Home »
» SUPLEMENT/Diabeti në verën e nxehtë, këshillat dhe ushqimet që duhet të përdorni
SUPLEMENT/Diabeti në verën e nxehtë, këshillat dhe ushqimet që duhet të përdorni
Diabeti ka njohur rritje të rasteve vitet e fundit, ndërkohë që mjekët vënë alarmin për shifrat alarmante të tij. Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se kjo sëmundje po kthehet në ‘pandemi’ globale. Sipas OBSH, diabeti prek rreth 5% qind të popullsisë së botës dhe numri i të sëmurëve është vazhdimisht në rritje, duke u dyfishuar çdo 10 vjet. Në botë numërohen 200 milion diabetikë dhe në vitin 2025 mendohet të jenë 330 milionë diabetikë, apo 6,3 % e popullsisë së botës. Sipas OBSH, diabeti shkakton çdo vit 5% të vdekjeve globale dhe mendohet se vdekjet nga diabeti në 10 vitet e ardhshme do të rriten me 50%. Edhe në vendin tonë, kjo sëmundje ka njohur rritje të rasteve, ndërkohë që mjekët shprehen të shqetësuar. Aktualisht, përllogariten të jenë mbi 55 mijë të sëmurë me diabet, shifër kjo që ka një njohur rritje pothuajse dyfish gjatë 7 viteve, shprehen mjekët endokrinologë. Kështu, nëse në vitin 2004 përllogariteshin rreth 30 mijë të sëmurë me diabet të regjistruar, kjo shifër tashmë ka kaluar 55 mijë. Mosha më e prekur nga diabeti është grupmosha 40-65 vjeç, që përbën gati 40% të rasteve, por diabeti tip 2 po haset gjithnjë e më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç. Rreziku i diabetit qëndron në faktin që po prek moshat që janë aktive për punë, por këmbanat po bien, sepse forma e diabetit 2 po takohet edhe tek fëmijët. Diabeti tip 2 është rrjedhojë e mënyrës jo të shëndetshme të jetës, ndërsa mungesa e aktivitetit fizik, ushqyerja jo e shëndetshme, obeziteti, por edhe trashëgimia, janë ndër faktorët kryesorë shpërthyes të sëmundjes.
Vera
Duke qenë se tani ëhstë stina e verës, diabetikët e kanë më të vështirë të përkujdesen për sëmundjet, pas stina e nxehtë përkeqëson shumë sëmundje. E në këtë mënyrë gazeta “Tirana Ovserver” sjell në suplementin e së shtunës këshillat nga specialistët për stinën e nxehtë. Por edhe ushqimet dhe frutat që duhet të përdorni gjatë vakteve për një kurim të kësaj sëmundje.
Çfarë është diabeti mellitus, apo sëmundja e sheqerit?
Diabeti mellitus, apo sëmundja e sheqerit është një sëmundje kronike që karakterizohet nga rritja e nivelit të glukozës apo sheqerit në gjak, për arsye se organizmi nuk ka mundësi të prodhojë insulin, ose prodhimi është i pamjaftueshëm apo pamundësisë së veprimit te insulines në qelizat e organizmit. Format e diabetit janë diabeti tip 1, i cili haset në rreth 10-15 % të të sëmurëve, ndërsa shkaktohet nga mungesa totale e prodhimit të insulinës. Diabeti tip 2 është shumë më i shpeshtë dhe haset në rreth 90 për qind të rasteve me diabet. Diabeti tip 2 shfaqet zakonisht pas moshës 40 vjeç, por ai po haset gjithnjë dhe me shpesh edhe tek fëmijët dhe të rinjtë me mbipeshë dhe obeze. Diabeti i shtatzanisë, tip diabeti që shfaqet gjatë shtatzënisë, që mund të avancojë ose të zhduket pas lindjes. Diabeti i shtatzënisë është plotësisht i kurueshëm, por kërkon një mbikëqyrje të rreptë mjekësore gjatë shtatzënisë.
Ja cilat janë shenjat e sëmundjes sheqerit
Shenjat e diabetit janë etje e shtuar, urinim i shpeshtë dhe në sasi të madhe ditën dhe natën, tharje goje, shtim oreksi, por që shoqërohet me humbje peshe, lodhje më tepër se zakonisht, dhimbje stomaku, shikim i mjegullt, mungese e theksuar përqendrimi, mpirje e duarve ose e këmbëve, plagë të ndryshme që mezi mbyllen, infeksione të ndryshme. Diabeti është i parandalueshëm, nëse merren parasysh disa këshilla; kontrolle të rregullta të sheqerit në gjak, 1 herë në vit nëse bën pjesë në grupin e rrezikuar ndërsa të tjerë 1 herë në 3 vjet; kontroll të tensionit të gjakut; mbajtje e peshës nën kontroll; aktivitet fizik 30 minuta të paktën në 5 ditë të javës; pakësim te yndyrnave në ushqim, sidomos ato shtazore; përdorimi i ushqimeve të pasura me fibra, si fruta, zarzavate, etj; mospërdorimi i duhanit dhe alkoolit.
*************
Të njohim diabetin, simptomat, si mund kurohet dhe të parandalohet
A është diabeti një sëmundje kronike me kosto të lartë sociale, shëndetësore dhe ekonomike? Diabeti për fat të keq po kthehet në një “pandemi” globale. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë Diabeti prek rreth 5% qind të popullsisë së botës dhe numri i të sëmurëve është vazhdimisht në rritje, duke u dyfishuar çdo dhjet vjet. Në botë sot numërohen 200 milion diabetikë dhe në vitin 2025 mendohet të jenë 330 milionë diabetikë, apo 6,3 % e popullsisë së botës. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Diabeti shkakton çdo vit 5% të vdekjeve globale dhe mendohet se vdekjet nga diabeti në 10 vitet e ardhshme do të rritet me 50%. Mjafton të nënvizohet fakti i publikuar së fundmi që në çdo 10 sekonda në botë shtohen dy njerëz të tjerë me diabet dhe se çdo 10 sekonda vdes një njeri nga shkaqe që lidhen me diabetin. 80% e njerëzve me diabet jetojnë në vendet me të ardhura të pakta dhe të mesme dhe mendohet se vdekjet nga diabeti në 10 vitet e ardhshme në këto vende do të rritet me 80%. Në vendet e zhvilluara diabeti dhe numri më i madh i diabetikëve haset në mosha mbi 65 vjeç. Ndërsa në vendet në zhvillim diabeti dhe numri më i madh i diabetikëve haset në moshat 45-64 vjeç, por vitet e fundit diabeti tip 2 po takohet më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç. Pikërisht këtu qëndron edhe rreziku i diabetit që po prek moshat që janë aktive për punë.
