Zërat e fshehur




Eckehard Pistrick
Borsh, Finiq 13.9.2004

Endje mëngjesore me barkun bosh. Ende janë hijet aq të gjata sa ta arrijnë gjallërisht xhaminë mbi kreshtën shkëmbore. Në një gjysmë ore gjendem lart. Disi i frikësuar prej gjarpërinjve. Mbi cilin gur mund të shëlliheshin ata në diell? Por nuk më ngecet këmba në asnjë gur dhe nuk rrëzohem. Xhamia përbëhet prej një kubi dhe një motivi tetëkëndësh kubeje. Model i thjeshtë gjeometrik. Thjeshtësi ballas peizazhit të maleve. Nëpër dritare fryn një erë që të ngrin. Kubeja është plot të çara. Në çdo çast mund të rrëzohet, porsi një traditë. Dy topat të ndryshkur qëndrojnë si një përmendore e ngulur në dhe. Në kapërcyell të një viti të papritur, viti 1918. Të zbresësh bashkë me barinj britës. Limonada e fundit prej Borshi. Lamtumira me autobusin e orës 11. Udhëtim i ngadaltë nën koncert borie. Kërcëllitjet e basëve turq dhe të kitarave elektronike që të çajnë lodrën e veshit, s’i lënë udhëtarët të flenë. Ruletë ruse rrugësh. Ngjitje e një vajze të ndrojtur flokëgështenjë. Sytë e saj pas syzeve të diellit s’mundem t’i shoh. Pas pirgut të plehrave që digjen shtrihet Saranda. Gjumë i pasdrekes me sufllaqe. Një papagall i verdhë që nuk do të lozë me gjirafën e verdhë prej druri. Vëzhgoj përplasjen e dallgëve në derën e një frigoriferi.
Hakimi i jep makinës si i çmendur për në Finiq. Banakierja nuk këndon më, i kushtohet familjes. Por më njeh mua menjëherë. Atëherë po, një këngë e butë mërgimi. Një burrë i vjetër flak shpejt e shpejt llogarinë dhe ia mbath: vrasje e dyfishtë pas adhuruesit e së bijës që tani jeton në Itali. Në Vrion, seancë pyetjesh në kafene. Përbrenda, dëshpërim shqiptar: bujtinarja thur me shtiza, burrat luajnë me letra. Të gjithë këngëtarët janë në Greqi, njëri jeton ende këtu. Ai më qeras me uzo si raki. Kujtimi është zhdukur edhe pse fotografitë qëndrojnë ende të varura në mur. Njohje me Fredin, sipërmarrësin e ndërtimit. Duket si supermodel! E do Shqipërinë sa ç’e dua unë dhe është kureshtar për gjithçka të huaj. Në Shqipëri qeni qenkësh varrosur. Shqipëria qenkësh e varfër; ai më dhuron për qejf ca lekë: përherë ka ai në majë të gjuhës një barsoletë greke. Pastaj shfaqje modeli përpara derës së kafenesë. Jashtë perde resh të portokallta, re pluhuri mbi lopë të zeza. Në varrezën ku po bie muzgu nuk i gjej më gurët e varreve të këngëtarëve të zbardhulur. Ndoshta nesër. Në rrugët mbrëmësore dëgjoj veç një fjalë: këndon.

