Rënia e funksionales

ARS POETICA

(Një vështrim tjetër i poezisë shqipe) 

Dr. GAZMEND KRASNIQI


1. Një poet që, në pamje të parë, mund të duket jashtë rrjedhave, është edhe Frederik Rreshpja. Ky mendim krijohet duke parë botimet e dy dekadave të fundit, mirëpo, po t’u hedhësh një sy librave të rinisë së tij, kuptohet se sa e rëndësishme ka qenë për këtë poet krijimtaria poetike e Ismail Kadaresë, edhe pse tregonte një talent të veçantë në shumë drejtime. Duhet thënë se shumë motive dhe qasje ndaj tyre të kujtojnë poezitë dhe qasjet poetike të atij që shihej si poeti më i suksesshëm i kohës. Në mendimin zyrtar të viteve ’60-të, kohë kur u shfaq së pari poeti Rreshpja, suksesi shihej te tematika, diçka që ilustrohet me emrat e Llazar Siliqit, Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Fatos Arapit etj. Si poet i ri që kërkon suksesin, Rreshpja bëhet pjesë e këtij modeli, duke ia arritur qëllimit që i kishte vënë vetes, sepse poema “Topi fushor” hyn në antologjinë më të rëndësishme zyrtare të kohës, pa botuar më parë ndonjë përmbledhje poezish më vete.
Frederik Rreshpja
Frederik Rreshpja

Në përmbledhjen e parë (1968), këtë “haraç” do ta gjejmë te poezitë e poemat për partizanin, heronjtë e punës socialiste, aksionistët, lapidarët, ushtarët e revolucionit, ndërsa në përmbledhjen e dytë (1973) do ta gjejmë te poezitë e poemat për komisarin, hidrocentralet, 8 Nëntorin, 1 Majin etj., gjithmonë duke pasur parasysh se, me anën e realizmit socialist, poezia shqipe po njihte ndikimet futuriste dhe postfuturiste, sidomos nga ndikimi majakovskian. Titujt e përmendur tregojnë se përfaqësojnë tematikën tipike të poezisë së kohës, por, gjithashtu, edhe formën shkrimore.
Megjithatë, edhe kjo periudhë e krijimtarisë, përshkohet nga kontradikta midis talentit të mirëfilltë poetik dhe sloganizmit të diktuar ideologjik. Vetëm kur shmangim shtresat soc-realiste të këtyre dy vëllimeve të para poetike, ndodhemi përpara zbulimit të Reshpjes si poet që u qëndron kohëve. Shohim se në disa fragmente poemash e poezish, ku u ikën temave të imponuara, duke ndërtuar zërin unik të poetit, pamjet e thjeshta të sendeve të ngrihen deri në simbole, prej nga bëjnë të dukshme e të prekshme forma të tjera më të fshehura e më të përkryera: një ndjesi që bëhet mbizotëruese në periudhën e dytë të krijimtarisë, ku duhet të flasim me një gjuhë tjetër, sepse tashmë jemi çliruar nga kompleksi tematik.
Por le të rrimë edhe pak në kohën për të cilën po flisnim. Në një shkrim redaksional të revistës “Nëntori”, të vitit 1973, me titull “Probleme të poezisë sonë” dhe nëntitull “Kundër ndikimeve të huaja në poezi”, ku flitet për një diskutim krijues të marsit të atij viti në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë, gjejmë edhe këto rreshta – “Rendja pas figurave e ka çuar ndonjë poet gjer atje sa të spostojë mendimin dhe të nxjerrë figurën në plan të parë. Kjo e bën poezinë të tingëllojë krejt formaliste. Ja një shembull i tillë: Mane të varrosën në muzg/ Kali yt që u bë vjeshtë/ Hëngri gjelbërimin e pyllit/ Dhe befas u bë dimër”.
Poezia në fjalë mbyll periudhën e parë të kësaj krijimtarie dhe shërben si hallkë lidhëse për atë që do të ringjallet pas 17 vjetësh, në kohën e quajtur të demokracisë, sepse për gjithë këtë periudhë kohore poetit do t’i privohet liria dhe e drejta e botimit nga regjimi i kohës. Kjo pikë e zgjedhur na shërben për të parë se, paradoksalisht, këto dy periudha krijimtarie do të kenë si dallime, ashtu edhe të përbashkëta po aq të mëdha. Pra, vetëm vitet ‘90-të dhanë atë liri që i shërbeu gjetjes së zërit të mirëfilltë të poetit, krijimtarisë që ngjizet në bazë të ligjësive të brendshme, pa ndikim nga jashtë.
Ndryshe nga krijuesit e tjerë të brezit të vet, Frederik Rreshpjen e karakterizon pakënaqësia nga efektet e lehta e zgjidhjet gjysmake, për hir të një vepre serioze dhe të mundit e të djersës që kërkon ajo. Shohim se, për këtë poet, si për çdo poet të mirë, i vetmi realitet është ligjërimi, ku, ashtu siç do të thoshte Elioti, nuk duhet të kërkojmë personalitetin e poetit-njeri, pasi ligjërimi është vetëdija e tij, por pa të. Në këtë ligjërim që poetit i kushton jetën, fjala gjithnjë e më shumë vjen e vepron si një fuqi e fshehtë, i bën sendet të pranishme jashtë ekzistencës së tyre reale, të njohur. Ligjërimi formëson lojën e vet pa njeriun që e ngriti atë, duke na kujtuar vazhdimisht zbatimin e teorive letrare moderne, sepse një letërsi e tillë, qysh nga përcaktimi i saj, krejt ndryshe nga mendimi kritik zyrtar që ka mbizotëruar shumë dekada në Shqipëri, kërkon një lexues të ri.
Sot njohësi i poezisë ndërgjegjësohet se ligjërimi poetik është strukturë e një kompleksiteti të madh – është gjuhë më e ndërlikuar se ajo natyrale, pasi, nëse mundësia e transmetimit të një informacioni në gjuhën e zakonshme njeh kufij, kjo s’mund të thuhet për ligjërimin artistik rreshpian: aty i njëjti informacion mund të njohë shumë mënyra transmetimi. Gjatë ritregimit të një poezie me gjuhën e zakonshme – siç ka ndodhur përgjithësisht në studimet tona apo në librat që kanë formuar breza të tërë – ne do të kryenim shkatërrimin e strukturës së saj, duke çuar kështu te lexuesi një volum informacioni tërësisht të ndryshëm nga çfarë parakupton vetë kjo poezi, sepse metoda që merret me interpretimin e ide – përmbajtjes së veprës dhe ajo që merret me tiparet artistike të tekstit, këtu ndahen.
Kjo poezi nuk është zbukurim apo përshkrim i thjeshtë i realitetit, por krijim i një qenieje poetike që shkon deri në simulakër, ikje nga çdo mimesis aristotelian. Duke iu bindur disiplinës së thelbit të saj verbal, ajo zotëron një pushtet emërtues, por shenjat e saj mbështjellin me një ndjeshmëri të mistershme. Poezia e Frederikut shpjegohet si vetëdije e shpirtit të fëminisë dhe pasioneve të saj, sepse përcaktimi thelbësor që i bëhet kësaj poezie është: ligjërimi i imazheve të kësaj fëminie. Përmes fjalëve të poezisë ndodh çlirimi i tensionit të organizuar të fjalëve. Poezia vjen nga bashkëshoqërimi i ideve dhe ngjyrimeve që nxisin fjalët përmes kujtimeve, emocioneve dhe dëshirave. Për t’u shprehur, poeti përdor sendet që e rrethojnë, imazhet e ëndrrave dhe objektet e ëndrrave të veta.
Me Frederikun kemi të bëjmë me atë lloj poeti për të cilin poezia është brenda vetes dhe nuk ka nevojë të kërkohet larg. Si poet ai ka në dispozicion fjalët, por i shtyn ato në punë ndryshe nga njerëzit e tjerë, kur kanë nevojë për to. Janë të njëjtat fjalë, por jo të njëjtat mënyra e vlera përdorimi. Kështu, poezitë e tij marrin një pafundësi kuptimesh të mundshme, pasi në thelb ato janë një muzikë shenjash të shumëllojta, e cila mund të kundrohet si një kaleidoskop. Në këtë poezi, raporti i metrikës tradicionale dhe i përpjekjes për krijimin e formave të reja të studimit të vargut është raporti mes retorikës silabike dhe stilistikës së re, mirëpo teoria e re mbi vargun krijohet në bazë të vjershërimit të vjetër, madje edhe atëherë kur i kundërvihet.
 poezia1
Konstatojmë se Rreshpja mbetet mbase i vetmi poet i brezit të tij që nuk ka tentuar asnjëherë për të ribotuar në vitet ‘90-të pjesën e parë të krijimtarisë së tij, por nga krahasimi i teknikave të realizimit të vargut shihet se ajo periudhë e krijimtarisë i ka shërbyer si “fletore ushtrimesh”, duke çuar përpara cilësitë e veta më të mira në këtë drejtim. Ai të kujton Kavafin, si poet që në një moment pjekurie kap thelbin e asaj që duhet të jetë krijimtaria e tij e ardhme. Më tej, të kujton Malarmenë, si poet që nuk i lejon vetes asgjë të rastësishme, sado e bukur qoftë ajo, sepse çdo gjë duhet të mbizotërohet deri në fund.
Ndryshe nga ç’kishte qenë moda e shekullit XX, ai i përket klasës së poetëve që kërkojnë ta mbyllin jetën e vet në një libër. (Gjatë këtyre viteve i botohen mbi dy – tre vëllime, por ato mund të shihen si variante të të njëjtit libër, të cilat mbartin dhe transmetojnë zejen gjithnjë e më fine të një poeti të karakterizuar nga pakënaqësia e përjetshme për punën e vet.). Nga periudha e parë e krijimtarisë, megjithëse tingëllon cinike, ai mbart vetëm strofën e lartpërmendur, ku u cilësua si “formalist”, e cila nuk qe përfshirë nga dy librat e parë, por qe e botuar në një revistë kulturore të kohës. Këto vargje, që përcaktojnë gjithë kuturisjen e ardhshme poetike, na ndihmojnë të kuptojmë se bërthama e tematikës dhe e teknikës së ardhme i ka rrënjët te periudha e parë, që u ndërpre në mënyrë të dhunshme nga mosnjohja dhe mosdashja e poezisë së vërtetë, duke na dhënë disa ide të qarta për krijimin në liri dhe jo-liri. Nga ana tjetër, këto vargje na kujtojnë se sa e rëndësishme qe për këtë poet krijimtaria popullore. Ato japin disa prej veçorive që ka përdorur ky poet në raport me krijimtarinë e popullit.
Këto veçori mund t’i rendisim në:
-          apostrofimet e shpeshta: Mane të varrosën në muzg/ Kali yt që u bë vjeshtë
-          rimat s’kanë rëndësi (ato mund të jenë të rastit):
në rastin konkret, duke pasur parasysh një strofë klasike katërshe, nuk rimojnë as muzg me pyllit, as vjeshtë me dimër, megjithatë ne as që ndiejmë ndonjë mungesë
-          metrika s’ka shtrëngesë:
vargu i parë ka 9 rrokje, vargu i dytë ka 8 rrokje, vargu i tretë ka 9 rrokje, ndërsa vargu i katërt ka 7 rrokje
-          nënlloji i baladës:
poezia ka tipologjinë e këtij nënlloji poetik
-           karakteri i gjamës:
poezia përcjell jehonat e largëta, por të përpunuara të kësaj pjese të krijimtarisë popullore, një shembull të së cilës po e citojmë: I mjeri u, mik e ma i miri mik, i mjeri!/ Kur t’nisesh me dalë prej ksaj shpi,/ Lamtumirë thuej, mal e vrri,/ Lamtumirë, shokë e miqsi
-          mbështetja në krijimtarinë popullore dhe përpunimi mjeshtëror:
poezia na kujton një krijim popullor, por që tejkalohet në sajë të mjeshtërisë së një poeti modern, i cili e ka vetëm si bazë motivin e caktuar popullor
-          shfrytëzimi i elementeve piktorike përpara atyre tingëllore:
duke përdorur gjuhën kritike të Kutelit, do të thoshim se poezia e Rreshpjes është më tepër një poezi e syrit sesa e veshit, një premisë më tepër për të përforcuar idenë e raporteve të saj me folklorin shqiptar.


