Gjatë ditës së mërkurë është raportuar rikthimi i internetit pas një ndërprerje prej gati tetë orë e gjysmë. Sipas Renesys, që është një ndërmarrje që vëzhgon internetin, trafiku në internet filloi të rrjedhë përgjatë kufijve sërish në ora 6.26 pas dite, sipas kohës lokale të së mërkurës në Damask, pas një ndërprerjeje prej tetë orë e 25 minutave.
Vëzhgimi i trafikut në kohë reale nga Google paraqiti po ashtu shërbimin e shtetit i cili nuk punonte, e që më pas u rikthye online. Shërbimi i internetit i Sirisë kishte pasur ndërprerje po ashtu për rreth 20 orë më 7 dhe 8 maj.
Autoritetet siriane atëherë fajësuan një keqfunksionim të kabllos optike. Sipas një raporti nga Associated Press, kësaj here, autoritetet thanë që një bombardim nga rebelët për rreth 60 kilometra në veri të Damaskut solli ndërprerjen. Ai informacion nuk ishte në dispozicion menjëherë në uebfaqen e Ministrisë siriane të Komunikimit dhe Teknologjisë.
Ndërprerja e të mërkurës erdhi në të njëjtën ditë kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara pritej që të aprovonte një rezolutë për të përkrahur një tranzicion politik në Siri dhe për të ndëshkuar presidentin e Sirisë, Bashar Assad, për përdorimin e armëve të artilerisë së rëndë kundër rebelëve në luftën civile që po zhvillohet prej shumë muajsh.
CTO i Renesys, James Cowie, në një cicërimë pyeti nëse ndërprerja e fundit kishte të bënte me debatin e Kombeve të Bashkuara. Autoritetet siriane do të mund të urdhëronin ndërprerjen e objekteve të “switchave” kritikë për të përçarë trafikun, tha ai.
Një kabllo që nuk funksionon si duhet do të mund të ishte një “shpjegim bindës”, ndonëse do të duhej që të kishte prekur një lokacion kritik, tha Cowie. (PCWorld Albanian)
Home »
» Siria “rikthehet” në botën e internetit