PJESA E KATËRT NISJA E KARRIERËS SI GAZETAR I REGJIMIT KOMUNIST DHE SHKRIMTAR I REALIZMIT SOCIALIST

PJESA E KATËRT NISJA E KARRIERËS SI GAZETAR I REGJIMIT KOMUNIST DHE SHKRIMTAR I REALIZMIT SOCIALIST:


22.
Pse Fevziu i ka mohuar botimet e tij tek Gazeta “Studenti”

      Në intervistën që Fevziu dha për Ilva Tare në emisionin “Tonight” të kësaj të fundit, në RTV Ora News, në 20 dhjetor 2011, ai, duke rrëfyer eksperiencën e tij të parë si gazetar në gazetën “Studenti”, në kohën që ishte student në Universitetin e Tiranës, tha:
      Shumë miq me të cilët unë jetoja në fakultet nuk ishin njerëz që lexonin gazetën “Zëri i Popullit” apo “Bashkimi”, por lexonin gazetën “Drita” dhe “Zëri i Rinisë”, faqen letrare. Shumë miq me të cilët unë jetoja në fakultet nuk ishin njerëz që lexonin gazetën “Zëri i Popullit” apo “Bashkimi”, por lexonin gazetën “Drita” dhe “Zëri i Rinisë”, faqen letrare. Pra, ishin njerëz të lidhur me letërsinë. Që në gjimnaz unë mendoja se do të bëhesha shkrimtar. Letërsia ishte ëndrra e madhe e imja dhe e miqve, me të cilët jetoja dhe diku në vitin e dytë të fakultetit ishte një gazetë me emrin “Studenti”, që botohej nga Universiteti i Tiranës, ishte dhe më e lirshme se në atë kohë kontrollet nuk ishin dhe aq evidente. E drejtonte Arben Muka një student i Ekonomikut. Kryeredaktori i kësaj gazete na ftoi të shkruanim disa përgjigje për disa tregime që çonin studentët në atë kohë, midis të cilëve çoja dhe unë dhe nuk m’ i botonin.     
      Ilva Tare: Pse nuk t’ i botonin?
      Blendi Fevziu: Nuk e di, tregimeve të mia ju ktheu përgjigje Mero Baze, kurse unë duhet të ktheja përgjigje për disa tregime të dikujt tjetër, më duket të Thoma Gëllçit. Unë refuzova të jepja këto përgjigje dhe vendosa të shkruaja për një vepër të Bardhyl Londos, një vëllim me poezi shumë interesant. E shkruajta, u pëlqye, Arben Muka më tha mund të vish të na bësh edhe ndonjë gjë tjetër. Isha nga nxënësit shumë të mirë në letërsi, por pak problematik në sjelljen e përditshme me profesorët. Me Ben Blushin po mendonim të bënim diçka ndryshe nga të tjerët që të dallohej në gazetë. Është ajo koha kur njeriu ka një ëndërr dhe mund ta ndërrojë botën kollaj dhe ideja e parë ishte të bënim një intervistë me shkrimtarë, dhe thamë do t’ i bëjmë pyetjet ndryshe, provokuese, do të pyesim për jetën private etj. Ia thamë Mukës, por tha ku ka shkrimtar që të japë intervistë për gazetën “Studenti”. E nisëm me Nasi Lerën, një emër shumë i njohur në atë kohë, ishte sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe befas për një vit e gjysmë kemi intervistuar pothuajse të gjithë shkrimtarët e Shqipërisë në disa intervista shumë interesante.Unë ruaj ende bllokun origjinal të pyetjeve të para që kam bërë.Ka qenë një bllok, fletore gjashtëdhjetëlekëshe quhej, ku shkruaja të gjitha pyetjet për të nxjerrë shtatë pyetje. Kishim menduar me qindra pyetje për të arritur deri aty. Janë me shkrimin tim dhe të Blushit. I bënim bashkë pra Ben Blushi dhe Blendi Fevziu madje dhe emrat i vinim një herë ai dhe një herë unë sipër, kur intervistonim.
