La Stampa
Mbi njëqind studime sugjerojnë një asocim mes ekspozimit ndaj pesticideve, herbicideve dhe insekticideve dhe sëmundjes së parkinsonit. Hulumtimi italian e mbështet këtë hipotezë.
Sëmundja e Parkinsonit mund gjithashtu të vijë nga bujqësia dhe produktet e saj të cilat përfundojnë çdo ditë në tavolinat tona: ekspozimi ndaj pesticideve, herbicideve dhe insekticideve në fakt ishte i lidhur me një rrezik më të lartë të zhvillimit të sëmundjes së parkinsonit.
Kjo është ajo që del nga një studim prej më shumë se 100 hulumtimesh, të kryera nga shkencëtarët e Fondacionit IRCCS në Pavia, në bashkëpunim me Qendrën e Sëmundjeve në Milano, koordinuar nga Dr Gianni Pezzoli.
Dr. Emanuele Cereda, autori kryesor i studimit, dhe kolegët e tij kanë analizuar 104 studime që kanë ekzaminuar lidhjen mes ekspozimit ndaj pesticideve, herbicideve, insekticideve dhe tretësve me rrezikun e zhvillimit të sëmundjes Parkinson – veçanërisht ata që punojnë në bujqësi. Në analizë janë përfshirë edhe studime të cilat vlerësojnë afërsinë e ekspozimit, si për shembull tek ata persona të cilët jetojnë në afërsi të fushave, që punojnë në afërsi të tyre dhe që pijnë ujë çezme.
Studimi, i botuar në Neurologjia, revista mjekësore e Akademisë Amerikane të Neurologjisë, tregoi se ekspozimi i përsëritur ndaj këtyre substancave toksike ka rritur rrezikun e zhvillimit të sëmundjes Parkinson me 33 deri në 80 përqind. Në disa studime të kontrolluara, ekspozimi ndaj pesticideve të caktuara ishte i lidhur dyfishimin e rrezikut të zhvillimit të sëmundjes.
“Nuk kemi hetuar nëse lloji i ekspozimit, raste të tilla si thithja ose absorbimi nëpërmjet lëkurës ose mënyra të aplikimit të tilla si spërkatje ose përzierja, influencojnë rrezikun ndaj Parkinson-it – tha Dr Cereda – megjithatë, studimi ynë tregon se rreziku rritet me rritjen e kohës së ekspozimit ndaj këtyre kimikateve.”
Nevoja për të patur një bujqësi që nxit më tepër sasinë e prodhimit sesa cilësinë ka bërë që përdorimi i kimikateve në fusha ka arritur përmasa të pakontrollueshme, pa marrë parasysh se çdo gjë transmetohet në mjedis dhe më tej kthehet tek njeriu në mënyra të ndryshme dhe forma të fshehura: në ushqimet që përfundojnë në tavolinat tona, tek ujin e pijshëm, tek ajri që marrim… Nëse ata që punojnë në bujqësi janë sigurisht më të ekspozuar, edhe ata që hanë, marrin frymë dhe pinë ujë çdo ditë – të gjithë ne – nuk jemi të mbrojtur.
Shqipëria rezulton me numrin më të lartë të personave të prekur nga sëmundja e parkinsonit.
Shqipëria ka prevalencën më të lartë në Europë për moshat mbi 60 vjeç , përsa i përket të prekurve nga Parkinsoni. Sipas mjekes neurologe Mira Rakacolli, kjo sëmundje degjenerative e trurit, e cila ka filluar të prekë edhe moshat e reja,nën 30 vjeç, shfaq dridhje të pacientit dhe ngadalësim të lëvizjeve të tij.
