Belgrade – Brussels via Presevo


Nga Emin Azemi

 

Përderisa Beogradi e konsideron rajonin e Preshevës, Buajonocit e Medvegjës si vilajet i errët, i cili duhet të paguajë tagrin e politikave jo të drejta për barazi qytetare e etnike, Shkupi, në anën tjetër, luan në kartën e nxitjes së reagimit të shqiptarëve ndaj politikave aktuale që ndjek Gruevski. Ky i fundit, më shumë se me Brukselin, po e sinkronizon me Beogradin politikën e faktorizimit rajonal, duke përjashtuar faktorin shqiptar nga të gjitha rrugët që shpijnë drejt harmonizimit të politikave eurointegruese

BEOGRADI DHE SHKUPI, ‘LEXUES’ TË MBRAPSHTË TË AXHENDËS EUROPIANE: Një model Skandinav për rajonin e Ballkanit, erdhi si propozim nga kryeministri serb Daçiq pas mbledhjes së përbashkët të qeverisë serbe dhe asaj maqedonase, që u mbajt të hënën në Beograd. Udhëtimi për në Beograd i Nikolla Gruevskit me kabinetin e tij qeveritar, pa ministrat shqiptarë të BDI-së, është ngjarja më pak e zakonshme protokollare, sidomos në kushtet në të cilat aktualisht ndodhen marrëdhëniet rajonale. Kjo ngjarje, në Shkup është komentuar si hap drejt përafrimit të rajonit në kuadër të interesave e afiniteteve të përbashkëta.
Retorika e jashtme që mbulon këtë ngjarje, me asgjë nuk lë përshtypje negative. Përkundrazi, për veshin e atyre që janë mësuar të dëgjojnë fraza të lëmuara vetëm sa për t’i pëlqyer Brukselit, ky udhëtim në Beograd do të konsiderohej goditje në cak. Por, në cilin cak?
Edhe Beogradi, edhe Shkupi po e ‘lexojnë’ mbrapsht axhendën e prioriteteve europiane. Ose, kësaj axhende ata po i qasen sipas një dioptrie tepër të ngushtë dhe përjashtuese.
Të ndodhur nën hijen e një samiti të dështuar në Ohër, krerët politikë të Shkupit e Beogradit, sikur deshën ta kompensojnë dëmin nga ky samit, duke organizuar një mbledhje të përbashkët qeveritare në Beograd. Edhe kësaj radhe, pati një të përbashkët negative, që nuk mundet t’i jep kësaj ngjarjeje shkëlqimin e pritur – animoziteti ndaj faktorit shqiptar në rajon.
E tempuar vetëm disa ditë (28 qershor) para samitit të Brukselit kur Komisioni Europian pritet të vendosë se cila do të jetë dinamika e proceseve eurointegruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kjo mbledhje e përbashkët qeveritare kishte si synim pikërisht dërgimin e një fotografie optimiste në Bruksel nga ata që presin ndonjë date për fillimin e negociatave. Edhe Beogradi, edhe Shkupi u deklaruan se i kanë plotësuar të gjitha kushtet për të marrë datën për fillimin e negociatave dhe sipas tyre Maqedonia dhe Serbia janë të përkushtuara në rrugën e integrimeve europiane.
PSE PIKËRISHT NË BEOGRAD STARTOI GRUEVSKI?: Sikur Beogradi dhe Shkupi të ndodheshin vërtetë në Skandinavi, atëherë është për t’u mirëpritur ky diskurs proeuropian i politikanëve serbë e maqedonas. Por, realiteti sikur i demanton ata. Në radhë të parë, delegacioni i Shkupit në Beograd udhëtoi pa përfaqësuesit shqiptarë dhe ky nuk është një potez i pamenduar mirë i Gruevskit. Ajo që po harrohet nga politikanët maqedonas është mungesa e sensit të përbashkësisë ndëretnike në politikëbërje. Për çfarë axhende europiane mund të diskutohet në Beograd, nëse aty mungon pikërisht komponenta e diversitetit etnik, kulturor e gjuhësor, pa të cilën nuk mund të futesh as në paradhomat e Brukselit. Pse Gruevski ka nevojë të irritojë një pjesë të kabinetit të tij qeveritar që flet shqip? Aq shumë ka patur ai nevojë të shpreh besnikëri e përulësi ndaj Beogradit, sa që delegacioni i tij qeveritar ishte ‘i pastruar’ nga ministrat shqiptarë? Mospjesëmarrjen e ministrave shqiptarë në këtë mbledhje të përbashkët serbo-maqedonase, Gruevski a mundet ta shfrytëzojë si alibi për të mos marrë pjesë ai vetë në mbledhjet e përbashkëta të radhës që duhet të mbahen në Tiranë e Prishtinë, apo për t’i anuluar ato krejtësisht? A ka mundur që seria e këtyre mbledhjeve të përbashkëta rajonale të mos startojë pikërisht në Beograd?
