Njeriu është Kafshë Politike, Zoon Politikon. Ky është përkthimi më i
saktë i këtij termi që filozofi i lashtë Aristotel (384 para e.r. – 322
para e.r.) e përdori në veprën e tij “Politika”, për ta dalluar njeriun
e qytetëruar nga kafshët që jetojnë në tufa dhe vërtet kanë një
organizim “social” në dukje nganjëherë të përsosur, si delet, bletët
etj., por ato nuk bashkëjetojnë në sajë të një diturie dhe të rregullave
që i caktojnë vetë, por mbi bazën e një instinkti të trashëgueshëm dhe
bëjnë përjetësisht në mënyrë të përsosur të njëjtën gjë sepse as dinë e
as munden të bëjnë ndryshe. Gjithashtu, me këtë shprehje ai e dallonte
dhe nga organizimi fisnor që bëhet sipas një kanuni të trashëguar,
thjesht duke zgjedhur një të parë. Shkurt, njeriu që biologjikisht është
kafshë, ndryshe nga frymorët e tjerë, është i pajisur me aftësinë për
të transmetuar eksperiencën dhe dijen me anë të Fjalës, Logos dhe për
t’i vendosur e përsosur vazhdimisht rregullat e organizimit dhe
bashkëjetesës qytetare, “bashkësi qytetare”, (koinônia politikç), që
është dhe thelbi i fjalës Politikë. Aristoteli kishte parasysh
demokracinë e lashtë direkte të Polisit athiniot, ku çdo qytetar i lirë
duhet të ishte politikan, pjesëmarrës në vendimet më të rëndësishme,
d.m.th. të ishte dhe qeveritar, dhe i qeverisur. Që nga ajo kohë
politika europiane ka ndryshuar shumë, aq më tepër duke u larguar nga
forma e saj direkte për të qenë në duart e më pak njerëzve që zgjidhen
nga komuniteti, duke qenë më të specializuar dhe më të ditur për ta
ushtruar politikën e qeverisjes, por duke e ruajtur thelbin e saj. Në
këtë kuptim, politikanët janë kafshë politike se kanë diturinë dhe
përvojën politike për të qeverisur, ndërsa ne jemi kafshë politike se
dimë të zgjedhim ata më të zotët dhe më të aftët.
Por Aristoteli nuk ka parashikuar që do të lindnin dikur në Shqipëri
disa njerëz që do ta bënin politikën jo me diturinë njerëzore, por me
instinktin e kafshës që e nuhat dhe ka aftësinë ta gjejë dhe të sulet
egërsisht mbi prenë e saj, siç sulen këta tanët mbi fondet publike. Se
duket qartë kjo: deri dje brekëgrisur e bythëdërrmuar dhe sot kanë jahte
e “ishuj” në bregdet. Në fakt, jo “ishuj” tamam, por gjire dhe gadishuj
si Kakomeja, Lalzi, Golemi etj., dhe kjo sepse Shqipëria është e varfër
me ishuj se po të kishte… nejse, shih kur t’i sulen edhe Sazanit dhe të
bëjnë vila e kazino… Këtë rrëmbim të pasurisë publike ata jo vetëm nuk e
fshehin, por përkundrazi, e ekspozojnë haptazi jo vetëm me shumat
kolosale që harxhojnë për propagandën elektorale, por edhe me jetën
perverse dhe harxhimet personale me të cilat kanë qejf të mburren dhe të
kreshpërohen. Me shembuj të këtij perversiteti të kafshës që
kreshpërohet gjithë mburrje se ka kapur ose rrëmbyer pjesën më të majme,
njeriu thjesht ndeshet kudo dhe kurdoherë, dhe shembuj ka shumë. Por
para do kohësh po lexoja kujtimet e Bushit të Ri, Decision Points, dhe
në kapitullin e parë, Quitting, Lënja, kur përshkuan se si hoqi dorë nga
alkooli, më bëri përshtypje kur tregonte se si ai dhe bashkëshortja e
tij, Laura, bashkë me një çift tjetër, kishin festuar jubileun e
40-vjetorit që u binte të katërve në një ditë, në një restorant “luksoz”
ku kishin ftuar të vëllanë dhe nja dy miq intimë të fëmijërisë dhe
krejt rastësisht për ne, si për ta krahasuar me festat private dhe
“madhështore” të politikanëve tanë dhe me perversitetin kafshëror të
tyre, ai thotë: “…Darka zyrtare e ditëlindjes u bë të shtunën në
mbrëmje. Ne patëm një vakt të bollshëm, të shoqëruar nga një numër
shishesh vere (vere) gjashtëdhjetë dollarëshe të Sillver Oak Wine…”.