Parkinsoni midis njerëzve të famshëm
Në një ditë të vetme jeta mund të përmbyset si me katapultë. Edhe fiziku më shëndet-plot, befas i lëshohet pushtetit të një force të dytë brenda vetes, që nuk ruan kontroll. Kjo është sëmundja e parkinsonit. Simptomat e një patologjie që shfaqen beftas një ditë, por që avancojnë me kohën, deri në zotërimin total të komandave të trupit. Ai prek nervat e trurit deri në hipotalamus, çka shkakton kaos total në veprimtarinë dhe memorien e personit të prekur. Parkinsoni është sëmundje e të gjitha shtresave: të pasurve dhe të varfërve, prek meshkujt dhe femrat, madje edhe pse konsiderohet patologji e moshës së tretë, mund të shfaqet më herët. E konsideruar ndryshe, paralizë e lëvizshme, ajo është sot një ndër sëmundjet neurologjike më të përhapura. Të gjithë e kemi parasysh transformimin e boksierit amerikan Muhammad Ali prej kësaj sëmundjeje. Ali, një nga figurat më legjendare të sportit në botë, i shquar veçanërisht për fizikun e tij, sot vuan nga një çrregullim i madh trupor e që e bën të mos ketë më nën kontroll lëvizjet e tij, por jo vetëm. Nën të njëjtat simptoma jeton edhe atleti i famshëm nga Zejlanda e Re, Johny Walker. Akoma më i ri në moshë, por jo më pak i famshëm, aktori Hollivudian Michael J. Fox është prekur nga parkinsoni. Ai vuan prej kësaj sëmundjeje që në vitin 1991 dhe përparimi i saj e ka bërë që të ndërpresë në mes karrierën në vitin 2000. Papa Gjon Pali II, i ndarë nga jeta disa vite më parë, vitet e fundit të jetës i ka kaluar nën lëngatën e parkinsonit. Madje në daljet e tij publike, të gjithë e kemi në kujtesë vështirësinë me të cilin ai artikulonte, jo për shkak të moshës, sa të çrregullimit parkinsonik. ( 1920 – 2005). Ish-presidenti palestinez, Yasser Arafat gjithashtu vuante nga këto çrregullime. (1929–2004). Por kujt mund t’ia merrte mendja se edhe Adolf Hitleri, njeriu që me ngulm tentoi të pushtojë botën u zaptua prej kësaj sëmundjeje. (1889 – 1945). Megjithatë, ai nuk ishte i vetmi që iu dorëzua pushtimit të një çrregullimi nervor, që nis me kufizime në lëvizje dhe artikulim, e përfundon me shkatërrimin total të trurit. Sipas te dhënave numri i njerëzve në botë me Parkinson shkon afërsisht 1 milion të prekur. Ku çdo vit diagnostikohen rreth 50 mijë raste të reja.
***********
Sëmundja diagnostikohet rreth moshës 65 vjeç dhe vetëm 15% diagnostikohet nën 50 vjeç.
Sëmundja e Parkinsonit prek njësoj si meshkujt edhe femrat
Sëmundja e Parkinsonit u përshkrua për herë të parë në vitin 1817 nga Dr. Xhejms Parkinson, një mjek britanik. Eshtë një sëmundje kronike, progresive, degjenerative e trurit. Ndodh kur disa qeliza nervore, të një pjese të trurit, që quhet Substantia Nigra, dëmtohen, ose vdesin. Normalisht këto neurone prodhojnë një produkt kimik të njohur si dopaminë. Dopamina ndihmon në koordinimin dhe lëvizjen e muskujve të trupit. Kur rreth 80% e qelizave që prodhojnë dopaminë dëmtohen ose vdesin, shfaqen simptomat e sëmundjes.
Kush preket nga sëmundja e Parkinsonit?
Sëmundja e Parkinsonit prek njësoj si meshkujt edhe femrat. Është treguar se sëmundja nuk njeh kufij socialë, ekonomikë, etnikë, apo gjeografikë. Sëmundja diagnostikohet rreth moshës 65 vjeç dhe vetëm 15% diagnostikohet nën 50 vjeç.
A është sëmundja e Parkinsonit e trashëguar?
Ka një histori familjare me sëmundjen e Parkinsonit në 10% të rasteve. Mund të prekë më tepër njerëz të një gjenerate (psh. motër, vëlla) ose në dy gjenerata (baba, bir). Toksinat ambientale si magnezi, monoksidi i karbonit dhe rrallë disa pesticide mund të shkaktojnë një sëmundje që ngjan me sëmundjen e Parkinsonit, megjithatë shumica e pacientëve që vuajnë nga kjo sëmundje nuk janë të ekspozuar ndaj këtyre toksinave. Në më pak se 1% sëmundja është krejtësisht familjare. Disa mutacione gjenetike janë zbuluar të jenë shkak i sëmundjes në disa familje, por këto nuk gjenden në shumicën e atyre që vuajnë nga Parkinsoni. Studimet në binjakët identikë, nga të cilët njëri ka shfaqur sëmundjen, nuk kanë treguar ndryshime nga popullsia normale e pacientëve mbi 60 vjeç. Megjithatë edhe në binjakët identikë me të rinj se 50 vjeç, nëse njeri ka sëmundjen edhe tjetri ka risk të shtuar që ta ketë në të ardhmen. Kjo tregon se trashëgimia ka rol në rastet kur sëmundja shfaqet në moshë të re. Sëmundja e Parkinsonit, sipas studiuesve, në shumicën e individëve reflekton një kombinim mes faktorëve gjenetike dhe atyre mjedisorë.
Si diagnostikohet sëmundja e Parkinsonit?
Proçesi i diagnostikimit mund të jetë i vështirë, sepse nuk ka imazheri, apo analiza që mund të konfirmojnë plotësisht sëmundjen e Parkinsonit. Neurologu arrin në diagnozë pas egzaminimit klinik. Testet e gjakut dhe imazheria performohen që të përjashtojnë sëmundje të tjera që mund të prezantohen me të njëjtat simptoma. Personat e dyshuar për sëmundjen e Parkinsonit duhet të kryejnë patjetër vizitën e neurologut për diagnostikimin dhe trajtimin e mëtejshëm.
Çfarë mund të jetë tjetër nëse nuk është Parkinson?
Ka shumë shkaqe të tremorit (dridhjes) përveç sëmundjes së Parkinsonit dhe kërkohet egzaminimi nga mjeku neurolog për të dalluar mes tyre. Kompleksi i simptomave të sëmundjes së Parkinsonit (tremor, rigiditeti, bradikinezia, instabiliteti postural) janë emërtuar si parkinsonizëm. Ky është një term i përgjithshëm dhe jo të gjithë pacientët me parkinsonizëm kanë sëmundjen e Parkinsonit. Në fillimet e hershme të sëmundjes mund të jetë e vështirë për të dalluar nëse është sëmundja e Parkinsonit, apo ndonjë e ngjashme me të. Zhvillimi i simptomave të mëtejshme dhe kursi i sëmundjes të çon në diagnozën korrekte.
Njohja e shkaqeve të tjera të parkinsonizmit
Shkaqet e parkinsonizmit janë të shumta. Në një studim në pacientët me parkinsonizëm 65% janë gjetur së kanë sëmundjen e Parkinsonit, 18% kanë parkinsonizëm të nxitur nga medikamentet, 7% kanë parkinsonizëm vaskular (dëmtim nga shkaqe të ndryshme të vazave të vogla që ushqejnë trurin me gjak) dhe 10% kanë parkinsonizëm atipik që dyshohet kur ka praninë e demencës, mospërgjigje ndaj mjekimit, progresion të shpejtë, mungesa të dridhjes etj. Në këto raste nevojitet vlerësimi i neurologut për gjetjen e diagnozës së saktë dhe mjekimit adekuat.
A trajtohet Parkinsoni dhe si?
Ka një numër medikamentesh efektivë që ndihmojnë në lehtësimin e simptomave të sëmundjes së Parkinsonit. Meqënëse shumica e simptomave janë të shkaktuara nga mungesa e dopaminës, medikamentet janë prodhuar për të zëvendësuar, ose për të mimetizuar dopaminën. Disa mjekime të reja premtojnë të ngadalësojnë progresionin e sëmundjes dhe të ndihmojnë kualitetin e jetesës së të sëmurëve. Por, për fat të keq, nuk ka mjekim që të shërojë plotësisht sëmundjen dhe terapia është individuale e hartohet për secilin pacient enkas.
Mjekimet që përshkruhen zakonisht
Levodopa: Modifikohet nga enzimat e trurit në dopaminë. Levodopa për mbi 30 vjet ka revolucionarizuar trajtimin e sëmundjes. Jepet bashkë me inhibitorë të enzimës amino-acid-dekarboksilazë që quhen përkatësisht carbidopa dhe benseraside, në mënyrë që të shtohet sasia e levodopës që do arrijë në tru.
Dopaminë agonistet: Janë substanca që lidhen me receptorë të ndryshëm të dopaminës dhe ndihmojnë rrugët e saj.
Amantadina: Është zbuluar për herë të parë si medikament antiviral. Rastësisht është gjetur se mund të ndihmojë dhe në trajtimin e sëmundjes së Parkinsonit. Mund të përdoret me levodopen ose me dopaminë agonistet.
COMT-inhibitorët: Efekti i tyre është mbi enzimën që ndan dopaminën. Me përdorimin e tyre sigurohet kohëzgjatje më e madhe e veprimit të dopaminës. Janë me përdorim të kufizuar për shkak të efektit toksik që kanë mbi mëlçinë.
Antikolinergjikët: Janë medikamente që përdoren për të reduktuar tremorin dhe rigiditetin. Përdoren zakonisht në kombinim me levodopen. Në pacientët e moshuar dhe me ndryshime konjitive duhen përdorur me kujdes sepse japin haluçinacione, konfuzion mendor dhe efekte të tjera anësore që nuk tolerohen mirë nga pacientët.
MAO-B inhibitorët: Janë inhibitorë të enzimës që ndan dopaminën dhe me përdorimin e tyre sigurohet një veprim më i gjatë i dopaminës në tru. Kanë efekt të lehtë edhe si antidepresiv dhe neuroprotektiv.
A është kirurgjia një alternative kurimi për sëmundjen e Parkinsonit?
Kirurgjia mund të lehtësojë simptomat e sëmundjes së Parkinsonit, por nuk shëron sëmundjen. Për shkak të risqeve të lidhura me kirurgjinë e trurit, ajo zakonisht konsiderohet vetëm kur është provuar trajtimi medikamentoz dhe ka indikacione të qarta për ndërhyrjen kirurgjikale. Kur konsiderohet kirurgjia duhet që edhe neurokirurgu dhe neurologu të jenë të specializuar për trajtimin e sëmundjes së Parkinsonit./tiranaobserver