2.
Mirëpo, nga ana tjetër, poezia e Rreshpjes dominohet nga metafora, e cila, siç thotë Pipa, kur flet për Migjenin, nuk është karakteristikë e poezisë shqipe, sepse në “poezinë shqipe zakonisht është shpjeguese dhe ilustrative, e afërt me krahasimin. Shqiptarët që priren të jenë realistë dhe praktikë, anojnë kah një stil diskursiv, pa kalime të dhunshme apo kontraste të thella…”
Rreshpja pëlqen metaforën paralogjike. Shikon tek ajo fuqinë e njeriut, duke na kujtuar fjalët e Ortega Y Gasset se ajo “afrohet me magjinë dhe, si instrument i krijimit, është harruar prej Zotit në brendësinë e krijesave të veta…”
Pas metaforave që përdor Rreshpja kemi humbjen e botës objektive, por bota e “krijuar” prej tyre tregon fuqinë e fituar, duke marrë kujtimin e një pasqyre vërtet të veçantë të saj. Na vjen ndërmend koncepti bodlerian se e çrregullta, domethënë e papritura, e befta, habia, përbën një element thelbësor të së bukurës.
Duke shkuar përtej poetëve barokë, ku bashkohen më anë të arsyes dy elemente të pavarura, shumë shpesh ai u heq pavarësinë edhe elementeve që bashkon, duke krijuar një element të tretë, diçka që është vetë simulakra bodrilariane. Me anë të një procesi të thjeshtë gjuhësor, metafora ngrihet në nivelin më të lartë të ndërlikueshmërisë poetike. Te Rreshpja ajo na shfaqet si:
a)  brenda një shoqërimi fjalësh njëra humbet kuptimin e zakonshëm dhe përdorimi i ri fiton një informacion më të madh kulturor, si në format – folklori i zogjve; itakat e legjendave; shtëpia e gjetheve
b)  animizim i natyrës (metaforë folje), si në format – fshihet era në legjendë; hëna vizaton; shqetësohet zogu i pritjes; flenë stinët;
vallëzon mermeri i legjendave
c)  krahasim që bëhet në mendjen tonë, përtej krahasimit të zakonshëm, si në format – reja gri si mall i harruar; dëbora si një perëndi ilire
ç) metaforë epitet (epitet metaforik), si në format – druri i trishtuar; dëbora e thinjur; hëna e pikëlluar
d)  nga kuptimi i ngjashmërisë, si në format – unë kam qenë trishtimi i botës; një mjegull quhet akuarel i lëvizshëm
Kemi edhe disa cilësi të tjera të poetikës manieriste dhe baroke te ky poet, ku rreshtojmë:
a)  katakrezë – mermeri i thyer i Perëndisë së Humbjes; kënga e artë e lamtumirës
Epitetet i thyer, e artë rigjallërojnë disa forma që po shkojnë drejt gjuhës së folur.
b)  oksimoron – o e verbra madhështore; o fat budalla; një kalë i vdekur vrapon nëpër shpat; rri sonte tek unë/ sa të bëhen trëndafilat e drurëve të vdekur;
Është e qartë për të gjithë se bashkimi i veçantë i fjalëve ka shmangur kuptimin e njohur të dy elementeve që përplasen, pasi logjika nuk e pranon të vrapojë një kalë i vdekur.
c)  Sinestezia – Megjithatë e di: erdhi një trëndafil me shall/ Dhe ishte një vajzë që çeli gjethe te porta… Shohim të priten dy rrafshe ndjesore, të cilat e nxjerrin lexuesin nga një ndjeshmëri e zakonshme. Ngatërrimi i sferave të ndijimit bëhet qëllim estetik i poezisë.
Duhet të theksojmë se, edhe pse të kujton poetikat manieriste e baroke, kjo poezi ruan vlerën e modernitetit që në letërsinë perëndimore ka filluar me pohimin e fuqisë interpretuese të gjuhës në poezi (Poe, Hopkins, Mallarmé), kur ajo fiton domethënie e përmasa të reja në shtratin e poezisë bashkëkohore.
poezia

Related Posts: