SUPLEMENT/ Zemra dhe tensioni në stinën e verës, këshillat e mjekëve dhe recetat natyrale



Zemra rrezikohet më shumë në stinën e verës. Mjekët janë të predispozuar të këshillojnë pacientët që të kujdesen më tepër për shëndetin e tyre në stinën e nxehtë. Për shkak të temperaturave të larta zemra është më e rrezikuar për të shfaqur probleme, sidomos te mosha e thyer. Zemra “vret” thuajse më shumë se çdo sëmundje tjetër. Në vendin tonë vdekshmëria për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare zë jo pak, por rreth 50 për qind të gjithë sëmundjeve të tjera. Për këtë qëllim në suplementin e sotëm gazeta “Tirana Observer”, shpjegon faktorët e riskut që ndikojnë në sëmundjet kardiovaskulare, hipertensionin, kolesterolin dhe nivelin e sheqerit në gjak. Temperaturat e lartë gjatë stinës së verës bëhen shkak për shfaqjen e trombozave dhe ishemive, problemeve kardiake e tensionit të gjakut. Më të predispozuar për të pasur dëmtime koronare janë ata që pinë shumë duhan, alkool e janë nën ndikimin e stresit. Kështu në numrin e sotëm ju do të mësoni si ta kontrolloni vetë hipertensionin arterial, si të shmangni problemet kardiake. Mjekët rekomandojnë të pini sa më shumë lëngje për të shmangur dehidratimin e organizmit, e për rrjedhojë, për të luftuar trombozat. Frutat dhe zarzavatet mbrojnë kapilarët e gjakut, peshku ul tensionin e gjakut, duhani shkakton çarjen e kapilarëve, lëngu i limonit ul tensionin, vera e kuqe ul rrezikun e atakut. Cilat janë simptomat që shfaq hipertensioni, ataku kardiak. Cilat janë grupmoshat më të rrezikuara nga sëmundjet kardiovaskulare, kush preken më shpesh meshkujt apo femrat? Këto dhe shumë këshilla e rekomandime të tjera të mjekëve, në suplementin e sotëm prej gjashtë faqesh, për të mbrojtur zemrën nga ataku.
***************************************************

Hipertensioni shton rrezikun për atak kardiak, sulmet në tru dhe probleme me veshkat


14 kura natyrale për shërimin e tensionit, nga spinaqi qumështi
OBSH: Një në tre të rritur në mbarë botën vuajnë nga hipertensioni
Hipertensioni është një nga vrasësit më të mëdhenj në botë. I njohur gjithashtu edhe si tensioni i lartë i gjakut, hipertensioni shton rrezikun për atak kardiak, sulmet në tru dhe probleme me veshkat. Hipertensioni i dalë jashtë kontrollit mund të çojë deri në verbërim, çrregullim të rrahjeve të zemrës e deri në sëmundje më të ndërlikuara kardiovaskulare. Megjithatë, tensioni i lartë i gjakut mund të parandalohet dhe të trajtohet. Organizata Botërore e Shëndetësisë bën të ditur në faqen e saj zyrtare se më shumë se një në tre të rritur në mbarë botën vuajnë nga hipertensioni, duke shtuar se kjo sëmundje vret më shumë se sa Sida.

Hipertensioni dhe sëmundjet kardiovaskulare

Sëmundjet e zemrës janë të lidhura ngushtë me tensionin e lartë të gjakut. Tensioni i lartë është një sëmundje që në të shumtën e rasteve shkaktohet nga një tjetër problem, sidomos nga problemet në veshka. Sipas mjekëve, hipertensioni dhe diabeti po kthehen në dy epidemi të mëdha. Shpesh hipertensioni vjen për shkak të sëmundjeve të tjera, ndërsa në raste të tjera është i trashëgueshëm.

Shkaqet

Disa nga shkaqet kryesore që shkakton këtë sëmundje janë problemet me veshkat, ngushtimi i aortës, etj. Në këto raste hipertensioni quhet dytësor, sepse vjen si pasojë e një sëmundjeje tjetër. Ndodh që, kur sëmundja tjetër që shkakton hipertensionin zhduket, edhe hipertensioni zakonisht largohet bashkë me të. Tipi tjetër i hipertensionit quhet primar. Ky lloj hipertensioni prek pjesën më të madhe të të sëmurëve me hipertension. Shkaktari i tij ende nuk njihet. Por besohet se është rezultat i shumë faktorëve si: trashëgimia, mbipesha, mënyra e të ushqyerit, mungesa e aktivitetit fizik, etj.

Vrasësi i heshtur

Për shkak të natyrës se si vepron sëmundja, hipertensioni quhet ndryshe edhe “vrasës i heshtur”. Sipas mjekëve ka persona të cilët nuk e kuptojnë se vuajnë nga hipertensioni. Sëmundja përkeqësohet me kalimin e kohës dhe kjo ndodh gjatë një periudhe të gjatë kohore dhe jo brenda pak ditësh. Pikërisht për këtë është e vështirë që të kuptohet nga vetë personi që në fillim. Megjithatë, ka disa simptoma të hershme që mund t’i kujtohen çdo personi me hipertension. Këto simptoma janë: dhimbje koke, sidomos në mëngjes, zhurmë veshësh, marrje mendsh, depresion pa e ditur shkakun, personi nxehet pothuajse pa arsye, i skuqet fytyra dhe shpesh ka gjendje të fikti.

