Reklamat në TV, PD paguan më shumë, por Rama del më tepër
ARD KOLA(klikoni tabelen per me shume informacion)
Bie në sy fakti se Televizioni Publik Shqiptar është më pak i “preferuar” nga forcat politikeTelevizionet - 8 janë stacionet televizive të monitoruara: “Top Channel”, “Top News”, “Vizion Plus”, “Klan TV”, “ABC News”, “Ora News”, “News 24” dhe TVSH-ja
Ishte parashikuar se do të bëhej “nami” me fushatën sa u takon fondeve dhe ja ku vijnë të dhënat paraprake nga monitorimi i kryer vetëm për një javë. Lëvizja “Mjaft!”, me mbështetjen e ambasadës holandeze në Tiranë dhe zyrës së marrëdhënieve me publikun e ambasadës së SHBA-së, publikoi dje shifrat e shpenzimeve të partive kryesore në garën e zgjedhjeve të 23 qershorit, bazuar në numrin e spoteve, minutat, sa herë janë shfaqur dhe tarifat. Drejtuesit e projektit thonë se rezultati final ka dalë nga informacionet e marra në rrugë zyrtare dhe përkon me periudhën 23 deri më 31 maj.
Sipas monitorimit, vetëm për javën e parë të fushatës, partitë politike kanë hedhur për reklamat – spotet me platformat e programeve dhe liderëve të tyre rreth 850 mijë dollarë. Duhet sqaruar se në shifrën totale janë përfshirë edhe shpenzimet e realizuara nga dy institucionet në varësi të qeverisë, Ministria e Transporteve dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, duke reklamuar rrugët e ndërtuara gjatë qeverisjes “Berisha”. Gjetjet e përdorimit të aseteve publike për fushatë, do të publikohen në të ardhmen, bëjnë të ditur drejtuesit e projektit, sikurse në fokus të monitorimeve do të jenë edhe reklamimet në rrugë, si flamujt, billboard-et, posterat etj.
Gara në çdo sekondë
Nga monitorimet e kryera, rezulton se për afro një javë (8 ditë – 23 deri më 31 maj), Partia Demokratike, me kryetar Sali Berishën, ka realizuar 12 spote, duke i shfaqur 664 herë, për më shumë se 8 orë, me kosto rreth 36.8 milionë lekë. Në vend të dytë qëndron Partia Socialiste, opozita, e cila ka realizuar 6 spote, me mbi 7 orë transmetime gjithsej, duke shpenzuar afro 34.2 milionë lekë. Në raport me PD-në, Rama dhe sloganet e programet e PS-së janë shfaqur më tepër në televizione, plot 746 herë, ose 11 për qind më shumë se PD-ja, e cila gjithsesi ka shpenzuar më tepër për reklama se socialistët.
Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) ka shpenzuar 11.8 milionë lekë për 3.3 orë reklama në TV, kurse partia e Kreshnik Spahiut (AK), hodhi 368 mijë lekë.
Në total, janë 20 orë dhe minuta, për një fond të hedhur prej 870 milionë lekësh (afro 850 mijë dollarë), ndërsa në televizionet kryesore, programet dhe pamjet e liderëve janë shfaqur 1740 herë, vetëm për një javë, ose deri më datë 31 maj, kur duhet të kemi parasysh faktin se pritet të kemi të tjera rezultate për 21 ditët e fushatës (tri javë).
Televizionet dhe koncertet
Monitorimi përfshiu shtatë televizione: “Top Channel”, “Klan TV”, TVSH (Televizioni Publik), “ABC News”, “Ora News”, “News 24” dhe “Vizion Plus”, nga ku rezulton se partia në pushtet ka shfaqur më shumë spote tek “ABC News”, rreth 180, ndjekur nga “Klan” me afro 100 (për të dyja TV-të janë shpenzuar afro 14 milionë lekë), por nga ana tjetër bie në sy fakti që Televizioni Publik Shqiptar ka numrin më të vogël të spoteve.
Nga monitorimi i spoteve të PS-së transmetuar në televizione, del se kemi të njëjtën situatën. Socialistët kanë preferuar të publikojnë më shumë reklama tek “ABC News”, me afro 170 herë, kurse në “Top Channel” gati 75 herë, por ndryshe nga PD-ja, PS-ja ka transmetuar pjesë të programit elektoral edhe në “Top News”, pjesë e platformës “DigitAlb”, me 62 herë, kurse te TVSH-ja nuk ka pasur asnjë publicitet. Këto janë monitorime të kryera nga stafi i “Mjaft!” dhe paraqesin tablonë e javës së parë zyrtare të fushatës.
Monitorime nga televizionet dhe terreni janë kryer edhe nëpër koncerte dhe takime elektorale, ku PD-ja ka realizuar 44 mitingje, kundrejt 27 të PS-së, por ka kryer 15 takime, shumë më pak nga sa ka kryer Edi Rama, gjithsej 41. Sa u takon inaugurimeve, Kryeministri vetëm për një javë ka prerë 33 herë shiritin (gjithnjë bazuar nga monitorimet e televizioneve).
Vëzhgimi
Deklarojnë buxhet 1.3 milionë USD, por hedhin katërfish vetëm për televizionet
Hidhen miliarda, por raportohet me “qindra”
Në ditët e para të qershorit, gazeta “Shqip” u përpoq të zbardhte një pjesë të shpenzimeve të partive politike, nisur nga çmimet reale në treg dhe nga sa kanë raportuar në bilancet e zgjedhjeve 2009 dhe 2011. Diferencat janë të dukshme nga sa raportojnë dhe gjendjen reale të shpenzimeve. Të paktën në dy fushatat e fundit, atë parlamentare të 2009-s dhe në lokalet e 2011-s, dy partitë kryesore, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste, kanë shpenzuar secila (respektivisht) nga 1.4 dhe 1.2 milionë dollarë. Këto janë shumat e deklaruara nga vetë subjektet politike dhe të audituara nga ekspertë të licencuar e të pranuar nga KQZ-ja. Kemi hyrë në muajin e katërt të fushatës, dhe logjika të çon në shifra marramendëse. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ndau fondet për partitë, të nevojshme për zhvillimin e fushatës. PS-ja dhe PD-ja morën secila rreth 25 milionë lekë. A mjaftojnë? Jo! Vetëm për transmetimin e spoteve publicitare në televizione partitë kanë hedhur të paktën nga 2 milionë dollarë secila, kur mesatarisht në dy zgjedhjet e fundit, kanë pasur një buxhet prej 1.3 milionë dollarë për të gjitha aktivitetet dhe nevojat e fushatës.Vetëm për tre mitingjet e organizuara në Tiranë (hapja dhe mbyllja), brenda një muaji, për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, PD-ja shpenzoi mbi 110 mijë dollarë, në një kohë kur kishte deklaruar se për të gjithë fushatën shpenzoi 1 milion dollarë. Jo pak me shpenzimet nuk ishte as PS-ja (për hapjen dhe mbylljen në Tiranë, afro 70 mijë dollarë). Duhet të sqarojmë se këto janë shpenzime për mitingje dhe jo për fushatë, takime në zona të thella, dietat, karburanti, telefoni etj.
Një monitorim, pjesor, i realizuar për zgjedhjet parlamentare të 2009-s, nga “Forumi i mendimit të lirë”, nxori dukshëm në pah se deklarimet nuk ishin reale. Të paktën për pjesën e shpenzimeve për realizimin e mitingjeve dhe vendosjen e reklamave (posterat) në billborde, në 6 qytetet kryesore, PS-ja kishte raportuar 54 për qind më pak, kurse PD-ja rreth 67 për qind, nga sa realisht kishin hedhur fonde për fushatë. Për të arritur në këto diferenca “tronditëse”, analistët dhe agjentët e terrenit kryen matjet, bazuar mbi çmimet referencë të tregut.
Raporti: Problem, kufiri i donacionit që duhet deklaruar
Kufiri i deklarimit të donacioneve për partitë prej 100 mijë lekësh (720 euro), e rendisin Shqipërinë me nivelin më të lartë në Ballkanin Perëndimor, madje edhe me vendet e tjera që aplikojnë praktikat më të mira të transparencës. Donacione të larta, të paidentifikuara dhe mungesë transparence në regjistrat financiarë të partive politike dhe të fushatave të tyre zgjedhore. Këto janë disa nga gjetjet e studimit të fundit të “Transparency International”, i cili ka pasur në fokus pushtetin dhe partitë politike në Shqipëri nën ndikimin e parasë, duke e vlerësuar Shqipërinë me 5.9 pikë, pra në nivel mesatar transparence. “Përgjithësisht është raportuar vetëm për llojin e financimit, ndërkohë për shpenzimet nuk ka një detyrim ligjor që t’u kërkojë partive të deklarojnë nëse janë nga të ardhurat private apo ato të përfituara nga shteti”, thotë Ines Hila, koordinatore e projektit. Ekspertët kërkuan deklarim të detajuar të aseteve, të ardhurave dhe shpenzimeve nga partitë politike dhe kandidatët përkatës./shqip