Home »
» Elhaida Dani: Nuk kam lidhje me politikën, “Uroj të vazhdoj karrierën në Itali”
Elhaida Dani: Nuk kam lidhje me politikën, “Uroj të vazhdoj karrierën në Itali”
Këngëtarja flet për “përmbushjen” e dëshirës së të ëmës, albumin e ri në Korrik dhe të tjera projekte
Blerina GOCE
E emocionuar! Kjo është ajo çfarë mund të përshkrojë më së miri ndjesinë që provon dhe përcjell këngëtarja Elhaida Dani përballë medias dhe atij pakëz publiku me të cilin pati rastin të komunikonte. E thirrur për tu nderuar nga autoritetet më të larta të shtetit, tani në një periudhë fushate zgjedhore, për shumëkënd, ky mund të cilësohet si një përdorim politik, por jo nga vetë Elhaida. “Nuk besoj se është politikë nëse urohesh apo ftohesh për tu nderuar nga kryeministri, presidenti apo ministri i kulturës”, vlerëson artistja, ndërsa thekson se nuk ka asnjë dëshirë apo ambicje për politikën. Ndërkohë ajo bën të ditur edhe projektet e saj më të reja. Realizimin e klipit që do të publikohet të Martën në Itali, albumin për të cilin ka filluar punën e që do të lançohet në Korrik e kështu me radhë…
Jeni tashmë, mund të themi pa frikë, një lloj simboli i këngës shqiptare, e njohur përtej Shqipërisë. E keni menduar ndonjëherë se do të vinte ky moment?
Që e vogël e kam ditur që mami im donte të bëhej këngëtare kur ishte e re dhe nuk e kishte të mundur në atë kohë për shkak të regjimit. Ajo më thoshtë gjithnjë: zemra e mamit, vazhdo ti dhe më mbushte me ëndrrrën që do të jem në skena të mëdha duke kënduar e më mbështeste për këtë. E kam besuar gjithmonë dhe emocionohem shumë shpesh, sidomos kur shoh mamin tim të emocionohet për suksesin tim, sepse e di që përjeton njëkohësisht suksesin dhe dëshirën e mamit tim dhe timen.
Pas fitores në “Voice of Italy” mund të zbuloni diçka për projektet me të cilat po punoni?
Kënga që më propozoi Coçiante do të përpunohet në italisht. Të martën do të regjistrojmë klipin e saj. Në Korrik do të nxjerrim albumin. Këngët do të jenë në italisht, dy në anglisht, si dhe tre këngë që kam kënduar gjatë “The Voice”. Kam fituar dhe një kontratë me “Universal” dhe do të punojmë. Ka shumë të reja, por nuk mund të them më tepër. Shpresoj që karriera ime të vazhdojë në Itali. Kjo do të ishte një arritje për mua. Do të më bëhej shumë qejfi sikur të vazhdoja në Itali.
Pas suksesit, fitores suaj, ftoheni në Shqipëri nga politikanët shqiptarë në një periudhë elektorale. Ndjeheni në njëfarë mënyre e përdorur apo e pavlerësuar siç duhet?
E përdorur nuk do të thoja. Nuk besoj se është politikë nëse urohesh apo ftohesh për tu nderuar nga kryeministri, presidenti apo ministri i kulturës. Ndjehem thjesht e nderuar sepse një vajzë 20 vjeçare, e cila sapo u kthye nga një eksperiencë shumë e bukur e saj, të ftohet nga këta emra të lartë të shtetit shqiptar, unë nuk e quaj politikë. Por nëse doni ta dini dhe njëherë nuk dua të kem asnjë lidhje me politikën. Thjesht unë këndoj, bëj muzikë dhe kjo është e vetmja gjë që më intereson. Nëqoftëse kryeministri, presidenti apo kushdo që do të më urojë, i mirëpres, por pa asnjë qëllim politik.
Coçiante: “Nuk e mendoja se do të prekja zemrat e kaq shumë shqiptarëve”
Ajo që çfarë shqiptarët i dhurojnë në njëfarë mënyre e cilëson si një lloj poezie. Një çmim, një emocion që kalon përmes notave muzikore. Pak a shumë kjo është ajo që provon kantautori i njohur italian, Riçardo Coçiante, i cili ndodhet prej ditës së djeshme në Tiranë. Një figurë shumë e dashur për shqiptarët bashkë me “Margaritën” e tij, Coçiante është bërë edhe më i dashur, për shkak të mbështetjes që i dha këngëtares sonë Elhaida Dani në “Voice of Italy”. Coçiante ndodhet në Tiranë pas ftesës së ministrit të Kulturës, Visar Zhiti, nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha. Coçiante, i cili e udhëhoqi me përkushtim 19-vjeçaren shkodrane drejt fitores, tha se me zërin e saj potent Elhaida arriti të mposhte çdo lloj paragjykimi kombësie apo gjuhe. “Është hera e parë që vij në Shqipëri, për një ngjarje kaq të shënuar artistike. Gjithnjë kam menduar se arti nuk duhet të ketë kufij dhe italianët u treguan të hapur për të përzgjedhur fituese një këngëtare që nuk ishte italiane. Të jesh një këngëtar i mirë, duhet të kesh teknikë dhe ta përdorësh mirë dhuntinë dhe mendimin. Elhaida i ka të gjithë këto cilësi”, u shpreh kantautori italian. “Kur fillova të këndoja nuk e kisha imgjinuar se do të arrija të prekja kaq shumë njerëz. Nuk e mendoja që mund të ishte një emocion kaq intensive”. Për sa i takon famës që gëzon prej vitesh në Shqipëri artisti Italian thotë se vetëm kohët e fundit kamësuar se të gjithë shqiptarët e adhurojnë. “Në fakt nuk e kam ditur që isha kaq i njohur dhe i dashur. Së fundmi jam vënë në dijeni. Jam i lumtuar dhe ju falenderoj shumë”, vijoi ai. “Nuk kisha imagjinuar kurrë se do të prekja edhe zemrat e kaq shqiptarëve. Të më jepnin këtë poezi”, u shpreh Coçiante, duke e vlerësuar këtë si një lloj çmimi të mrekullueshëm. “Është hera e parë që jam këtu dhe jam shumë i kënaqur që sëbashku me Elhaidën arritëm të bënim diça të bukur dhe artistik për Italinë dhe Shqipërinë. Unë e zgjodha atë sepse isha shumë i bindur në aftësitë e saj dhe ajo ia doli. Me këtë treguam se kultura nuk ka kufij”, nënvizoi artisti, duke dhuruar disa momente vërtet emocionuese në fund të takimit me median, pasi interpretoi “live” në piano, hitin e tij të mirënjohur, “Margerita”.
