Edmond Tupja: Do doja të vdisja duke bërë dashuri

Pyetësori i Prustit

Shkrimtari dhe përkthyesi Edmond Tupja, në një “bashkëbisedim” me heronjtë e tij; lexuesin. 

Cila është ideja jote për lumturinë?

Sipas meje, lumturia në gjendje të pastër nuk ekziston, njeriu njeh vetëm çaste të shkëputura lumturie.

Cila është frika më e madhe?

Frika jo nga vdekja, por nga vuajtja qoftë fizike, qoftë shpirtërore.

Kë person të gjallë admironi më shumë?

Atë që jeton pa rënë në sy.

Cili është ai tipar i të tjerëve që të ngjall mëshirë?

Mëshira.

Ekstravaganca jote më e madhe?

Të shkruarit letërsi.

Cili është udhëtimi yt i preferuar?

Ai imagjinar.

Në ç’rast mund të gënjesh?

Kur bëhet fjalë vetëm për të mbrojtur të vërtetën.

Personi që përçmon më shumë?

Shtiracakun.

Cilat fjalë ose shprehje përdor më shpesh?

Bukur.

Pengu yt më i madh?

Autizmi i tim biri.

Kur dhe ku ke qenë i lumtur?

Në fëmijëri, në Tiranë dhe në rini, në Paris.

Në ç’gjendje shpirtërore je tani?

Tejet të dallgëzuar.

Nëse do të mundeshe të ndryshoje diçka nga vetja, çfarë do të ishte?

Temperamentin, skllav i të cilit jemi tërë jetën.

Ç’gjë e konsideron arritjen tënde më të madhe?

Përkthimin e tetë romaneve të Fatos Kongolit dhe botimin e tyre në Francë, si edhe botimin e Fjalorit tim erotik të gjuhës shqipe, i pari i këtij lloji në vend.

Po të vdisje dhe të mund të mishëroheshe në një tjetër njeri apo diçka tjetër, çfarë do të doje të ishe?

Fjalor enciklopedik me 1000 vëllime, që të më lexonin të vegjlit e të pambrojturit.

Cili është sendi më i çmuar që zotëron?

Fotografia e prindërve ditën kur shpallën fejesën.

Kë quan pikën më të thellë të mjerimit?

Kur ke humbur shpresën.

Ku do të pëlqente të jetoje?

Në malësi, larg megapoleve.

Ndër veprimtaritë me të cilat merresh, cila është e preferuara juaj?

Të shkruarit.

Cila është karakteristika juaj më e spikatur?

Empatia.

Veçoria që pëlqen më shumë te një mashkull?

Mbajtja e fjalës së dhënë.

Veçoria që pëlqen më shumë te një femër?

Dhembshuria.

Cilët janë shkrimtarët e preferuar?

Bodëleri, Aragoni, Kongoli.

Cili është heroi yt në art dhe kulturë?

Lexuesi.

Kë ke heronj në jetën reale?

Asnjë.

Cilat gjërat nuk të pëlqejnë fare?

Thashethemet.

Si do të të pëlqente të vdisje?

Duke bërë dashuri.

Cila është motoja juaj?

Vetmitar, por solidar.

MAPO