Nëse dëshironi të hiqni dorë prej cigares, mënyrat e ndërmjetme janë ndihma që po kërkoni
Sipas një udhëzimi të profesionistëve të shëndetit në Britani, nëse nuk mund të hiqni dorë prej cigares, atëherë mënyra më e mirë është përdorimi i çamçakëzëve dhe letrave ngjitëse që përmbajnë nikotinë.
Instituti Britanik i Shëndetit dhe Kujdesit (Nice), arriti në përfundimin se, ndonëse heqja dorë përfundimisht prej cigares është zgjidhja më e mirë shëndetësore, shumë njerëz thjesht nuk mund ta bëjnë këtë veprim.
Kërkimet kishin si qëllim sensibilizimin e përdoruesve për të hequr dorë prej zakonit të keq të pirjes së cigares.
Kjo është gjithashtu edhe deklarata e parë zyrtare se produktet që përmbajnë nikotinë, mund të përdoren edhe për të ndihmuar njerëzit për pakësimin e sasisë së duhanit që pinë.
Instituti Britanik i Shëndetit dhe Kujdesit u shpreh se duhanpirësit mund të përfitojnë të mira nga pakësimi i cigareve që konsumojnë çdo ditë, pa pasur nevojë për të hequr dorë nga vesi. Zëvendësimi i cigareve me disa terapi nikotine, mund të vijë gjithashtu në ndihmë për ata që kanë nevojë.
Studimi u drejtohet personave të cilët nuk kanë mundur të heqin dorë nga duhanpirja menjëherë, atyre që dëshirojnë të mos pinë më cigare, por që duan të marrin të njëjtin nivel nikotine dhe atyre që nuk janë akoma gati për të ndërmarrë ndonjë hap në ndalimin e vesit.
Dr. Mike Kelly, drejtor i Qendrës së Shëndetit Publik në Britani, e hapi konferencën mbi duhanpirjen me një shprehje të Mark Tueinit: “Të heqësh dorë prej duhanit, është gjëja më e thjeshtë në botë. E di sepse e kam provuar me qindra herë”.
Në konferencë u nënvijëzua rëndësia e pakësimit të cigareve të marra çdo ditë, por gjithashtu u theksuan edhe të mirat që përfitonin duhanpirësit prej përdorimit të çamçakëzëve dhe letrave ngjitëse që përmbajnë nikotinë.
Një nga pesë të rritur në Angli është konsumator i duhanit dhe rreth dy e treta e njerëzve që e dinë, do të donin të hiqnin dorë prej tij.
Dr. Mike Kelly vuri në dukje se pavarësisht se nikotina është një substancë relativisht e padëmshme, nuk dihet akoma me saktësi se çfarë e shkakton vdekjen për ata që pinë duhan.
E thënë më thjeshtë, njerëzit e përdorin duhanin prej nikotinës dhe vdesin prej lëmshit që përmban çdo cigare në vetvete. Megjithatë, konsumimi i duhanit krijon shumë varësi, gjë që ia vështirëson pa masë punën njerëzve për lënien e tij.
Paul Aveyard, profesor i Mjekësisë së Sjelljes në Universitetin e Oksfordit, tha se udhëzimi i mësipërm i jep atij një mendim më pozitiv në lidhje me terapinë e zëvendësimit të nikotinës.
Ai u shpreh se nëse dikush që konsumon cigare e kombinon atë me çamçakëzët e posaçëm apo letrat ngjitëse që vihen në krah, do ta kishte më të thjeshtë të linte duhanin.
Edhe cigaret elektronike janë një mundësi gjithnjë e në rritje për heqjen dorë prej cigareve, por ato akoma nuk janë licencuar për sigurinë që paraqesin. Këto pajisje i japin përdoruesit një dozë nikotine pa pasur përzierjen e paqartë që përmban çdo cigare, por nuk dihet me saktësi se çfarë mund t’i shkaktojnë ato shëndetit.
Në kundërshtim me këshillat e mëparshme të pakësimit të cigareve nëse nuk është e mundur heqja dorë, udhëzimi i Institutit Britanik të Shëndetit dhe Kujdesit vjen ndryshe.
Ata shprehen se doktorët duhet t’i drejtojnë pacientët e tyre jo nga pakësimi i cigareve, por nga përdorimi i mënyrave alternative të lënies së tyre. Të tilla janë produktet që përmbajnë nikotinë, por që janë më pak të dëmshme. Këtu përfshihen edhe cigaret elektronike.
Siguria më e madhe për konsumatorin është përdorimi i produkteve të licencuara që përmbajnë nikotinë.
Kostoja që i shkaktohet çdo vit Britanisë prej sëmundjeve të duhanit vlerësohet të jetë 2.7 miliardë dollarë. Janë rritur gjithashtu shqetësimet në lidhje me cigaret me avull dhe mundësitë e dëmit që ato shkaktojnë.
Sipas udhëzimit “Nice” terapia e zëvendësimit të nikotinës që përfshin çamçakëzin dhe ngjitëset mund të jetë një alternativë më e sigurt për atë që dëshiron të vazhdojë duhanpirjen.
Këto konsiderohen si produkte të sigurta, pasi nuk ka asnjë rrezik që pacienti ta tejkalojë masën e nikotinës të marrë prej tyre.
Qëllimi kryesor i konferencës së mbajtur në Londër është sensibilizimi i konsumatorëve mbi metodat e sigurta që mund të ndjekin për heqjen dorë nga nikotina.
Aq shumë të garantuara janë produktet alternative, saqë profesorët shprehen se edhe përdorimi i përjetshëm i tyre, do të shkaktonte shumë më pak dëme sesa konsumi i cigares.