Prevalenca e Diabetit në Shqipëri në popullatën adulte është 1.25%, që do të thote se kemi afërsisht 40 mijë diabetike të njohur. Në fakt numri duhet të jetë 2-3 herë më i lartë, pasi në disa depistime të kryera në Tiranë (2004,2006, 2008, 2009, 2010) prevalenca e Diabetit të pa diagnostikuar ka qenë 3-4%, që do të thotë se në realitet shifra e përafërt e diabetikëve duhet të jetë 120-150 mijë.
Nga këta 10% janë diabet tip 1 dhe 90% janë diabet tip 2. Mosha më prekur nga diabeti është grupmosha 40-65 vjeç që përbën gati 40% të rasteve, por diabeti tip 2 po haset gjithnjë e më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç. Pikërisht këtu qëndron edhe rreziku i diabetit që po prek moshat që janë aktive për punë, por kambanat po bien sepse forma e diabetit 2 po takohet edhe tek fëmijët. Pra të dhënat na tregojnë se diabeti ka kosto të lartë sociale, nëse ka një person në familje me diabet e gjithë familja preket dhe ndikohet në mënyra të ndryshme nga kjo sëmundje. Diabeti është një sëmundje që po nuk u zbulua dhe u mjekua në kohë dhe në mënyrë të rregullt ka kosto të lartë shëndetësore mbasi,Diabeti është një nga shkaktarët kryesore të sëmundjeve kardiovaskulare, jep verbim,sëmundje të veshkave,infeksione urinare, amputime të këmbëve, etj. Por diabeti ka edhe kosto ekonomike sepse diabetiku kërkon medikamente, trajtime,ekzaminime që shpesh janë të kushtueshme. Diabeti e rrit koston e jetës së diabetikut me 2-2,5 herë. Diabeti është një sëmundje me zhvillim të ngadaltë, dhe shpesh të ”heshtur” kështu thelbësore është sensibilizimi, informimi i komunitet për njohjen e diabetit. Ndaj edhe këtë vit tema e ditës botërore është informimi dhe sensibilizimi, në mënyrë që njerëzit të dinë sa më shumë se çfarë është diabeti, shenjat e tij, si diagnostikohet, a mund të parandalohet, kush rrezikon, etj.
Por çfarë është diabeti mellitus apo sëmundja e sheqerit?
Diabeti mellitus apo sëmundja e sheqerit është një sëmundje kronike që karakterizohet nga rritja e nivelit të glukozës apo sheqerit në gjak, për arsye se organizmi nuk ka mundësi të prodhojë insulinë ose prodhimi është i pamjaftueshëm apo pamundësisë e veprimit të insulinës në qelizat e organizmit. Sheqeri, që është burim energjie, për t’u përdorur ka nevojë për insulinë. Nëse insulina nuk prodhohet ose nuk funksionon mirë, sheqeri nuk thithet dhe rritet niveli i tij në gjak.
Sa forma diabeti ka?
Diabeti i sheqerit është në fakt një sëmundje e vetme, dhe karakterizohet nga çrregullimi i prodhimit të insulinës. Format e diabetit janë:
Diabeti tip 1 haset në rreth 10-15 për qind të të sëmurëve me diabet. Edhe në vendin tonë diabet tip 1 haset deri në 10 % të rasteve me diabet. Ai shkaktohet nga mungesa totale e prodhimit të insulinës. Pacientët me Diabet tip 1, nuk mund të jetojnë pa insulinë, ndaj ky tip diabeti është quajtur insulinovartës. Diabeti tip 1 takohet kryesisht tek fëmijët dhe moshat e reja. Ky tip diabeti zhvillohet në përgjithësi papritur, shpejt, zakonisht mbas ndonjë gjendje virale, zbulohet me lehtësi, sepse shoqërohet me shenjat klinike karakteristike, që e shqetësojnë të sëmurin dhe e çojnë te mjeku apo e detyrojnë të bëjë analizat.
Diabeti tip 2 është shumë më i shpeshtë. Ai haset në rreth 90 për qind të rasteve me diabet. Në këtë tip diabeti kemi prodhim jo në sasinë e duhur apo në kohën e duhur të insulinës. Diabeti tip 2 shfaqet zakonisht pas moshës 40 vjeç, por ai po haset gjithnjë dhe me shpesh edhe tek fëmijët dhe të rinjtë me mbipeshë dhe obeze. Ai përparon shumë ngadalë, shpesh herë i heshtur, pa treguar shenja për shumë vjet me radhë dhe zbulohet më me vështirësi. Ky tip diabeti nuk kërkon mjekim me insulinë por kërkon “zbllokimin” e insulinës së trupit nga faktorët që e pengojnë atë të veprojë, si mbipesha, obeziteti
Diabeti i shtatzënisë, tip diabeti që shfaqet gjatë shtatzanisë. Ai ndodh në 2%-5% të grave shtatzëna dhe mund të avancojë ose të zhduket pas lindjes. Diabeti i shtatzanisë është plotësisht i kurueshëm por kërkon një mbikëqyrje të rreptë mjekësore gjatë shtatzanisë. Rreth 20%-50% e grave të prekura zhvillojnë diabet të tipit të dytë apo kanë rrezik të lartë për të bërë diabet tip 2 më vonë në jetë. Gratë shtatzëna duhet të kontrollojë gjithmonë gliceminë, sidomos nëse në familje ka një diabetik.
