Reparacionet e luftës vijojnë të ndajnë Greqinë dhe Gjermaninë

Shtatëdhjetë vjet më parë, një masakër u krye nga gjermanët në Peloponez. Sot, kjo ngjarje është rikthyer në qendër të vëmendjes si pjesë e llogarive të hapura financiare mes Greqisë dhe Gjermanisë
Kriza

Mark Lowen, BBC





Diku lart në Peloponez, mbi qytezën Kalavrita, Giorgos Dimopoulos lexon listën e emrave të gdhendur në një monument guri. Ai ndalon te një emër. “Dimitrios Dimopoulos. Babai im”, thotë ai. Pushon një copë herë dhe merr frymë thellë para se të vijojë me listën e 498 burrave.
Në këtë vend, më 13 dhjetor 1943, ndodhi një nga krimet më të rënda të Luftës së Dytë Botërore: masakrimi i të gjithë popullatës së meshkujve mbi 12 vjeç të një fshati.
Masakra qe një hakmarrje për vrasjen e ushtarëve gjermanë. Pothuajse çdo gjë në Kalavrita u dogj, me përjashtim të shkollës, ku gratë dhe fëmijët qenë mbyllur.
Shtatëdhjetë vjet më pas, ky është një nga shumë krimet e luftës për të cilat Greqia po kërkon kompensim nga Gjermania. Sot, ndërtesa e shkollës është bërë një muze, tregon ora xhepi dhe karta identiteti që u gjendën te trupat e viktimave.
Dimopoulos ecën brenda dhe jashtë, duke treguar detaje: dera pas të cilës ato u kyçën, vendet ku ushtarët gjermanë bënë rojë.
“Gjermania duhet të paguajë”
“Mbaj mend njerëzit që ulëritnin, qanin dhe luteshin brenda”, thotë 83-vjeçari ndërsa sytë i shkëlqejnë nga lotët. “Dielli u kthye i kuq nga zjarret. Çdo ditë, unë mbaj mend trupin pa jetë të babait tim, ndërsa nëna ime e tërhoqi atë nga kodra”.
Askush nuk ka marrë kompensim për dëmet nga Berlini. Presidenti i Gjermanisë vizitoi Kalavritën në vitin 2000 për të respektuar të vdekurit, por nuk kërkoi ndjesë zyrtarisht në mënyrë që të mos nxisë kauzën e reparacioneve. Por Dimopoulos është i vendosur.
“Gjermania duhet të paguajë për atë që ne vuajtëm”, thotë ai. “Por edhe pas kësaj ne nuk do t’i falim. Kur unë dëgjoj fjalën ‘gjerman’, mendoj menjëherë për djallin”.
Nazistët e pushtuan Greqinë në prill 1941. Rreth 250 mijë grekë vdiqën gjatë pushtimit, më së shumti nga uria. Dhe Gjermania detyroi Bankën e Greqisë t’i japë një hua për të mbuluar koston e pushtimit.
Një kompensim i kufizuar iu dha qeverisë së Greqisë kur përfundoi lufta – më së shumti në formën e makinerisë gjermane – por qe shumë më pak nga sa kërkonte Athina. Nazistët filluan ta ripaguajnë kredinë e pushtimit në këste të vogla, por e ndërprenë më 1945.
Fuqitë aleate ranë dakord që reparacionet duhet të rivlerësohen pas bashkimit të Gjermanisë – por kur kjo gjë ndodhi më 1990, Berlini argumentoi se çështja qe mbyllur.
Tashmë, qeveria e Greqisë ka hartuar një raport me 80 faqe për reparacionet dhe për ripagesën e kredisë. Ky dokument mbahet sekret, por bazuar në vlerësimet e mëparshme, Athina mund të jetë duke kërkuar plot 162 miliardë euro: 108 miliardë euro për infrastrukturën e shkatërruar dhe 54 miliardë euro për kredinë. Këshilli ligjor i shtetit po mendohet nëse do ta dorëzojë kërkesën në Berlin apo jo.
Por problemi është i qartë: Armiku i kohës së luftës tashmë është paguesi i përgjithshëm i Greqisë. Gjermania ka dhënë pjesën më të madhe të fondeve të shpëtimit të Greqisë dhe shumë parashikojnë se pas zgjedhjeve të Gjermanisë këtë vit, Berlini mund të miratojë një falje të re borxhesh për Athinën. Çmimi për t’u paguar kanë qenë masat dërrmuese të kursimit.
Kur Kancelarja Angela Merkel vizitoi Athinën në tetor, dhjetëra mijëra protestues dolën në rrugë. Disa kishin uniforma naziste dhe ankoheshin për atë që e quanin “pushtim ekonomik”. Dhe kështu presioni publik për të ndjekur çështjen e reparacioneve po rritet. Por për qeverinë, kjo është një zgjedhje delikate: asaj mund t’i duhet të kafshojë dorën që e ushqen dhe të dëmtojë një marrëdhënie sakaq të dobët. Adonis Georgiadis, një deputet i partisë “Nea Demokratia” në pushtet, thotë se çështja duhet të ndiqet. “Ne duhet t’u përgjigjemi shumë politikanëve gjermanë që thonë se grekët janë dembelë se se po marrin paratë e tyre”, thotë ai.
“Ne duhet t’u themi atyre qartë: ju po na jepni kredi dhe ne do t’i paguajmë ato, por duhet të mbani mend se ju na detyroheni gjithë këto para që ne nuk jua kemi kërkuar për shumë dekada”.
 memoriali

Lidhje të tensionuara

Por për Gjermaninë, çështja është e mbyllur. Ministri i Financave të këtij vendi Wolfgang Schaeuble, me zemërim e hodhi poshtë raportin duke i kërkuar Greqisë të mendojë më shumë për të ndjekur rrugën e kursimeve.
Berlini pagoi 115 milionë marka tek Athina në vitin 1960 – në atë kohë rreth 70 milionë dollarë. Kjo qe një pjesë e vockël e asaj që pati kërkuar Greqia, por u bë me një marrëveshje ku thuhej se nuk do të kishte pretendime të mëtejshme.
Fol me Philipp Missfelder, zëdhënësi për çështjet e jashtme në Partinë Kristiandemokrate të Angela Merkel dhe mund të kuptosh se çështja e reparacioneve sakaq i ka dëmtuar marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Pse Greqia nuk u përpoq ta negocionte këtë çështje kur ata hynë në Eurozonë duke mashtruar Bashkimin Europian dhe Bankën Qendrore Europiane?” pyet ai duke iu referuar vitit 2001, kur vendi u bashkua me euron duke falsifikuar shifrat e deficitit buxhetor. “Ne nuk mund ta kuptojmë se çfarë po bën qeveria e Greqisë”, shtoi ai.
“Gjermania dhe veçanërisht taksapaguesit gjermanë po tregojnë solidaritet me situatën e vështirë në Greqi dhe në fund ata na dërgojnë ne një faturë për diçka shumë të largët në historinë tonë dhe që është zgjidhur përfundimisht”.
Në kishën e vjetër në Kalavrita, ora ka ndaluar në 2 e 34 minuta, koha kur ndërtesës iu vu zjarri në atë ditë fatkeqe. Shtatëdhjetë vjet më pas, Greqia dhe Gjermania janë aleatë europianë. Por çështja e reparacioneve qëndron sërish mes tyre dhe për shumë këtu kujtimet e të shkuarës tragjike nuk janë shuar ende.