Rusia kërkon heronj të rinj


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po rigjallëron medaljen sovjetike “Hero i Punës” si pjesë e një programi më të gjerë për të krijuar modele të reja frymëzuese
Puna

Steven Rosenberg, BBC


Legjenda thotë se 95 vjet më parë, Vladimir Lenin po udhëtonte nga Kremlini për në shtëpinë e tij në fshat jashtë Moskës, kur dalloi një grup fshatarësh që po punonin secili për vete në parcela të vogla toke.
I tmerruar nga kjo shfaqje e individualizmit, revolucionari rus ndaloi makinën, doli jashtë dhe u tha me zemërim burrave se ata do të prodhonin më shumë nëse punonin së bashku. Kështu, fermerët krijuan një kooperativë që më vonë u bë Ferma Shtetërore Lenin.
Kur unë vizitova fermën, kjo ishte koha e mjeljes për 390 lopë. Gjatë viteve të komunizmit dhe gjatë kohës sonë kapitaliste, kjo fermë ka prodhuar qumësht, fruta, zarzavate dhe natyrisht – heronj.
Lidiya Gadalova, 83 vjeçe, është një heroinë.
Për ta provuar këtë në shtëpinë e saj pranë fermës, më tregon medaljet e shumta sovjetike në xhaketën e saj.
Për 41 vjet, Lidiya punoi si mjelëse. Ajo u nderua si Heroinë e Punës Socialiste pasi milte më shumë qumësht nga një lopë se çdo mjelëse tjetër në provincë.
“Mjelëset e tjera në fermë u zemëruan me mua, ishin disi xheloze”, thotë Lidiya. “Por vëllai im më i madh ishte aq shumë krenar për mua”. Medalja “Hero i Punës Socialiste” nuk qe vetëm për veprat heroike të botës së bulmetit.
Minatorët, traktoristët, shkencëtarët bërthamorë – çdokush mund ta fitonte këtë medalje prestigjioze në rast se punonte më shumë për Bashkimin Sovjetik. Natyrisht, kur BRSS pushoi së ekzistuari, bashkë me të pushoi edhe dhënia e medaljeve. Por kjo medalje është e destinuar të kthehet.
Një muaj më parë, drejtpërsëdrejti në një televizion, një punëtor fabrike pyeti Vladimir Putinin nëse ai mendonte se duhej të rishpërndahej medalja e “Heroit të Punës”.
“Jam shumë dakord”, tha Putin. “Do ta zgjidh këtë çështje brenda kësaj dite”.
Dhe kështu bëri. Udhëheqësi i Kremlinit firmosi një dekret dhe “Heroi i Punës” u kthye. Medalja e re do të nderojë rusët që kanë arritur gjëra të mëdha në ekonomi, jetën publike dhe në punën e tyre për shtetin.
Në Shën Petërburg të mërkurën, Presidenti Putin dorëzoi grupin e parë të medaljeve të arta. Mes përfituesve qenë: një minator qymyri, një mekanik dhe një inxhinier, një neurokirurg, një drejtor teatri etj.
Në një fjalim në ceremoni, Putin tha se Rusia qe “e detyruar të rivendosë një sjellje të respektueshme ndaj punës dhe të rrisë prestigjin e atyre profesioneve nga të cilat varet Rusia: inxhinieria, dizajni, punëtorët e fermës, fermerët, mësuesit dhe mjekët”.

Heronj të ndryshëm

Por ka më shumë për këtë medalje se sa thjesht nderimi i punëtorëve. Ajo është pjesë e një kërkimi më të gjerë nga Kremlini për një set të ri heronjsh të Rusisë, përfshirë figura nga e shkuara cariste, një përpjekje për t’i dhënë vendit një identitet të përbashkët në epokën postkomuniste.
“Kërkimi për heronj të rinj do të përfundojë gjithsesi në ndonjë rrugicë qorre”, beson Konstantin Eggert, kryeredaktor i radios “Kommersant FM” në Moskë.
“Ndryshe nga Bashkimi Sovjetik, Rusia sot nuk ka një ideologji, një narrativë gjithëpërfshirëse. Për më tepër, Rusia nuk ka një identitet kombëtar. Ky është një problem i madh. Heronjtë e vjetër nuk janë të përshtatshëm; heronjtë e rinj janë ose të debatueshëm ose jo ekzistentë”.
Në një copë rrugë larg shtëpisë së mjelëses Lidiya, unë pyes njerëzit në rrugë se cilët janë heronjtë e tyre. Përgjigjet e tyre krijojnë një tablo konfuze – Stalini, Jezusi, Justin Bieber, veteranët e Luftës së Dytë Botërore, prindërit. Një punëtor ndërtimi më thotë se Rusia nuk ka fare heronj.
Drejtori i Fermës Shtetërore Lenin, Pavel Grudinin, nuk është dakord. “A nuk është një akt heroizmi të ngrihesh çdo ditë në orën pesë të mëngjesit për të mjelë lopët dhe të kthehesh në shtëpi në orën dhjetë të darkës?”, thotë ai.
“Po kur vjen fjala për mjekët e fshatrave, të cilët janë në gatishmëri 24 orë në ditë – a nuk janë ata heronj? Të rinjtë e sotëm duket se respektojnë vetëm oligarkët dhe yjet televizive. Është koha për të nderuar individët që japin një ndihmesë reale për vendin tonë”.

Një muaj më parë, drejtpërsëdrejti në një televizion, një punëtor fabrike pyeti Vladimir Putinin nëse ai mendonte se duhej të rishpërndahej medalja e “Heroit të Punës”. “Do ta bëj menjëherë”, u përgjigj ai

Ndryshe nga Bashkimi Sovjetik, Rusia sot nuk ka një ideologji, një narrativë gjithëpërfshirëse. Për më tepër, Rusia nuk ka një identitet kombëtar

Deklarata

A nuk është një akt heroizmi të ngrihesh çdo ditë në orën pesë të mëngjesit për të mjelë lopët dhe të kthehesh në shtëpi në orën dhjetë të darkës?

Pavel Grudinin, Drejtor i Fermës Shtetërore Lenin