Ambasada e SHBA: Kujdes mund të ketë trazira në fushatë

Deklarata

Selia diplomatike paralajmëron shtetasit e saj në Shqipëri 

 

Tensionet që kanë nisur së bashku me fushatën zgjedhore në vend kanë detyruar ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë t’u bëjë thirrje qytetarëve amerikanë të qëndrojnë larg grumbullimeve elektorale. Duke mos mohuar as mundësinë e konflikteve të dhunshme gjatë këtyre grumbullimeve elektorale për fushatë, përmes një e-mail-i ambasada u ka kërkuar qytetarëve të SHBA-së të jenë të kujdesshëm. “Qytetarët amerikanë duhet të qëndrojnë vigjilentë dhe të interesohen se çfarë ndodh rreth tyre, të sigurohen mbi sigurinë e tyre, të evitojnë mbledhjet publike, të cilat lidhen me zgjedhjet dhe të evitojnë demonstratat që bëhen në Tiranë ose në qytete të tjera të vendit”, theksohet në hyrje të deklaratës së ambasadës për qytetarët e saj që jetojnë në Shqipëri. “Të gjitha mbledhjet publike dhe demonstratat kanë potencialin të kthehen në konflikte, konfrontime dhe të shkojnë deri në violencë. Ju duhet të evitoni zonat e demonstrimeve dhe të keni shumë kujdes në rast se këto grumbullime, protesta apo demonstrata janë të mëdha. Mbledhjet masive mund të shkaktojnë trazira në të gjithë qytetin ku ato mbahen. Demonstratat që ndodhin në një qytet kanë potencialin të çojnë në tubime publike dhe në demonstrata në të gjitha zonat e tjera në qytetet ku ato ndodhin”, vijon njoftimi i ambasadës. Po kështu, njoftimi i fton qytetarët amerikanë që të njoftohen nga media dhe nga lajmërimet e qeverisë në lidhje me situatat e trazirave që mund të shkaktohen gjatë kohës parazgjedhore. Nga ana tjetër, ambasada amerikane jep të gjitha kontaktet e saj, duke u kërkuar qytetarëve amerikanë që të lajmërojnë në çdo rast ambasadën, nisur nga shqetësimet e mundshme që ata mund të kenë për këto situata. Pavarësisht faktit se në mënyrë të herëpashershme ambasada amerikane bën njoftime për sa u përket situatave të tensionuara që mund të ketë në vend, zgjedhjet shqiptare po shikohen me shumë skepticizëm nga ana e ndërkombëtarëve. Situata ende e pazgjidhur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe po kështu agresiviteti i cili duket në retorikat politike përgjatë kësaj periudhe parazgjedhore bëjnë skeptikë përfaqësuesit e vendeve të tjera në kuadër të aftësisë së Shqipërisë për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme, jashtë konflikteve politike. Ky skepticizëm lidhet gjithashtu me faktin se zgjedhjet shqiptare janë konsideruar gjithmonë problematike dhe rezultatet e tyre këto dy herët e fundit janë kontestuar ashpër nga opozita aktuale. Ky kontestim ka bërë që shpesh demonstratat dhe protestat në kuadër të zgjedhjeve të jenë të dhunshme dhe të rrëmbyera. Ditët e fundit në vend nuk kanë munguar as rastet e përdorimit të armëve të zjarrit si pasojë e konflikteve politike që kanë lindur në këtë situatë parazgjedhore. Nga ana tjetër, viti 2005 ka shënuar dhe viktima në kuadër të rritjes së konflikteve zgjedhore me afrimin e datës së zgjedhjeve. Parlamentaret e 23 qershorit shihen si tepër të rëndësishme për vendin në kuadër të rëndësisë të tyre për çështjen e vijimit të integrimit të Shqipërisë./