Stresi dhe rënia e flokëve, si mund të kuroheni…


Flokët kanë një rëndësi shumë të madhe për estetikën e njeriut. Rënia e tyre është e dukshme te femrat dhe te meshkujt, por më e theksuar është te meshkujt. Po përse bien flokët? A është i mundur parandalimi i këtij fenomeni? Si mund të trajtohet rënia e tyre?
Shëndeti







Telogen effluvium është forma më e përhapur e rënies së zakonshme të flokëve nga një stres fizik ose psikologjik. Ky proces ndodh për shkak të një tranzicioni të përshpejtuar të fijeve të flokëve duke filluar nga faza anagen (faza e rritjes) në fazën catagen (rritja kalimtare) dhe në fund në telogen (faza e prehjes, kur floku nuk rritet më) ​​dhe klinikisht manifestohet nga rënia e përditshme e flokëve.

Cilat janë shkaqet?

Shkaqet e telogen effluvium mund të ndahen në dy grupe:
- Stresi fizik: me stres fizik kuptohen të gjithë ata faktorë që influencojnë në rritjen e folikulit: shtatzënia e ndjekur nga aborti apo lindja e fëmijës, pezullimi ose ndryshimi i një kontraceptivi oral, ndërhyrjet kirurgjikale me anestezi totale, traumat fizike, dietat e rrepta me humbje peshe të konsiderueshme në një periudhë të shkurtër kohe dhe sëmundjet e mëdha, veçanërisht ato me temperaturë të lartë.
- Stresi psikologjik: në konceptin e stresit psikologjik futen situata të shumta, ato që kanë të bëjnë me aksidentet automobilistike, shpërnguljet, martesa, problemet afektive ose familjare, provimet universitare dhe jo vetëm.

A është shumë i zakonshëm?

Telogeni effluvium është shkaku i dytë më i zakonshëm i alopeciasm apo i rënies së flokëve. I pari është alopecia androgjenetike. Ai mund të shfaqet në cilëndo moshë, pa dallim seksi.

Si shfaqet?

Pacientët paraqiten me një rritje të konsiderueshme të ritmit të rënies së flokëve. Pjesa më e madhe e pacientëve janë shumë të shqetësuar, ata kanë frikë të bëhen tullacë. Duke kaluar gishtat nëpër flokët e pacientëve në çdo pjesë mund të bien shumë flokë, të cilët të gjithë janë në fazën telogen. Rënia e flokëve ndodh në të gjithë pjesët e kokës, përfshirë atë anësore dhe atë të pasmen.

5 mënyra natyrale për t’i mbajtur flokët të shëndetshëm

1. Masazhoni lëkurën e kokës. Masazhi mund të ndihmojë në qarkullimin e gjakut dhe do të bëjë që flokët tuaj të qëndrojnë aktivë dhe të shëndetshëm. Për ta përmirësuar këtë qarkullim, gjatë masazhit hidhni edhe disa pika vaj bajame.
2. Meditoni. Meditimi mund të lehtësojë relaksimin mendor e fizik dhe mund të evitojë stresin, një nga shkaktarët kryesorë të rënies së flokëve. Ndjekja e cikleve të rregullta të meditimit mund të ndihmojë gjithashtu edhe në rivendosjen e ekuilibrit të duhur hormonal.
3. Pini lëngje të frutave natyrale. Pirja e tyre është një regjenerues i mirë për flokët.
4. Mbani flokët tuaj të pastër. Mos i mbani flokët të palarë për një kohë të gjatë. Sigurisht papastërtia mbledh baktere dhe pluhura. Kini kujdes që flokët tuaj t’i lani me një shampo delikate dhe me bazë bimore.
5. Mbuloni flokët tuaj. Duhet që shumicën e kohës flokët t’i mbani të mbledhur, si gjatë temperaturave të ulëta ashtu edhe të larta.


Kujdes

1. Kontrolloni stresin.
2. Mbani një dietë të përshtatshme.
3. Pini të paktën dy kg ujë në ditë.
4. Konsumoni fruta, perime dhe proteina, me anë të të cilave marrim vitaminat, minerale dhe materiale strukturale thelbësore në rikonstruktimin kapilar.
5. Evitoni sa më shumë konsumimin e yndyrave shtazore, duke i zëvendësuar me vajra natyrale, veçanërisht me vajin e ullirit.
6. Evitoni ushqimet e skuqura.
7. Përdorni sallata të ndryshme.
8. Dielli i pishinës dhe i detit është i dëmshëm për flokët.
9. Mos e ndërroni shpesh shampon.