SHBA Ribalancim në rajonin e Azisë



Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara thonë se investime më të mëdha diplomatike, tregtare dhe ushtarake në rajonin e Azi-Paqësorit nuk përbëjnë kërcënim për Kinën. Shtimi i manovrave ushtarake kineze është pjesërisht përgjigje ndaj ribalancimit diplomatik dhe ushtarak të administratës Obama në Azi. Por zyrtarët amerikanë thonë se kjo nuk ka të bëjë me konfrontim, por me stabilitet.
“Në këtë pikpamje suksesi i ribalancimit varet në zhvillimin e marrëdhënieve pozitive dhe produktive me Kinën. Në asnjë mënyrë ribalancimi nuk ka të bëjë me Kinën. Por çfarë bën Kina nga nevoja nuk ndikon në mendimin tonë për rajonin”, thotë David Helvey, zv/ndihmës sekretari i Mbrojtes për Azinë Lindore.
Me shtimin e kërcënimeve nga Koreja e Veriut, Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të sigurojnë aleatët e tyre, thotë profesori i Universitetit George Mason, Janine Davidson. “Me rritjen e tensioneve në Gadishullin Korean ose në Detin e Kinës Jugore, riafirmimi i garancive të sigurimit mund të parandalojë një garë destabilizuese armatimesh mes vendeve të shqetësuara në rajon”, tha ai.
Kritikët thonë se administrata Obama nuk po i merr seriozisht kërcënimet. “Aleantët tanë në rajon duan të sigurohen se jo vetëm që ne po i vëmë në dukje këto gjëra, por ne jemi aktualisht në pozitë për të bërë diçka rreth angazhimeve për sigurinë”, thotë Senatori republikan, Marko Rubio.
Me pretendimet rivalizuese për naftën dhe peshkimin në Detin e Kinës Jugore, çështja është menaxhimi i burimeve, tha ndihmës sekretari i Shtetit për Azinë Lindore Joseph Yun. “Nuk ka zgjidhje. Askush nuk do të heqë dorë nga pretendimet. Prandaj çështja është se si ta menaxhojmë këtë situatë. Një nga modelet e menaxhimit është përdorimi, eksplorimi dhe marrëveshjet e përbashkëta”, tha ai.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, është përpjekur të menaxhojë një pjesë të bashkëpunimit dhe të sigurojë zyrtarët kinezë, mes tyre edhe Kryeministrin e ri të Kinës Li Keqiang. “Interesat tona të përbashkëta janë më të mëdha sesa mosmarrëveshjet tona. Si vende të mëdha, ne kemi përgjegjësinë të ruajnë paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha zoti Li.
Uashingtoni thotë se do të mbetet një fuqi në rajonin e Paqësorit e angazhuar për çështjet rajonale, si Koreja e Veriut dhe çështje me interes më të gjerë si kufizimi i programit bërthamor të Iranit.
Dy Koretë
Presidenti amerikan Barack Obama dhe Presidentja e Koresë së Jugut Park Geun-ye, gjatë festimit të 60-vjetorit të aleancës mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, i bënë thirrje Koresë së Veriut t’i japë fund kërcënimeve dhe t’i eleminojë armët bërthamore. Dy presidentët dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit që zhvilluan në Shtëpinë e Bardhë. Të dy presidentët shprehën solidaritet dhe dënuan kërcënimet e Phenianit për sulme me armë bërthamore.
Në javët e fundit, Koreja e Veriut e ka kërcënuar me sulme Korenë e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë amerikanë në Azi në shenjë hakmarrjeje për intensifikimin e sanksioneve ndaj Phenianit, që pasuan një provë bërthamore në fillim të këtij viti.
Presidenti Obama tha se Koreja e Veriut nuk mundet të krijojë përsëri një krizë dhe të përfitojë lëshime. “Nëse Pheniani mendon se kërcënimet e tij të fundit do të dëmtojnë marrëdhëniet e mira midis Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara, ose në njëfarë mënyre të shtojë respektin ndërkombëtar, takimi i sotëm është një provë e mëtejshme se Koreja e Veriut sërish ka dështuar”.
Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut janë plotësisht të afta për të mbrojtur veten e tyre. Presidentja Park tha se nëse Koreja e Veriut në të ardhmen bën provokime, Seuli do t’i përgjigjet atyre.
Të dy udhëheqësit thanë se mbështesin një përmbysje të konsiderueshme të planeve bërthamore të Phenianit. “Ne mbetemi të hapur ndaj mundësisë që Koreja e Veriut të zgjedhë rrugën paqësore të çarmatimit bërthamor, të respektojë angazhimet ndërkombëtare, t’i ribashkohet bashkësisë ndërkombëtare”.
Që kur mori detyrën në muajin shkurt, presidentja e parë grua e Koresë së Jugut ka mbështetur ndërtimin e besimit me veriun. Ajo e ka lënë të hapur mundësinë e dërgimit të ndihmave në Korenë e Veriut dhe për nisma ekonomike me këtë vend, nëse ka përparim në trajtimin e çështjes bërthamore.
Zyrtarët amerikanë thonë se Koreja e Veriut ka ulur tensionet në ditët e fundit, duke hequr disa raketa balistike me rreze të mesme veprimi nga një vend për hedhjen e tyre, pas përgatitjeve për një provë të mundshme me to. Marcus Noland, i cili punon në Institutin Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, thotë se Pheniani duhet të heqë dorë nga kërcënimet, para se negociatat të mund të fillojnë. “Mendoj se, në fund të fundit, koreano-veriorët duan të gjejnë një mënyrë për të deklaruar fitoren, dhe pastaj do ta ndalnin retorikën kërcënuese. Atëhere ne do të mund të jemi në gjendje të flasim me njëri-tjetrin”.
Presidenti Obama dhe Presidentja Park vlerësuan bashkëpunimin e kohëve të fundit të Kinës dhe Rusisë në lidhje me çështjen bërthamore të Koresë së Veriut.