      Blendi Fevziu këtu ka rrëfyer një përrallë të cilën mund ta besojnë vetëm ata që nuk e  njohin kohën për të cilën flet ai. Së pari, gazeta “Studenti” nuk ka qenë gazetë e Universitetit të Tiranës, siç thotë Fevziu lirshëm, por emërtimi formal i saj ishte: organ i Komitetit të Rinisë së Universitetit të Tiranës. Kjo do të thoshte se gazeta kontrollohej nga Komiteti i Rinisë i Universitetit, i cili ishte nën mbikqyrjen dhe kontrollin e Komitetit të Partisë të Universitetit të Tiranës. Kontrolli konsistonte para se gjithash në atë se cilët emra do të botonin në gazetë, dhe kujdesi kryesor ishte që ata të qenë “me përbërje të mirë politike”, siç thuhej, domethënë të mos qenë me origjinë nga familje të deklasuara. Të tillë lejoheshin vetëm me leje të veçantë nga zyrat e posaçme të regjimit. Gjatë viteve që Blendi Fevziu ka qenë student nuk ka ndodhur që të ketë botuar në këtë gazetë një njeri me biografinë politike të Fevziut, madje edhe me biografi më pak të keqe politikisht për regjimin se ajo e Fevziut. Ky i fundit ka qenë një rast unik, si emër që botonte tek gazeta “Studenti”, duke konsideruar biografinë politike familjare që kishte.
      Arben Muka, për të cilin flet Blendi Fevziu, nuk ishte student në kohën që ishte kryeredaktor, por gazetar profesionist. Arben Muka kishte diplomuar për ekonomi në Universitetin e Tiranës në 1987 dhe u emërua kryeredaktor i gazetës “Studenti” disa muaj pas diplomimit, në janar 1988.[i] Ndonëse Arben Muka nuk ishte një nga fanatikët e regjimit komunist, por një i ri me natyrë liberale, megjithatë ai nuk do të qe në gjendje të zbuste kaq shumë luftën e klasave sa të botonte në gazetë një njeri me biografinë e Fevziut. Edhe nëse do të donte Arben Muka të tregohej liberal, siç thuhej në atë kohë, përsëri do të ishte Sekretari i Komitetit të Rinisë së Universitetit ai që nuk do ta lejonte.
      Sekretari i Komitetit të Rinisë së Universitetit të Tiranës në atë kohë ka qenë një nga figurat më të zeza të burokracisë së regjimit komunist për rininë, Kosta Barjaba, i mbiquajtur “Korçaginaqisi”, sipas emrit të personazhit kryesor të romanit sovjetik “Si u kalit celiku”, militantit bolshevik Pavël Korçagin. Për shkak të origjinës minoritare greke, të Kostës, emri “Korçagin” ishte shndërruar në “Korçaginaqis”. Kur Kosta donte t’ i bënte kompliment ndonjë të riu, e quante “Korçagin”, e kur ai ishte minoritar grek, ndonjëherë i thote “Korçaginaqis”. Se ky Kosta Barjaba ka lindur në fshatin Sopik të Sarandës, dhe është minoritar grek. Fakti që Barjaba ishte minoritar grek (është ende) nuk do të kishte a priori asgjë të keqe, por ai, duke qenë se kishte lindur në fshat dhe pas diplomimit në universitet për filozofi, e mbajtën me punë në kryeqytet, mendoi se mënyra më e mirë për të ruajtur vendin e punës dhe për të bërë karrierë ishte që të tregohej rigoroz ideologjikisht dhe të mos bënte lëshime në luftën e