Asad përgatitet për sulm mbi Alepon


Lufta civile

Qyteti është i ndarë në lagje të kontrolluara ca nga rebelët dhe ca nga qeveria

 

Qeveria e Sirisë raportohet se po përgatitet për një ofensivë të re të madhe kundër pjesëve të Alepos të mbajtura nga rebelët dhe zonat përreth qytetit. Një burim nga siguria e Sirisë tha se sulmi “do të fillojë në orët apo ditët e ardhshme”, ndërsa një gazetë qeveritare raportoi se ushtria “po dërgon shumë trupa”. Aktivistët thanë se deri tani nuk ka shenja për ndonjë ofensivë kundër qytetit, i cili është i dyti më i madhi në vend.

Javën e kaluar, forcat qeveritare pushtuan qytetin strategjik të Kusairit, pasi morën mbështetje nga lëvizja Hezbollah e Libanit. Të dielën ata pushtuan fshatrat e fundit nën kontrollin e rebelëve në zonë. Shumica e Sirisë së veriut ka qenë nën kontroll nga grupimet rebele që nga viti i kaluar, ndërsa linjat e frontit brenda Alepos kanë qenë gjerësisht statike për shumë muaj.
Gjithsesi, me rënien e Kusair, duket se Asad dhe Hezbollahu kanë marrë iniciativën në luftën e përgjakshme. Gazeta “Vatan”, e kontrolluar nga qeveria, raportoi se ushtria pret të luftojë në rrethinat e Alepos, si dhe brenda qytetit, dhe se do të kalojë në ofensivë nga pozicionet mbrojtëse që ka mbajtur deri tani. Ofensiva e planifikuar raportohet se e ka emrin “Operacioni stuhia e veriut”.
Aktivistët e opozitës thanë se nuk kanë parë ndonjë fuqizim të pranisë së ushtrisë së Asad pranë Alepos, por në zonë po kryen disa luftime të ashpra. Një komandant rebel dhe ish-zyrtar i lartë i ushtrisë, gjenerali Mustafa al-Sheikh, tha se qeveria po përdor helikopterë për të forcuar pozicionet e veta brenda qytetit, të cilat janë të rrethuara, me ushtarë besnikë, përfshirë luftëtarë hezbollahë dhe shia nga Iraku.
“Regjimi mendon se ka arritur shumë pas betejës së Kusairit, por ata do ta zbulojnë se nuk do të jetë e lehtë të avancojnë në Alepo”, tha ai. Në një ngjarje tjetër, vëzhguesi sirian i të drejtave të njeriut raportoi se rebelët islamik në Alepo kanë ekzekutuar një djalë 15-vjeçar në sy të prindërve të tij si ndëshkim për diçka që e konsideruan si koment blasfemik. Grupimi aktivist tha se Muhamed Qataa u qëllua në fytyrë dhe qafë një ditë pasi u arrestua, pasi dikush e pati dëgjuar duke thënë: “Edhe sikur profeti Muhamed të vijë nga qielli, unë nuk do të bëhem një besimtar.”

Related Posts: