë gjasa reale të vdesë nga sulmi në zemër, personi me diabet ka rrezik të dyfishtë ose madje të katërfishtë. Një studim, për shembull, ka gjetur se njerëzit me diabet, të cilët nuk kanë pasur faktorë të tjerë të rrezikut nga sëmundjet e zemrës kanë qenë pesë herë më të prirë të vdesin nga këto sëmundje, krahasuar me ata pa diabet. Një studim tjetër ka treguar se njerëzit me nivel të lartë të sheqerit, pavarësisht prej numrit të faktorëve të tjerë të rrezikut të sëmundjeve të zemrës, ishin po aq të prirë të kenë sulm në zemër sa edhe personat jo diabetikë, të cilët kanë pasur tashmë sulm në zemër. Kështu që, diabeti konsiderohet i barabartë me sëmundjet e zemrës. Dhe, ekspertët rekomandojnë që të gjithë njerëzit me diabet duhet t’i trajtojnë faktorët e rrezikut të sëmundjeve të zemrës po aq fort sa edhe njerëzit që tashmë kanë pasur sulme në zemër.
Shkaktarët
Shkaku më i shpeshtë i çrregullimeve në zemrën e një personi me diabet është forcimi i arterieve ose arteroskleroza, që shkaktohet nga kolesteroli në enët e gjakut, të cilat e dërgojnë oksigjenin dhe ushqimin në zemër. Pllakëzat e kolesterolit që formohen, mund të copëtohen ose thyhen duke e bërë gjakun të dendur dhe duke bllokuar enët e gjakut. Kjo mund të pasohet me sulm në zemër. I njëjti proces ngjan në të gjitha arteriet e trupit, duke çuar në mungesë të gjakut në tru, duke shkaktuar sulme në tru ose mungesë të gjakut në këmbë, duar ose kraharorë duke shkaktuar çrregullime vaskulare periferike. Njerëzit me diabet janë po ashtu në rrezik të lartë edhe nga pamjaftueshmëria e zemrës, gjendje në të cilën zemra nuk është në gjendje të pompojë gjakun në mënyrë të duhur. Kjo mund të bëjë që lëngjet të grumbullohen në mushkëri duke shkaktuar vështirësi në frymëmarrje, ose rikthim të lëngjeve në pjesët tjera të trupit (veçanërisht këmbë) që shkakton ënjtje.
Cilat janë shenjat e çrregullimit të zemrës:
- Frymëmarrje të shkurta.
- Ndjenja e dobësisë.
- Ndjenja e marramendjes.
- Djersitje e tepruar dhe e pashpjegueshme.
- Dhembje në kraharorë, grykë dhe në krahun e majtë.
- Dhimbje ose presion në gjoks (veçanërisht gjatë aktivitetit).
- Nauze (të vjella).
- Nëse keni ndonjë prej këtyre simptomave, duhet të thërrisni mjekut tuaj ose të drejtoheni menjëherë tek shërbimi më i afërt i emergjencës.
Si parandalohet çrregullimi i zemrës tek personat me diabet:
- Mënyra më e mirë për të parandaluar sëmundjet e zemrës dhe të enëve të gjakut është të kujdeseni mirë për veten dhe diabetin tuaj.
- Mbani glukozën në gjak në nivel sa më normal që mundeni.
- Kontrolloni shtypjen e gjakut, nëse është e nevojshme merrni edhe barna. Njerëzit me diabet duhet të kenë shtypjen nën 130/80.
- Mbani kolesterolin nën kontroll. Ndoshta do të keni nevojë për barna për ta bërë këtë.
- Humbisni peshën nëse jeni të mbipeshë.
- Pyeteni mjekun tuaj nëse duhet të merrni aspirinë ditor.
- Merruni me ushtrime fizike rregullisht.
- Hani ushqim të shëndetshëm për zemrën, të pakët me yndyra dhe kripë.
- Lini duhanin.
Ç’është diabeti?
Diabeti është një gjendje shëndetësore ku sasia e glukozës në gjak është tepër e lartë dhe trupi nuk mund ta përdorë atë siç duhet. Niveli i glukozës rregullohet nëpërmjet insulinës, një hormoni që prodhohet nga pankreasi dhe lejon glukozën që të hyjë në qelizat e trupit, ku aty përdoret si karburant për energji. Kështu ne mund të punojmë, të luajmë dhe përgjithësisht të jetojmë jetën tonë. Ajo është thelbësore për jetën. Nëse keni diabet, trupi juaj nuk mund të përdorë siç duhet këtë glukozë kështu që ajo grumbullohet në gjak dhe nuk është në gjendje që të përdoret si karburant. Kjo ndodh për arsye se pankreasi nuk prodhon fare insulinë, ose e prodhon në sasi të pamjaftueshme, për të ndihmuar glukozën që të hyjë në qelizat e trupit – ose insulina e prodhuar nuk funksionon siç duhet (njohur gjithashtu dhe si rezistenca ndaj insulinës). Glukoza vjen si rezultat i tretjes së karbohidrateve dhe prodhohet gjithashtu nga mëlçia. Karbohidratet vijnë nga lloje të ndryshme ushqimesh dhe pijesh, përfshirë këtu ushqime me përmbajtje niseshteje të tilla si buka, patatet dhe bukë fshati; fruta; disa nënprodukte të qumështit; sheqeri dhe ushqime të tjera të ëmbla.
Të kuptosh diabetin
Dy janë tipet kryesore të diabetit: Tipi 1 dhe Tipi 2.
Diabeti Tip 1
Diabeti Tip 1 ndodh kur nuk prodhohet fare insulinë sepse qelizat insulinë prodhuese në pankreas janë shkatërruar. Insulina është çelësi që hap dyert për tek qelizat e trupit. Kur dera është e hapur glukoza mund të hyjë në qeliza, ku përdoret si karburant. Në Tipin 1 nuk ka insulinë të pranishme në trup, kështu që nuk ka çelës për të hapur derën kështu që glukoza ngelet në gjak. Ky lloj diabeti trajtohet gjithnjë me injeksione insuline, një dietë të shëndetshme dhe aktivitete fizike të rregullta.
Diabeti Tip 2
Diabeti Tip 2 ndodh kur trupi ose nuk prodhon insulinë mjaftueshëm, ose kur insulina e prodhuar nuk punon siç duhet. Çelësi (insulina) nuk e ka të mundur të hapë derën ndaj qelizave të trupit siç duhet dhe/ose çelësi (insulina) është aty, por kyçi nuk punon siç duhet. Ky lloj diabeti trajtohet duke ndjekur një dietë të balancuar dhe të shëndetshme dhe duke rritur aktivitetet fizike. Mund të jenë të nevojshme dhe përdorimi i ilaçeve dhe/ ose injeksione insuline për të arritur nivelet normale të glukozës së gjakut. Në mënyrë që të arrini një kontroll të mirë të diabetit tuaj është e rëndësishme që glukoza në gjak, tensioni dhe yndyra në gjak të menaxhohen për të ulur rreziqet e një komplikacioni.






