Home »
» A e dini si ushqehet shëndetshëm një fëmijë?
A e dini si ushqehet shëndetshëm një fëmijë?
Shpesh dëgjojmë të flasin për rëndësinë që kanë vitaminat dhe mineralet në organizmin e njeriut, veçanërisht të fëmijëve tanë. Por shumë prej nesh nuk i dinë se cilat saktësisht janë më të nevojshmet?
Vitamina A
Pse fëmijët kanë nevojë për të? Vitamina A është çelësi për të pasur sy të fortë. Ajo po ashtu i jep sistemit imun të fëmijës një shtytje për të luftuar infeksionet. Ku gjendet? Mbushni pjatat e fëmijëve me karota, domate, portokalla, si pjepër dhe patate të ëmbla. Po ashtu mbushni gotat e tyre me qumësht të pasur me vitamina.
Vitaminat e grupit B
Pse fëmijët kanë nevojë për to? Fëmijët kanë nevojë për vitaminat B (ose B kompleks) – që përfshin timinën (B1), riboflavinën (B2), niacinën (B3), acidin pantotenik (B5), piridoksinën (B6), biotinën (B7) acidin folik (B9) dhe kobalaminën (B12), për të prodhuar dhe shfrytëzuar energjinë. Pa vitaminat e grupit B, fëmijët mund të fitojnë anemi. Ku gjenden? Ju mund t’i gjeni vitaminat B pothuajse në çdo grup ushqimesh. Drithërat e plota, peshku, mishi i pulës, mishi i kuq, perimet gjethe-gjelbra, dhe produkte te qumështit, janë të mbushura me to.
Vitamina C
Pse fëmijët kanë nevojë për të? Konsumimi ditor i vitaminës C ndihmon të qëndroni larg rrufës dhe ftohjeve, duke ndihmuar organizmin e fëmijës të luftojë infeksionet. Ajo po ashtu përshpejton shërimin e gërvishtjeve dhe plagëve të tjera. Ku gjendet? Fëmijët mund të pinë një gotë lëng portokalli ose, edhe më mirë, të hanë një portokall. Edhe frutat dhe perimet tjera janë burime të shkëlqyera të vitaminës C. Provoni dredhëzat, domatet, pjeprin, dhe specat e kuq të ëmbël.
Vitamina D
Pse fëmijët kanë nevojë për të? Për të ndërtuar kocka dhe dhëmbë të fuqishëm, fëmijët kanë nevojë çdo ditë për vitaminën D. Vitamina D ndihmon përthithjen e kalciumit, i cili është pjesë ndërtuese e eshtrave. Ku gjendet? Lëkura e prodhon vetë vitaminën D kur ajo bie në kontakt me rrezet e diellit. Por për shkak se rrezet ultravjollcë, të cilat nxisin prodhimin e vitaminës D mund të shkaktojnë kancer, duhet të bëni kujdes nga kjo mënyrë e marrjes së vitaminës D. Në vend të saj, shtoni qumësht të pasur me vitamina, cereale ose vezë në dietën e fëmijëve.<br />
Kalciumi
Pse fëmijët kanë nevojë për të? Fëmijët kanë nevojë për kalcium për të ndërtuar kocka dhe dhëmbë të forta. Mungesa e kalciumit mund të rrisë gjasat për t’u prekur nga probleme të eshtrave më vonë gjatë jetës. Ku gjendet? Produktet e qumështit janë burimi më i mirë i kalciumit. Disa gota qumësht me pak yndyrë dhe një gotë kos në ditë, u mjaftojnë fëmijëve për të ndërtuar eshtra të fuqishme dhe të shëndetshme.
Kolina
Pse fëmijët kanë nevojë për të? Kolina nuk është një vitaminë, por sërish është një lëndë ushqyese e rëndësishme. Qelizat kanë nevojë për të për ta ruajtur formën e tyre dhe sistemi nervor ka nevojë për të për të shpejtuar mesazhet që dërgon kudo në organizëm. Ku gjendet? Organizmi i fëmijëve nuk mund ta prodhojë kolinën vet, andaj ata duhet ta marrin këtë lëndë ushqyese përmes ushqimit si vezët, peshku, mishi i lopës, pulës, dhe brokoli.
Hekuri
Pse fëmijët kanë nevojë për të? Hekuri nuk është vetëm për të bërë stërvitje dhe pompa në palestër. Ai po ashtu ndihmon në pompimin e gjakut në organizëm. Hekuri është pjesë e qelizave të kuqe, të cilat bartin oksigjenin kudo në organizëm. Ku gjendet? Konsumoni më shumë mish pa dhjamë, ose ofroni fëmijëve ushqime të pasura me hekur, si fasule, perime gjethe-gjelbra dhe cereale të pasuruar me hekur.
Magnezi
Pse fëmijët kanë nevojë për të? Magnezi është një prej atyre blloqeve ndërtuese në qelizat e organizmit dhe është i rëndësishëm për prodhimin e energjisë. Një dietë e pasur me magnez po ashtu do t’i mundësojë zemrës së fëmijës tuaj të pompojë më fuqishëm në moshë madhore. Ku gjendet? Drithërat me përbërje krundesh, orizi i zi, tofu, fasulet, bajamet dhe frutat tjera arrore, janë burime të pasura të magnezit.
Kaliumi
Pse fëmijët kanë nevojë për të? Pothuajse çdo qelizë dhe organ në organizëm ka nevojë për kalium për të funksionuar si duhet. Kaliumi po ashtu është i rëndësishëm për tensionin e gjakut, duke mbajtur zemrën të pompojë dhe muskujt e saj të punojnë kur fëmijët vrapojnë rrotull. Ku gjendet? Bananet janë të mbushura me kalium, por ai po ashtu mund të gjendet në patatet e ëmbla, fasulen e bardhë, qumështin e skremuar, dhe jogurtin me pak yndyrë.
Zink
Pse fëmijët kanë nevojë për të? Zinku mund t’u ndihmojë fëmijëve të luftojnë ftohjet duke ndihmuar sistemin e tyre imun të luftojë viruset dhe mikrobet tjera që shkaktojnë sëmundje. Organizmi po ashtu ka nevojë për zink për t’u rritur dhe zhvilluar. Ku gjendet? Mishi i pulës, fasulet, dhe drithërat e pasuruara të mëngjesit janë të mbushura me zink.
Ushqimet e pasuruara me vitamin
Mënyra më e mirë për t’u siguruar se fëmija juaj merr të gjitha lëndët ushqyese për të cilat ka nevojë është t’i shërbeni ushqim të llojllojshëm. Por ju jeni të shqetësuar se fëmija nuk i konsumon sa duhet këto përbërës? Bisedoni me pediatrin tuaj për t’ju dhënë suplemente me vitamina dhe minerale të cilat do t’ia jepni fëmijës çdo ditë./Indeksonline






