Spitalet private, çmime “stratosferike”

Kostot
Ndjekje shtatzënie - Në një qendër private, klinikë apo spital ku ofrohet ndjekje shtatzënie, por edhe lindje natyrale apo me cezarian, kostot janë mesatarisht rreth 1 mijë euro
Koronare - Për të kryer një ndërhyrje invazive në një nga qendrat private, siç është koronarografia, pacientit i duhet të paguajë koston mesatare nga 600 në 800 euro
Bypass - Në qendrat private, për të kryer një ndërhyrje në zemër, një operacion bypass, në varësi të problemit shëndetësor, kostot e ndërhyrjes dhe terapive nisin nga 3.5 mijë në mbi 10 mijë euro
Sindroma - Në klinika private, laboratorë të cilët marrin përsipër të kryejnë ekzaminime speciale, të cilat nuk ofrohen rutinë në spitalet shtetërore, siç është analiza “triple test”, kostot e analizave janw rreth 15 mijw lekw
TORCH - Analiza të tjera specifike, të cilat bëhen dhe kërkohen nga mjekët gjinekologë gjatë kohës së shtatzënisë, janë të kushtueshme. Një prej tyre është edhe TORCH, ku në privat kushton rreth 10 mijë lekë të reja
Ndërhyrje - Operacione në sy për heqjen e syzeve, për uljen e numrit apo për probleme të tjera në shikim të kryera në privat, kapin koston mesatare 500-600 euro në varësi të problemit shëndetësor 

Deklarojnë xhiro të vogël, 20 milionë lekë, dyshohen për evazion fiskal, pasi kostot e ofruara janë të shtrenjta

Lorina Mixha


Qendrat shëndetësore në vend, klinika ose spitale private ofrojnë kujdes shëndetësor apo trajtime të veçanta me çmime të shtrenjta. Kjo krahasuar me standardin shqiptar, ku përfshihen pagat minimale, mesatare e të larta, por edhe me mundësitë financiare që kanë sot familjet shqiptare, duke llogaritur paratë e ardhura nga emigrantët.
Shpesh pacientët shqiptarë, duke mos mbaruar dot punë shpejt dhe në kohë në spitalet e klinikat shtetërore, detyrohen me hir a me pahir të shtrohen dhe të drejtohen për shërbime shëndetësore në privat. Pavarësisht mundësive të tyre, parave të kursyera apo të marra borxh, kërkojnë vetëm shpëtim, të kryejnë analiza, operacione, ndërhyrje invazive në privat. Kostot janë të larta, duke nisur nga një analizë apo konsultë e thjeshtë e deri te ndërhyrjet kirurgjikale apo trajtimet specifike me shkallë të lartë vështirësie. Të gjitha këto shërbime kushtojnë dhe shtrenjtë, por pavarësisht kësaj subjektet private, klinikat jopublike, deklarojnë se fitimet e tyre vjetore nuk i kalojnë 20 milionë lekë të vjetra. Nisur nga deklaratat e tyre dhe nga çmimet që ofrojnë për kujdes shëndetësor, të cilat shpesh i lexojmë në fletëpalosje, i gjejmë në tabela reklamash apo në billborde gjigante, ka një mospërputhje mes bilanceve të tyre dhe përllogaritjeve të thjeshta të qytetarëve.
Pavarësisht kostove për mirëmbajtje, për blerje pajisjesh, për drita, për ujë e gjithfarëlloj shërbimi tjetër teknik apo mbështetës që i duhet një subjekti privat shëndetësor, duke nisur nga çmimet e ofruara për trajtime dhe nga deklarimi i të ardhurave të tyre vjetore, ka një disakordancë.
Një operacion i thjeshtë në zemër, bypass, përllogaritet të kushtojë mesatarisht 3.5 mijë euro, ndërkohë që një ndërhyrje invazive siç është koronarografia, kushton nga 600 në 800 euro.
Nëse do t’u referohemi çmimeve për ndjekjen e një shtatzënie bashkë me lindje, apo me ndjekjen e ecurisë shëndetësore të fëmijës pas lindjes, kostot e privatit nisin nga 1000 në 1500 euro. Po ashtu nëse do t’i drejtohemi një laboratori privat për analizat në kohën e shtatzënisë, siç janë ato specifike për kontrollin e infeksioneve apo për të kryer analizwn “triple test”, kostot nisin nga 100 euro në 200 mijë lekë, kjo në varësi të analizës.
Po ashtu, nëse në një klinikë private do të drejtohemi për të bërë një ndërhyrje me lazer në sy, apo një ndërhyrje të thjeshtë me apo pa vendosje lentesh, pacienti do të paguajë kosto duke nisur nga çmimi dysheme 500-600 euro.
Për shkak të komoditetit, rregullsisë, por edhe kushteve pritëse, hotelerike, përfshirë këtu edhe urgjencën e pacientëve, pavarësisht kostove, një pjesë e tyre e kanë më të thjeshtë t’i drejtohen privatit sesa të presin në listë, në radhë apo të jenë në “stol” derisa të mbërrijnë produktet dhe pajisjet e nevojshme në sistemin publik.
Klinikat private, qendrat shëndetësore apo spitalet jopublike janë me dhjetëra në vend. Ato janë të mbushura plot dhe kërkesa sa vjen dhe rritet. Në një situatë kur çmimet e privatit janë të shtrenjta, deklaratat e zyrave të financave dhe bilancet që ata dorëzojnë në drejtorinë e tatimeve, lind një dyshim i madh për evazion fiskal. Përllogaritjet e thjeshta tregojnë të kundërtën e këtyre bilanceve dhe fitime të majme për këto subjekte private.
Kushtet në të cilat ndodhemi, mungesa e një regjistri të dhënash, mungesa e një baze informacioni ku të gjendet i detajuar i gjithë rrjeti i parave të derdhura dhe të administruara nga privatët, bën që koston reale të xhiros vjetore të tyre ta kenë vetëm institucionet shëndetësore dhe asnjë tjetër.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve deklaroi dy ditë më parë, se ka dyshime të forta se spitalet dhe klinikat shëndetësore private po fshehin taksat masivisht.
“Vetëm Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë, sektori i shërbimeve shëndetësore private përfaqëson 4 për qind të totalit të tatim-paguesve të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe disa prej tyre vazhdojnë të deklarojnë xhiro vjetore nën 2 milionë lekë”, tha Erjon Prifti nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Sipas tij, u është bërë thirrje që brenda datës 30 qershor të vitit 2013 të korrigjojnë deklaratat e tyre, në mënyrë që të shmangin penalizimet gjatë veprimeve që do të ndërmarrë më vonë administrata tatimore.

Related Posts: