E çuditshme, por e vërtetë: Miqtë i bëjnë mirë shëndetit

Nëse dëshironi të jetoni gjatë, të qetë dhe në formë, përpara se t’u drejtoheni mjekëve dhe trajnerëve të atletikës, gjeni kohë për jetën shoqërore. Kjo është fjala e shkencëtarëve…

Thënia e vjetër se “ai që gjen një mik, gjen një thesar”, është më se e vërtetë. Për shkencën, në fakt, një jetë me marrëdhënie të pasura dhe me përmbushje është një eliksir i vërtetë për shëndetin, jo vetëm psikologjik, por edhe fizik. Këtë e konfirmojnë studime të ndryshme. Me kalimin e viteve studiuesit kanë nxjerrë në dritë shumë efekte pozitive që miqtë dhe koha që kalojmë me ta, na bëjnë mirë për shëndetin.

Miq dhe të lumtur, pa efekte anësore

Sa për t’ia nisur, dy antropologë të Universitetit të Oksfordit kanë zbuluar që në bazën e ndjenjave të miqësisë ekziston një neurotransmetues që hyn në kategorinë e endogjen opioidit. Bëhet fjalë për endorfinën, substancën që lufton të ashtuquajturat hormone të stresit, duke na dhuruar një ndjenjë mirëqenie. Në këtë drejtim kanë arritur edhe rezultatet e një studimi të publikuar në revistën shkencore “Hormones & Behavior” e realizuar nga një studiuese e Universitetit të Miçiganit, Stephanie Brown. Miqësia midis grave ndikon pozitivisht në humorin e tyre, edhe për shkak se ajo mund të ndikojë në prodhimin hormonal. Në veçanti, miqësia nxit sekrecionet e progesteronit (substancë tjetër që vepron në reduktimin e nivelit të ankthit) në kurriz të kortizolit, i njohur si hormoni i stresit.

Më shumë miq, më pak dhimbje

Një tjetër studim, i botuar në “Journal of the American College of Surgeon”, ka nxjerrë në pah sesi shumë të sëmurë që kanë shumë miq, ndiejnë më pak dhimbje. Por edhe që miqësia ka aftësinë të zbusë pikëllimin e një vdekjeje apo të një divorci dhe të parandalojë shenjat e hershme të çmendurisë. Duket se miqësia ka efekte pozitive edhe tek ato gra që janë të prekura nga kanceri i gjirit. Në mënyrë të veçantë, ajo do të reduktonte perceptimin e simptomave dhe dhimbjen që lidhen me të, duke dhënë një avantazh në luftën kundër sëmundjes. Një sondazh që ka përfshirë 3.139 gra të identifikuara me tumor gjiri, vuri në dukje se përfitimet për to lindin jo vetëm nga mbështetjet emocionale, por madje edhe nga mbështetjet materiale të ofruara nga miqtë. Në çdo rast, ndikimi i miqve me të vërtetë duhet të jetë i fortë, përderisa këtë e ka thënë edhe një studim i tretë i kryer tek mbi 3 mijë infermiere të prekura nga e njëjta sëmundje. Ai ka treguar se sa më shumë të njohur dhe miq, aq më shumë reduktohet edhe rreziku i vdekjes.

Miqësia zgjat jetën dhe bën mirë për shëndetin

Studime të tjera vazhdojnë të tregojnë se përfitimi i një jete të mirë sociale vjen nga miqësia, ajo ka efekte të shkëlqyera mbi jetëgjatësinë. Rezultatet e një studimi australian, i cili ka zgjatur dhjetë vjet, theksojnë se pasja e një rrjeti të gjerë miqsh ul me 22% rrezikun e vdekjes së të moshuarve. Ndërsa një studim nga Universiteti Brigham Jang i botuar në “PloS Medicine”, ka zbuluar se marrëdhëniet shoqërore rrisin shanset tona për të mbijetuar me 50%. Kështu në fund, shkencëtarët kanë llogaritur që të kesh pak marrëdhënie miqësore mund të konsiderohet një faktor vërtet i rrezikshëm për shëndetin, i barasvlefshëm me të pirit e 15 cigareve në ditë, më i dëmshëm sesa mosbërja e aktiviteteve fizike dhe obeziteti. Kjo, sepse miqësia mund të kontribuojë edhe në efektin e dobësimit. Të qëndrosh i shoqëruar, me shoqërinë, rrit efektin e djegieve të yndyrave. Në këtë rast, të paktën për momentin, këto prova u takojnë vetëm minjve, por shkencëtarët amerikanë të Universitetit Shtetëror të Ohajos, janë të bindur se eksperimenti gjithashtu mund të ofrojë informata të dobishme në aspektin e metabolizmit të njeriut. Supozimi është se stimujt socialë shtyjnë trurin të prodhojë BDNF, një faktor i rritjes, që ndër të tjera indukton transformimin e yndyrës së bardhë (celulitin e shëmtuar) në yndyrë kafe (të mirë). Por arsyet e mira për të kultivuar aktivisht miqësinë nuk kanë mbaruar akoma. Jeta shoqërore, bëjnë të ditur nga Universiteti Shtetëror i Ohajos, mund të sjellë të mira edhe në sistemin imunitar.