klasave. Natyrisht se kujdesi i parë duhej treguar për të mos e zbutur luftën e klasave përtej kufirit të moderuar të zbutjes që kishte bërë regjimi gjatë gjysmës së dytë të viteve tetëdhjetë. Ndonëse në gjysmën e dytë të viteve tetëdhjetë shtrëngimi i regjimit ishte duke u liruar paksa, Kosta mendonte se më mirë ishte që edhe lëshimi më i vogël në këtë frymë të bëhej nga të tjerët, me urdhër të Komitetit të Partisë së Universitetit, ku drejtonte një tjetër burokrat i famshëm partiak, Ilia Kongo. Si Kongo, ashtu dhe Barjaba, qenë zyrtarë me rrogë, çka do të thoshte se paguheshin, madje paguheshin mirë sipas standardeve të kohës, që të vigjëlonin mbi biografitë e pedagogëve dhe studentëve, posaçërisht të atyre që botonin në shtyp, në gazeta dhe revista. Kosta Barjaba e shikonte gazetën “Studenti” si një “minë” e cila rrezikonte t’ i shpërthente në çdo moment në rrugën e karrierës së tij, kështu që ai praktikisht e kishte dubluar kryeredaktorin duke e parë me lupë gazetën, se mos botohej diçka që do të bëhej shkak që ai të kritikohej. Kosta Barjaba kishte si model Sekretarin e Komitetit të Partisë së Universitetit të Tiranës, Ilia Kongo, një aparatçik, emrin e të cilit Spartak Ngjela, në librin e tij “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, e përfshin në atë grup aparatçikësh që i quan si:
      Njëri më i zi se tjetri, inkuizitorë të shkallës së lartë.[ii]
      Ilia Kongo vigjëlonte veçanërisht mbi gazetën “Studenti”, një pasion ky që i kishte mbetur që nga koha kur punonte në Komitetin e Rinisë. Për ndalimin e botimit të tregimeve të tij në gazetën “Studenti”Fevziu rrëfen vetëm gjysmën e së vërtetës. Është e vërtetë se atij fillimisht nuk iu botuan tregimet që i dërgoi redaksisë. Në vjeshtën e vitit 1987, kur ishte në vitin e parë të studimeve universitare, Fevziu shkoi në redaksinë e gazetës “Studenti” dhe paraqiti për botim disa tregime. Për fatin e keq të Blendit, Kosta Barjaba gjendej në zyrat e redaksisë, dhe i bëri përshtypje se Blendi kishte veshur pantallona bluxhins, këpucë atletike perëndimore, dhe mbante syze dielli elegante amerikane. Kosta e pyeti se nga i vinin këto veshje. Blendi Fevziu e dinte mirë se Kosta do të informohej në burime të tjera, dhe nëse vërtetohej se kishte gënjyer kjo çështje do të bëhej e madhe. Prandaj i tha inkuizitorit të kuq Barjaba, se ato ia dërgonte gjyshja. Kosta Barjaba bëri pyetjet standard që bënte në këto raste një aparatçik komunist dhe arriti ta bënte Blendin të thoshte se gjyshja e tij ishte arratisur në Amerikë. Kjo bisedë u bë shkak që tregimet e Fevziut të mos botoheshin përkohësisht tek gazeta “Studenti”. Gjithsesi, këtu duhet thënë se Barjaba kishte të drejtë në shkakun kryesor që paraqiti, atë se tregimet qenë të dobëta. Tregimet qenë vërtet të dobëta. Sot pas 24 vjetësh koha ka vërtetuar thënien e Barjabës se ky djalë (Fevziu) ndoshta mund të bëhej dhe kozmonaut, por jo shkrimtar.
