BE-ja është e alarmuar nga veprimet e Kryeministrit Viktor Orban të Hungarisë. Ai po e kthen vendin e tij në rrugën e autoritarizmit, por ndëshkimi i tij duket një punë aktualisht e vështirë…Dilema e Brukselit
Robin Emmott, “Reuters”
Europa është në një dilemë të madhe mbi atë se çfarë duhet të bëjë me Hungarinë, ndërsa ndien se ish-sateliti sovjetik po kthehet mbrapsht drejt autoritarizmit nën drejtimin e Kryeministrit Viktor Orban.
Përgjatë javëve të ardhshme, Parlamenti i Bashkimit Europian dhe komisioni do të duhet të japin një gjykim mbi ndryshimet e kryera në Kushtetutën e re të Hungarisë, krahas Këshillit të Europës, një institucion më i gjerë që promovon demokracinë dhe të drejtat e njeriut në kontinent.
Institucionet europiane e kanë bërë sakaq të qartë se ata besojnë se mendimet kushtetuese të kërkuara dhe miratuara nga konservatorët e Orban përmes Parlamentit të Hungarisë në mars bien ndesh me idealet demokratike të Bashkimit Europian dhe dobësojnë pavarësinë juridike.
Orban, të cilit i kanë vënë nofkën “Viktotatori” kundërshtarët në shtëpi dhe që nga disa liberalë europianë krahasohet me diktatorët e Amerikës Latine – i ka sfiduar kritikët duke i kërkuar të paraqesin prova se veprimet e tij janë antidemokratike. “Të thuash ‘se ne nuk na pëlqen diçka’ nuk është mjaftueshëm për të reaguar”, tha ai në mars.
Përpjekjet e BE-së për të vendosur se çfarë të bëjnë me Hungarinë, ka gjasa që do të tregojnë edhe ndasi si në Parlamentin Europian, ashtu edhe në Komision, si dhe të tregojnë fuqinë e kufizuar të Bashkimit për të trajtuar rastet e anëtarëve që devijojnë nga rruga demokratike.
Aktivistët po kërkojnë aksion. “Pa një presion të fortë dhe të qëndrueshëm nga BE-ja dhe nga Këshilli i Europës, këto ndryshime kushtetuese dhe ligjore do të kenë pasoja afatgjata negative në liritë themelore dhe të drejtat e njeriut”, deklaroi organizata e mirënjohur “Human Rights Watch” në një raport në Hungari.
Tani për tani BE-ja ka dy mjete për ta bërë një vend anëtar si Hungaria t’u bindet rregullave.
Njëra është pezullimi i të drejtave të votimit nga ana e Budapestit te blloku me 27 anëtarë, por ky ndëshkim është kaq i fuqishëm sa shumë udhëheqës të BE-së dhe kolegët konservatorë të Orban në Parlamentin Europian nuk kanë dëshirë ta përdorin. Mekanizmi tjetër është krejt e kundërta. Ai nuk ofron asnjë sanksion përtej faktit që mund të kërkohet një veprim nga gjykata, veprim që në fund mund të mos ketë pasoja konkrete.
Orban, i cili bashkëthemeloi Partinë Fidesz një vit para rënies së komunizmit në Hungari më 1989-n, ka qenë vazhdimisht në telashe me kundërshtarët në shtëpi dhe në Bruksel që kur filloi mandatin e tij aktual tre vjet më parë.
“Orban po na teston ne”, tha një zyrtar i lartë i BE-së, i cili vlerëson se Komisioni ka dërguar së paku një letër formale shqetësimesh apo ankesash çdo muaj në Budapest mbi reformat e ndërmarra nga Orban që kur avokati 50-vjeçar filloi mandatin e tyre.
Politika joortodokse
Politikat e tij joortodokse për të ulur borxhin dhe rigjallërimin e ekonomisë, të tilla si shtetëzimi i fondeve private të pensioneve, ka shkaktuar zemërim, krahas emërimeve të disa aleatëve të tij politikë si politikëbërës në një bankë qendrore që supozohet të jetë e pavarur.
Por mosmarrëveshja më e madhe ka shpërthyer mbi ndryshimet në Kushtetutë, e bërë e mundshme për shkak se Fidesz fitoi dy të tretat e votave në Parlament.
BE-ja, Shtetet e Bashkuara dhe grupimet e të drejtave të njeriut e kanë akuzuar Orban se po përdor këtë “supermazhorancë” për të kufizuar fuqitë e gjykatës më të lartë të Hungarisë dhe për të minuar demokracinë. Ata monitoruan hapat e ndjekur më 2011-n për të ndryshuar ligjet për median dhe ligjet për nxjerrjen në pension të gjykatësve.
Orban mohon akuzat që amendimet janë antidemokratike, por propozoi disa ndryshime ligjore javën e kaluar për të trajtuar shqetësimet e Brukselit.
Pasi thotë se ai “është gati për të diskutuar të gjitha pikat në mënyrë të qytetëruar dhe të frytshme”, qeveria e tij ka propozuar fshirjen e dy neneve shumë të debatueshme që lidhen me gjykatat dhe pagesën e taksave. Gjithsesi, një nen tjetër që kufizon publikimin e reklamave politike do të qëndrojë.
Kritikët e Organ kanë sulmuar një nga këto nene, i cili i lejon kreut të një zyre të ketë të drejtë të transferojë çështjet juridike nga një gjykatë në një tjetër. Qeveria argumenton se kjo masë do të shpërndajë ngarkesën e sistemit ligjor të mbingarkuar.
Komisioni Europian ka shprehur shqetësimin mbi rrezikun e “arbitraritetit”, kur rastet e gjykatave transferohen.
“Çdokush ka të drejtë të ketë dijeni të paracaktuar sesi zgjidhet gjykatësi që do të dëgjojë rastin e tij apo saj. Kjo është thelbësore për të shmangur arbitraritetin”, tha komisioni.
Një zyrtar i BE-së e tha edhe më hapur se kaq. “Shqetësimi ynë është që kjo gjë do të sjellë kërkimin për gjykatësit më të dëshiruar për çështje të caktuara”, tha zyrtari, i cili refuzoi të dalë me emër për shkak të natyrës sensitive të kësaj çështjeje.
Shqetësime ka edhe për mënyrën e përgjithshme të inkorporimit të legjislacionit në Kushtetutë. Kjo do të thotë se çdo administratë e ardhshme që dëshiron të rrëzojë këto nene, do të ketë nevojë për një mazhorancë parlamentare prej dy të tretave, një mazhorancë që vetëm një qeveri tjetër, një koalicion socialist, e ka arritur vetëm një herë që nga rënia e komunizmit.
Pa shumë shqetësime, administrata e Orban i hedh poshtë këto aludime. “Qeveria e Hungarisë është e angazhuar të respektojë normat europiane dhe vlerat dhe bashkëpunon tërësisht me institucionet europiane në zgjidhen e çdo shqetësimi të ngritur”, tha një zëdhënëse e qeverisë në përgjigje ndaj pyetjeve të “Reuters”.
Opsioni bërthamor
Duke parë Orban, ndërsa mbërrinte te Samiti i BE-së muajin e kaluar, askush nuk do ta kishte kuptuar se ai qe pak para se të akuzohej se po e drejtonte Hungarinë drejt autoritarizmit. Ndërsa aparatet fotografike shkrepeshin, udhëheqësit e BE-së e përshëndetën atë me shtrëngim duarsh dhe buzëqeshje, madje edhe shkëmbyen ndonjë batutë. “Ne nuk jemi Koreja e Veriut”, tha një diplomat hungarez.
Megjithatë, kur Orban të kthehet për takimin e ardhshëm të BE-së më 27 qershor, mikpritja për të mund të mos jetë kaq e ngrohtë. Deri në atë ditë, si dhe Komisioni Europian, Parlamenti i 47 vendeve pjesëmarrëse në Këshillin e Europës, pritet të kenë publikuar deklaratën për dënimin e aspekteve të ndryshme të amendamenteve kushtetuese si thyerje të ligjit të BE-së, thonë zyrtarët dhe diplomatët.
Komisioni i Venecias i Këshillit të Europës do të vendosë topin në lojë të premten, kur do të lëshojë opinionin ligjor mbi amendimet në Hungari, e cila u anëtarësua në BE në vitin 2004.
Veçmas kësaj, komiteti për liritë civile në Parlamentin e Europës pritet të votojë mbi një projektraport që do të kritikojë Orban më 19 qershor, me një votë në seancë plenare të parashikuar për miratimin e raportit të plotë diku në korrik. Komisioni i Europës pritet të lëshojë opinionin e vet së shpejti.
Problemi është sesi mund të pasohet dënimi verbal me aksione, ndërsa një dështim në penalizimin e Orbanit do t‘i bëjë Komisionin Europian dhe Parlamentin të duken edhe më të dobët nga sa janë aktualisht.
Brukseli ka diçka që njihet si “procedurat e shkeljes”, në bazë të së cilave mund të ndëshkojë vendet që thyejnë rregullat, por këto masa konsiderohen si joefektive, për shkak se ato nuk ofrojnë sanksione të tjera përveçse ankesës te Gjykata Europiane e Drejtësisë.
Një alternativë është përdorimi i nenit 7 të Traktatit të BE-së, që lejon pezullimin e një anëtari nga e drejta për të votuar, por vende të tilla si Gjermania, investitori kryesor i huaj në Hungari, e shohin këtë masë si tepër drastike.
“Ne kemi procedurat e shkeljes, si dhe nenin 7, i cili është një bombë atomike. Mes tyre nuk kemi asnjë mjet tjetër në dispozicion”, thotë Viviane Reding, komisionerja e BE-së për drejtësinë.
Parlamenti Europian ka gjithashtu fuqinë të aktivizojë nenin 7, por edhe ai është i ndarë në ndërmarrjen e një hapi të tillë, për shkak se Orban ka mbështetjen e anëtarëve konservatorë, të cilët përbëjnë grupin më të madh në asamblenë me 754 vende.
Kalim i lirë?
Zbatimi i nenit 7 nuk është i lehtë. E para, vendet e BE-së, duke përjashtuar shtetin anëtar nën akuzë, duhet të bien dakord në mënyrë anonime se njëri prej tyre ka shkelur ligjin e BE-së. Një shumicë e qeverive anëtare, që përfaqësojnë se paku 62 për qind të 500 milionë banorëve të BE-së, duhet të votojë për të pezulluar të drejtat e votës për vendin shkelës.
BE-ja dhe paraardhëset i kanë imponuar vetëm një herë sanksionet ndaj një vendi anëtar në historinë e tyre 56-vjeçare, kur pezulluan kontaktet me Austrinë në vitin 2000, për shkak se partia e ekstremit të djathtë, Partia e Lirisë nga Joerg Haider, u bashkua me koalicionin qeverisës. Sanksionet u hoqën pas disa muajsh dhe Haider dha dorëheqjen si kryetar i partisë.
Në një përpjekje për të gjetur një rrugë të mesme me Orban, Gjermania, Holanda, Finlanda dhe Danimarka propozuan në mars që Brukselit t’i jepen të drejta të reja për të ngrirë financimet për një vend anëtar që nuk respekton vlerat e BE-së.
Qeveri të tjera të BE-së e mbështesin idenë e modeluar në një sistem sakaq të përdorur për të disiplinuar vendet që thyejnë rregullat në çështje të ndryshme, nga kuotat e peshkimit te deficitet buxhetore, megjithëse ata këmbëngulin se këto masa nuk po bëhen vetëm për Budapestin.
“Nëse ne mundemi të ndëshkojmë njëri-tjetrin për peshkimin dhe financat, natyrisht që në një bashkësi vlerash ne mund të ndëshkojmë njëri-tjetrin mbi parime themelore”, thotë ministri i Jashtëm i Holandës, Frans Timmermans. “Ne nuk po vëmë nën objektiv një vend të caktuar, por duam të jemi në gjendje të merremi me të gjithë ne.”
Krijimi i një mekanizmi të ri nuk do të jetë i shpejtë dhe shumë qeveri të BE-së duan të shmangin bisedimet e gjata dhe përçarëse që mund të kërkojnë edhe ndryshimin e traktatit të BE-së, thonë diplomatët.
Këshilli i Europës mund të vendosë ta vërë Hungarinë në një lloj mbikëqyrjeje që ajo ua rezervon demokracive të reja, si Shqipëria dhe Serbia, duke shënuar rastin e parë të tillë për një vend anëtar të BE-së. Por edhe pas kësaj, detyra e Këshillit do të jetë të raportojë te vendet anëtare vetëm me rekomandime për veprime.
“Orban e ka rrugën të lirë në këtë moment”, shpjegon Mujtaba Rahman, drejtor i Kërkimit Europian në Grupin Euroasia. “Nëse pushtimi i bankës qendrore nuk është i mjaftueshëm, nëse gjithçka që qeveria ka bërë nuk është e mjaftueshme, atëherë minimi i Kushtetutës nuk do të bëhet çështje kyçe.”