Sarandë, Starje, 14.9.2004

Vizitë tek Osmani, rapsodi i vjetër. Me krenari më tregon videon e ditëlindjes së shtatëdhjetë e pestë. Fotografi në ballkon. Po Amira? Isha vënë në kërkim të dyqanit të gabuar dhe dyqanin e gabuar s’e kisha gjetur. Sytë e saj të kaltër për tëqarë më njohin në çast. Dua ta ftoj për një kafe. Ajo ka punë. Pastaj del e vërteta: ajo është e fejuar që 20 vjeçe, i fejuari 30. Kemi një problem. Nëse unë bie në sy në kafene me të, mund të ma numërojnë me lule të ballit. Kam papritmas frikë. Në lëvizjet e saj ka diç të nxituar. Unë blej shpejt e shpjet një ëmbëlsirë të vogël tek ajo dhe i premtoj se nesër do të shkoj përsëri për të blerë byrekun. Pastaj dëgjoj veç shushurimën e pishave. Korfuzi laget në mjegull. Unë i vihem udhës gjarpëruese për në Starje.
Fshati është i njohur për këngët e tij shumëzërëshe të grave. Në anë të rrugës shqiptarët këpusin manaferra. Starja duket e vulosur më fort prej blegtorisë sesa prej këngëve grarishte shumëzërëshe. Rreshtave të shkrimeve mbi lapidarin e heronjve u ka dalë boja. Rrugët janë moçalore dhe bien era urinë. Braktisje. Dshati, përveç një shkollë rrënojë, nuk ka asnjë qendër për të qenë. Ai shtrihet mbi tri lagje të hallakatura në shpat të malit. Unë ndalem në më të shpërfillurën pjesë të vendit, në të cilën jetojnë ende veç tri gra me familjet e tyre. Pranë burimit takoj më në fund nja dy vendës. Lista ime me këngëtare. Po, këtu paskëshin kënduar me dy zëra dhe me iso. Por tani, u duhet të ruajnë lopët, të kujdesen për fëmijët. Një këngëtare e vjetër, Alida, thuhet se qenkësh ende. Ajo jeton atje lart: në anën tjetër të shtratit të gurtë të lumit të tharë. Alida është një zonjë plakë e përzemërt me thjeshtësi të brishtë. Ajo rri si të kishte lëshuar rrënjë nën drurin e dardhës së shtëpisë së vet. Në të vërtetë, atë mund ta fotografosh vetëm bardhezi. Në oborrin e saj numërohen njëqind dhen, dy kuaj, dhe plot pula. E bija dhe i shoqi ngrihen në këmbë ndërsa ne ulemi. Dikur ajo paskësh kënduar. Po tani? Një tjetër grua,si e dalë nga një pikturë, me shikim të hutuar trazohet në ndodhi. Nexhmija: dhëmbë fragmentarë, lëkurë e errët, petk me kuadrate të zeza e të portokallta. Alidës i duhet të këndojë. Së fundi shfaqen Nexhmija dhe Alida me fustan mbrëmjeje: bezhë e blu me këpucë me taka. Nexhmija ka vënë një rreth koke të zi në flokët e gjatë e të bardhë. Me një siguri prej somnambulësh ato marrin rrugën e lagur prej shiut. Nuk pranojnë asnjë ndihmë. Gjatë udhës rekrutojmë Teutën flokëkuqe për iso. Vajza e saj e hirshme e merr për shaka ftesën për të kënduar me ne. Mbërrijmë në qendrën e fshatit pranë shkollës. Errësohet, por aty nuk është kurrkush. Megjithëse i pashpresë, përpiqem t’i mbush mendjen një gruaje te burimi që të këndojë me ne. Nja dy burra që ishin aty përqark dhe taksisti i vendit nuk reagojnë aspak. Të këndojnë? Kjo qenkësh punë grash në fshat. Një plakë me zë angullitës na mban me muhabet. Për të kënduar nuk do. Ne jemi vetëm tre- gjithçka duket e kotë. Shkolla është mbyllur. Nuk kemi vend për të bërë regjistrime. Nis shi më gjyma. Teksa ndalemi para shtëpisë së Teutës, unë përpiqem së paku për një çast ta kandis atë në shtëpi. Vetëm për të shkruar një tekst. Pasi këngëtaret ulen në divan, bëhet papritmas gjithçka e thjeshtë: thërrasin