Alfred Peza: 29 arsyet pse do të fitojë numri 29


Kandidati socialist për Peqinin, Alfred Peza, vlerëson se ka 29 arsye pse do të fitojë numri 29 ditën e zgjedhjeve në Shqipëri.  Peza përmend disa arsye, që sipas tij, do t’i dhurojnë të majtës fitoren më 23 qershor.

Ja kush janë sipas Alfred Pezës, 29 arsyet që numri 29 do të fitojë zgjedhjet:

1.- Sepse Sali Berisha s’ka ç’farë të reje t’i sjellë më Shqipërisë, pas 23 vitesh si lider politik, si kryetar i PD, si President, si lider opozite dhe si Kryeministër.
2.- Sepse Shqipëria e Sali Berishës, sot e ka prekur fundin e saj social- ekonomik.
3.- Sepse aq shumë ka gënjyer Sali Berisha pas 1990, sa këtë radhë i ka shteruar edhe fantazia e tij aq e pasur për të premtuar diçka të re, përsëri.
4.- Sepse Sali Berisha i ngjan personazhit të “Lëkurës së Shagrenit” të Balzakut, ku personazhi vdiq (në këtë rast politikisht) pasi mjeti çudibërës (pushteti) ia realizoi të gjitha dëshirat. E bashkë me to, lëkura (pushteti) rrudhej e rrudhej derisa u shua… Më 23 qershor, në orën 19:00…
5.- Sepse Sali Berisha, është i fundmi i liderëve ish- komunistë të Europës Lindore, që nuk është larguar nga pushteti, pas rrëzimit të Murit të Berlinit. Largimi i Ramiz Alisë nga jeta, largon edhe të dërguarin e tij nga skena politike.
6.- Sepse vetë Sali Berisha po e pranon humbjen që tani, kur ka nxjerrë në plan të parë të fushatës së zgjedhjeve parlamentare, pasardhësin e tij dhe udhëheqësin lokal Lulzim Basha. I cili, me shtrimin e rrugicave nëpër Tiranë, na zbuloi pasionin e tij të fshehtë për të qenë kampion kombëtar në 100 metërsh…
7.- Sepse Sali Berisha, nuk është Krishti që të Ringjallet.
8.- Sepse Sali Berisha dhe kandidatet e tij nuk kanë asnjë ofertë të re për të bërë, përveçse avazit të përjetshëm të bërjes së gjithçkaje negative dhe antidemokratike për të tjetërsuar vullnetin politik dhe elektoral të zgjedhësve.
9.- Sepse Sali Berisha ka nevojë që ta fikë më në fund “Tatra”-n e tij politike e ta dërgojë në muze.
10.- Sepse Sali Berisha është kryeministri i një qeverie pa shtet.
11.- Sepse Sali Berisha ia arriti që si edhe herën e parë, ta lërë Shqipërinë një “tokë të djegur” financiare.
12.- Sepse Sali Berishës i ka mbaruar vaji i kandilit politik.
13.- Sepse Sali Berishës i ka mbetur aleat vetëm Arian Çani.
14.- Sepse Sali Berishës nuk ka më se kush t’i shkruaj.
15.- Sepse Sali Berisha ka filluar të bëhet maniak mesazhesh në celular, duke i mërzitur shqiptarët. Nga anët e tij, thonë se kur i zoti i dasmës i shpërndan vetë ftesat, e ka një hall të madh.
16.- Sepse Sali Berisha e shkriu Shqipërinë për të bërë pasurinë… I ka mbetur pa çuar për skrap në Elbasan, vetëm këmbët metalike të karriges së tij.
17.- Sepse Sali Berisha hyri në politike me një dhome e një kuzhinë te Brraka dhe po del si “pronar” i gjysmës së Shqipërisë.
18.- Sepse Sali Berisha me Ed Selamin e Dash Shehin, i mbaroi së ngrëni të gjitha “mollët” e shportës se tij politike, që i kishte pshurrur dikur…
19.- Sepse Sali Berisha sa më shumë plaket, aq më keq i tregon përrallat.
20.- Sepse Sali Berisha i ngjan personazhit të Asiz Nesinit tek libri me tregime “Sikur të isha grua”. Që pasi i zuri të gjitha postet në fabrikën ku punonte, i kish mbetur pa provuar vetëm detyrën e sekretares së pronarit. Dhe tha: Ah sikur të isha grua. E vetmja dëshirë që i ka mbetur pa realizuar në politikë, është të emërojë edhe liderin e opozitës. Ndaj, thotë: Ah sikur të isha Edi Rama.
21.- Sepse Sali Berisha ka nevojë të rrijë edhe me fëmijët, nipërit e mbesat. Sepse ka 23 vjet që ka dalë nga shtëpia dhe në vend që të rikthehet, vazhdon të ulërasë nëpër Shqipëri.
22.- Sepse Sali Berisha hyri në politikë me parullën “e duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe po e lë “si gjithë Afrika”…
23.- Sepse Sali Berisha e nisi si antikomunist, e vijoi si antishtet, u rikthye si anti- korrupsion dhe po e mbyll si anti-demokrat.
24.- Sepse Sali Berisha e nisi si burrë shteti dhe e përfundoi si anëte e “sokakut të të marrëve”…
25.- Sepse Sali Berisha e nisi si misionar dhe e përfundoi si shiritaprerës…
26.- Sepse Sali Berisha nuk mund të rikthejë mbretërinë, duke na premtuar integrimin në BE.
27.- Sepse Sali Berisha, sa më shumë plakët, aq më shumë gënjen. Sa më shumë gënjen, aq më tepër i rritet hunda. Dhe në vend të baba-it (Karlo) te kombit, na u bë “Pinoku” më i vjetër në botë.
28.- Sepse Sali Berisha nuk ka vetinë e verës, për t’u bërë më i mirë, sa më shumë kalojnë vitet. Ai është një uthull 70-vjeçare.
29.- Sepse Sali Berisha nuk ka më fuqi ta ndalojë rrotën e historisë…