Tipi i Diabetit që takohet më shumë është diabeti i tipit 2. Në çdo 10 persona me diabet 9 kanë tipin 2 të diabetit ose 90% e diabetit është diabet tip 2.
Përse ka një rritje të numrit të diabetikëve?
Diabeti tip 2 është rrjedhojë e mënyrës jo të shëndetëshme të jetës. Njerëzit kanë ndryshuar mënyrën e jetesës në një jetë pa shumë aktivitet fizik dhe ushqehen me ushqime me kalorazh të lartë dhe me shumë yndyrna, ndaj mungesa e aktivitetit fizik, ushqyerja jo e shëndetshme, obeziteti janë ndër faktorët kryesorë shpërthyes të sëmundjes së diabetit.
Kush mund të preket nga diabeti?
Diabeti mund të prekë çdo njeri. Në diabetin tip 2, shenjat e tij mund të jenë më të zbehta apo edhe mund të mungojnë për shumë vjet. Por faktorë rreziku që favorizojnë shfaqjen e diabetit janë: Trashëgimia, apo personat me familjarë me diabet janë më të predispozuar apo kanë mundësi për të bërë diabet më shumë se te tjerët dhe kjo varet nga mënyra e tyre e jetesës; moshat mbi 45 vjeç, obeziteti dhe mbipesha, sasia e lartë e kolesterolit në gjak,mungesa e aktivitetit fizik,ushqyerja jo e shëndetshme, tensioni i lartë i gjakut,konsumimi i shtuar i lëndëve me përmbajtje të lartë sheqeri,gratë me diabet gjatë barrës apo që kanë lindur fëmijë me peshë të madhe, të sëmurë që mjekohen me kortizonikë për sëmundje të ndryshme,personat që bëjnë infeksione të shpeshta, gratë me mukoza të vazhdueshme gjenitale ,etj.
Cilat janë shenjat e diabetit?
Shenjat e diabetit janë:
-Etje e shtuar, pra pirje uji në sasi të madhe
-Urinim i shpeshtë/dhe në sasi të madhe ditën dhe natën
-Tharje goje
-Shtim oreksi, por që shoqërohet me humbje peshe
-Lodhje më tepër se zakonisht
-Dhimbje stomaku
-Shikim i mjegullt
-Mungesë e theksuar përqendrimi
-Mpirje e duarve ose e këmbëve
-Plagë të ndryshme që mezi mbyllen
-Infeksione të ndryshme.
-Nuk duhet harruar asnjëherë se në shumicën e rasteve, diabeti tip 2 mund të mos shfaqë fare shenja, mund të rrijë i heshtur për vite me radhë, dhe vetëm kur sëmundja e diabetit ka përparuar, shfaqen një sërë shenjash klinike, të cilat janë tipike dhe lehtësojnë shumë zbulimin e diagnozën e saj.
A jep ndërlikime diabeti?
Diabeti është nga të paktat sëmundje që arrin të prekë e të dëmtojë heshturazi e ngadalë thuajse të gjitha organet kryesore të trupit pa përjashtim dhe sidomos enët e gjakut , duke krijuar aksidente dramatike e tragjike,nëse ai nuk mbahet nën kontroll. Diabeti jep ndërlikime si në enët e vogla të gjakut, në kapilarët e arteriet shumë të vogla por jep edhe ndërlikime aterosklerotike në enët e mëdha të gjakut.
Diabeti jep komplikacione në sy, këmbë, zemër, veshka dhe në tru, nëse shifrat e sheqerit në gjak nuk mbahen afër vlerave normale diabetit. Sa më i vjetër të jetë diabeti, sa më shumë vjet i sëmuri të jetë me hiperglicemi, sa më e lartë të jetë niveli i saj, pra sa më i çrregulluar të jetë diabeti, aq më të shpeshta, më të përhapura e më të rënda do të jenë këto dëmtime.
Dëmtimet në sistemin kardiovaskular,të cilat përbëjnë rreth 60% të të gjitha vdekjeve të diabetikëve. Rreziku për sëmundje kardiovaskulare është 2-3 herë më i lartë tek njerëzit me diabet tip 1 ose 2.
Dëmtimet në sy apo Retinopatia diabetike është ndër ndërlikimet më të hershme e më të shpeshta të tij dhe shkaku më i shpeshtë i verbimit, Ky ndërlikim nuk zhvillohet për një ditë dhe as për një vit,pra duhen vite të tëra që retina të arrijë të prishet e të humbasë pamjen.
Ndërlikimet në veshka apo Nefropatia diabetike zhvillohen paralelisht si tek ndërlikimet në sy. Megjithate ky ndërlikim shfaqet jo menjëherë, madje është më i ngadaltë dhe shfaqet më me vonesë se retinopatia.
Ndërlikimet nervore apo neuropatitë e diabetit që përfaqësojnë dëmtim e vuajtje të nervave nga kjo sëmundje. Ndërlikimet në sistemin nervor të sëmurëve me diabet shkaktohet nga dëmtimi i kapilarëve ushqyes të nervave dhe sidomos nga grumbullimi i tepërt i sheqernave brenda vete qelizave nervore. Pacientëve me diabet u ulet ndjeshmëria ndaj të ftohtit, të nxehtit u dëmtohen reflekset dhe mund të çojë deri në shfaqjen e gangrenës në këmbë, e cila njihet me emrin Këmba Diabetike.
Si mund ta merrni vesh nëse keni diabet?
