Adolf Hitleri, idhull i Kim Jong-unit!?


Koreja e Veriut ka kritikuar raportet e mediave se lideri i vendit, Kim Jong-un, për ditëlindjen e tij ua ka dhuruar zyrtarëve të shtetit kopjen e librit “Mein Kampf” (Lufta ime), të liderit nazist Adolf Hitler.

Në raportin që është botuar në internet, në një faqe të të arratisurve nga Koreja e Veriut, “News Focus International”, thuhet se zyrtarët e lartë kanë fituar një libër dhuratë në janar. Faqja thirret në një deklaratë të një zyrtari të paemëruar në Kinë.
“Meqë Hitleri arriti në një kohë të shkurtër rindërtimin e Gjermanisë, pas disfatës në Luftën e Parë Botërore, Kim Jong-un urdhëroi që Rajhu i Tretë të studiohet me kujdes dhe të nxirren konkluzionet praktike përkitazi me këtë”, ka thënë burimi.
Koreja e Veriut i etiketon të arratisur si “mbeturina njerëzore”, ndërsa i kërcënon edhe me vdekje.
Hitleri e shkroi librin “Mein Kampf” në burg, në vitin 1924. Aty ai e përshkruan periudhën e hershme të jetës së tij, si dhe bindjet e tija raciste. Ministria e Sigurisë Kombëtare e Koresë së Veriut ka lëshuar një reagim, të cilën e transmeton agjencia KCNA.
Në kumtesë hidhet poshtë ky lajm si “fushatë e shpifjes” nga “një grusht i mbeturinave njerëzore, që duan ta pengojnë progresin e Koresë së Veriut”. /Telegrafi