Kastriot Islami |
1. PS, në 4 vitet, 2009-2013, rrudhet me 5.28 për qind, ose me 80 mijë vota…
Forca kryesore e opozitës, PS, e cila gjatë katër viteve ka aplikuar një strategji sjelljesh dhe veprimesh radikale, jo vetëm nuk është rritur, jo vetëm nuk ka qëndruar e pandryshuar, por është rrudhur me 5.25 për qind nga 41.28 në 36 për qind. Kjo do të thotë se PS është rrudhur me rreth 13 për qind krahasuar me 2009-n, ose është zvogëluar me rreth 80 mijë vota, krahasuar me 2009-n. Kjo rrudhje lidhet me shumë arsye, por më kryesoret do të ishin: 1) sjelljet dhe veprimet radikale; 2) inkoherenca e qëndrimeve; 3) shkatërrimi i strukturave organizative; 4) spastrimet e të gjithë militantëve socialistë dhe atyre me eksperiencë e kontribute dhe sjellja e personazheve klientelistë dhe pa lidhje me PS; 5) perceptimi negativ për bashkimin midis PS e LSI; 6) bllokimi i procesit të integrimit etj.
2. PD rezulton për herë të parë forca e parë politike në vend…
Nga sondazhi rezulton se PS ka 36 për qind të votave dhe PD ka 37 për qind të votave. Pra, PD është një për qind më e madhe sesa PS, ose rreth 15 mijë vota më e madhe, ndërsa në vitin 2009 PS ishte 1.1 për qind më e madhe sesa PD, ose rreth 17 mijë vota para PD. Pra, PS jo vetëm është rrudhur krahasuar me 2009-n, por është rrudhur edhe në krahasim me PD me rreth 2.1 për qind. Pra, pas tetë vitesh në opozitë, PS jo vetëm nuk e ka rritur diferencën me PD, por madje është zvogëluar në krahasim me PD, duke i dhënë mundësi PD për herë të parë të jetë forca më e madhe politike në vend. Kjo situatë bën përgjegjës vetëm drejtuesin e PS.
3. Aleanca e majtë (ASHE) përkeqësohet krahasuar me vitin 2009 me 78 mijë vota…
Aleanca e majtë, ASHEm është rrudhur në krahasim me 2009-n. Konkretisht kjo aleancë është rrudhur me 5.12 për qind, nga 51.12 në 46 për qind. Ndryshe mund të thuhet se kjo aleancë është rrudhur në vitin 2013 me 10 për qind nga vlera e saj në 2009-n, ose me rreth 78 mijë vota. Rrudhjen e kësaj aleance me rreth 78 mijë vota nuk ka mundur ta pengojë as rritja e LSI me rreth 10 mijë vota. Pjesa kryesore e kësaj rrudhjeje vjen nga dalja e dy forcave të reja, FRD e AKZ, por me supozimin që FRD merr vota djathtas, mbetet të supozohet që rrudhja me 78 mijë vota vjen kryesisht nga AKZ (rreth 73 mijë vota) dhe pjesa tjetër do të ishte sinergji negative (ky përfundim mbetet i vërtetë nisur nga vlera e AKZ = 4.8% për të cilën eksperti u shpreh se për partitë që dalin për herë të parë në zgjedhje (pa histori elektorale), shifrat duhet të vlerësohen me kujdes.
4. Sondazhi vërteton tezën se “bashkimi është i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm për fitore”…
Nga analiza e rezultateve të 2005, 2007 dhe 2009 kam nxjerrë përfundimin se bashkimi i PS me LSI në vitin 2007 ka prodhuar më pak vota sesa shuma e PS e LSI kur ato kanë qenë të përçara në vitet 2005 dhe 2009. Ky përfundim logjik, disa naivëve i është dukur paradoksal se nuk njohin efektin e sinergjisë negative, e cila vjen për shkak të keqfunksionimit të bashkimit. Kjo tezë vërtetohet edhe nga sondazhi, pra në vitin 2013, megjithëse LSI bashkohet me PS, aleanca e majtë zvogëlohet në krahasim me vitin 2009 kur PS e LSI kanë qenë veças. Por vlera e sinergjisë negative rezulton nga sondazhi një shifër vështirësisht e vlerësueshme në mënyrë të besueshme (natyrisht brenda intervalit të gabimit) për shkak se vlerat e FRD dhe AKZ (sipas shpjegimit të ekspertit italian) duhen konsideruar me kujdes për shkak se ato nuk kanë histori.
5. Sondazhi hedh poshtë tezën e manipulimit të zgjedhjeve në vitin 2009…
Përderisa shifrat e sondazhit për pothuajse të gjitha elementet koincidojnë afërsisht me shifrat e zgjedhjeve të 2009-s, mund të nxirret përfundimi se shifrat e 2009-s janë legjitime, pra nuk ka pasur manipulime që do të ndikonin në vlerat e tyre. Dikush që do të insistonte në manipulimin e shifrës së PS për vitin 2009 me rreth 75 mijë vota për të justifikuar humbjen e PS me 4 mandate diferencë (APN=70 mandate, BPN=66 mandate dhe ASI=4 mandate) në vitin 2009, do të duhej të pranonte atëherë se rrudhja e PS në vitin 2013 do të ishte 80 mijë vota plus 75 mijë që pretendohet se janë vjedhur, pra një rrudhje me rreth 155 mijë vota. Pra, PS do të duhet të zgjidhte ose të pranonte një rrudhje me 155 mijë vota krahasuar me 2009-n, ose që në 2009-n nuk ka pasur manipulim të zgjedhjeve. Natyrisht, një zgjedhje e vështirë… midis amnistimit të së shkuarës dhe projektimit të së ardhmes…
6. Ngushtohet hendeku midis së majtës (ASHE) dhe së djathtës (APMI)…
Në vitin 2009 llogaritjet tregojnë se diferenca midis ASHE dhe APMI do të ishte 2.49 për qind, ose rreth 38 mijë vota. Nga sondazhi i bërë më 27-30 prill 2013, po e njëjta diferencë midis ASHE e APMI rezulton 2 për qind, ose rreth 30 400 vota. Pra, hendeku midis ASHE e APMI është ngushtuar me rreth 7600 vota. Pra, pas 8 vitesh në qeverisje, koalicioni i djathtë, edhe nga pikëpamja cilësore, por edhe nga pikëpamja sasiore, ka pasur progres krahasuar me koalicionin e majtë.
7. Përforcohet e ndoshta rritet avantazhi në mandate, 71 me 69 i APMI ndaj ASHE…
Në vitin 2009 rezultati zgjedhor ishte APN=70 mandate, BPN=66 mandate dhe ASI=4 mandate. Nëse shifrat e votave të 2009-s do të organizoheshin sipas koalicioneve ASHE dhe APMI, atëherë rezultati në mandate do të ishte ASHE=69 dhe APMI=71. Duket paradoksale që në shkallë kombëtare ASHE (51.12%) është 2.49 për qind më e madhe sesa APMI (48.63%), ndërkohë që në mandate APMI (71 mandate) është koalicion maxhoritar/qeverisës me 2 mandate më shumë sesa ASHE (69 mandate). Për ata që merren me shifrat elektorale dhe që njohin sistemin zgjedhor, ky “paradoks” është lehtësisht i shpjegueshëm. Nëse i referohemi faktit që në sondazhin e 27-30 prillit diferenca midis ASHE e APMI ka kaluar nga 2.49% në 2%, mund të nxirrej përfundimi se avantazhi 71 mandate për APMI dhe 69 mandate për ASHE jo vetëm konsolidohet, por edhe mund të rritej (por kjo do të kërkonte të zotëroheshin të dhëna në nivel qarku për të nxjerrë përfundime të besueshme).
8. Në vend të përfundimit….
Disa përfundime të shpejta nga analiza e këtij sondazhi të parë mund të nxirren, të cilat janë si më poshtë:
· PD është për herë të parë forca më e madhe politike në vend;
· PS është rrudhur krahasuar me 2009-n me 80 mijë vota;
· PS është zvogëluar krahasuar me PD me rreth 32 mijë vota;
· Koalicioni i majtë, ASHE, është rrudhur krahasuar me 2009-n më rreth 78 mijë vota;
· Hendeku midis ASHE dhe APMI është zvogëluar nga 2.49% në 2%, ose me rreth 7600 vota;
· Avantazhi në mandate i APMI (71 mandate) ndaj ASHE (69 mandate), i përcaktuar në vitin 2009, mbetet i pandryshuar, me një tendencë rritjeje në favor të APMI;
· Sondazhi provon tezën se parregullsitë në zgjedhjet e 2009-s nuk kanë ndikuar në rezultatin zgjedhor apo legjitimitetin e zgjedhjeve, pra hidhet poshtë teza e manipulimit të zgjedhjeve;
· Në mënyrë të përmbledhur mund të thuhet se jo vetëm nuk ka asnjë lloj fryme për një Rilindje Shqiptare, por përkundrazi, konsolidohet e përforcohet rezultati i 2009-s në favor të maxhorancës aktuale për një mandat të tretë;
· Ndikimi i FRD dhe AKZ në konfigurimin kuvendor të ardhshëm mbetet të vlerësohet me besueshmëri në vijimësi dhe në mënyrë më selektive për çdo qark. Është ende shpejt dhe informacionet janë të pamjaftueshme për të mbivlerësuar/nënvlerësuar rolin e këtyre dy forcave politike. Në këtë fazë roli i tyre duket veçse dëmtues dhe anihilues për dy blloqet kryesore.
· Me shumë gjasa, në sondazhin e ardhshëm, ndikim të ndjeshëm do të kishte cilësia e listës së kandidatëve për deputetë. Në perceptimin e parë, lista e PS është klienteliste dhe e ndërtuar në mënyrë jashtëpartiake e me elemente larg apo jashtë politikës. Rasti tipik i Malajt do të përbënte me shumë gjasa rastin më të mirë për të goditur autoritarizmin dhe klientelizmin korruptiv në drejtimin e PS. Rasti i Koço Kokëdhimës do të ketë ndikim të rëndësishëm.