Të gjitha këto pyetje, mbartin me vete nëntekstin e një harte të re politike rajonale që po skicohet ngutshëm në kokat e një pjese politikanësh ballkanas, të cilët ditën punojnë për Brukselin, kurse natën për variantet rezervë. Shtypi proqeveritar maqedonas i muajve të fundit ka ndjekur me entuziazëm përafrimin e Serbisë me Rusinë, duke afirmuar idetë e aleancave politike-ushtarake, që nesër mund të jenë alternativat e BE-së dhe NATO-s. Duke numëruar avionët e blerë nga Rusia si një favor që do t’i siguronte Serbisë siguri e stabilitet në rajon, drejt një aleance të re ushtarako-politike me Moskën, shtypi maqedonas në Shkup ka hedhur ide interesante për ndjekjen e një modeli të tillë edhe nga politika maqedonase. Euroskepticizmi i shprehur në pjesën dërmuese të opinionit publik maqedonas, burimin e ka tek frymëzimi kolektiv për një rrugë tjetër që duhet ndjekur Maqedonia, pas presioneve, siç thuhet në Shkup, të Brukselit dhe qarqeve të ndryshme në Perëndim për ta detyruar Maqedoninë ta ndryshojë emrin. Në kontekst të këtij frymëzimi vjen edhe ideja e hedhur në publik, këtyre ditëve, e disa intelektualëve maqedonas, për të ndërprerë negociatat me Athinën dhe për të anuluar çdo ndërmjetësim ndërkombëtar që ka si objektiv ndryshimin e emrit të Maqedonisë. Për ta përforcuar idenë e tyre ata propozojnë heqjen dorë nga anëtarësimi në BE dhe NATO, dy organizma politikë e ushtarakë, të cilët, sipas tyre, nuk mund të kenë kurrfarë roli për zhvillimin dhe perspektivën e shtetit të Maqedonisë.
Deri më tani asnjë nga zyrtarët politikë e institucional të Shkupit nuk janë distancuar nga këto ide antieuropiane të intelektualëve maqedonas. Ato, madje, kanë kaluar edhe pa u komentuar nga pjesa tjetër e shoqërisë maqedonase dhe krejt kjo heshtje të krijon përshtypjen ose të miratimit “en bloc” të këtyre ideve, ose frikën për të shprehur publikisht kundërshtimin ndaj një qëndrimi të kamufluar të politikës zyrtare.
SKANDINAVIA NËN HIJEN E VILAJETIT TË ERRËT: Beogradi dhe Shkupi po mundohen të instalojnë modelin skandinav të bashkëpunimit rajonal. Mirëpo ajo që e prish idilën e këtij imitimi është prania e prirjeve recidiviste në politikbërjen e Shkupit dhe Beogradit, kundrejt shqiptarëve. Përderisa Beogradi e konsideron rajonin e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës si vilajet i errët, i cili duhet të paguajë tagrin e politikave jo të drejta për barazi qytetare e etnike, Shkupi, në anën tjetër, luan në kartën e nxitjes së reagimit të shqiptarëve ndaj politikave aktuale që ndjek Gruevski. Ky i fundit, më shumë se me Brukselin, po e sinkronizon me Beogradin politikën e faktorizimit rajonal, duke përjashtuar faktorin shqiptar nga të gjitha rrugët që shpijnë drejt harmonizimit të politikave eurointegruese.
Lënia e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në mëshirën e politikës së paorganizuar të Prishtinës, është një potez i paramenduar i Beogradit, me të cilin synon të arrijë dy efekte: e para, duke e detyruar Prishtinën të ndërmarrë hapa jo të menduar mirë sa i përket kujdesit institucional ndaj shqiptarëve të këtij rajoni dhe , e dyta – duke ndërmarr ndonjë lëvizje pak a shumë demokratike për zgjidhjen e halleve të grumbulluar të shqiptarëve të këtij rajoni, Beogradi në sytë e botës do të vetëprezantohet si njëfarë piemonti rajonal për tejkalimin e keqkuptimeve ballkanike.
Treni ballkanik që ka harruar vagonët e vet gjatë udhëtimit, është mirë të rikujtohet se megjithatë itinerari europian duhet të ndjekë këtë marshutë: Belgrade – Brussels via Presevo, si një garanci për të reflektuar politika parimore eurointegruese, e jo mbledhje të ngushta përjashtuese e irrituese që përpos ndasive të reja, sjellin edhe paragjykime e refuzime të vjetra.