Deklaron se do të vijojë planet për shkatërrimin e parkut “Gezi”, si dhe arrestimin e “të huajve”
Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se nuk ka ndër mend të tërhiqet nga planet për të rindërtuar kazermat e epokës osmane në parkun Gazi, pavarësisht protestave që kanë tronditur këtë vend. Duke i përshkruar disa nga protestuesit si “ekstremistë”, ai tha se shtatë të huaj janë arrestuar në lidhje me rebelimin.
Erdogan i bëri këto komente në Tuniz, ai pritet të kthehet në Turqi nga një turne që zhvilloi në Afrikën e Veriut. Protestat shpërthyen në të gjithë Turqinë, pasi policia shtypi me dhunë aktivistët paqësorë që po mbronin parkun Gezi nga ndërtimi. Demonstruesit në Stamboll, Ankara dhe qytete të tjera kanë bërë thirrje që Erdogan të japë dorëheqjen. Ata e akuzojnë atë se po bëhet autoritar dhe se po përpiqet të imponojë vlera islamike mbi një shtet laik.
Katër njerëz kanë vdekur deri tani dhe mijëra të tjerë janë plagosur. Disa qindra janë arrestuar.
Erdogan i hodhi poshtë protestat si jodemokratike. Duke folur në Tuniz, ai tha se një grup i vogël ekstremistësh manipulon atë që filloi si një protestë mjedisore.
“Mes protestuesve, ka ekstremistë, disa prej të cilëve janë të implikuar në terrorizëm”, u tha ai reporterëve. Para se të nisej për në turneun afrikan, ai pati parashikuar se protesta do të përfundonte në kohën kur ai do të kthehej në shtëpi. Por në prag të rikthimit, policia në Ankara përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion mbi protestuesit që patën ngritur barrikada dhe i patën vënë atyre flakën. Përplasje të tilla u raportuan edhe në shumë qytete.
Në Stamboll, mijëra punëtorë në grevë iu bashkuan demonstruesve dje. Ata mbajnë parulla që i drejtohen Erdogan dhe ku shkruhet: “Ky vend nuk do të përkulet para jush!” dhe “Taksim është gjithkund!”
Ndërkohë, në qytetin bregdetar të Izmirit, protestuesit kërkuan lirimin e 30 të arrestuarve për “keqinformim”, duke përdorur median sociale. Erdogan e pati konsideruar median sociale “Twitter” një “kërcënim” i përdorur për të përhapur “gënjeshtra”.
Më herët këtë javë, zëvendëskryeministri Bulent Arinc kërkoi ndjesë për dhunën policore në protestën fillestare. Përfaqësuesit e protestës që u takuan me të, i paraqitën një listë me kërkesa, ku përfshihej edhe shkarkimi i shefave të policisë, një ndalim në përdorimin e gazit lotsjellës, lirimin e të burgosurve të arrestuar, pushimin e guvernatorit të Stambollit, si dhe anulimin e planeve për ndërtesa të reja në parkun Gezi.
Kryengritja filloi si një okupim paqësor i parkut Gezi pranë sheshit taksim në Stamboll për të ndaluar planin e zhvillimit. Por ajo u përshkallëzua pasi policia përdori dhunën për të larguar protestuesit. Kundërshtarët e planit thonë se parku është një nga hapësirat e vetme të gjelbra që kanë mbetur në qendër të Stambollit. Shumë prej tyre kanë ngritur një kamping në park dhe kanë qëndruar aty për shumë ditë.
Profili
Një analizë mbi pjesëmarrësit në protestë, nga të rinjtë pa parti te radikalët
Të gjithë kundër Erdogan, por jo kurdët
Pas protestave të dhunshme të ditëve të fundit thirrjet për dorëheqjen e Kryeministrit turk, Erdogan, janë bërë më të forta. Por kjo kërkesë nuk mbështetet nga të gjithë protestuesit.
Prej gati një jave situata në Turqi nuk është e qetë. Tani arsye nuk janë vetëm pemët e parkut të Stambollit, por edhe mungesa e demokracisë në vend. Kërkesa kryesore e demonstruesve: dorëheqja e Kryeministrit Recep Tayyip Erdogan. Ai është në pushtet që prej 10 vitesh. Dy herë ka fituar zgjedhjet partia e tij islamike konservatore AKP dhe me një rezultat të thellë. Popullariteti i Erdogan ishte i padiskutueshëm. Turqia dukej se po ecte në rrugën e duhur për shkak të zhvillimit ekonomik dhe ishte marrë gjithmonë si shembulli i një studenti shembullor në nivel ndërkombëtar.
Kryeministri turk përballet për herë të parë më protesta të tilla masive. Por kjo nuk e habit aspak atë, thotë në një intervistë për DW gazetari dhe shkrimtari turk, Cengiz Aktar. “Qeveria kërkon të japë përshtypjen se gjithçka është nën kontroll, por në të vërtetë asgjë nuk është në rregull”.
Synimi është Erdogan jo partia e tij
Në parullat e demonstruesve duket qartë se ata duan dorëheqjen e Erdogan dhe nuk janë kundër partisë së tij apo pjesës tjetër të qeverisë, thotë Aktar. “Ai hyn në jetën private të njerëzve. Për shembull ndalimi i përdorimit të buzëkuqit nga stjuardesat apo ndalimi i shitjes së alkoolit pas orës 22:00. Këto gjëra janë në kundërshtim të plotë me jetën moderne në Turqi”, thotë Aktar. Në fillim, njerëzit menduan se këto ligje nuk mund të hynin në fuqi, por kur një gjë e tillë ndodhi atëherë kuptuan se çfarë po ndodhte, vazhdon më tej gazetari.
Përpjekja e Erdoganit për të riorganizuar jetën sociale dhe stili i tij autoritar i vendimmarrjes janë arsyet kryesore të protestave, shpjegon Aktar. Dhe i gjithë mllefi shpërtheu papritur për një çështje si ajo e prerjes së pemëve në parkun Gezi.
“Lëvizje e të rinjve pa ngjyra partiake”
Për Gencer Özcan, drejtues i Fakultetit të Shkencave Politike në Universitetin Bilgi të Stambollit, tensionet në Turqi nisën më 1 maj, ditën ndërkombëtare të punës. “Qeveria ndaloi zhvillimin e një proteste të të majtëve në sheshin “Taksim”. Atë ditë, mjetet e transportit publik u ndaluan dhe policia që atë ditë ishte e dhunshme ndaj demonstruesve”, tha profesori në një intervistë për “Deutsche Welle”.
Në ditët e mëvonshme, protestat nuk do të ndaleshin. Erdogan akuzoi demonstruesit se mbështeteshin nga grupe ekstremiste. Por gazetari Aktar është kundër kësaj thënie. “Kjo është një lëvizje e të rinjve, pa ngjyra partiake, lëvizje urbane pa një axhendë politike dhe pa udhëheqës”. Grupet klasike të majta që gjenden gjithmonë në protesta të tilla nuk janë shfaqur, thotë gazetari duke pasur në mendje socialistët, komunistët dhe partinë e kurdëve. “Asnjë lëvizje politike apo parti nuk udhëhoqi njerëzit në sheshin “Taksim”, parkun “Gezi” apo në ndonjë qytet tjetër turk”, thekosn Aktar.
Një trup shumëngjyrësh
Edhe Gencer Özcan e cilëson bashkimin e qytetarëve si një demonstratë mjaft të gjerë. Të gjitha grupet e mundshme kanë marrë pjesë në protestë, ashtu si edhe grupet radikale, thotë Özcan. “Por shtylla kurrizore e protestës janë të rinjtë, të cilët luftojnë për të drejtat e tyre. Të rinjtë, nxënësit dhe studentët janë shpirti i kësaj demonstrate”, thekson profesori.
Paritë opozitare ishin shumë të kujdesshme në pjesëmarrjen e tyre në protestë, shpjegon Özcan. “Partia kurde BDP në fillim doli në rrugë jozyrtarisht me frikën se pjesëmarrja e saj mund të ndikonte në bisedimet për paqe. Gjithashtu, edhe mbështetësit e partisë nacionaliste MHP u ndaluan për të marrë pjesë në protesta nga kryetari i partisë”, vazhdon Özcan. Sipas profesorit e njëjta gjë ndodhi edhe me mbështetës të partisë Republika e Popullit ose CHP, që është partia më e madhe opozitare në Turqi.
Në slogane dhe në grafiti kudo nëpër rrugë dhe autobusë në Turqi shkruhet “Tayyip istifa!” (“Tayyip jep dorëheqjen!”). Këto fjalë i gjen të shkruara kudo dhe është ajo që kërkohet prej ditësh. Por jo të gjithë duan një Kryeministër të ri e veçanërisht kurdët. “Nëse Erdogan jep dorëheqjen nuk do të jetë mirë për ne kurdët. Qeveritë tona janë në mes të procesit të paqes dhe nëse qeveria do të ndryshonte tani, atëherë do kemi sërish tension në Turqi”, thotë protestuesi Erhan Calahan, i cili është anëtar i partisë kurde BDP.
“Demokracia jeton”
Sipas gazetarit Aktar, qeveria turke duhet të kuptojë se demokracia nuk është një kuti boshe ku ata mund të fusin gjithçka. “Demokracia jeton, punon dhe shprehet, atë që ne e quajmë pjesëmarrje në demokraci. Duket se ata nuk e kanë mësuar një gjë të tillë”, kritikon Aktar qeverinë. Ai shpreson se më në fund ata kanë marrë një mësim.






