Mbetjet e një ushtari të vdekur dy shekuj më parë zbulohen rastësisht. Një kërkim nis për të mësuar se kush qe ai, njeriu që u kthye në atdhe më në fund…Misteri 200-vjeçar
Caroline Wyatt, BBC
Mbetjet e një ushtari britanik të 200 viteve më parë u zbuluan në dunat e rërës në Holandë. Por kush qe ai? Për më shumë se dy shekuj, mbetjet e ushtarit qëndruan të pashqetësuara në një plazh të rrahur nga era në veri të Holandës. Por në mars 2011, shikuesit e zogjve zbuluan kocka dhe artefakte metalike në rërën që dikur qe mbuluar nga asfalti.
Zbulimi ndodhi në një zonë të njohur si Vrima e Kockave për shkak të disa mbetjeve historike të zbuluara përreth.
Një skuadër arkeologësh u thirr për të gërmuar më tutje. Mes arkeologëve qe edhe Esther Poulus, kërkimi i së cilës e dërgoi atë në Arkivat Kombëtare të Britanisë në Surrei në përpjekje për të gjetur identitetin e ushtarit të rënë.
“Ne u dërguam te vendi nga personi që bëri zbulimin, dhe qe goxha e vështirë të shikoje”, kujton ajo. “Mund ta shihje atë vetëm në rast se ishe pranë, dhe edhe atëherë shikoje vetëm kockat e mëdha nga këmbët që kishin dalë në sipërfaqe. Kockat qenë shumë të degraduara dhe të përziera me terrenin”.
Ajo dhe kolegët e saj gërmuan me kujdes në rërë duke përdorur furçën dhe mistrinë, duke bashkuar mbetjet e trupit. Ata po punonin kundër kohës për shkak se u qenë dhënë vetëm dy ditë pune, pasi një zog i rrallë i zonës pritej të fillonte sezonin e shumimit dhe qeveria vendore nuk dëshironte ta shqetësonte zogun.
Ata patën dyshuar se trupi mund të ishte ai i një ushtari, duke parë lidhjen e zonës me një betejë të caktuar të shekullit të tetëmbëdhjetë. Por nacionaliteti i ushtarit mund të kishte mbetur gjithashtu një mister në rast se nuk do të gjendeshin indicie të mbijetuara – ndonjë muskete apo ndonjë mbetje e veshjeve.
Në gusht 1799, Britania dhe Rusia lëshuan një pushtim në Holandës së Veriut në përpjekje për të rrëzuar Republikën e Batavisë dhe për të rivendosur sundimin e Shtëpisë së Orange. Ky qe një veprim pjesë e luftërave kundër Francës revolucionare, e cila mbështeste Republikën e Holandës.
Ushtritë britaniko-ruse – përfshirë Batalionin e Dytë të Gardës Kolldstrim, me rreth 1 mijë ushtarë – arritën në Grote Keten nën komandën e Dukës së Jorkut. Rreth 12 mijë ushtarë britanikë zbarkuan në tërësi.
“Qe me të vërtetë një gërmim special, sepse ne e kuptuam menjëherë se bëhej fjalë për një periudhë jo shumë mirë të njohur”, kujton Poulus. “Në Holandë, ata e quajnë lufta e harruar – ajo nuk zgjati për shumë kohë dhe qe me të vërtetë e kufizuar”,
Ushtari qe varrosur me uniformën e tij, krahas shumë musketave, të cilat ndoshta thjesht janë hedhur në varr për t’u hequr qafe ose mund të jenë përdorur për ndonjë barelë të improvizuar për ta mbajtur atë për te vendi i qetësisë.
“Kur ne gjetëm kopsat që ai pati pasur në xhaketën e tij, menduam ‘Uau – ne mund ta identifikojmë këtë ushtar’”.
Skuadra nga Arkeologjia e Holandës thirri për analizë Cor Prins, një restaurues arkeolog me interes të veçantë te historia ushtarake, për të studiuar kopsat delikate.
Ai i identifikoi kopsat si pjesë e uniformës së Gardës Kolldstrim për shkak të yllit dhe kryqit që qenë simbole dalluese të regjimentit. Këto elemente mezi lexoheshin mbi kopsat e gërryera me kalimin e kohës. Ai qe në gjendje gjithashtu të dallojë fjalët “Coven Garden” gjë që tregonte se kopsat qenë prodhuar nga një kompani me bazë në Kopshtin Kovent të Londrës.
Për shkak se fushata qe shumë e shkurtër – ushtria e Britanisë qëndroi në zonë vetëm për një ditë – skuadra e pati të lehtë të përcaktonte datën e varrosjes së trupit të ushtarit. Kraharori i tij qe copëtuar dhe – më e rëndësishmja – atij i mungonte koka, gjë që do të thotë se mund të mos merret vesh kurrë se çfarë e vrau atë.
