Banjo të përbashkëta, 7 veta në një dhomë, fëmijë të pangopur, Të moshuar që as ilaçet nuk marrin. Kjo është “mrekullia” ekonomike
Nga Lindita Çela
Aty ku 20 vjet të shkuara kalitej në çdo mendje diktatura e proletariatit dhe grushti i fortë i sundimit të partisë, janë strehuar ata që forca e shtetit u ka lënë veç frymën.
Godina e Shkollës së Partisë në Tiranë sot është një geto. Kundërmon prej së largu, edhe pse ca pallate pengojnë disi pamjen e saj.
Një tufë telash elektrikë, që rrethojë çdo kat, më shumë kanë garantuar vdekjen të gjallëve se ndriçimin e kësaj skëterre.
Në fundin e çdo kati, tamam si në kampet e përqendrimit, janë banjot e përbashkëta, prej të cilave duket se fill kundërmimi. Pikërisht këtu, në zemër të kryeqytetit, në godinën që të gjithë e njohin si ish- Shkolla e Partisë, në Laprakë, jetojnë mbi 200 frymë.
Fëmijë, gra të veja, të moshuara të braktisura, burra invalidë, të papunë, jetojnë të gjithë aty në këtë skëterrë, jo shumë larg nesh. Mjafton që të kalosh rrugën e para syve të tu të shfaqen një realitet që mrekullia e zhvillimit ekonomik së paku është dy shekuj larg.
E vdekur për së gjalli
Sibe Dibra është 77 vjeç. Veç shpirtit asgjë nuk ka pas atij grumbulli kockash që mbajnë në këmbë plakën e ngratë. Jeton në një dhomë, në një nga skutat e ish- Shkollës së Partisë, së bashku me nusen e djalit dhe tre nipat. Ngjitur me të, në të njëjtat kushte jetojnë dhe tre djemtë e tjerë të saj. Të katër familjet kanë shndërruar një qoshe korridori, as edhe një metër katror, në një kuzhinë ku gatuajë e lajnë enët bashkërisht. Ngjitur është tualeti e unë nuk arrij të besoj nëse janë aq të shëndetshëm sa duken, nipat e Sibes.
Familja prej 5 anëtarësh mban frymën gjallë me 100 mije lekë të vjetra, sa është dhe pensioni i gruas 77- vjeçare.
Paratë administrohen nga e reja e shtëpisë, dhe Sibja, edhe pse vuan nga një sërë sëmundjesh, s’e ka parë derën e spitalit.
“Me se të shkoj. Po të shkosh tek doktori duhen lekë. I kam ditët e numëruar. Të paktën të kisha pasur një shtëpi si gjithë njerëzit se kështu, si edhe e sheh, as kafshët nuk jetojnë. Unë i kam ditët e numëruara, por të paktën fëmijët të jetonin një ditë të bardhë”, të thotë Sibe Dibra.
Por Zoti i ka falur forcë gruas 77- vjeçare dhe pse shtyn ditët në këtë skëterrë mjerimi.
Mban frymën ngjallë me kothere buke. Edhe kafeja është luks që Sibja e shijon në ditë feste.
Familja Dibra është shpërngulur në këtë skëterrë që në vitin 1992. Kanë shitur shtëpi e katandi në Kukës dhe me ato pak para blenë tre dhoma në këtë godinë. Ashtu si Sibja, me të njëjtat kushte janë dhe 70 familjet që jetojnë në katër katet e ngrehinës së ish- Shkollës së Partisë.
Edhe ish- të përndjekurit politikë aty…
Si për ironi të fatit, në këtë skëterrë jeton dhe Agim Tufa. Ka bërë 15 vjet burg për politikë e pas 23 vjetësh demokraci ende jeton në godinën prej së cilës ngjizej ideologjia kundër së cilës ishte në rininë e tij.
Agim Tufa jeton në një dhomë e brenda saj kryen të gjitha nevojat që ka një qenie njerëzore.
Të thotë se deri më tani nuk ka marrë asnjë kacidhe dëmshpërblim. Shtëpia e tij, tek rruga “Bardhyl” në Tiranë, ende është e sekuestruar nga shteti.
Sa për dëmshpërblimin, Agimi endet dyerve të institucioneve në kërkim të dokumentacionit që do t’i mundësojë lëmoshën e qeverisë.
Krenaria e burrit bën që Agimi t’i ketë fjalët e pakta.
Të mikpret në dhomëzën e tij, por ajri aty është aq i pakët sa fryma të zihet nga duhma e erërave që vijnë nga të katër anët. Por kjo është “toka” e bekuar për plakun rreth të 80-ëve. Së paku tani është i lirë.
I lirë për të folur veç për mjerimin e jetës së tij.
Edhe fëmijët
Në tavanin e çdo kati, si një varg i frikshëm gërshetash, gjarpërojnë telat elektrikë, llampat e të cilëve vetëm sa zbehin disi këtë skëterrë.
Sa të sheh syri aty, të duket se sapo ke shkelur në një lagje geto të shekullit 19-të. Zërat e disa fëmijëve që luajnë nëpër hollet e kateve janë i vetmi gëzim. Sa janë brenda mureve të kësaj ngrehine nuk kuptojnë se jashtë saj ka një jetë tjetër, prej së cilës duket se ata janë privuar ta cikin që në ngjizje. Janë ende të vegjël e gëzohen lodrave të tyre, që s’janë kukulla, makina apo telefon të kushtueshëm.
Janë thjesht lojëra fëmijësh me topa lecke apo me të kapura, ku vrapojnë pas njëri- tjetrit, nga kati i parë në të katërtin, e fituesi shpagim të vetëm ka ndjesinë e fitores.
Janë këta fëmijë gëzimi dhe trishtimi më i madh i kësaj ngrehine, brenda së cilës rreken të krijojnë jetë mbi 200 frymë, dhe pse nuk ekzistojnë në asnjë defter të këtij shteti.
Ambientet e jashtme të shtëpisë së Sibe Dibrës
Ambienti ku gatuan Agim Tufa
Dhoma e gjumit e familjes Dibra
Dhoma ku jeton Sibja me nipat
Godina e ish- Shkollës së Partisë
Kuzhina dhe tualeti në familjen Dibra
Tualetet e përbashkëta