Ç’duhet të bëjmë për të luftuar hipertensionin

Duke qenë se shpesh të prekurit nga hipertensioni nuk e dinë një gjë të tillë, duhet të ndiqen disa hapa për ta zbuluar atë. Kështu, fillimisht duhet të bëhet një “eko” e zemrës, më pas duhet bërë një kontroll për enët e gjakut në sy, si dhe një analizë urine. Gjithashtu u dieta është shumë e rëndësishme. Ajo duhet të jetë e pasur me perime dhe fibra, dhe duhet që të evitohet në maksimum përdorimi i kripës. Gjithashtu edhe stërvitja e rregullt ditore ndihmon shumë për uljen e tensionit.
Hipertensioni dhe mjekësia tradicionale

Disa nga ushqimet më të mira për hipertensionin janë selino dhe hudhra. Gjithashtu mjekësia tradicionale na sugjeron që të konsumojmë më shumë xhenxhefil dhe kanellë për uljen e tensionit të gjakut. Hudhra dhe xhenxhefili nuk duhet të mungojnë asnjë ditë në tavolinën tuaj. Mjekët sugjerojnë konsumimin e 4 degëve selinoje dhe një thelbi hudhre në ditë. Xhenseni gjithashtu është shumë efikas në trajtimin e problemeve të hipertensionit dhe është përdorur tradicionalisht në formën e çajit. Xhensenin e gjejmë edhe në forma të tjera si në tableta etj. Xhenseni është një bimë që trajton shumë probleme në trupin e njeriut, por nuk duhet tepruar me të pasi mund të shkaktojë nervozizëm.
Këshillat për t’u ushqyer

Mjekët këshillojnë që mënyra e të ushqyerit ndikon shumë tek trajtimi i kësaj sëmundjeje. Për këtë ata sugjerojnë:
1. Reduktimi i sasisë së kripës.

Kripa rrit tensionin e gjakut. Nga një studim në SHBA ku morën pjesë mbi 10 mijë persona rezultoi se dieta me sasi të lartë sodiumi kishte lidhje direkte me shtypjen e lartë të gjakut.
2. Stresi.

Një shqyrtim i mbi 100 studimeve të bërë për teknikat e zvogëlimit të stresit dhe shtypjen e gjakut ka zbuluar se meditimi, joga dhe relaksimi progresiv i muskujve ishin që të gjitha efektive në uljen e tensionit të gjakut.
3. Alkooli

Specialistët theksojnë se nuk duhet të abuzojmë me alkoolin.
4. Ushqime që përmbajnë potas.

Nga një studim në “Journal of Clinical Hypertension” ka rezultuar se konsumimi i ushqimeve të pasura me potas ndihmon në uljen e tensionit të gjakut. Ushqimet që përmbajnë sasi të konsiderueshme potasi janë: fasulet e sojës, salca e domateve, perimet e ndryshme si spinaqi etj.
5. Magnezi dhe Kalciumi.

Ushqimet e pasura me magnez dhe kalcium ndihmojnë gjithashtu në kontrollimin e tensionit të gjakut. Ushqimet e mira që përmbajnë magnez janë drithërat, orizi integral, bajamet, gështenjat, fasulet, spinaqi, etj. Ushqimet që përmbajnë kalcium janë kosi, djathi, lakra kineze, brokoli, spinaqi dhe lakra jeshile.
6. Selino është një burim i përkryer i kaliumit.

Mban nën kontroll kolesterolin dhe stimulon veshkat si dhe shërben për të luftuar hipertensionin. Selino përmban minerale shumë të rëndësishme të tilla si kalium, zink, kalcium, hekur, fosfor, magnez, vitaminë C, vitaminë B, etj. Në mjekësinë kineze, selino është përdorur si një ilaç për tensionin e lartë të gjakut. Studimet kanë konfirmuar se prania e substancave tek selino rregullon tensionin e gjakut. Selino përmban vitaminë C, e cila ndikon në sistemin tonë imunitar, forcimin e rezistencës ndaj ftohjes dhe inflamacionit. Është e dobishme për të luftuar problemet me stomakun, reumatizmën, obezitetin, sëmundjet e fshikëzës së urinës etj. Lëngu i selinos është një mjet i shkëlqyer për ruajtjen e një shëndeti të mirë pasi largon toksinat nga trupi.
7. Peshku.

Peshqit si salmoni, toni, trofta etj., janë të pasur me acide yndyrore omega-3, të cilët ndihmojnë në uljen e tensionit të lartë të gjakut. Salmoni përmban acide yndyrore të cilët nuk mund t’i prodhojë trupi ynë, duke ndihmuar në shëndetin e funksioneve të trurit, ulin rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe paralizës.
8. Arrat

Ato gjithashtu janë të pasura me acide yndyrore Omega-3 që ndihmon në zvogëlimin e presionit të gjakut.
9. Erëzat

Erëzat jo vetëm që ndihmojnë në dhënien e një shijeje të mirë ushqimeve por ato gjithashtu ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut. Rigoni, piperi i zi, borziloku dhe shafrani janë raportuar se që të gjitha ndihmojnë që presioni i gjakut të ulet.
10. Hudhra

Studimet kanë zbuluar se hudhra është po aq efektive në uljen e tensionit të lartë të gjakut sa edhe disa medikamente të zakonshme. Hulumtuesit australianë kanë theksuar se doza prej 600 deri 900 mg që përdoret në shumicën e studimeve përmban rreth 3.6 deri 5.4 mg të alicinit, përbërësit aktiv në hudhër. Thelbi i hudhrës përmban nga 5 deri 9mg të alicinit.
11. Spinaqi

Ushqimet e pasura me folate si spinaqi ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut. Burime tjera me folate janë perimet me gjethe jeshile, bimët bishtajore, dhe asparagu.
12. Çokollata e Zezë.

