Ushtria e nxënësve të Partisë Demokratike

Dëshmitë tronditëse të mësuesve dhe drejtuesve të gjimnazeve: Si i futëm fëmijët në politikë

Investigimi i “Fiks Fare” është shtrirë në disa qytete ku nxënës e mësues pranojnë se kanë plotësuar formularët e anëtarësimit
Mësuesi tregon se kanë punuar me regjistrat e shkollës ku kanë nxjerrë të gjithë nxënësit që kanë mbushur moshën për të votuar
Berisha me nxenes shkolle

Partia Demokratike, pak ditë përpara mbylljes së vitit 2012, ka filluar një fushatë anëtarësimi në radhët e saj të të rinjve, gjimnazistëve maturantë.
Mësues, simpatizantë të PD-së, punonjës të drejtorive arsimore nëpër rrethe kanë plotësuar listat e anëtarësimeve të reja në radhët e Partisë Demokratike.
Vetë nxënësit, mësuesit dhe drejtuesit e shkollave kanë treguar për gazetarët e “Fiks Fare” se si e kanë organizuar plotësimin e formularëve të anëtarësimeve të reja, në bazë të udhëzimeve që u kishin ardhur nga drejtoritë arsimore.
Investigimi i “Fiks Fare” është shtrirë në disa qytete të Shqipërisë, ku nxënës e mësues pranojnë se kanë plotësuar formularët e anëtarësimit në PD, lista të cilat i kanë dorëzuar pranë zyrave të drejtorive arsimore dhe këto të fundit i kanë dorëzuar në zyrat qendrore të Partisë Demokratike në Tiranë.

Durrës

Maturantët e shkollës së mesme të përgjithshme “Olsi Lasko” në qytetin e Durrësit tregojnë se kanë plotësuar formularët për marrjen e teserës së PD-së disa ditë përpara mbylljes së vitit 2012. Ata pohojnë përpara kamerës së “Fiks Fare” se formularët ishin shpërndarë nga mësuesja e lëndës së Biologjisë, Elona.
E njëjta situatë ka qenë edhe në shkollën e mesme të përgjithshme “Naim Frashëri”. Nxënësit tregojnë se një ditë mësimi, pas përfundimit të orës së gjashtë të mësimit, kanë plotësuar formularët në një nga klasat e shkollës. Sipas tyre, mësuesja që është marrë me shpërndarjen dhe mbledhjen e formularëve ka qenë një mësuese e shkollës me emrin Silvana.

Fier

Në shkollën e mesme të përgjithshme në Fier, “Janaq Kilica”, nxënësit tregojnë se kanë plotësuar formularët e anëtarësimit në Partinë Demokratike. Ata pranojnë se me plotësimin e këtyre formularëve ka qenë e angazhuar mësuesja e letërsisë në këtë shkollë, mësuesja e anglishtes dhe një mësues i fizkulturës.

Elbasan

E njëjta situatë është edhe në Elbasan. Dy studentë të Fakultetit të Gjuhës dhe Letërsisë në Universitetin Aleksandër Xhuvani tregojnë se formularët e anëtarësimit në PD janë shpërndarë nga profesori i tyre Luçiano Boçi. Studentët tregojnë se atyre që kanë plotësuar formularët e anëtarësimit u janë premtuar lehtësira në disa lëndë të cilat jepen nga ky profesor. Atyre u është premtuar nota kaluese në tri lëndë.

Shkodër

Drejtori i një gjimnazi të Shkodrës pohon me gojën e tij se janë dorëzuar aplikimet në degën e PD-së së qytetit dhe për këtë është ngarkuar një punonjës i Drejtorisë Arsimore të Shkodrës, por që mbulon edhe sektorin e PD-së, Tom Asllani.
Vetë drejtori pranon se ka plotësuar edhe ai formularët e ia ka dërguar eprorit të tij, drejtoreshës së drejtorisë arsimore.

Korçë

Në dy shkolla të mesme të përgjithshme të Korçës, drejtuesit e tyre pranojnë me krenari se e kanë përmbushur detyrën e ngarkuar, atë të anëtarësimit të maturantëve në PD-së.
Një anëtare e FRPD, gjimnaziste në këto shkolla tregon se udhëzimin dhe formularët i kanë marrë e dorëzuar më pas në Drejtorinë Arsimore të Korçës.
Drejtori i shkollës së mesme të përgjithshme “Themistokli Gërmenji” tregon se me plotësimin e formularëve të anëtarësimeve të reja në PD është marrë nëndrejtoresha e shkollës së bashku me dy mësues.
Mësuesi i Fizkulturës në këtë shkollë tregon se kanë punuar me regjistrat e shkollës ku kanë nxjerrë të gjithë nxënësit që kanë mbushur moshën për të votuar. Duke treguar devotshmërinë në përmbushjen e kësaj detyre, mësuesi i Fizkulturës tregon se si është detyruar të ulë automatin e kutisë qendrore të furnizimit me energji të shkollës për të detyruar mësuesit të ndërpresin mësimin e më pas nxënësit të shkonin në takimet elektorale që PD-ja organizonte në qytet e ku duhet të ishin të pranishëm edhe nxënësit e shkollave.

Dëshmia

Një mësues në Korçë tregon se si është detyruar të ulë automatin e kutisë qendrore të furnizimit me energji të shkollës, për të detyruar mësuesit të ndërpresin mësimin e më pas nxënësit të shkonin në takimet elektorale që PD-ja organizonte në qytet.

Shqip

Related Posts: