TemA TV/ Malaj del i pavarur: “PS s’do e mundë Berishën”. Reagon dhe Nano: “Do nis luftën kundër Ramës” (VIDEO)

Fatos-Nano-dhe-Arben-Malaj(E PERDITESUAR)-I revoltuar është larguar nga mbledhja e kryesisë edhe Namik Dokle, që nuk preferoi të flasë me gazetarët duke lënë selinë e PS
Deputeti Arben Malaj deklaroi se do të dalë i pavarur në zgjedhjet e 23 qershorit, duke u shprehur me tone të ashpra kundër kreut të PS, Edi Rama.
Malaj tha se ai është një neodiktator, që nuk do e mundë dot Berishën, pasi sillet njësoj si ai.
Duke folur mjaft i emocionuar dhe i tensionuar, Malaj tha: “Duke dalë si kandidat i pavarur, ky do jetë fundi i neodiktatorit në politikë. Dëshiroj të falënderoj të gjithë përfaqësuesit politikë të qarkut të Vlorës. Nuk kam asnjë problem individual me Ramën, por PS po dështon në mënyrë të përsëritur për të mundur Berishën”.
Ai deklaroi se i ka kërkuar PS të mos bëjë ndryshimet kushtetuese, të mos bëjë bllokimin e parlamentit dhe ka nisur një proces reformimi.
“Mua nuk më zhduk askush nga politika,” tha Malaj, duke aluduar se ishte kërkuar që ai të zhdukej nga politika.
Në lidhje me moskandidimin e Malajt ka reaguar edhe Fatos Nano, ish- kryetari i PS. Ai tha se PS nuk e ka bërë detyrën e saj opozitare.
“Unë dhe Malaj jemi më socialistë se Rama e Kokëdhima. Tani jam i detyruar që të ndërpres armëpushimin dhe të rreshtohem në dobi të mbrojtjes të së majtës”, tha Nano.
Ai premtoi se do jetë me Malajn në konferencë të përbashkët për shtyp të martën.
Nano tha se do jetë në krye të fushatës së Malajt./ep