Martesat që prishen pas moshës 50-vjeçare janë bërë grupi i ri më problematik i divorceve
Trendi i ri
Divorci gri ose i thinjur është termi që përdoret për çiftet, të cilat zgjedhin të divorcohen pas moshës 50-vjeçare. Numri i çifteve që bëjnë këtë zgjedhje për këtë grupmoshë, është gjithnjë e më në rritje. Në vitet 1990, një në dhjetë martesa prekej nga divorci i thinjur, sot ky numër ka shkuar në një nga katër martesa.
Mosha 50-vjeçare është për disa një boshllëk emocional nga ana dashurore, pasi duket se pasioni është shuar, energjitë kanë rënë dhe njohja shumëvjeçare e ka zbehur misterin.Me ose pa mosmarrëveshje, shumë çifte thjesht nuk mund ta imagjinojnë që ta kalojnë pjesën e mbetur të jetës së tyre në këtë agoni emocionale. Për këtë arsye ka nga ata që mendojnë se do të ishte më mirë të qëndronin vetëm dhe t’i përkushtoheshin më shumë pasioneve të tyre vetjake.
Për rastet kur martesa ka nisur si një kontratë bashkëshortore, janë femrat ato që në 66 për qind të rasteve nisin procedurat e divorcit. Tradhtia duket se nuk është një faktor kyç i divorceve të thinjura, por siç ndodh me çdo grup tjetër, është një nga tre faktorët kryesorë.
Shumë kërkues i ndajnë martesat në tri grupe të mëdha: martesat institucionale, martesat e mëshirshme dhe martesat e personalizuara.
Martesat e grupit të parë janë martesa të lidhura përpara viteve të Luftës së Dytë Botërore dhe kanë karakter ekonomik, të prirura nga ideja se dy mund të jetojnë më lirë se një.
Martesat e grupit të dytë kanë lindur pas Luftës së Dytë Botërore dhe kanë në qendër figurën mashkullore si sigurues të mirë të familjes dhe nënën si prindin edukues.
Në ditët e sotme jemi në periudhën e martesës së individualizuar, ku secili nga partnerët përpiqet të kënaqë sa më shumë dëshirat e tij personale, të rritet në karrierë, të përmbushet dhe të përfitojë një intimitet të kënaqshëm.
Çiftet me një jetë bashkëshortore të suksesshme e kuptojnë rëndësinë e kujdesit të familjes dhe marrin përsipër përgjegjësitë ndaj fëmijëve, duke krijuar kështu një kombinim të mirë midis dëshirave, punës dhe familjes. Këto çifte kanë të zhvilluar metoda si komunikimi, negocimi, toleranca, falja, besimi dhe përpjekja e vazhdueshme.
Nga ana tjetër te martesat e gjata dhe te divorcet e thinjura mendohet se pika vendimtare është jetëgjatësia. Njerëzit mendojnë se është e kotë t’i kalojnë 25-30 vjetët e mbetur të jetës në këtë gjendje palumturie.
Sipas kërkimeve, 53 për qind e atyre që janë divorcuar pas moshës 50-vjeçare, kanë qenë të divorcuar të paktën edhe një herë më parë. Nëse dikush është divorcuar një apo më shumë herë, ai ka rreth 150 për qind më shumë mundësi ta çojë martesën e ardhshme në ndarje, sesa ata që divorcohen për herë të parë.
Shpesh këta njerëz vuajnë nga iluzioni se ata thjesht kanë gjetur njeriun e gabuar dhe se shumë shpejt do të gjejnë të duhurin. Përgjegjësia e një martese të dështuar nuk bie kurrë mbi një person të vetëm, pasi në mos përgjysmë, faji është gjithnjë i të dyve.
Ja disa nga arsyet përse martesat e gjata përfundojnë me divorc pas 20 apo 30 vitesh bashkë.
1. Martesa s’ka qenë kurrë aq ideale dhe ata kanë pritur derisa fëmijët të rriten që të divorcohen.
2. Një nga partnerët po kalon një romancë me dikë tjetër dhe kjo zbulohet. Rreth 25-33 për qind e martesave nuk mund të përmirësohen pas tradhtisë.
3. Njëri prej partnerëve ka rënë në dashuri me dikë tjetër dhe kërkon të ndërtojë një jetë të re.
4. Mungesa e tolerancës ndaj abuzimit verbal, fizik apo seksual. Abuzimi është një nga arsyet kryesore përse njerëzit divorcohen. Shpesh një nga bashkëshortët e toleron këtë abuzim për shumë kohë dhe vjen një moment kur ai i thotë gjithçkaje “mjaft” e i jep fund me divorc.
5. Një nga partnerët bëhet i pavarur. Ngjarje të rëndësishme në jetën në çift mund të bëjnë që një nga partnerët të arrijë gjëra shumë të mëdha në punë apo diku tjetër. Duke arritur një nivel të lartë financiar, ka nga ata që kërkojnë pavarësinë nga martesa dhe ndahen për të jetuar vetëm.
6. Problemet me alkoolin, drogën apo substanca të tjera të jashtëligjshme. Vjen një moment në jetën e kujtdo që kërkon qetësi dhe siguri në familjen që ka krijuar. Për këtë arsye kur njëri nga partnerët merret me veprimtari të jashtëligjshme, divorci nuk është diçka e papritur.
Në vitet 1990, një në dhjetë martesa prekej nga divorci i thinjur, sot ky numër ka shkuar në një nga katër martesa
Sot jemi në periudhën e martesës së individualizuar, ku secili nga partnerët përpiqet të kënaqë sa më shumë dëshirat e tij personale
Disa nga arsyet e divorceve gri janë: fëmijët e rritur, tradhtia, dëshira për jetë të re, abuzimi i vazhdueshëm, kërkesa për pavarësi. /shqip





