Partia Demokratike fiton Romën, Trevizon e Viterbon, duke shënuar një pikë kthese
E majta e Italisë triumfoi në zgjedhjet vendore në disa qytete të rëndësishme të vendit, zgjedhje këto të konsideruara si të rëndësishme dhe një lloj testi në rast zgjedhjesh të parakohshme, njofton media italiane.
Kandidatët për kryebashkiak të koalicionit të udhëhequr nga Partia Demokratike kryesuan në të gjitha kryeqendrat e provincave në raundin e dytë të zgjedhjeve vendore, nga veriu në jug.
Në një balotazh të karakterizuar nga rënia e pjesëmarrjes së italianëve në zgjedhje, e majta realizoi një fitore të madhe në komunat kryesore të thirrura në balotazh.
Në kryeqytetin e Italisë Romë, kandidati i së majtës, Ignazio Marino, fitoi kundër kryebashkiakut në fuqi, Gianni Alemanno, të partisë së Berluscon-it duke shënuar edhe fitoren më të rëndësishme në këto zgjedhje. E djathta pranoi humbjen në kryeqytet që në çastin kur mbërritën të dhënat e para. Marino arriti të marrë 64 për qind të votave përballë 36 për qind të marra nga kundërshtari, një fitore shumë e thellë kjo në politikën e fragmentarizuar italiane. Por edhe zhgënjimi me politikën duket i thellë. Pjesëmarrja në votime në Romë qe vetëm 50 për qind nga 63 për qind që qe në zgjedhjet e kaluara.
E majta triumfoi edhe në Trevizo, një qytet i konsideruar si bastion i partisë së ekstremit të djathtë Lega Nord. Kandidati i së majtës Manildo fitoi 56 për qind të votave, ndërsa kandidati i të djathtës mori vetëm 44 për qind.
Situata qe e njëjtë në Lombardi, një zonë tradicionale e pushtetit të së djathtës. Kandidati i të majtës Del Bono triumfoi me 56 për qind të votave.
Fitorja e së majtës qe më e vuajtur në Siena, qyteti i tronditur nga skandalet e bankës “Monte dei Paschi”, një bankë kjo shumë e rëndësishme në Itali dhe e lidhur tradicionalisht me të majtën. Disa spekulime financiare të fshehura sollën 1 miliardë euro humbje për këtë bankë dhe detyrimin e qeverisë italiane teknike për ta shpëtuar nga falimenti përmes përdorimit të parave të taksapaguesve për financimin e humbjeve. Këtu kandidati i së majtës fitoi 52 për qind të votave. Në Viterbo pati edhe një përmbysje dramatike të situatës. E majta fitoi me 63 për qind të votave në një qytet që ka qenë bindshëm në favor të së majtës.
E majta realizoi fitore bindëse edhe në Avelino, Barleta, Ankona e Lodi, si dhe fitore më pak të bujshme në qytete të tjera. Italia qeveriset nga një koalicion i vështirë i përbërë nga e majta dhe e djathta nën udhëheqjen e së majtës. Të dyja palët po matin forcat se si mund të dalin llogaritë në rast zgjedhjesh të parakohshme. E majta në Itali arrin në përgjithësi rezultate më të mira në zgjedhjet vendore sesa në zgjedhjet e përgjithshme. Rezultati tregon edhe probleme për lëvizjen “5 Yjet” të Beppe Grillos, pasi partia e tij arriti pak sukses në këto zgjedhje.





