Home »
» Rusia e zymtë e Putinit
Rusia e zymtë e Putinit
Vladimir Putin erdhi në fuqi më 7 maj 2000 nën flamurin e reformës ekonomike, modernizimit dhe antikorrupsionit. Në një kthesë historike, ai urdhëroi që “Arkipelagu Gulag”, romani i vitit 1973 nga Aleksandër Solzhenicin për kampet e punës së detyruar të epokës sovjetike staliniste, të bëhej libër shkollor për fëmijët e Rusisë, një lëvizje radikale, duke parë se ky libër ishte ndaluar gjatë komunizmit. Tashmë, tre libra shumë të ndryshëm ilustrojnë faktet se sa të gabuara dolën shpresat që njerëzit patën te modernizimi i Putin. Fiona Hill dhe Clifford Gaddy punojnë që të dy tek Instituti Brookings, një qendër studimore amerikane. Gaddy është një shkrimtar peofilik, fillimisht për ekonominë sovjetike dhe tashmë për atë ruse. Në vitet 1990, ai këshilloi qeverinë e Rusisë mbi federalizmin fiskal. Zonja Hill, e lindur në Britani, mbikëqyri Rusinë në Këshillin Kombëtar të Inteligjencës së SHBA-së në Uashington D.C. Autorët janë takuar dhe kanë folur me Putinin dhe ata e respektojnë atë deri diku. “Kemi të bëjmë me një njeri që u ngrit nga niveli i mesëm, nga një punë e rëndomtë, nga funksioni i punës në Gjermaninë Lindore për KGB-në, dhe e rikrijoi veten si zëvendëskryetar reformator i kryebashkiakut të Shën Petersburgut, Anatoly Sobchak. Duke u zhvendosur në Moskë vonë në vitet ’90, eficienti Putin u promovua me shpejtësi deri sa ai filloi të qeverisë Rusinë, një barrë që pothuajse e rrënoi Boris Jeltsinin”. Sipas këtij libri intrigues, suksesi i Putin mund t’i atribuohet një serie transformimesh të tij, fillimisht si një njeri serioz, pastaj si një njeri sportiv apo ushtarak, me kostume të përshtatshme për çdo rol. Kur nuk është duke aktruar, Putin përdor stërvitjen që ka marrë në KGB për të kultivuar lidhjet që mund të jenë me leverdi për të. Ai pëlqen të citojë një fjalë, që dikur Henry Kissinger tha për të dhe që ai e admiron: “Të gjithë njerëzit e denjë e nisën karrierën e tyre në shërbimet sekrete”. Ambicia kryesore e Putinit, thonë autorët, ishte që të impononte rend dhe autoritet në Rusi, pas kaosit të viteve të Jeltsinit. Hill dhe Gaddy citojnë manifestin që Putini shkroi dhe publikoi në dhjetor 1999, pak para se të bëhej president. Aty ai argumentoi se, “për rusët, një shtet i fortë nuk është një anomali ndaj së cilës duhet luftuar. Përkundrazi, është një burim dhe garantues i rendit”. Putini u lëshoi një ultimatum oligarkëve në vitin 2000, duke i urdhëruar që të kishin parasysh se biznesi i tyre ishte biznesi, ndërsa puna e tij ishte politika dhe se ata nuk duhet të presupozojnë se të dyja mund të përzihen. Kjo ishte një lëvizje me rëndësi kritike dhe shpjegon shumë se çfarë ndodhi më pas, përfshirë ekzilin e shpejtë të të ndjerit Boris Berezovski. Alena Ledeneva, një sociologe e lindur në Rusi dhe që punon në Londër, ka një këndvështrim më të gjerë. Në librin e saj “A mund të modernizohet Rusia?” ajo shpjegon dallimin mes nivelit të ulët të korrupsionit në të cilin ekonomia drejtohet duke u bazuar te shkëmbimi i favorit dhe sistemit të plotë tërësor të drejtuar nga Kremlini sot. Gjatë viteve ’90, biznesi në formën e oligarkëve kapi shtetin dhe diktoi politikat e ndjekura nga Jeltsini. Përkundrazi, në dekadën e parë të këtij shekulli, kemi parë një kthim te modeli historik i qeverisjes, në të cilën “shteti kapi biznesin”. Putini, argumenton Ledeneva, nuk beson me të vërtetë se korporatat ishshtetërore të Rusisë u përkasin pronarëve të tyre të rinj. Përkundrazi, ai i shikon ata që morën kontrollin duke drejtuar pjesët më të rëndësishme të ekonomisë së Rusisë, naftën dhe gazin, si hajdutë me fat. Tashmë ata janë thjesht menaxherë. Ben Judah, një shkrimtar i ri në profesion të lirë, jep një panoramë më gazetareske dhe më pasionante të “Perandorisë së brishtë”. Ai udhëton shumë nëpër terrenin e stërmadh të Rusisë, duke gjetur kriminelë, gënjeshtarë, fashistë dhe politikanë banditë e me raste, edhe ndonjë figurë shenjtore. Judah takohet me kaq shumë të dehur përgjatë rrugës së tij, sa del në konkluzionin se meshkujt e Rusisë po bëhen tapë për t’u ngushëlluar për vdekjen e vendit të tyre. Ai beson se korrupsioni është bërë kaq endemik sa nuk është më thjesht për vjedhje, është për pushtet. “Ekonomia e Rusisë është kaq e çorientuar në avantazh të grupit (të Putinit) sa ato nuk mund të akuzohen për korrupsion, por për kapje të shtetit”. Ledeneva, në mënyrën e saj të kujdesshme, jep tarifat e korrupsionit në Rusi: 10 milionë dollarë për një karrige ministri, ose 100 mijë në muaj për zyrtarët “si bazë për marrëdhënie të mira”. Intervistat e saj i rikujtojnë se ky është një sistem. “Sapo bëhesh pjesë e sistemit”, thotë një nga të intervistuarit, “nuk je në gjendje ta ndryshosh atë”. Hill dhe Gaddy huazojnë një frazë nga Alexei Navalny, një bloger dhe udhëheqës i opozitës, i cili tha: “Sistemi i Putinit në të vërtetë është ‘një parti mashtruesish dhe hajdutësh’.” Shumë nga njerëzit e arrestuar gjatë demonstratave të fundit u dënuan me burg. Navalny përballet gjithashtu me burgun; ai është në gjyq për akuza të sajuara për përvetësim. Ledeneva mendon se sistemi që ajo përshkruan është i paaftë të reformohet pa “ndryshime themelore në moral, norma shoqërore dhe incentivash individuale”. Judaj nuk ka dyshim se Putin është një diktator në krijim e sipër. Pyetja e vjetër: Kud a idyot Rossiia? (për nga po shkon Rusia?) ka vetëm një përgjigje: poshtë dhe gjithnjë e më poshtë.