Studimet tregojnë se është e mirë për shëndetin e zemrës dhe se zvogëlon shtypjen e lartë të gjakut. Specialistët këshillojnë gjithashtu që së bashku me dietën e duhur të sëmurët me hipertension duhet të bëjnë ecje apo shëtitje në ajër të pastër të paktën 2-3 herë në javë.
13. Qumësht

Ushqimet e pasura me kalcium siç është qumështi, kanë treguar gjithashtu se zvogëlojnë shtypjen e lartë të gjakut. Sasia e kalciumit që rekomandohet në ditë është 1000-1200 mg, sasi që gjendet në dy apo tri gota qumësht të zakonshëm. Burime tjera të kalciumit janë: kosi, djathi, lakra kineze, brokoli, spinaqi dhe lakra jeshile.
14. Patate

Hani një patate të vogël, sepse jo vetëm që janë të pasura me potas por gjithashtu përmbajnë përzierje të uljes së shtypjes se lartë të gjakut, që quhen kukoamine, substancë që më parë është gjetur vetëm në butë të enëve të gjakut dhe kështu zvogëlohet tensioni i lartë i gjakut.

***************************************************

Këshilla për të moshuarit gjatë stinës së nxehtë


Si të parandaloni sëmundjet koronare të zemrës
Sëmundjet koronare të zemrës janë cilësuar si “vrasësi kryesor për shëndetin e njeriut”. Vitet e fundit, krahas rritjes së standardit të jetesës, janë shtuar edhe rastet e sëmundjeve koronare të zemrës. Nga viti në vit, po vihet re një prirje e shtimit të numrit të pacientëve të rinj në moshë.

Sëmundjet koronare, që përfshijnë problemet e arterieve që furnizojnë zemrën me gjak mund të shkaktojnë vdekje të papritur. Mundësia e vdekjes nga një sëmundje e tillë, pa shenja paralajmëruese, në fakt është e frikshme. Kardiologët thonë se kjo sëmundje godet papritur dhe prek rreth 50 për qind të burrave dhe 65 për qind të grave. Ajo shfaqet me një goditje të vogël në zemër, pa dhimbje, dhe kjo shpesh mund të jetë shenja e parë dhe e fundit. Sipas mjekëve kardiolog, goditjet pa dhimbje janë më të rrezikshme për zemrën. Studimet kanë treguar se ndonjëherë këto goditje pa dhimbje në zemër janë shpesh më të rrezikshme sesa ato me dhimbje të cilat mund të dallohen dhe trajtohen. Dhimbja që njerëzit ndjejnë gjatë një goditje të zakonshme në zemër ndodh kur fijet nervore të zemrës përplasen ose ndërthuren me fijet nervore të krahut, gjoksit ose shtyllës kurrizore. Pacientët në këto raste mund t’iu nënshtrohen analizave të stresit dhe skanimeve dhe mjekët madje mund të fusin kamera shumë të vogla nëpër arteriet e gjakut për të parë nëse në to është depozituar kolesterinë ose nëse arteriet janë ngushtuar.

Një në dy shqiptarë vdes nga sëmundjet e zemrës

Shifra e frikshme mësohet nga studimi i fundit që Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka kryer për përhapjen e sëmundjeve kardiovaskulare në vend. Sipas ISHP-së, vendi ynë vazhdon të regjistrojë shifra të larta vdekjesh nga sëmundjet kardiovaskulare, duke e renditur atë në vendin e parë të listës së vdekshmërisë në vend. Sipas një studimi të kryer nga ISHP-ja, gati gjysma e numrit të vdekjeve janë nga problemet e koronareve. Të gjithë ekspertët e Shëndetësisë, sot besojnë se sëmundjet koronare mund të parandalohen krejtësisht apo mund të shtohen në kohë, duke shmangur një numër të madh vdekjesh të parakohshme. Sipas tyre, një kontribut të rëndësishëm në uljen ose mbajtjen nën kontroll të rasteve me sëmundje kardiovaskulare ka edhe trajtimi i hershëm i faktorëve të rrezikut, të cilët janë: diabeti, pirja e duhanit, hipertensioni, hiperkolesterolemia, obeziteti, familjarët me sëmundje të zemrës etj.

Simptomat

Mbi 25 për qind të njerëzve që vdesin nga sulmi në zemër, nuk kanë simptoma paralajmëruese, siç është dhimbja e gjoksit. Nuk mund të mbështetemi në mendimin se, “Nëse kam sulm në zemër, mjekët do të më shpëtojnë dhe do të më japin barna, sepse disa njerëz nuk arrijnë në spital, vdesin në shtëpi”. Për këtë arsye, parandalimi duhet të fillojë herët. Infarktet në zemër ndodhin kur një ose më shumë arterie të zemrës bllokohen, duke zvogëluar ose ndërprerë rrjedhën e gjakut që të arrijë në një pjesë të caktuar të muskulit të zemrës. Ato zakonisht paraprihen nga formacionet e depozitimit të yndyrave ose pllakave yndyrore brenda murit të arterieve, duke bërë që të formohen mpiksjet e gjakut (trombët), të cilat e mbyllin arterien. Nëse furnizimi me gjak ndërpritet disa minuta, pason vdekja.
***************************************************

Sëmundjet që sulmojnë më shpesh zemrën
Ataku

Ataku kardiak është sulmi që realizon ndalimin e zemrës, sidomos kur shfaqen simptomat e para dhe pacienti nuk i drejtohet spitalit kur ai ndjen shqetësimet më të para, të cilat vazhdojnë për më tepër se dhjetë minuta. Ataku i zemrës nuk është përherë i paparashikueshëm.
Miokarditis

Miokarditis është ndezje e përgjithshme e muskulit të zemrës, gjë që paraqitet si rezultat i sëmundjeve të tjera, ndonjë infeksion më i madh si gripi, reumatizmi i dhëmbëve, bajameve etj.
Infarkti

Infarkti është vdekje e një pjese të indit muskulor të zemrës. Kjo sëmundje paraqitet nga mbyllja e ndonjë dege të arterieve të cilat ushqejnë zemrën, gjatë kontraksionit (ngushtimit) momental të arterieve, ndonjë plasaritjeje e arterieve e përcjellë me gjakderdhje, gjatë streseve ose si pasojë e shtypjes së lartë.
Aritmia

