Home »
» Rama: Universitetet private, si piramidat e Sudes. Sot edhe kamarierët i ke me master
Rama: Universitetet private, si piramidat e Sudes. Sot edhe kamarierët i ke me master
Kryesocialisti Edi Rama ka zhvilluar një bisedë me banorët e Fushës së Aviacionit në Tiranë gjatë paradites së sotme. Ai është ndalur gjatë tek punësimi i të rinjve, duke thënë se qeveria ka vepruar gabim me ta. Sipas Ramës, Berisha ka krijuar një piramidë me universitetet private, pasojat e të cilave do të ndihen në të ardhmen.
“Punësimi i të rinjve është plaga më e madhe, sepse është njësoj me piramidat e Sudes, kur njerëzit duke ndenjur në shtëpi, prisnin paratë. Sot kemi shumë të diplomuar, por zanate asnjë, se janë të gjithë me universitet dhe ëndërrojnë të bëhen kamarierë. Futuni në kafene dhe i keni tërë kamarierët me master. Sepse ka ndodhur nëj deformim i madh i marrëdhënieve ndërmjet shkollës dhe punës. Të rinjve ne do t’u japim dy rrugë: universitet ose zanat. Me zanatin mëson si të fitosh lekë nëpërmjet punës. Kurse kështu të tërë pa punë e me lloto, të rinjtë i gjëmojnë pas Mesit, se ndryshe nuk bëhen, nuk dalin lekët. Kurse përsa i përket atyre që e kanë përfunduar universitetin, sigurisht që ka disa rrugë, duke u dhënë mundësi më të aftëve që të punësohen në sektorin publik, biznesit që të punësojë, por dëmi i madh është bërë, një dëm kolosal” tha Rama.
Ai është ndaluar sërish tek legalizimet, duke thënë se këtë proces do ta drejtojë vetë, në rast se PS vjen në pushtet.
“Çështja e legalizimive është një çështje kyçe në jetën e qyteteve të mëdha dhe në të gjitha zonat e Tiranës. Dhe kjo nuk është vetëm çështja e marrjes në dorë të një letre, pasi unë besoj se është një çështje e lidhur me ekonominë tonë kombëtare. Si ka mundësi që nga njëra anë të ndërtosh shtëpi dhe nga ana tjetër të mos kesh bukë? Kjo, pasi të ardhurat e akumuluara nga kursimet janë hedhur tek ajo shtëpi, mirëpo shtëpia nuk është vetëm strehë, por edhe kapital dhe sot ky kapital është i vdekur, ndërkohë që legalizimi që këtë proces e bën aktiv, pasi duke legalizuar shtëpinë dhe duke e kthyer në titull pronësie, jo siç janë ato letra që ka dhënë Saliu, legalizimi e vë në lëvizje kapitalin që është shtëpia, pasi shkon në bankë dhe kërkon kredi për të hapur një biznes apo të mbjellë drurë frutore dhe të marrë të ardhura. Kështu dilet nga varfëria dhe papunësia del nga qorrsokaku nga fakti që ky kapital që e mban të vdekur vihet në punë. Por, ky është edhe kapital kombëtar, pasi duke i vënë në lëvizje, ato kthehen në të ardhura për shtetin” tha Rama./b.l