FOTO REPORTAZH/ A po derdhet kazani i tërbimit në Turqi?


Disa ekspertë thonë se është një kazan që po zien dhe mund të derdhet.
Ndoshta nata e mbrëmshme në Turqi ishte sinjali se kazani ka nisur të derdhet.
Turqia ka hyrë sot në ditën e dytë të protestave të dhunshme me përplasje mes policisë dhe demonstruesve në Stamboll dhe Ankara.
Një protestë që nisi fillimisht si një kundërshtim ndaj një plani për të rizhvilluar parkun Gezi në të famshmin Sheshin Taksim u përshkallëzua shumë shpejt pasi policia përdori gaz lotsjellës.
Ndërkohë BBC raporton se protestuesit tentuan që të marshonin drejt parlamentit.
Policia u përgjigj dhunshëm, ndërkohë që demonstruesit këndonin “Të bashkuar kundër fashizmit” dhe “Qeveria të japë dorëheqjen”.
Një dëshmitare tha për BBC se policia ka hedhur gaz lotsjellës nga helikopterët, ndërkohë që transporti publik u bllokua.
Mbi 40 mijë protestues tentuan të kalonin urën që ndan Azinë dhe Europën.
SHBA ka shprehur shqetësim për mënyrën se si po e trajton Turqia protestën, kundër Amnesty International ka dënuar taktikat e policisë.
Dëshmitarët thonë se gazi lotsjellës dhe topat me ujë u përdorën kur demonstruesit po protestonin paqësisht.
Protestuesit nuk pranuan që të priten pemët në parkun Gezi, duke thënë se ajo është një nga të paktat zona të gjelbra në qendër të Stambollit.
Korrespondenti i BBC thotë megjithatë se kjo protestë nxjerr në pah pakënaqësinë në rritje ndaj partisë në pushtet, sidomos mes të rinjve. Këta të fundit thonë se në vend po ndodh një islamizim i frikshëm.
Partia e kryeministrit Recep Tayyip Erdogan i ka rrënjët në islamin politik, por thotë se është e angazhuar për një sekularizëm shtetëror.
Javën e shkuar parlamenti turk miratoi kufizimin e konsumit të alkoolit mes orëve 22:00 dhe 06:00./ep



2
3
5
4
6
7
8
10
11
9