Milioner nuk dihet se prej sa brezash, dhe m’u fiksua ky episod sepse
një natë më parë kisha parë nja dy politikanë shqiptarë në një lokal në
mes të Tiranës kur porositnin apostafat me zë të lartë shishe vere 200
euroshe. Sigurisht, kanë të drejtë të krekosen e të mburren me mënyrën
se si i fitojnë ato para.
Një tjetër cilësi që i afron me kafshët politikanët tanë është ruajtja e
territorit ku egërsisht nuk lejohet të hyjë në pjesë kush për pa qenë
militant i përunjur e bindur i tufëzave të tyre partiake. Por u duhet ta
ruajnë prenë e pushtetit fitimprurës jo vetëm brenda llojit, por edhe
nga tufëzat e tjera që tentojnë t’ua marrin atë. Kjo shpjegon se si
rivaliteti midis partive në këtë prag zgjedhor është i ashpër dhe i
paprinciptë, siç po aq të paprincipta kompromiset midis tyre. Se,
ndryshe nga bota e kafshëve që edhe mund edhe ta shmangin luftën e
ndeshjen duke gjuajtur secila gjahun e vet dhe në territor të vet, për
politikanët tanë territori është vetëm një, por edhe preja është vetëm
një, pasuria kombëtare. Mund të vazhdonim pa fund krahasimet për të
thënë që Aristoteli nuk mund të parashikonte që do të lindnin ca njerëz
që nuk do të ishin kafshë politike, por politikanë të kafshëruar që do
ta kthenin dijen njerëzore shekullore të politikës në një mjeshtëri
grabitqare kafshërore jo për të qeverisur, polisin, bashkësinë,
komunitetin a kombin, por për të marrë për pjesën më të majme të
pasurive publike duke e lënë tufëzën në limitet e mbijetesës…. Dhe shumë
të zijosur janë si ujkonja të këqija që sa më shumë shqyejnë dhe hanë,
aq më shumë u shtohet lakmia dhe nuk ngopen kurrë. Dhe kështu që
politika në Shqipëri, në vend që sipas Aristotelit të ishte cilësia
kryesore që e dallon njeriun nga kafsha, për shkak të korrupsionit dhe
vjedhjes ditën për diell të pasurisë publike, po e afron politikën me
jetën dhe instinktet shtazarake duke na ndihmuar dhe të gjemë një bollëk
krahasimesh e metaforash politiko-zoologjike, jo vetëm me ujkonjë.
I pari që përdori krahasime e metafora zoo-politike ka qenë Makiaveli që
në veprën e tij tashmë të famshme “Princi” (1513), tha se princi duhet
të jetë si dhelpra, ta ruajë pushtetin dhe vendin me zgjuarsi e
dinakëri: si luani që ta mbrojë me force e dinjitet dhe si centaurët,
qenie mitologjike gjysmë kuaj e gjysmë njerëz, që të qeverisin me
diturinë e virtytin njerëzor, por edhe me shpejtësinë e muskujt e kalit.
Krahasime të tilla nuk u shkojnë këtyre tanëve se në kanë dinakërinë e
djallëzinë e dhelprës, nuk kanë zgjuarsinë e saj, se sa për luanë e
centaurë as që bëhet fjalë. I vetmi instinkt e ngjashmëri qartësisht e
dallueshme midis tyre dhe botës shtazore është ai i raptorit, i specieve
të zogjve grabitqarë shqiponja, skifterë, qifte, orla dhe të tjerë që
jetojnë me kërmat dhe llokmat që u lënë këto sorra e korba, kanë krijuar
grupimet e tyre dhe ndërsa njëra palë sa më shumë e sulmojnë t’ia
marrin, aq me tërbim e shqyen prenë që mund t’ia rrëmbejnë, aq më tepër
me epsh luftarak e sulmon pala tjetër dhe kërcënojnë njëra-tjetrën me
klithma e përplasje krahësh me kreshpërime e puplafryrje në tokë e në
ajër. Dhe kështu e maskojnë këtë instinkt grabitqar të lojës për pushtet
fitimprurës me zhurma leshrash e veshrash, me kuadratura demokratike
kompromisesh e aleancash. Ndërkaq, procesi zgjedhor është shkatërruar e
demotivuar dhe presë dalëngadalë po i ngel vetëm skeleti.