Aritmia është rrahje e shpejtë dhe e ngadalshme e zemrës ose rrahje e përzier e ngadalësuar dhe e shpejtuar me kërcime dhe ndërprerje të rrahjeve. Kjo dukuri është pasojë e kontrollit të zhbalancuar të ngacmimeve nervore të punës së zemrës, të cilat e kanë prejardhjen nga qendrat e sistemit nervor.
Arterioskleroza

Arterioskleroza është grumbullimi i lëndëve të yndyrshme dhe kripërat e kalciumit në brendi në muret e arterieve, kjo çon deri tek mbyllja e tyre dhe zvogëlimi i qarkullimit të gjakut me shumë pasoja si dhe zmadhimi i shtypjes së gjakut, e cila mund të shkaktohet edhe nga gjendjet nervore, streset etj.
Embolia

Embolia është mbyllja e ndonjë arterie të trurit, një lloj si infarkti i zemrës. Kjo shkakton dëmtimin e ndonjë qendre dhe me këtë rast paraqitet paraliza ose vdekja.
Nga se shkaktohen sëmundjet koronare të zemrës

Në përgjithësi, sëmundjet koronare të zemrës shkaktohen nga disa faktorë si konsumimi i alkoolit, tensioni i gjakut, pirja e duhanit, niveli i sheqerit në gjak, mbipesha, mënyra e ushqyerjes, niveli i stresit etj.


Këshillat e mjekëve

Mjekët paralajmërojnë se pacientët me sëmundje koronare të zemrës duhet të kontrollojnë rreptësisht konsumin e kripës, sheqerit dhe të vajit, për të parandaluar këtë sëmundje. “Personat me sëmundje koronare të zemrës dhe me presion të lartë të gjakut, duhet të kufizojnë përdorimin e më pak se 3 gr kripe në ditë. Gjithashtu edhe sasia e sheqerit dhe e vajit duhet të kontrollohen. Në ditët e sotme ushqimet kanë përmbajtje kolesteroli më të lartë se në të kaluarën, prandaj këshillohen ushqimet bio, zarzavatet dhe mishi pa dhjamë. Ushqimet duhet kontrolluar rreptësisht”, thonë mjekët.
Të sëmurët me zemër janë gjaknxehtë

dhe me synime të forta për fitore

Mjekët theksojnë se shumica e pacientëve me sëmundje koronare të zemrës kanë lidhje me aktivitetin mendor. Personat me sëmundje koronare të zemrës janë shpesh gjaknxehtë, konkurrues dhe me synime të forta për fitore. Prandaj, pacientët me sëmundje koronare të zemrës duhet të forcojnë vetërregullimin psikologjik, duke qëndruar të përmbajtur dhe të sjellshëm ndaj të tjerëve. “Personat që vuajnë nga sëmundjet koronare të zemrës janë shpesh ata që i përkasin grupit A të gjakut, krijues dhe shumë aktivë. Nëse një person ka tension të lartë gjaku, diabet, apo është duhanpirës i rregullt, duhet të ngadalësohen ritmet. Sëmundjet e zemrës shkaktohen edhe nga inati, mbilodhja dhe gjaknxehtësia. Prandaj personat me këtë sëmundje duhet të ngadalësojnë ritmet e jetës, të bëjnë një jetë të qetë dhe të qëndrueshme, të kenë më shumë kujdes, të jenë të vetpërmbajtur, veçanërisht të ruajnë si duhet ritmet dhe të mos nxitohen ”
***************************************************

Këshilla për të moshuarit gjatë stinës së nxehtë

Fundjava e kaluar solli një rritje të ndjeshme të temperaturave që pritet se do të vijojnë edhe në ditë në vazhdim. Shqipëria është pushtuar nga i nxehti afrikan. Meteorologët paralajmërojnë rritje të temperaturave deri në 40 gradë celcius. Për t’u mbrojtur nga i nxehti, të moshuarit në veçanti duhen të kenë parasysh disa këshilla:

• Të evitohen qëndrimet në ambientin jashtë në periudhën më të nxehtë të ditës (ora 11 00 – 18 00).
• Te bëhen shëtitje në ajër të pastër në periudhën e freskët të ditës në vende të gjelbëruara (mëngjes dhe mbrëmje).

• Të përdoren veshje të lehta, të pambukta dhe me ngjyra te çelura.

• Të përdoret kapele ose çadër për t’u mbrojtur nga rrezet e diellit.

• Të përdoret dietë ushqimore me zarzavate dhe fruta.

• Të evitohet përdorimi i sheqerit, kripës dhe i yndyrnave të tepërta

• Të përdoret ujë higjienikisht i pastër, lëngje frutash të freskëta, supëra të lehta, kosi ose dhalla.

• Të përdoren produkte ushqimore higjienikisht të pastra të përpunuara mirë dhe të ruajtura në kushte frigoriferike.

• Të ajroset dhe ventilohet vendbanimi disa herë në ditë.

• Të ulet përdorimi i kafesë dhe të eliminohet përdorimi i pijeve alkoolike.

• Të evitohen punët fizike në orët e nxehta të ditës.

• Të evitohen banjat e diellit, për personat që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut dhe sëmundjet e zemrës.

• Të mos neglizhohen shqetësimet shëndetësore

• Të kërkohet ndihma mjekësore e specializuar në rast shqetësimi.

• Të zbatohen këshillat dhe vazhdohet mjekimi i rekomand
***************************************************
Disa hapa të vegjël për zemrën dhe tensionin
Dieta e ushqimeve, ja ushqimet dhe frutat

që i bëjnë mirë zemrës dhe ato që i bëjnë dëm
Përdorni një dietë të pasur me fruta, perime, drithëra, peshk që mbrojnë zemrën. Limitoni konsumimin e yndyrave, si mish, djathë, gjalpë, qumësht. Përdorni groshët dhe thjerrëzat në vend të mishit. Frutat dhe perimet janë parandaluesit kryesorë jo vetëm të sëmundjeve të zemrës por edhe të kancerit, shprehet kardiologët.
Humbisni peshën e tepërt

Mungesa e peshës është një hap tepër i rëndësishëm në normalizimin e hipertensionit. Madje nuk është e rastit që shpesh personat që vuajnë nga hipertensioni përfshihen në kategorinë e njerëzve me mbipeshë. Rreziku nga kilogramët e tepërt është më i madh kur mbipesha është grumbulluar në disa pjesë të trupit, konkretisht në bark dhe kraharor. Të mirat e mungesës së mbipeshës janë të shumta. Përveç se ajo ndikon në uljen e tensionit të lartë arterial, vepron edhe në rënien e nivelit të kolesterolit etj. Gjithashtu ndihmon në rregullim e niveleve të sheqerit në gjak në rast diabeti. Mos harroni se kombinimi i tensionit të lartë, i kolesterolit në rritje dhe diabetit përbën një faktor tepër rëndues për funksionimin normal të sistemit kardiologjik.
Shëtisni

Specialistët u këshillojnë të sëmurëve me tension të lartë që të ecin të paktën 2-3 herë në javë për 45 minuta (është kjo koha që nevojitet mesatarisht për të përshkuar një distancë prej 4 kilometrash). Përkundrazi, ata ndalojnë ushtrimet me peshë pasi në këtë mënyrë rritet shumë presioni arterial dhe vonon që të vijë në nivele fiziologjike. Ndërkaq, nuk përjashtohet që një i sëmurë me hipertension të kryejë ushtrime me pesha, por kjo do të realizohet vetëm pasi ai të ketë nisur tashmë një program aerobik, sipas këshillave të mjekut të tij dhe në bazë të rezultateve të analizave të domosdoshme si për shembull, test i lodhjes etj.
Lini duhanin

Duhani shkakton çarjen e kapilareve dhe ndikon në humbjen e elasticitetit të tyre. Është provuar se edhe një cigare është e aftë të shkaktojë çarje dhe kjo sepse presioni i gjakut që qarkullon në brendësi të kapilarëve rritet. Përveç tensionit të gjakut, shpeshtohen edhe rrahjet e zemrës pasi kjo e fundit është e detyruar të punojë më tepër me qëllim që të mbulojë nevojat e organizmit me oksigjen. Me ndërprerjen e duhanit muret e kapilareve bëhen më elastike, ndërsa zemra punon me ritëm normal dhe nuk lodhet.
Kontrolloni stresin

Megjithëse kjo këshillë është e vështirë që të zbatohet, pasi stresi është i pranishëm në jetën tonë të përditshme, e vërteta është se nëse dëshironi ta përballoni me sukses hipertensionin duhet të kontrolloni stresin. Me fjalë të tjera, stresi funksionon sikurse duhani, duke çuar në rritjen e tensionit të gjakut. Personat e brezit të tretë janë më të prekur nga hipertensioni pasi kapilarët e tyre janë më të fortë, më shumë pak elasticitet, për shkak të moshës.
Regjimi ushqimor

Preferoni peshkun. Peshqit (si sardelet, salmoni, etj.) përmbajnë tre përbërje yndyrore, të cilat është provuar se ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut. Studimet rreth kësaj çështjeje janë realizuar në popuj të cilët konsumojnë shumë peshk, si për shembull, eskimezët. Natyrisht që efekti i këtyre përbërjeve tek ju varet nga shpeshtësia e konsumimit të peshkut. Mirë është që të preferoni të hani peshk dy herë në javë dhe të kufizoni konsumin e mishit të viçit, derrit, pulës etj., deri në një herë në javë.

Frutat dhe zarzavatet

Frutat dhe zarzavatet kanë në përbërjen e tyre lëndë të cilat ndihmojnë në ruajtjen e kapilarëve në gjendje sa më të mirë. Pjesa e brendshme e tyre “sulmohet” nga tensioni i lartë i gjakut, kolesteroli dhe diabeti. Në sajë të lëndëve të vlefshme që përmbajnë frutat dhe zarzavatet, kapilarët qëndrojnë hapur duke lehtësuar qarkullimin sa më normal të gjakut. Specialistët propozojnë që vaktet tuaja të kenë në përbërjen e tyre fruta, zarzavate dhe pak yndyrë mishi.
Rregulloni temperaturën e shtëpisë

I ftohti është një faktor rëndues për hipertensionin, megjithëse shumë e injorojnë. Nuk është e rastit që në verë kardiologët zvogëlojnë sasinë e ilaçeve kundër hipertensionit, për shkak se nxehtësia ul tensionin. Përkundrazi, ndenja në të ftohtë rrit presionin arterial. Ndaj është e rëndësishme që ju të tregoheni të kujdesshëm që shtëpia juaj të jetë e ngrohtë.
Çokollata e zezë e dobishme për zemrën

Kura popullore ka treguar se çokollata e zezë është diçka e mirë për zemrën. Ajo ndihmon në forcimin e arterieve tek ata që pinë cigare dhe ka me shumë antioksidantë në një gram se një gotë verë, çaj apo luleshtrydhet. Studimi i fundit për çokollatën tregon se çokollata e zezë mund të jetë më e mirë nga ç’mendohet dhe disa mund të hanë çokollatë për arsye mjekësore. Po të hash çokollatë të zezë për çdo ditë nga pak, mund të ndihmojë në uljen e tensionit të gjakut. Çokollata e zezë e ul tensionin sistolik me 2.9 pikë dhe tensionin diastolik, tensionin e ulët, me 1.9 pikë.

