Në Gjermani, Holandë, Finlandë e vende të tjera, politikanët ankohen se po rrezikojnë paratë e qytetarëve të tyre në ndihmë të jugut. Por të dhënat tregojnë se këto vende kanë fituar miliarda gjatë periudhës së krizësKriza monetare
Jan Strupczewski, Reuters
Përgjatë të gjithë krizës së borxheve në Europë, udhëheqësit e Europës Veriore shpesh kanë thënë se nuk do të lejojnë që taksapaguesit e tyre të mbushin gropat e krijuara nga problemet e vendeve të tjera dhe koncepti i “paketave të shpëtimit të financuara nga taksapaguesit”, ka zënë rrënjë.
Megjithatë, pavarësisht tri viteve e gjysmë krize borxhesh dhe trazirash bankare, ndërsa paketat e shpëtimit kanë kushtuar në total mbi 400 miliardë euro, taksapaguesit e Europës Veriore nuk kanë humbur deri më sot asnjë qindarkë.
Dhe për më tepër, qeveritë në Gjermani, Finlandë, Austri, Holandë dhe Francë kanë kursyes miliarda euro, falë rënies së shpejtë të interesave të borxhit të tyre publik.
Por kjo nuk e ka parandaluar krijimin e bindjes mes votuesve se njerëzit punëtorë të Europës Veriore po japin paratë e tyre për të shpëtuar dembelët e Europës Jugore, duke rritur ndjesinë e padrejtësisë dhe duke minuar unitetin e Europës.
Në përgatitje të zgjedhjeve të Gjermanisë në shtator, kjo ndjenjë duket se është e destinuar vetëm të rritet dhe Kancelarja Angela Merkel, e cila kërkon një mandat të tretë, do të duhet të rikonfirmojë angazhimin e saj për mbrojtjen e votuesve nga humbjet e mundshme.
Por e vërteta mbetet se taksapaguesit gjermanë, si dhe ata në Finlandë, Holandë e gjetkë, nuk janë më keq në fund të fundit, ndërsa ministrat e tyre të Financave bëjnë llogaritë me përfitimet që kanë pasur nga kriza.
“Si një pasojë e paqëllimshme e krizës, Finlanda ka përfituar në mënyrë të jashtëzakonshme”, thotë Martii Salmi, kreu i çështjeve ndërkombëtare dhe europiane në Ministrinë e Financave të Finlandës. “Ne nuk kemi humbur asnjë qindarkë deri më sot”, i tha ai “Reuters”. “Dhe kjo është e vërtet po kaq shumë për Gjermaninë”.
Në fakt, zyrtarët e Gjermanisë janë të vetëdijshëm për pozicionin e tyre të fuqishëm financiar, rezultat i rënies së kostos së borxheve me më shumë se dy pikë përqindjeje, edhe pse politikanët vijojnë të ankohen për rreziqet që po kërcënojnë taksapaguesit gjermanë.
Kur jep prezantime në Gjermani, Klaus Regling, gjermani që drejton fondin e përhershëm të shpëtimit të Eurozonës, shpesh citon dy studime që tregojnë se Berlini ka pasur kursime të mëdha si pasojë e paqëllimshme e krizës.
Një studim i kryer nga gjiganti gjerman i sigurimeve, Allianz, ka llogaritur se Berlini kurseu 10.2 miliardë euro në vitet 2010-2012 për shkak të kostos më të ulët të huamarrjes, ndërsa interesat për bondet dhjetëvjeçare ranë nga 3.39 për qind në 1.18 për qind.
Një studim tjetër, nga Jens Boysen-Hogrefe i institutit ekonomik IfW, sugjeron se buxheti federal i Gjermanisë kurseu 8.6 miliardë euro më 2011 si pasojë e interesave të ulëta të BQE-së, si dhe faktit që investitorët kërkuan një parajsë të sigurt në Gjermani, duke i hedhur paratë e tyre në këtë vend, pavarësisht përfitimeve reale negative. Këto kursime u rritën në 9.6 miliardë më 2012 dhe vetëm efekti nga kërkesa e lartë për investime në Gjermani pritet të japin 2 miliardë euro të tjera më 2013.
“Nëse ne shtojmë avantazhet e krijuara nga normat e interesit të fituara nga viti 2010 dhe përfitimet e pritshme në vitet e ardhshme, ne arrijnë në përfitime kumulative prej 67 miliardë euro lehtësim për buxhetin e Gjermanisë”, tha Allianz në një studim të publikuar shtatorin e kaluar. “Kjo është e mjaftueshme që borxhi i Gjermanisë si përqindje e PBB-së të ulet me 3 pikë përqindjeje”, gjë që sjell përfitime të mëtejshme.
Finlanda, Holanda, Austria dhe Franca mund të mos kenë përfituar kaq shumë sa Gjermania, por edhe këto vende kanë parë rënie thelbësore të kostos së huamarrjes gjatë periudhës së krizës.
“Vendet e Europës Veriore janë duke nxjerrë fitime të konsiderueshme nga këto operacione dhe ato as nuk po i rishpërndajnë këto përfitime direkte apo indirekte”, tha një zyrtar i lartë në Bruksel.
Mit-o-miksi
Zemra e keqinterpretimit mbi humbjet e taksapaguesve qëndron në fakt në diskursin publik, dallimi mes kredidhënies dhe dhuratës ka pushuar së ekzistuari.
Dhe ndërsa ndjenja kundër paketave të shpëtimit është kaq e fortë në shumicën e Europës Veriore, nuk ka pasur dëshirë nga ana e politikanëve për të korrektuar këto keqinterpretime. Partia anti-europiane Finlandezët e Vërtetë në Finlandë, për shembull, merr mbështetje nga besimi se finlandezët po shpenzojnë para në ndihmë të europianojugorëve.
Situata është shumë e ndryshme. Ndërsa Finlanda mund të jetë duke dhënë shumë garanci për fondet e shpëtimit të Eurozonës dhe u ka dhënë kredi vendeve të shpëtuara, Ministria e Financave e këtij vendi ka përfituar para shtesë nga kriza.
Vitin e kaluar, Banka Qendrore e Finlandës dha 227 milionë euro për buxhetin e vendit si rrjedhojë e fitimeve ekstra të realizuara nga bondet greke, spanjolle dhe portugeze që ka nën pronësi, 40 milionë euro më shumë sesa në vitin 2011.
Këtë vit fitimet pritet të rriten në 360 milionë euro.
Rreziku i vërtetë?
Për çdo vend të Eurozonës që ka dhënë ndihma për shpëtim, Greqia, Irlanda, Portugalia, Spanja apo Qipro duhet të lihen që të falimentojnë mbi kreditë që kanë marrë. Por në vend që të jenë pranë falimentit, Portugalia dhe Irlanda janë pranë daljes nga programet e shpëtimit dhe përbëjnë shumë pak rrezik, ndërsa shanset e falimentit të Spanjës kanë qenë gjithmonë minimale.
Greqia, e cila ka marrë 166 miliardë euro kredi shpëtimi, përbën rrezikun më të madh, por edhe kjo po ndryshon.
“Çdo ditë që kalon, rreziku që Greqia do t’i kushtojë ndonjë qindarkë taksapaguesve, pakësohet”, thotë një zyrtar i dytë i BE-së. “Nuk është se po ecën keq për momentin dhe ka shanse që Greqia të ecë edhe më mirë nga sa supozohet”.
Me përjashtim të kredive të para dypalëshe për Greqinë në vitin 2010, të cilat qenë 52.9 miliardë euro, asnjë qindarkë e taksapaguesve nuk është dërguar në Greqi apo në ndonjë vend tjetër. Paketat e tjera të shpëtimit u financuan nga tregu përmes fondit të shpëtimit të Eurozonës.
Zyrtarët thonë se edhe nëse ndodh që ndonjë nga vendet e shpëtuara nuk arrijnë të paguajnë një pjesë të parave që kanë marrë hua nga qeveritë e Eurozonës, alternativa – shpërbërja e Eurozonës – do të qe shumë më tepër e kushtueshme se çdo paketë shpëtimi.
Një studim nga fondacioni gjerman “Bertelsmann” tregoi këtë javë se nëse Gjermania do të kthehej te marka e vjetër, Prodhimi i Brendshëm Bruto vjetor i këtij vendi do të jetë 0.5 për qind më i ulët mes viteve 2013 dhe 2025, duke sjellë humbje kumulative prej 1.2 trilionë eurosh përgjatë trembëdhjetë viteve.
“Është e mundur që ne do të dalim nga kjo pa i pasur këmbët e lagura apo duke i lagur këmbët fare pak”, tha Salmi i Finlandës mbi rrezikun e një falimenti mes vendeve të shpëtuara përmes kredive të dhëna nga vendet e veriut. “Por nëse ne përfundojmë duke i falur një kredi prej 1 miliard eurosh Greqisë në ndonjë rast në 10 vitet e ardhshme, kjo s’është asgjë në krahasim me atë që ne do të përballeshim në rast shkatërrimi të Eurozonës. Do të jetë tërësisht e parëndësishme”, tha ai.