Pasi nxori mbetjet, Esther ndërmori atë që u bë një kërkim personal për të parë nëse qe e mundur që ushtari të identifikohej, dhe – nëse qe e mundur – të kthehej në shtëpi. Ajo qe pjesërisht e suksesshme, pasi hyri në kontakt me veteranët e Gardës Kolldstrim përmes faqes së tyre të internetit dhe duke krijuar interes nga regjimenti me idenë e riatdhesimit të ushtarit.
Ministria e Mbrojtjes nga Britania e Madhe nuk merret me riatdhesimin e mbetjeve të tilla historike, ndërsa komisioni i Varrezave të Luftës së Komonuellfit nuk merret me mbetjet që datojnë para vitit 1914. Pra i takonte vetë regjimentit të hynte në bisedime me autoritetet holandeze për të vendosur se çfarë duhej bërë.
Ndërkohë, mbetjet e ushtarit të panjohur qenë magazinuar në një depo të qeverisë vendore për zbulimet arkeologjike në Holandën e Veriut. Por në fund, më 2 maj, ata u dorëzuan në Harlem, në një arkivol me përmasa të vogla dhe u morën nga ambasadori i Britanisë dhe përfaqësuesit e Gardës Kolldstrim. Një muzikant i regjimentit luajti marshin funebër para se Kapiteni Oliver Morley të kthejë mbetjet në shtëpi në selinë qendrore të regjimentit.
Këmbëngulja e Poulus mund të ketë sjellë avitjen pranë zbulimit të identitetit të ushtarit.
“Gjendja e kockave nënkupton se ne nuk mund të bëjmë test ADN-je për shkak se qenë tepër të degraduara dhe zakonisht ne përdorim dhëmbët për të gjetur ADN-në. Por për më tepër, ne nuk kemi asgjë për ta krahasuar me të”, thotë ajo.
Poulus thotë se kërkimi i saj në Arkivat Kombëtarë të Britanisë dha gjashtë emra të mundshëm, ku emrat Nathaniel Haines dhe Thomas Taylor qenë dy më me shumë gjasa.
“Arkivat në Britani tregojnë se këto dy ushtarë kishin sipas mendimit tim punën më të rrezikshme, ata qenë granatierë. Duke gjykuar nga mbetjet e gjetura, ushtari ynë ka gjasa ka qenë rreth 1.8 metra i gjatë, një lartësi e konsiderueshme për atë kohë. Dhe më të gjatët rekrutoheshin si granatierë. Nuk është thjesht një mendim, unë ndjeva se isha afër kur mora këta dy emra”,
Por deri më sot, nuk është zbuluar asnjë mënyrë se si mund të identifikohet me siguri se kush qe ushtari ndërsa Garda Kolldstrim nuk është shumë optimiste.
“Që të dy janë mbiemra shumë të zakonshëm dhe mes viteve 1790 dhe 1801, ne kemi pasur 12 Thomas Taylors që kanë shërbyer te Garda Kolldstrim”, thotë koloneli në pension Simon Vandeleur, adjutanti i regjimentit që organizoi riatdhesimin. “Raporti i arkeologëve është shumë i mirë, por unë nuk mendoj se ne me të vërtetë mund të gjejmë se kush nga të dy kandidatët është”.
“Arkiva e Regjimentit tregon se ka mbi 100 njerëz të vrarë më 1799 mes Gardës Kolldstrim dhe për fat të keq, një pjesë e arkivit është dëmtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në atë kohë, ushtria nuk kujdesej shumë mirë për arkivin e vet – nëse një ushtar vritej, ata shkatërronin të dhënat, pasi nuk kishin nevojë për të paguar një pension, megjithëse ne i vumë arkivistët të kërkojnë te, arka e vitit 1799”, thotë ai.
Nëse regjimenti mund të japë një emër të mundshëm, atëherë edhe gjetja e trashëgimtarëve të ushtarit nuk është e pamundshme, por Vandeleur pranon se në fakt ka pak gjasa për këtë.
“Ne do të përpiqemi. Nëse nuk ia dalim, plani B është të djegim mbetjet dhe të shpërndajmë hirin në Paradën e Gardës së Kalorësisë me dinjitetin dhe ceremoninë e nevojshme ndërsa rojet e Kompanisë 7 të Gardës Kolldstrim – trashëgimtarët – mund të kapin me çizmet e tyre një pjesë të hirit të tij. Gjithçka do të ndodhë në paradën më të famshme të kombit 200 vjet më vonë. Shpresoj se kjo do të jetë një ceremoni e përshtatshme për një ushtar të panjohur që vdiq shumë kohë më parë duke bërë detyrën e vet”.
Raporti arkeologjik i Poulus mbi zbulimin hapet me një citim nga vepra Ushtari i Rupert Brooke:
“Nëse unë duhet të vdes mendoni vetëm këtë gjë për mua
Se është një cep në një fushë të huaj
Që është Angli përgjithmonë”
Megjithatë, ky ushtar do të kthehet në shtëpi më në fund.
Regjimenti i dytë
Kishte dy batalione të Regjimentit të Dytë të Rojeve të Këmbësorisë më 1799. Secili batalion kishte 1 mijë oficerë dhe ushtarë, thotë koloneli Simon Vandeleur.
Ky regjiment e ka origjinën në vitin 1650 në Ushtrinë e Re Model të Kromuellit, thotë ai. Pas restaurimit të Karlit të Dytë në fron, komandanti i tyre, Gjenerali Monk luajti një rol të madh në transferimin e kontrollit të ushtrisë te parlamenti dhe në rithemelimin e monarkisë.
Për shkak se nuk kishin dëshirë të njiheshin si Rojet e Dyta Këmbësori, thotë Vandeleur, ata përdorën motin “Nulli Secundus” që do të thotë “të dytë në asgjë” dhe u thirrën Rojet e Rrymës së Ftohtë. Kolldstrim qe një qytet në Skoci nga ku ata e kishin nisur marshimin e tyre një vit më parë drejt Londrës për të rivendosur rendin dhe për të krijuar kushtet për restaurimin e monarkisë.
Regjimenti shërbeu gjatë luftërave revolucionare franceze në vitet 1793-1982 dhe luftoi në Linceles. Ata kryen shërbim në Egjipt më 1801, si dhe në Luftërat e Gadishullit 1808-1914, duke luftuar në Portugalinë e veriut deri më 1809. Shërbyen gjithashtu në Luftën e Njëqind Ditëve më 1815 dhe luajtën një rol vendimtar në mbrojtjen e fermës Hugumont në betejën e Vaterlosë krahas Garda e Tretë, që tashmë njihen si Garda Skoceze.
Pushtimi i Holandës më 1799
Pas Revolucionit Francez më 1789, ndikimi i Francës u ndie në Holandë. Princi Willem V i shtëpisë Orange-Nassau u arratis në Angli më 1795 dhe Republika e Batavisë u themelua.
Në verën e vitit 1799 Britania dërgoi një ushtri në Holandë për të përzënë francezët dhe për të rikthyer në pushtet mbretin emigrant.
Ata po punonin kundër kohës për shkak se u qenë dhënë vetëm dy ditë pune, pasi një zog i rrallë i zonës pritej të fillonte sezonin e shumimit dhe qeveria vendore nuk dëshironte ta shqetësonte zogun
Arkiva e Regjimentit tregon se ka mbi 100 njerëz të vrarë më 1799 mes Gardës Kolldstrim dhe për fat të keq, një pjesë e arkivit është dëmtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore
“Nëse unë duhet të vdes, mendoni vetëm këtë gjë për mua/ Se është një cep në një fushë të huaj/ Që është Angli përgjithmonë”,
Rupert Brooke
Diçiturat
1. Kopsat e ushtarit të kohës që sot përdoren për veshjet ceremoniale, qenë diçka nga veshja e tij që i mbijetoi dekompozimit
2. Kopsat në uniformat e Gardës Kolldstrim përbëhen nga një yll me tetë cepa të Rudhërit të Garterit
Një rrip dhe togza brenda yllit përmban shkrimin “honi soit qui mal y pense” që do të thotë “djalli do të jetë me ata që mendojnë keq”.
Një kryq i Shën Gjergjit është në qendër të yllit
Si regjimenti “i dytë” i gardës së këmbësorisë, Garda Kolldstrim i ka kopsat çift
3. Një muze në Holandën e Veriut ndërtoi një replikë me përmasa reale të ushtarit të Gardës Kolldstrim nga kjo kohë
4. Mekanizmat e shkrepjes së dy musketave të fotografuara para dhe pas restaurimit
5. Shenjat e gdhendura te musketat ka gjasa që tregojnë prodhuesit e tyre. Maja e shigjetës tregon se ato qenë pronë e qeverisë së Britanisë
6. Një dokument i 24 dhjetorit 1799 përmend dy ushtarë, Nathaniel Haines dhe Thomas Taylor, të cilët u vranë më 27 gusht
7. Mbetjet e zbuluara në mars 2011 përfshinin materiale të tjera si uniformë, plumba dhe pushkë





