Home »
» Fatos Nano: Fitorja e së majtës ishte e paparë!
Fatos Nano: Fitorja e së majtës ishte e paparë!
Ish- kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, “bekon” fitoren e së majtës së bashkuar duke e cilësuar “të paparë” triumfin e saj në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.
Sipas tij, rezultati ishte pasojë e një nxjerrje dufi e lëngate e të gjithë shoqërisë.
“Fitore e paparë! Një nxjerrje dufi e lëngate e gjithë shoqërisë! Tani ky mandat i rëndë duhet merituar duke u kthyer qetësinë shpirtërore të gjithëve! Kjo fillon nga ekonomia dhe nga njerëzit në nevojë! Uroj që e majta e bashkuar ta bëjë detyrën në mënyrë altruiste”, është shprehur Nano për GSH.
Në mesazhin e tij drejtuar socialistëve vetëm pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, ish-kryeministri u tha: “Qëllofshi në shënjestër!”.
Nano sqaroi se, “me gjithë aspiratat dhe dëshirat e shumicës së të majtëve për të regjistruar listën apo emrin Nano në zgjedhjet parlamentare të 2013-s, e përsëris, se beteja ime nuk është për pushtet personal dhe kjo që bëj është shprehje e një altruizmi politik në dobi të së majtës, që s’ka të bëjë fare me të nesërmen time politike”.
Ndërsa duke folur për mënyrën se si u hartuan listat e kandidatëve për zgjedhje dhe mungesës së debatit në këtë proces, Nano atakoi figura të rëndësishme në PS me një histori 20- vjeçare.
Sipas tij, hartimi i listave në PS u bë përmes “teknologjisë të hiles së orës së fundit”, ndërsa “emrat me përvojë politike 20-vjeçare që nga Gramoz Ruçi, Pandeli Majko e Bashkim Fino e të tjerë, paradoksalisht sillen si kufoma politike që gëlltisin pilula të helmatisura që do të kenë efekte shumë negative më 23 qershor, kur publiku dhe militantët do t’i nxjerrin si jashtëqitje”./A.XH