Pas ngrënies, pjesa më e madhe e ushqimit shndërrohet në glukozë (sheqer) i cili është burimi kryesor i energjisë për organizmin. Tek personat normalë apo pa diabet niveli i sheqerit në gjak qëndron brenda shifrave normale 70-120 mg/dl sepse pas ngrënies, Insulina çlirohet në sasinë dhe kohën e duhur duke mbajtur kështu sheqerin në shifrat normale.
Për të vendosur diagnozën e diabetit dy janë analizat laboratorike që kryhen: Matja e glukozës, sheqerit në gjak para ngrënies në mëngjes; Testi i tolerancës së glukozës, ku mbasi merret nga goja të 75 gr sheqer, matet niveli i sheqerit në gjak çdo 2 orë.
Ndërsa matja e hemoglobinës së glukozuar, Hba1c, përdoret kur diabeti është diagnostikuar. dhe përdoret për të matur sheqerin në gjak dhe kontrolluar atë në 2-3 muajt e fundit. Hba1c e barabartë apo më e vogël se 6% është normale. Ndërsa HbA1c më e madhe se 6,5% është një kriter i diagnozës së diabetit. Pacientët me diabet duhet të kenë një vlerë të HbA1cmë të vogël se 7%.
Por më e rekomandueshme është matja e glukozës në gjak esëll në mëngjes dhe një ripërsëritje mbas një dite. Nëse testi i depistimit kryhet me kujdes zbulon, ai individët me diabet tip 2që në faza të hershme, kur nuk ka akoma shenja të dukshme të tij.
Rezultati mund të quhet pozitiv nëse glicemia në gjak para ngrënies është e barabartë ose më shumë se 126 mg/dl ;ose testi i tolerancës së glukozës është i barabartë ose më shumë se 200mg/dl dhe nëse glicemia para ngrënies është midis 110-125 mg/dl bëhet fjalë për Pre-diabet apo Tolerancë e dëmtuar e glukozës.
A mund të parandalohet diabeti?
Që të shfaqet diabeti duhen të kombinohen dy faktorë, si trashëgimia dhe faktorët që rrisin rrezikun për tu bërë diabetikë. Moshën apo trashëgiminë ne nuk mund ti ndryshojmë por faktorët që rrisin rrezikun për tu bërë diabetikë, si mbipesha, obeziteti, duhanpirja, jeta sedentare, ushqyerja me shumë kalori, etj, mund të bëhet shumë.
Diabeti është i parandalueshëm. Për parandalimin e tij duhet të kemi parasysh disa këshilla:
-Bëni kontrolle të rregullta të sheqerit në gjak, 1 herë në vit nëse bën pjesë në grupin e rrezikuar, ndërsa të tjerë 1 herë në 3 vjet.
-Kontrolloni rregullisht tensionin e gjakut.
-Mbani peshën nën kontroll.
-Bëni aktivitet fizik, 30 min të paktën në 5 ditë të javës.
-Pakësoni yndyrnat në ushqim,sidomos ato shtazore.
-Përdorni ushqime të pasura me fibra, si fruta, zarzavate,etj.
-Mos përdorni duhan, alkool.
A mund të shërohet diabeti?
Diabeti duke qenë sëmundje kronike nuk shërohet, por kurohet. Nëse kontrollohet mirë të lejon të bësh jetë normale.
Ndërlikimet nervore tek të sëmurët me diabet
Në dëmtimet e rrjetit kapilar me rëndësi të veçantë janë dhe neuropatitë e diabetit që përfaqësojnë dëmtim e vuajtje të nervave nga kjo sëmundje. Prekja e sistemit nervor mund të jetë shumë më e gjerë, njëhershmi në nervat periferike ashtu dhe në nervat e organeve të brendshme. E para, shfaqet në formë dhimbje, mpirje, ç’mpirje e djegie në formë neuriti. Ulet ndjeshmëria ndaj të ftohtit, të nxehtit e dëmtohen reflekset. Një nga shenjat karakteristike është djegia e shputave të këmbës, sidomos në orët e natës. Në faza më të avancuara nervat dëmtohen aq shumë sa bëhen të pandijshëm, nuk përcjellin dot as dhimbjen as të nxehtin, të ftohtin apo prekjen. Kjo krijon një ndërlikim me rrezik të jashtëzakonshëm për dëmtimin dhe çfaqjen e gangrenës në këmbë, që njihet me emrin këmba diabetike.
Ndikimet e diabetit te zemra dhe truri
Arterioskleroza është një proces që krijohet nga ndikimi i përbashkët dhe nga mpleksja e një sërë faktorësh favorizues, si dhjamosja e tepërt, tensioni i lartë i gjakut, yndyrat e tepërta në gjak, nikotina e duhanit, emocionet e ankthi i vazhdueshëm, puna ndenjur, jeta pa lëvizje fizike, trashëgimia etj. Diabeti dhe arterioskleroza janë dy sëmundje njësoj tinzake dhe të rrezikshme, sepse për një kohë të gjatë të dyja rrinë të fshehura e të heshtura. Në diabet rritet sheqeri në gjak, ai dëmton për vite me radhë kapilarët e gjakut, por as ndihet e as dhemb. Çdo diabetik, pavarësisht nga forma e diabetit apo mjekimi që përdor, sidomos kur kalon moshën 40 vjeç, e ka të domosdoshme të bëjë përpara se të jenë shfaqur shenjat e stenokardisë një kontroll me anën e një prove më të saktë: regjistrimin e elektrokardiogramës pas një ushtrimi fizik.
Disa këshilla të dobishme për diabetikët
Së pari është e këshillueshme respektimi i rregullave të higjienës së trupit (higjiena e lëkurës së duarve, dhëmbëve, thonjve, e këmbëve, e organeve gjenitale), ruajtja nga lagështia, të ftohtit, korrentet e erës etj. Së dyti: vaksinimi i rregullt kundër të gjitha sëmundjeve infektive duke përfshirë edhe gripin.
Së treti: mjekimi i rregullt e i përpiktë i diabetit, ruajtja e ekuilibrit të vazhdueshëm të tij. Lufta më e mirë ndaj infeksioneve është parandalimi i tyre. Nga ana tjetër, nuk duhet shpresuar që infeksionin do ta mposhtë vetëm mjekimi me antibiotikë apo ilaçe të tjera antiinflamatore. Që të mposhtet një infeksion në të sëmurët me diabet, përveç antibiotikëve apo ilaçeve të tjera antiinflamatore duhet bërë patjetër dhe mjekimi shembullor i diabetit, duhet të arrihet e të mbahet në mënyrë të qëndrueshme një ekuilibër i përsosur i tij.
10 këshilla të thjeshta nga specialistët për të sëmurët me diabet në verë
Tani jemi në verë dhe të gjithë do të duan të shkojnë me pushime, ndërsa të sëmurët me diabet duhet të bëjnë kujdes. Ja këshillat për ata kur të shkojnë në plazh.
1) Bëj shumë aktivitet fizik, shëtitjet duhet të jenë të gjatë
2) Nëse ke ndonjë kile të tepër, është mirë që të humbisni
3) Aktiviteti fizik është i rëndësishëm, por para aktivitetit pas tij ushqehu me ndonjë ëmbëlsirë.
4) Për tu kujdesur që mos të ulet glicemia gjatë aktivitetit fizik mbaj ndonjë karamele me vete, ose ndonjë gjë të ëmbël.
5) Ushqehu me ushqime të lehta, meqë është dhe verë baza e tyre le të jetë peshku.
6) Shuaje etjen me ujë, duke eliminuar pijet e ëmbal. Ccaji dhe kafeja të pihen të hidhura.
7) Edhe këmbët janë shumë të rëndësishme, mbuloji mirë që të mos të digjen apo plagosen. Në plazh mos ec zbathur, por me shapka.
8) Është më mirë të mos notosh vetëm, apo të bësh ekskursione vetëm.
9) Ndryshimi i zakoneve gjatë verës mund të sjellë ndryshime në gliceminë e përditshme, por autokontrolli i glicemisë nuk duhet ndërprerë kurrë.
10) Mos harro kurrë që ilaçet duhen mbajtur gjithnjë në vende të freskëta dhe larg nxehtësisë.
*********************
Ushqimet dhe perimet që luftojnë sëmundjen e sheqerit
STUDIMI/20 këshilla speciale të kuruar diabetin
Diabeti është një sëmundje kronike, që ndodh kur pankreasi nuk prodhon insulinë të mjaftueshme ose kur trupi nuk mund ta përdorë në mënyrë efektive insulinën, duke çuar në nivele të larta të glukozës në gjak (hiperglicemi). Ka tre lloje kryesore diabeti: Diabeti i tipit 1 (i quajtur “diabet i varur nga insulina”) shkaktohet nga mosprodhimi i insulinës. Diabeti i tipit 2 (i quajtur “diabet i pavarur nga insulina”) vjen ngaqë trupi nuk mund ta përdorë në mënyrë efektive insulinën. Njerëzit që janë mbipeshë ose nuk kryejnë veprimtari fizike vuajnë shpesh nga ky tip diabeti. Diabeti i shtatzënisë, i shkaktuar nga sheqeri i lartë në gjak gjatë shtatzënisë. Për të frenuar komplikacionet që diabeti lë në organizëm është shumë e nevojshme shmangia e konsumit të atyre ushqimeve që kanë nivel të lartë yndyrash. Në këto kushte një dietë e mirë për personat që vuajnë nga diabeti duhet të konsistojë në konsum të sasive të bollshme të proteinave bimore, si: drithërat, patatet dhe proteinat e tjera që përmban mishi, peshku dhe veza. Një tjetër grup i rëndësishëm është dhe futja e sheqernave në organizëm, orientimi i të cilave duhet të jetë drejt atyre me bazë bimore dhe sasi më të pakta shtazore, si dhe sheqernat e shpejta që janë në përmbajtje të qumështit apo frutave. Njëkohësisht edhe yndyrat luajnë një rol të rëndësishëm, por këto të fundit duhet të përzgjidhen me kujdes në grupin e yndyrave me bazë bimore. Kombinimi i këtyre elementeve mund të ndihmojë në largimin e problemeve dhe mbajtjen e një regjimi të rregullt të sëmundjes. Dietës ushqimore duhet ti shtohen edhe disa këshilla të rëndësishme siç është ecja në këmbë sa më shumë gjatë ditës, ushqimi në mënyrë të shëndetshme duke pirë sa më pak lëngje frutash të konservuara, pasi ato kanë shumë sheqer, pakësimin e orëve të qëndrimit para televizorit, kompjuterit dhe video-lojërave (veçanërisht për të vegjlit). Aktiviteti i rregullt fizik, si dhe orët e plota të fjetjes ndihmojnë më tej largimin e problemeve të diabetit. Vaktet e ngrënies së diabetit duhet të jenë sa më të rregullta, pasi vetëm në këtë formë organizmi merr në kohën e duhur sasinë e lëndëve të nevojshme ushqimore, duke shmangur mbidozimet që mund të krijohen në raste të mosrespektimit të vakteve të ngrënies.
1. Përdorimi i përditshëm i bulmetit
Rezultatet e hulumtimeve të fundit të publikuara nga revista “Vitaminat” tregojnë se femrat që hanë më shumë bulmet me yndyrë të ulët vuajnë më pak nga diabeti i tipit 2. Studiuesit mendojnë se një proteinë në bulmet mund të rritë sekretimin e insulinës. Një shumëllojshmëri ushqyesish, si vitamina D, kalciumi dhe magnezi, mund ta ulin rrezikun e diabetit. Përveç kësaj, femrat që hanë shumë bulmet mund të hanë më pak ushqime të tjera, si ëmbëlsirat, të cilat shtojnë rrezikun e prekjes nga diabeti.