një fqinje dhe ia marrin këngës. Alida merr përsëri zërin e parë si para 50 vjetësh. Repertori përbëhet kryesisht prej këngësh dashurie dhe dasmash që shoqërohen edhe me valle. Me zgjatjen e koncertit, isoja merr një kumbim të mprehtë e të thekshëm. Një djalë i ri zë vend te dera. Taksisti i vendit përfshihet me hare në pjesën e isos. Rakinë e fortë të vendit ai e pi drejt e prej shishes dhe i nis një muhabeti (bisedë e kënduar) me zonjën e vjetër Alida. Një kuvendim i improvizuar. Tradita gjallon. I riu i pavënë re te dera merr fjalën në greqisht. Ai qenkësh nipi i Alidës. Flet me zë të ashpër. Kur mund t’i dëgjojmë regjistrimet? Për çfarë më duhen mua regjistrimet? Porsi një hije qëndron tani në derë edhe një zotëri me kasketë e me syze me skelet të trashë. Është djali i Alidës. Një rojtar i paepur i traditës së të kënduarit në familje. Pranë tij një bari ogurzi që ngjan si prift. Fytyrë e gjatë si nga të El Grekos dhe mjekër e zezë. Ai tregohet i papajtueshëm. Unë u dashka ta fshij këngën e fundit. Jo. Të gjitha regjistrimet e mbrëmjes duhet t’i fshij. Qenkësh një këngëtar i shkëlqyer. Paska edhe nj dëshmi për këtë. Ai s’mund të lejojë që e ëma të këndojë pa miratimin e tij dhe pa para. Nexhmija ikën e turpëruar nga dhoma. A do të munden të tjerët ta qetësojnë këtë njeri? Alida hesht dhe buzëqesh, ndërsa toni i të birit bëhet gjithmonë e më i mprehtë. Shoferi i taksisë është në anën time. Me fjalë e gjeste të mëdha, ai thotë se këto gra kanë kënduar vetëm për qejf dhe për të më ndihmuar mua. Pyetjet bëhen ekzistenciale. Pronë e kujt janë këngët? E këngëtarit, e familjes, e etnomuzikologut? Unë mendoj: e të gjithë fshatit. Nipi dhe biri i dëgjojnë regjistrimet. Në mënyrë të përsëritur, ata kërkojnë: “Fshiji, fshiji”. Prej dëshpërimit, i ofroj të birit para. Duart u bëjnë shenja të forta mohimi. Këto këngë nuk kanë çmim. Gjendja qetësohet pasi ndizet televizori. Për ç’është kjo dramë? Një çështje nderi? Shprehje e vetvetes? Rivendosje hierarkish?
Në taksinë e raki-pirësit shpërthejmë në hare. Ai pyet nëse i kisha fshirë vërtet regjistrimet. Natyrisht që jo. Nipi dhe taksisti më rrahin krahët. Nëse do t’i kisha fshirë, do të isha një njeri i rrezikshëm. Dredha-dredha ecim mbi udhën e gurtë në fushë, të ndezur prej një muzike me klarinetë me zërin ngritur gjer në shurdhim. Meloditë shtillen e shtillen. Shoferi i taksisë nxjerr një shishe raki, e pi me një frymë dhe godet me të xhamin e përparmë. Mos ndodhem gjë në një film të Kusturicës? Por gjithçka është e vërtetë. Edhe qyteti i errët që shtrihet para nesh. Ne jemi të pandriçuar si të gjithë të tjerët. Me shpejtësi të frikshme u shmangemi makinave që vijnë përballë dhe goditjeve prej gropave. Në barin e hotelit taksisti tjetërsohet. Fshatari ndihet zot shtëpie dhe vë këmbën mbi taketuke. Në kuzhinë grabit ca thelpinj hudhre që i ha me një ngërdheshje të gjerë për t’u mbrojtur prej syrit të keq. Udhëtojmë për në të dytin hotel të qytetit.Restoranti: vendi i preferuar i elitës së vetëshpallur. Bufeja e madhe shkon për llogari tonë. Tri broka verë e kuqe e bëjnë botën të vijë vërdallë. Unë lëkundem. Mendimet më lidhen nyje. Ndoshta lumturia është e tillë. I kam shpëtuar regjistrimet e mia. Regjistrimet e mia të para me këngëtare. Si i vdekur bie në shtrat.