Kafeja një terapi e mirë për zemrën

Kafeja këshillohet si një terapi e mirë edhe për një sëre sëmundjesh, përfshi atë të zemrës. Por, nuk është e këshillueshme për gratë shtatzëna dhe të sëmurët me ulcerë në stomak. Dhe kafeina në kafe mund të zvogëlojë rrezikun e krizave të astmës, dhe ndihmon në përmirësimin e qarkullimit brenda zemrës. Nuk mund ta mohosh se kafeja nuk është e mirë për të gjithë. Nëse pi më shumë se ç’duhet mund të të bëjë nervoz, të të shkaktojë shpejtim të rrahjeve të zemrës dhe dridhje të duarve.
Kakaoja mbron nga sëmundjet kardiovaskulare

Kakaoja mbron nga sëmundjet kardiovaskulare, stimulon neuronet, kuron gjendjen shpirtërore. Ajo ka të gjitha vetitë e çokollatës. Stimuluese, antidepresive, për çdo nevojë afrodiziake. Substancat intoksikuese, që gjenden në brendësi të saj, mbrojnë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ndihmojnë në mbajtjen hapur të arterieve. Pak kakao mund t‘i japë një shtysë kujtesës. Kakaoja, si çaji dhe kafeja, përmban substanca të ngacmuese të cilat veprojnë mbi receptorët e sistemit nervor, duke rregulluar efektshmërinë e qelizave. Kakaoja përmban Flavan-3-ols, një përbërës i cili ndihmon në uljen e presionit të gjakut.
Kajsia ndihmon në prodhimin e gjakut

Nëpërmjet konsumimit të kajsisë, trupi i njeriut përfton prodhimin e gjakut. Zbukuron lëkurën dhe bën mirë për flokët. Mbi të gjitha është e këshillueshme kryesisht për femrat, pasi mjekët e bimëve deklarojnë se përdorimi i kajsisë bën të mundur parandalimin e kancerit.
Qershia ul kolesterolin në trup

Duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Qershitë bëjnë të mundur uljen e kolesterolit në trup. Madje ndryshe nga shumë fruta të tjera, për përdoruesit e qershive vjen edhe një lajm i mirë nga Mjekësia Popullore. Pasi ata mund të hanë sasi të mëdha qershisë dhe të mos shëndoshen, përkundrazi ky frut bën të mundur rënien nga pesha si dhe kontrollon nivelin e yndyrnave në gjak.


Dardha largon problemet në zemër

Është një ndër frutat që u rekomandohet të gjithë njerëzve që kanë probleme me zemrën. Pasi dardha me të gjitha përbërjet e veta bën të mundur forcimin e damarëve të zemrës si vendos ekuilibër mes presionit të ulët të gjakut. Pikërisht për këtë arsye, mjekët popullorë këshillojnë që dardhat të konsumohen çdo ditë nga njerëzit që kanë probleme me rrahjet e shpeshta të zemrës, si dhe ata që përjetojnë emocionet të forta.


Vaji i ullirit

Vaji i ullirit është shumë i dobishëm për zemrën dhe ndikon në mirëfunksionimin e saj. Ky vaj ndikon në uljen e sasisë së kolesterolit në gjak, si dhe ul rrezikun e shfaqjes së kancerit te femrat. Të gjitha llojet e yndyrnave, si gjalpi,margarina dhe vajrat përmbajnë kalori të shumta, por që nga organizmi i njeriut perceptohen në mënyra të ndryshme. Greket e duan dhe janë përdoruesit e parë të vajit të ullirit dhe përdorin shumë pak gjalpin dhe margarinën. Vaji i ullirit është quajtur ndryshe nga mjekësia “Shoku më i mirë për gruan”, pasi luan një ndikim shumë pozitiv në mbrojtjen nga kanceri i gjirit. Përmbajtja kryesore në vajin e ullirit është Vitamina E, e cila ka vetinë e rigjenerimit. Në përgjithësi vaji i ullirit, rron gjatë, si dhe duhet të mbahet në ambiente të freskëta dhe të thata, të mbrojtura nga drita.
Qershia

Duket e pabesueshme por është e vërtet. Qershitë bëjnë të mundur uljen e kolesterolit në trup. Madje ndryshe nga shumë fruta të tjera, për përdoruesit e qershive vjen edhe një lajm i mirë nga Mjekësia Popullore. Pasi ata mund të hanë sasi të mëdha qershisë dhe të mos shëndoshen, përkundrazi ky frut bën të mundur rënien nga pesha si dhe kontrollon nivelin e yndyrnave në gjak.
Ushqimet e skuqura dëmtojnë zemrën

Ushqimet e skuqura, të shpejta dhe me shumë kripë mund të shkaktojnë atak në zemër. Kështu, pakësoni në mënyrë të konsiderueshme ushqimet e skuqura, apo ato që shiten në fast food-e, pasi duke i zëvendësuar me perime dhe fruta, mund të ulni deri në 30 % mundësinë një infarkti në zemër. Është konkluzioni që kanë nxjerrë një grup studiuesish nga një studim mbi zakonin e të ushqyerit, i cili ka përfshirë mbi 16 mijë persona në 52 shtete. Dieta tipike e botës perëndimore është shumë e pasur me yndyrna, mish dhe kripë, të gjitha këto ushqime venë në rrezik shëndetin kardiovaskular.


Vera e bardhë ndihmon zemrën

Deri më tani është menduar se vera e bardhë, ndryshe nga vera e zezë, nuk ka ndikim pozitiv deri në atë shkallë, pasi që pulpa e rrushit nga e cila prodhohet vera e bardhë nuk përmban rezervatrol, sikurse korja nga e cila prodhohet vera e kuqe. Nuk është vetëm vera e kuqe ajo që e mbron zemrën. Një studim i ri ofron qetësi për të gjithë dashamirët e verës së bardhë, pasi që shkencëtarët kanë njoftuar se vera e bardhë e mbron zemrën ngjashëm sikurse edhe vera e zezë. Deri me tani është menduar se vera e bardhe, ndryshe nga vera e zezë, nuk ka ndikim pozitiv deri në atë shkallë, pasi që pulpa e rrushit nga e cila prodhohet vera e bardhë nuk përmban rezervatrol, sikurse korja nga e cila prodhohet vera e zezë.
Zemra ka nevojë për hekur

Një studim i shkencëtarëve amerikanë tregon se konsumimi i hekurit ndihmon në kontrollin e shtypjes së gjakut dhe faktorëve të tjerë të dëmshëm për zemër. Rezultatet e studimit, që thonë se hekuri është i dobishëm për zemër, mund të shpjegohen me veprimin e antioksiduesve, të pranishëm në hekur. Studimi ka zgjatur 18 javë dhe është bërë në kafshë laboratorike. Krahas uljes së shtypjes së gjakut, konsumimi i hekurit është parë se çon edhe deri te zvogëlimi i proceseve inflamatore në organizëm, duke mbrojtur edhe muskulin e zemrës. Analizat shtesë kanë treguar se hekuri e mbron zemrën më shumë sesa ilaçet për zbritjen e shtypjes së gjakut, thuhet në revistën “Journal of Gerontology”.


Porosit biftek zgare

Mendon se të bën keq për zemrën, por gabohesh. Bifteku përmban selen, i cili rrit imunitetin, si edhe vitamina B, që pakësojnë homocisteinën (aminoacid në gjak, prania e tepërt e të cilit shkakton sëmundje në zemër). Masa e yndyrës deri në 50 % është varietet i shëndetshëm për zemrën.
Pi më shumë çaj

Meshkujt që pinë 2 filxhanë çaji në ditë kanë 25 % më pak mundësi për të vdekur nga sëmundjet e zemrës sesa ata që rrallë e vënë në gojë. Arsyeja: flavonoidet në çaj, jo vetëm përmirësojnë aftësinë e enëve të gjakut për t’u qetësuar, por gjithashtu hollojnë gjakun, duke reduktuar koagulimin.
Zvogëlo marrjen e kripës

Kripa e tepërt shkakton rritjen e presionit të gjakut, gjë që rrit rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve koronare të zemrës. Rri larg ushqimeve të kripura dhe shikoji gjërat para se t’i blesh, nëse kanë përmbajtje të lartë të kripës. E ndoshta edhe gjërat që na duken të shëndetshme kanë sasi të lartë të kripës, kështu që shikoni përmbajtjen e tyre.
 Hani fruta dhe perime

Një dietë e shëndetshme ju ndihmon të zvogëloni rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës, dhe gjithashtu mund t’ju ndihmojë të rrisni mundësinë e mbijetimit të sulmit të zemrës. Duhet të provoni të keni dietë të balancuar që përmban sasi të mëdha frutash dhe perimesh, peshk, dhe ushqimet si: buka e zezë apo e plotë, pasta dhe oriz. Rri larg ushqimeve siç janë biskota, torta, brumërat e ndryshme, produkteve të qumështit që janë me dozë të lartë të yndyrës së ngopur (saturated) dhe sheqerit.
 Ndryshimi i ushqimit dhe efektet

Një prej veprimeve që duhet të bëni për ta parandaluar sulmin në zemër është ndryshimi i ushqimit. Duhet të merrni të gjitha ushqimet, por dominues duhet të jetë ushqimi vegjetarian, i përbëre nga frutat dhe perimet e freskëta, të cilat përmbajnë vitamina dhe minerale. Merrni një lugë vaj ulliri në ditë bashkë me sallatë dhe përdorni më shpesh mishin e peshkut, i cili përmban acide të shumta yndyrore omega-3, që zvogëlojnë kolesterolin dhe si rrjedhojë, edhe rrezikun për sëmundje kardiovaskulare. Disa vezë në javë nuk janë të ndaluara. Edhe mishi lejohet, por pa dhjamë dhe në sasi më të vogël. Po ashtu mund të merren në sasi jo të tepërt edhe arrat, bajamet, lajthitë, por në kokrra të plota.
Substancat që zgjerojnë enët e gjakut

Ka artikuj ushqimorë që përmbajnë substanca të cilat shkaktojnë zgjerimin e enëve të gjakut në tru, e ky është shkaku i dhembjes në tëmthat. Fajtorët kryesorë janë nitritet, shtesat që i qiten mishit të konservuar dhe disa llojeve të sallameve, si dhe disa përbërës të tjerë që u qiten kryesisht artikujve të konservuar. Kujdes të posaçëm duhet kushtuar kafesë: kafeina ngushton enët e gjakut, mirëpo personat që janë mësuar të konsumojnë disa kafe në ditë, në rast të mungesës së rastësishme shkaktohet reaksioni i kundërt, përkatësisht zgjerimi me dhembje i enëve të gjakut.


Rreziku që sjell tepria me kripën

Natriumi, përkatësisht kripa, sigurisht është armiku më i madh i personave që vuajnë nga hipertensioni. Shkaku shpesh shpjegohet me faktin se kripa e tepërt shton sasinë e lëngjeve në gjak dhe “zgjeron” arteriet, gjë që shkakton ngritjen e tensionit. Sasia mesatare e kripës që fusim në organizëm, sillet prej 10-15 gramë në ditë, gjë që është tepër, nëse e dimë se nuk duhet tejkaluar 4-5 gramë në ditë. Këtë sasi nuk është e vështirë ta arrijmë sepse shumë artikuj ushqimore përmbajnë kripë, e shprehia që ushqimi të “kriposet” gjatë zierjes është tepër e përhapur.
Kaliumi aleat i zemrës

Pemët dhe perimet janë të pasura me kalium, mineral i cili ka aftësi për zgjerimin e arterieve. Mjafton që të shtohet në ushqim dhe që tensioni të kthehet në normale. Në mesin e artikujve më të pasur me kalium janë pemët ekzotike, lëngu prej kumbullave, bananeve, dredhëzave, patates, majdanozi dhe domatja.
 Ushqimet që duhen evituar

Mishi i konservuar ose i tharë, sallamet, djathërat e vjetër, peshku në vaj, brumërat me vezë, ëmbëlsirat, çokollata, sasitë më të mëdha të alkoolit, gjalpi, dhjami, frutat e konservuara dhe ushqimi i thartë.
Proteina që shmang problemet kardiake

Sekreti i rinisë së përjetshme për zemrën mund të jetë i fshehur te një proteine. Zbulimi vjen nga një ekip i Universitetit të Albertas, në Kanada, të cilët kanë studiuar mënyrën sesi kalimi i viteve i transformon mekanizmat ku funksionin muskuli kardiak, për të prodhuar energji duke u nisur nga “karburante” të ndryshme, lëndë ushqyese. Një zemër e re dhe në një shëndet të mirë, normalisht përdor një sasi të caktuar dhe të mjaftueshme të fibrave, sheqernave, drithërave, yndyrave, proteinave, kripërave, etj. Këto “karburante” dhe energji nevojiten për të rikarikuar zemrën për të rrahur dhe për të pompuar gjakun me mjaftueshmëri të plotë. Zbulimi i kësaj proteine, hap perspektiva për rritjen e mirëfunksionimit të zemrës dhe shmangien e problemeve kardiake.


Nevojat e zemrës për natrium

Mungesat më të mëdha të kaliumit vijnë si rezultat i konsumit të tepërt të natriumit përmes kripës. Në fakt, kaliumi dhe natriumi në organizëm, janë në ekuilibër mes tyre. Perëndimorët harxhojnë tri herë më shumë natrium (përmes kripës) se sa kalium. Ky çekuilibër midis dy mineraleve është në origjinë të hipertensionit arterial, të shqetësimeve kardiake apo cerebrale, të humbjes së kalciumit, të gurëve në veshka apo të osteoporozës. Më pak të rënda, por po aq shqetësuese, janë shenjat paralajmëruese të mungesës së kaliumit si lodhja, ngërçet, fryrjet e barkut, vështirësia intestinale.
Ushqimet që përmbajnë kalium për zemrën

Për të zgjidhur problemin dhe rivendosur një ekuilibër rreth harxhimit të tepërt të natriumit, popujt e vendeve perëndimore duhet të konsumojnë më shumë kalium. Mire do të ishte që të konsumohej 4 herë më shumë kalium se sa natrium. Një ushqim i ekuilibruar mund të sjellë vendosjen e një ekuilibri të duhur. Ja pse konsumi i natriumit duhet ulur dhe të mos kalojë 2,5 g në ditë. Duhen shmangur sallamërat, supat e përgatitura në mënyrë industriale, gjellët e fabrikuara dhe që kanë shumë kripë, etj.
Barishtet dhe frutat për zemrën

Minerali i kaliumit është i pranishëm në bimët. Më të pasura me të janë zarzavatet (si fasulet, thjerrëzat, etj); frutat e thata (hurmat e Arabisë, fiqtë, etj); arrat, bajamet; patatet, zarzavatet jeshile, si spinaqi; frutat e freskëta, etj; të cilat janë një burim i mirë në kalium. Por kujdes, pasi gatimi me ujë bën që zarzavatet të humbasin 50-70 % të kaliumit që kanë. Ja pse duhet përdorur gatimi me avull, ose frutat dhe zarzavatet të konsumohen të gjalla.
Vaji i ullirit parandalon infarktin

Konsumimi i rregullt i vajit të ullirit, mund të përbëjë një luftë natyrore kundër infarkteve dhe tumoreve, sepse pengon oksidimin e ADN-së dhe plakjen e qelizave. Të paktën ky është përfundimi i dy studimeve paralele të kryera nga studiuesit italianë. Studimet e kryera mbi dy kampione të ndryshme, kanë treguar se funksioni antioksidues i fenolëve, agjentëve kimikë natyralë që ndodhen te ullirit, është i tillë që ka veti mbrojtëse si ndaj sëmundjeve kardiovaskulare (infarkti, iktusi dhe trombozat), ashtu dhe mbi sëmundjet degjenerative (tumoret, sëmundja e Alzhaimerit). Studimet janë kryer nga dy ekipe të ndryshme. Studimet kanë hedhur dritë mbi efektin mbrojtës të fenolëve mbi sistemin kardiak dhe parandalimin e tumoreve.


Vera e dobishme për sëmundjet e zemrës

Pirja e dy gotave verë çdo ditë i bën mirë zemrës së grave. E ndihmon “të mbajë ritmin”, i lejon të përshtatet më shpejt nevojave të ditës. Aspekt shumë i rëndësishëm ky, që tregon shëndet shumë të mirë dhe ul rrezikun e infarktit. Në këto përfundime kanë arritur studimet mjekësore nga shkenca dhe mjekët kardiologë. Studimi, i udhëhequr nga Instituti “Karolinska” në Stokholm, ka pasur subjekte 120 gra nën 75 vjeç, të mbijetuara nga të një infarkt ose bllokim venash. Efektet ndryshojnë nëse vera zëvendësohet me birrë ose një pije superalkoolike. Ndërsa vera, e cila ka një efekt relaksues mbi sistemin nervor, i mundëson zemrës “ta marrë me qetësi” punën e saj. Ka mundësi që këto efekte lidhen me faktin se kush pi verë bën një gjumë më të qetë, duke i lejuar zemrën të punojë më qetë.