2. Të hamë më shumë drithëra dhe fruta
Sipas një studimi të fundit të Institutit të Shkencës dhe Teknologjisë në Universitetin e Kembrixhit, përdorimi i drithërave të ndryshme është masa më efikase për parandalimin e diabetit. Po ashtu, pas kërkimeve të shumta, studiuesit zbuluan se njerëzit që hanë shumë fruta sëmuren 21 % më pak nga diabeti se ata që hanë pak. Njerëzit që hanë 16 lloje ushqimesh të ndryshme, kanë 40 % më pak mundësi të sëmuren nga diabeti.
3. Trajtimi duhet të mbështetet në gjendjen individuale
Trajtimi i diabetit duhet të ndryshojë nga personi në person. Sipas udhëzimeve të fundit të publikuara nga Shoqata Amerikane e Diabetit dhe Shoqata Evropiane për Studimin e Diabetit, treguesit e sheqerit në gjak varen nga mosha, gjendja shëndetësore dhe ndërlikimi i sëmundjeve të pacientëve me diabet. Sidoqoftë, nëse niveli i sheqerit në gjak tre muaj pas trajtimit ende nuk mund të mbahet nën kontroll në mënyrë efektive, duhen shtuar barna të tjera.
4. Ruajtja nga produktet plastike
Rezultatet e një studimi me më shumë se 1 000 veta në Suedi zbuluan që, kur gjaku përmban një kimikat të quajtur ftalat, mundësia për t’u prekur nga diabeti është dy herë më e madhe. Ftalati gjendet në një numër të madh produktesh, si në materialet e ndërtimit, veshje, kozmetikë, ambalazhet e ushqimit, lodra, parfume etj.
5. Pushimi duke ndenjur më këmbë
Nëse qëndrojmë ulur për një kohë të gjatë në punë, duhet të ngrihemi dhe të bëjmë ushtrime ose të bisedojmë me kolegët. Studimet me njerëz në moshë të mesme dhe me peshë të madhe treguan se, në krahasim me kolegët e tyre që qëndrojnë palëvizur gjatë punës, ata që ngrihen dhe lëvizin rreth dy minuta pasi kanë ndenjur ulur 5 orë rresht në punë, mund të kontrollojnë më mirë glukozën pas darkës dhe nivelet e insulinës.
6. Perimet dhe zarzavatet
Zarzavatet dhe perimet konsiderohen si armiqtë më të mirë që frenojnë komplikacionet që diabeti sjell në organizëm. Konkretisht dieta ushqimore duhet të ketë në përmbajtje të saj sasi të bollshme ditore të perimeve dhe zarzavateve të gjelbra. Përdorimi i gjallë këtyre zarzavateve në sasi të mjaftueshme si gjatë drekës apo dhe darkës, çdo ditë është një mundësi e mirë për të kontrolluar këtë sëmundje. Kjo pasi në përmbajtje të këtyre zarzavateve gjenden sasi të shumta antioksidantësh, vitaminash dhe kripërash minerale dhe fibra të cilat luftojnë radikalet e lira që pengojnë qarkullimin e lëndëve ushqimore nëpërmjet gjakut për në organet e tjera jetësore. Sa më pak të gatuara të jenë perimet dhe zarzavatet, aq më mirë i bëjnë organizmit, pasi gatimi shpesh herë humbet sasinë e vitaminës C që perimet kanë në përmbajtje të tyre, së bashku me shumicën e mineraleve që i shoqërojnë. Është e këshillueshme pirja e ujit në të cilin më parë janë zier perimet. Ky ujë ka në përmbajtje të tij sasi të bollshme të mikroelementeve të dobishme, siç janë zinku, magnezi, kaliumi, të cilat e ndihmojnë organizmin të kryejë më me lehtësi funksionet.
7. Frutat
Krahas perimeve këshillohet edhe ngrënia e frutave, por jo në sasi të mëdha, pasi në përmbajtje të tyre ka nivele të larta sheqeri. Sipas rekomandimeve të bëra nga mjekët, rezulton se ngrënia e frutave dhe perimeve pakësojnë rrezikun për shfaqjen e sëmundjeve të zemrës dhe atyre kanceroze, të cilat janë shumë të lidhura me diabetin. Sasia e frutave dhe perimeve duhet të kombinohet gjatë gjithë vakteve. “Pacienti mund të marrë 2 fruta të vogla kumbulla ose kajsi, mund të marrë një dorë rrush ose feta të ndara të pjeprit, mollës, bananeve etj. E këshillueshme është që gjatë ditës të merren edhe një sasi e vogël e frutave të thata, rreth një lugë gjelle. Duhen konsumuar sa më shumë lëngje, veçanërisht uji. Duhet të pakësohet konsumi i lëngjeve të konservuara që kanë nivele të larta sheqeri”
8. Yndyrat që nuk mbartin rrezikshmëri
Organizmi ka nevojë edhe për një sasi të caktuar yndyrash, përzgjedhja e të cilave duhet të jetë kryesisht me bazë bimore. Duke qenë se yndyrat janë shumë të pasura me kalori këshillohet që konsumi i tyre të bëhet në nivele të kontrolluara që përfshijnë sasi të pakta, çka ndikon edhe në humbjen e peshës së tepërt e cila mbizotëron tek pacientët diabetikë. Kështu diabetikët duhet të qëndrojnë larg yndyrave që merren nëpërmjet produkteve të tilla si “pastat, gjalpi, mishi me yndyrë, djathi i deles” . Përdorimi në sasi të larta i këtyre yndyrave dëmton zemrën. Ndaj këshillohet që sasia e yndyrave që duhet të marrë organizmi të sigurohet nëpërmjet përdorimit të vajit të pastër vegjetal, vajit të ullirit. Por edhe këto të fundit duhet të konsumohen sipas sasive të përcaktuara nga mjeku pas verifikimit të gjendjes shëndetësore në të cilën ndodhet pacienti diabetik. Gjithashtu, konsumi i alkoolit duhet të jetë në sasi të monitorueshme. Kjo nuk do të thotë ndalimin e rreptë të tij. Në këtë rast lejohet konsumi i një gote verë të kuqe, por jo më shumë se 125 mil, pasi fenoli që ka në përmbajtje ndihmon funksionimin e zemrës.
9. Trajtimi përmes aktivitetit sportiv
Krahas ushqimit një ndër këshillat më të vlefshme që nuk duhet neglizhuar kurrsesi është kryerja e aktiviteteve fizike. Sa më shpesh të kryhet aktiviteti fizik gjatë javës aq më e lartë është edhe mbrojtja që organizmi fiton nga komplikacionet e rënduara të diabetit. Megjithatë, sasia dhe doza e ushtrimeve që duhen bërë gjatë ditës janë të ndryshme në varësi të stadit në të cilën ndodhet sëmundja e diabetit tek pacienti. Këshillohet ecja në këmbë të paktën 30 minuta. Më të rinjtë mund të kryejnë edhe sporte të tjera si not, vrapim basketboll, ecjet sportive. Këto të fundit duhet të zbatohen në varësi të rekomandimeve që jep mjeku, pasi jo të gjithë pacientët mund të kryejnë të njëjtat aktivitete.
10. Efektet shëruese tek vaji i peshkut
Përmban omega 3 i cili ka shumë efekte pozitive mbi organizmin tonë sidomos në mbrojtjen e zemrës, dhe rekomandohet që njerëzit me diabet të marrin 2-3 porcione në jave. Porcione të cilat mund të merren duke ngrënë peshk (sardele, ton etj). Nuk rekomandohen suplementet me vaj peshku, sepse janë më të mira të konsumohen të freskëta. Sheqeri duhet të reduktohet në maksimum, por nuk është e thënë që duhet të eliminohet fare, këshillohet të merret sheqeri i frutave në formën e fruktozës. Ekziston edhe sheqeri artificial në farmaci që është më i këshillueshëm tek njerëzit që duan të bien në peshë.
11. Konsumi i kripës, i rrezikshëm
Është e rekomandueshme që çdo diabetik të mos marrë më shumë se 6 gram kripë në ditë. Mënyra më e mirë për të ulur kripën është të përdoren sa më shumë prodhime të freskëta të prodhuara në kushte shtëpie. Nuk duhet harruar se më shumë se gjysmën e nevojave ditore të kripës i marrim me ushqime të konservuara. Reduktimi i kripës tek diabetikët çon në ulje të vlerave të tensionit,reduktim të sëmundjeve të veshkave, sëmundjeve të zemrës, trombozës cerebrale dhe disa llojeve të tumoreve.
12. Vitamina K ul rrezikun nga diabeti
Personat të cilët me anë të ushqimin fusin në organizëm sasi më të mëdha të vitaminës K kanë gjasa më të pakta për t’u prekur nga diabeti i tipit 2, bëjnë të ditur shkencëtarët holandez nga Universiteti i Utrecht. Pasi kanë studiuar prej 10 vitshe më shumë se 38 mijë persona, hulumtuesit kanë llogaritur se konsumimi i rritur i vitaminës K është i lidhur me gjasa 20% më të pakta për diabetin e llojit 2. Siç shkruan revista Diabetes Care, faktorët më të rëndësishëm të rrezikut për diabetin janë mosha e shtyrë, mbipesha, trashëgimia familjare e sëmundjes dhe prejardhja etnike. Vitamina K në natyrë është e pranishme në dy forma, K1 e cila gjendet në perimet e gjelbra dhe K2 e cila gjendet në mish, djathë dhe vezë. Shkencëtarët thonë se është pikërisht K2 ajo e cila ka ndikim më të shprehur në uljen e gjasave për prekje nga diabeti.
13. Acidet omega-3-yndyrore dhe diabeti
Një numër i madh studimesh kanë treguar se ndryshimet e vogla ushqyese mund të zvogëlojnë dukshëm rrezikun nga diabeti. Kështu, një studim i kohëve të fundit, bën lidhshmërinë ndërmjet nivelit të lartë të acideve omega-3-yndyrore në plazmë dhe përmirësimin e ndjeshmërisë ndaj insulinës, te personat e sëmurë nga diabeti tip 2. Në studimin e botuar në revistën Nutrition and Food Research, janë analizuar 180 pacientë me diabet tip 2 dhe 180 pjesëmarrës të shëndoshë. Shkencëtarët sugjerojnë që acidet omega-3-yndyrore mund t’i shtohen listës së ushqimeve, të cilat mbrojnë nga kjo sëmundje kronike.
14. Kush pi pak ujë, rrezikohet nga diabeti!
Dehidrimi është i lidhur ngushtë me sëmundjen e diabetit të“sheqerit”. Ky është përfundimi më i fundit i studiuesve në fushën e mjekësisë të cilët shpjegojnë se niveli i rritur i hormoneve vasopresin shkakton ruajtjen e ujit në trup dhe është shkaktar i sheqerit të tepërt në gjak. Duke folur me shifra ata që pinë shumë pak ujë kanë 28 për qind rrezik më të madh nga zhvillimi i sëmundjes së sheqerit. Sipas studimit 9 vjeçar të institutit francez INSERM, jep të dhëna se “Hormoni vasopresin është ndoshta hallka që na mungon për të kuptuar raportin e sheqerit në gjak dhe ujit në organizëm. Ai hormon antidiuretik na ndihmon në rregullimin e mbajtjes së ujit në trup. Nëse jemi të dehidruar, niveli i vasopresinës rritet dhe veshkat ruajnë ujin. Kështu që niveli i rritur i vasopresinës është indikator për sëmundjen e sheqerit”. Edhe pse shkencëtarët kanë vërtetuar që ekziston lidhja në mes pirjes së ujit dhe sheqerit të ngritur, nuk kanë zbuluar se cila është marrëdhënia shkak-pasojë e sëmundjes së sheqerit dhe e pirjes së ujit.
15. Kalciumi, vitamina D dhe diabeti
Konsumimi i shtuar i kalciumit dhe vitaminës mund të rregullojë nivelin e insulinës dhe në këtë mënyrë të ofrojë mbrojtje nga diabeti, pavarësisht konsumimit të zakonshëm të qumështit dhe produkteve të qumështit, pohon studimi i ri. Shkencëtarët kanë analizuar marrjen e përgjithshme të kalciumit dhe vitaminës D, nivelin e tyre në organizëm, si dhe nivelin e insulinës te femrat dhe meshkujt e shëndoshë. Rezultatet kanë treguar se meshkujt dhe femrat me nivel më të lartë të vitaminës D dhe kalciumit reagojnë më së miri në rregullimin e prodhimit të insulinës (hormonit i cili rregullon marrjen e glukozës nga qelizat).
16. Çaji i zi mbron nga diabeti
Çaji i zi, i njohur për përmbajtjen e lartë të antioksiduesve, përforcimin e imunitetit dhe rregullimin e shtypjes së gjakut- duket se ka edhe disa efekte tjera dobiprurëse. Duke krahasuar efektet pozitive të çajeve të ndryshëm, shkencëtarët kanë zbuluar se çaji i zi përmban sasi më të madhe të një polisakaridi, i cili mund të jetë shumë i dobishëm për personat që vuajnë nga diabeti, duke qenë se ndihmon në absorbimin e ngadalshëm të glukozës. Për më shumë, revista “Journal of Food Science” njofton se çaji i zi kishte qenë më i suksesshëm edhe në luftën kundër radikaleve të lira.
17. Seleni ul rrezikun nga diabeti
Studimet e fundit të shkencëtarëve francezë kanë treguar se niveli i lartë i selenit në gjak mund të ulë rrezikun për të pasur çrregullime të metabolizmit të glukozës, me këtë edhe të diabetit. Është interesant edhe fakti se ky efekt pozitiv i selenit është vërejtur vetëm te meshkujt, dhe për fat të keq jo edhe te femrat. Studimi ka zgjatur nëntë vite dhe kanë marrë pjesë më shumë se 1000 meshkuj dhe femra të shëndetshme. Është treguar se meshkujt me nivel më të lartë të selenit në gjak kanë 50% rrezik më të ulur për të pasur çrregullime të metabolizmit të glukozës, në krahasim me meshkujt të cilët kanë vlera më të ulëta. Autorët kanë shtuar se është e nevojshme të arrihen vlerat më të larta të selenit në gjak, me qëllim që të arrihet efekti më i mirë parandalues i diabetit.
18. Arrat luftojnë diabetin tip 2
Diabeti i tipit 2 mund të bëhet shkak për sëmundje të zemrës, te veshkave dhe verbim. Por në një studim të kohëve të fundit nga shkencëtarët pranë universitetit “Harvard”, thuhet se gratë që hanë çdo ditë 30 grame arra kanë 30 për qind më pak gjasa për t’u prekur nga diabeti i tipit 2. Ndërsa te gratë që marrin çdo ditë nga një lugë gjalpë kikirikësh, rreziku është 20 për qind. Veç yndyrës së mirë, arrat gjithashtu përmbajnë vitamina të shumta, proteina, minerale dhe fibër. Në studim thuhet gjithashtu se ndryshe nga mendimi i përgjithshëm, arra, bajamet, lajthitë dhe kikirikët nuk luajnë ndonjë rol në shtimin e peshës trupore.
19. Hiqni dorë nga pijet me ngjyrë
Shkencëtarët në Boston, kanë zbuluar se, duke pirë rregullisht pije freskuese të ngjyrosura çdo ditë, ju dyfishoni rrezikun e sindromës së metabolizmit, sindromë e cila, përfshin një sërë shqetësimesh, siç janë: tensioni i lartë, vlera të larta të insulinës, shtimi në peshë, që rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit. Shkaktari i tyre mund të jetë substanca ngjyruese e këtyre pijeve, e cila ka rritur rrezikun e kësaj sindrome në eksperimentet që janë bërë tek kafshët. “Shkencëtarët, gjithashtu, mendojnë se, ata që pinë të tilla pije, janë të prirur të zgjedhin gjithmonë ushqime të ëmbla, të cilat çojnë drejt shtimit në peshë”, – thotë Vasan S. Ramachandran-i, M.D.,profesor mjekësie në Universitetin e Bostonit, në të cilin ka qenë udhëheqësi i studimit.
20. Çaji i manaferrës për diabetikët
Frutat e manaferrës përmbajnë sheqerna, vitaminë C, karotinë, vitaminë E, acide organike, pektinë etj. Po ashtu, edhe gjethet e saj janë të pasura me vitaminë C, acide organike, lëndë tonike dhe aromatike. Në fara ndodhet vaji yndyror në masën deri 12%. Të gjitha pjesët e bimës kanë veti mjekësore shumë të mirë. Qysh në lashtësi janë përdorur nga njeriu pjesët e bimës, si gjethet e majat, për të bërë çajra kundër sëmundjeve të aparatit tretës. Për diabetin merren dy duar me gjethe e maja manaferre, pastrohen, shtypen dhe vihen të zihen në një litër ujë. Nga lëngu i kulluar, i sëmuri merr tri herë në ditë nga një filxhan para buke. Përfundime të mira japin edhe frutat e manaferrës, të cilat mund të konsumohen të freskëta, si dhe në formë çaji me verë: Merren 150-200 gramë fruta manaferre, zihen në një gotë të mbushur me verë. Nga lëngu i prodhuar merren çdo ditë 1-2 gota të vogla, në gjendje të ngrohtë. Frutat e manaferrës shuajnë etjen, përdoren nga të sëmurët me diarre kronike, me dhimbje në kyçe, me infeksione në veshka e në fshikëzën e urinës, me kollë etj.