Korkyra, 1.10.2004

Qetësi e ndërprerë nate. Prej orës katër avionët nisin fluturimet sërish. Zhurma gris heshtjen. Mbi jastëkun pranë meje gjendet një degë jasemini me një lulkë që më ngazëllen. Me mëngjesin e papritur: është një orë më vonë. Avioni im thuajse ka ikur. Taksia fluturon. Edhe dhjetë minuta nga ngritja. Të gjitha hyrjet janë tashmë të mbyllura. Tepër vonë. Prej dritares së mbikëqyrjes së fluturimeve shoh avionin tim që lëviz në pistën e ngritjes. Ka çaste kur e urrej përpikërinë gjermane. Marr një biletë të re. Kam ndjesinë e humbjes së një dite.
Ulem në varrezën në anë të aeroportit. Pa fund qiparisa të gjatë. Një prift murmuron litaninë e vet nën zhurmën e avionit. Ajri është i ngopur me temjan. Varret mbartin shenjat e kohës së tyre: vazo të harlisura, virgjëresha të mbuluara nga myshku, fierishta palmash, kurora lulesh dhe pëllumba. Prej shkëmbinjsh dalin zambakë, prej kryqesh qiparisa. Unë zgjedh stola të ndryshëm, këndvështrime të ndryshme për vëzhgimet e mia. Gëlltis një pjepër sheqer të ëmbël. Disa stola janë aq të favorshëm saqë mund ta mbështes kokën në rrënjët e qiparisave. Uria dhe mushkonja të vogla me vija tigri nuk më lënë të fle. Mendimet e mia qarkojnë mjegullt rreth Lidias.Një gushëkuq i pajetë shtrihet mbi mermerin e bardhë. Në sy një grerëz.
Nga pas varrezës zbuloj mbetjet e kullës së limanit të Paleopolit. Hedh ngadalë hapat përpara. Tempulli i Artemisës: një tufë gurësh të hallakatur dhe kolonash të gërryera. Ndjek një instinkt mbi tjetrën majë të malit. Poshtë meje laguna e Korfuzit. Pranë një vile në stil britanik. Dritaret e dyqaneve të thyera si koha. Eci më tutje pa kthyer kokën pas.
Dhe papritmas gjendem te shkallët që të çojnë në Parajsë.
“Mon Repos” quhet parku me vilën, heraneumin, tempullin dorian dhe amfiteatrin. Det dhe vela të bardha në mes të aromës së fortë të pishave. Zhgënjimi për humbjen e fluturimit shndërrohet në mirënjohje për ditën e dhuruar. Shikime drejt fortesës së vjetër. Sipërfaqja godet nën blu të bruztë anës shkëmbinjsh. Çdo vështrim në anën tjetër, në Shqipëri, është një lamtumirë. Pasi i rihap sytë, bukuria ende nuk është zhdukur. Qilim rozë manushaqesh nën gjigantë xhungle dhe të gjitha llojet e palmave. Një kishë rrënoje me lule të vyshkura në altar. Një park peizazhi anglez në Mesdhe. Një kalim gurësh në det, ku peshq vija-vija notojnë si në një akuarium ë madh. Një qen i çmendur pas zogjsh që rend tutje tëhu nëpër bregdet pa kapur asnjëherë asnjë prej atyre topthave me pupla. Një tempull dorian në det. Dielli praron majat e pemëve. Vrapues në gëmushë.
Shqipëria duket e afërt për t’u arritur ndërsa unë pëshpërit poezinë e Lidias. Pastaj marr çantën prej varrezës. Natyrisht qëndron ajo në stolin ku unë e lashë para disa orësh. Në varrezë nuk vjedh kush. Kafe me vështrim nëpër natë dhe regëtima e vagullt e Konispolit. Gruan e varrmihësit e ndjekin shtatë mace. Disa drita mbi varrezë, ndriçim spitali për turmat e turistëve në aeroport.

Përktheu nga origjinali: Edvin Cami
Fragment nga ditari, marrë nga revista letrare “Aleph”
Standard

Related Posts: