TemA TV/ Tre ligjet kthehen në gallatë, Meta: Berisha po bojkoton miratimin e tyre (VIDEO)

lili 

Meta akuzon Berishën se tentoi që të fuste në listat e LSI-së njerëz të infiltruar të PD-së

Historia e miratimit të tre ligjeve që kanë mbetur pezull në Kuvend, është duke u kthyer në një gallatë të madhe. Prej muajsh mazhoranca dhe kryeministri Berisha kanë akuzuar kryesocialistin Rama për bllokimin e votimit të tyre, ndërsa sot Berisha akuzoi edhe Metën.
Ky i fundit i është përgjigjur Berishës vetëm pak minuta më vonë gjatë një konference për shtyp, duke thënë se ai që po bojkoton miratimin e këtyre tre ligjeve, është pikërisht Berisha.
“Është për të ardhur keq që kur pritet një reagim i kryeministrit Berisha për të pranuar kompromisin e tre ligjeve për të marrë statusin,  pamë parodinë e radhës edhe këtë herë, duke ndjekur se si zoti Berisha nga një kërkues në të kaluarën së bashku me mua ndaj gjithë aktorëve të tjerë politikë për të miratuar tre ligjet, po kthehet në një bojkotues të ligjeve nga Kuvendi.
Nuk është aspak serioze të mos miratohet kompromisi i ofruar prej nesh, që ndihmon miratimin e ligjeve brenda këtyre ditëve. Çdo përpjekje për të mos kuptuar thelbin konstruktiv të propozimit tonë është përpjekje për t’u arratisur nga përgjegjësitë.
Qëndrimi i tyre ka qenë i qartë, se nuk pranojnë të bëjnë asnjë ndryshim. Ato çfarë kemi propozuar ne kanë një arsyetim, sidomos me Gjykatën e Lartë. Pas 23 qershorit do kemi balanca të reja, presidenti që do vazhdojë mandatin e tij, do vazhdojë bashkëpunimin me mazhorancën e re. Ndaj e ftoj përsëri kryeministrin Berisha të jetë më i qartë për këtë çështje. Nëse vazhdon me idetë e tij për të provokuar mosmiratimin e ligjeve, është përgjegjësi e tij. Nëse vazhdon me idenë e referendumit pas zgjedhjeve, thjesht po përgatit bojkotimin e tre ligjeve nga opozita që të nesërmen ai vetë do t’i përkasë”, tha Meta.
Meta ndërkohë, duke folur për akuzat e Berishës për një listë të zezë, ka thënë se kryeministri ka tentuar që të fusë në listat e LSI-së njerëz të infiltruar.
“Deklaratat vinë pas dështimit të tij për të infiltruar në LSI kandidatët e tij, gjë që nuk ka për të funksionuar. Përgjigja do jetë me 23 qershor, mos u habitni kur të shihni vetë listat e PD, ku do ketë krasitje të mëdha”, u shpreh Meta./b.l