Visar Zhiti- Coçiantes: “Kënga juaj në Shqipëri, zëri i Evropës së munguar”
Ministri i Kulturës, Visar Zhiti nënvizoi se ndjehet shumë i nderuar për ardhjen në Shqipëri të Coçiantes. “Jeni djep i kulturës italiane dhe evropiane. Keni dhënë gjënë më të bukur të zemrave njerëzore, këngën, e cila është pasuri e popullit tuaj, por jo vetëm, kudo ku dëgjohet ajo, pra dhe shqiptare”, u shpreh Zhiti, duke vijuar se mbase shqiptarët dhe Shqipëria janë vendi ku Coçianten e duan dhe e njohin më shumë pas Italisë. “Ju thatë sot kur zbritët në aeroportin ‘Nënë Tereza’ se vinit për herë të parë në Shqipëri, por para jush kishte ardhur kënga juaj. Kishte hyrë pa vizë, pa leje, klandestine, duke kaluar telat me gjemba, policinë dhe mbushte ajrin tonë me emocione, nga ato të ndaluarat, të mrekullueshme, të shenjta. Ishte zëri i Evropës, i lirisë së saj që ne ëndërronim. Në burgjet tona kishte të rinj që ishin dënuar se dëgjonin këngë italiane, që dinin emrin tuaj, këngët tuaja, i fërshëllenin ato se nuk guxonin t’i këndonin me zë. Një prej tyre Sherif Merdani.
Ne na duhej zëri yt pasionant, i fuqishëm, me dramë, meditative”, vijoi Zhiti, duke shtuar se ai e mendonte zërin e kantautorit Italian si “zë Dantesk dhe modern njëkohësisht”. “Ka diçka nga poezia e Montales në atë zë. I dashur maestro, ne jemi këtu në ndërtesën që pas Luftës së Dytë Botërore u bë shtëpia e oficerëve të diktaturs dhe më pas Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Edhe këtu ka pasur dënime artistësh, këngëtarësh dhe muzikantësh dhe prania juaj është dyfish e shtrenjtë dhe e bukur, sfidë ndaj së kaluarës, hapja dhe përparimi iShqipërisë, hapje e Europës ku ne dëshirojmë të shkojmë, shtëpia jonë e natyrshme”. Zhiti i bëri të ditur “maestros”, se në zyrat përreth u shkrua me shumë zell dhe gëzim ftesa për të, “edhe si dëshirë e përkujdesje e lartë e kryeministrit Berisha”. “‘Do të vijë, do të vijë’, i thoshim njëri tjetrit me qejf. Faleminderit që erdhe. Ju bëtë më familjar për ne që kur u bëtë mentor i këngëtares së re Elhaida Dani, që u përkujdesët që na emocionuat me emocionin tuaj, që e çuat në krye, fituesen e ‘Voice of Italy’. Mirënjohje dhe italianëve që pa kompleks, e votuan me fisnikëri si të tyren. Zëri i saj si vazhdim i zërit të Coçiantes në njëfarë mënyre u bë gur hareje, gur kënge i miqësisë së dy popujve tanë. Edhe Elhaida është simbol tashmë dhe triumf i shumëfishtë, sepse ajo më parë ndoshta nuk do të mund të studionte ku të donte”, mbylli fjalën e tij ministri Zhiti. Ditën e sotme, në mjediset e Presidencës, kantautori Italian Ricardo Coçiante do të dekorohet nga Presidenti i Republikës së Shqiperisë. Kalendari i vizitës së Elhaida Danit dhe Riçardo Coçiantes parashikon edhe një takim me Kryeministrin Sali Berisha. Talenti i Elhaida Danit u zbulua në spektaklin Star Academy në Tv Klan, ku 4 vjet më parë fitoi çmimin e parë. Më pas ajo u bë e njohur edhe përmes pjesëmarrjes në Top Fest, ku një vit më parë fitoi edhe çmimin e parë. Ndërkohë që është vlerësuar edhe me çime të tjera jashtë Shqipërisë./metropol