      Por “Timuri i Dushkut” nuk dorëzohej lehtë. Fevziu u ankua në zyrat sekrete që i dinte ai, dhe Barjabës i erdhi porosia që Fevziut t’ i lejohej të botonte shkrimet e tij, madje edhe të bëhej anëtar i stafit drejtues të gazetës! Blendi Fevziu gënjen rëndshëm kur thotë se atij nuk ia botonin krijimet e tij letrare në gazetën “Studenti”. Studenti Blendi Fevziu jo vetëm që botonte shpesh në këtë gazetë, por që në vitin e dytë të shkollës së lartë, ishte në stafin drejtues të gazetës “Studenti”. Në gazetën “Studenti”të datës 18 maj 1989, pra kur Fevziu ishte student i vitit të dytë, janë publikuar emrat e anëtarëve të stafit të gazetës. Emri i Blendi Fevziut figuron si anëtar i Këshillit Botues.[iii]Anëtarë të Këshillit botues krahas tij janë edhe Kosta Barjaba, shefi i Komitetit të Rinisë të Universitetit të Tiranës, Besnik Dervishi djali i njeriut të nomenklaturës së lartë komuniste, Rrapo Dervishi etj. Fevziu, jo vetëm që ka botuar në gazetën “Studenti” në kohën kur diktatura komuniste ishte ende në fuqi, por madje ka marrë edhe cmime në konkurset e saj. Në gazetën “Studenti”të datës 12 janar 1989 botohen emrat e fituesve të konkursit të vitit 1988, ku “Për artikuj kritikë dhe biografikë” çmim të parë ka marrë pikërisht Blendi Fevziu me artikullin “Krijimtaria në rritje e një poeti” (rreth librit “Si ta qetësoj detin të Bardhyl Londos”)[iv]
      Blendi Fevziu gënjen në mënyrën më të trashë kur thotë se ishte vendimi i tij që të bënte një shkrim për një libër me poezi të Bardhyl Londos, në vend të atij që i kërkoi kryeredaktori. Në atë kohë gjërat nuk funksiononin kështu. Ajo që nuk e thotë Blendi Fevziu është se shkrimi i tij për librin e Bardhyl Londos u botua para se të dilte vetë libri. Si e mësoi Blendi Fevziu se Bardhyl Londo do të botonte një libër të tillë? Kjo do të thotë se Fevziun e patën dërguar me mision tek Bardhyl Londo për t’ i bërë pyetje provokuese, të cilat ndonëse nuk u publikuan, mund të përdoreshin kundër Londos për qëllime të tjera. Kjo është arsyeja që Fevziu nuk e ka ftuar kurrë Bardhyl London në emisionin e tij televiziv, në formatin e intervistës me një të ftuar të vetëm. A nuk duhej që Blendi Fevziu ta kishte ftuar Bardhyl London për një intervistë në emisionin e tij, ku të diskutohej edhe për atë vëllimin me poezi shumë interesant, për të cilin Blendi thotë se bëri shkrimin e vet të parë? Por në këtë rast Fevziut do t’ i duhej të fliste dhe për shkrimin e tij të parë për London, gjë që ai nuk ka dëshirë ta bëjë kurrsesi.
      Ndryshe nga ç’ thotë, Fevziu vazhdoi të botonte tek gazeta “Studenti”, madje edhe tregime. Në 23 mars 1989 ai botoi në gazetën “Studenti” tregimin “Që pas dritareve të hapura”. Në 18 maj 1989, në gazetën “Studenti” u botuan tre tregime të Fevziut, me titull “Përballë rastësisht”, “S’ mund të ktheheshe pas kaq vitesh” dhe “Sonte”. Në 23 shtator 1989 Fevziu botoi në gazetën “Studenti”tregimin “Heshtja e thellë e detit”. Dhe këta nuk janë të gjithë tregimet e botuar nga Fevziu në 1989. Në këtë rast, natyrshëm mund të bëhet pyetja se përse Fevziu e mohon botimin e tregimeve të veta. Kjo nuk ka të bëjë aq me përmbajtjen e tyre, se sa me faktin se Fevziu është i vetëdijshëm se me biografinë politike që kishte, atij nuk mund t’ i jepej e drejta e botimit.       
      Ajo çka Fevziu nuk e përmend është se atij iu dha paralelisht e drejta e botimit, si në gazetën “Studenti”, ashtu dhe në gazetën “Zëri i Rinisë”. Gazeta “Zëri i Rinisë” ishte një nga gazetat qendrore në vend, duke qenë organ i Bashkimit të Rinisë (të gjitha gazetat në atë kohë qenë organe të ndokujt), siç e kam rrëfyer. Manipulatorët e zyrave të posaçme të regjimit komunist, të cilët e dinin ambicjen e madhe të Fevziut për të botuar letërsi, bënë që të botoheshin tregimet e tij mediokre, madje me të tepërt. Praktikisht, në vitin e dytë universitet, Fevziu ka botuar në gazetën “Studenti” më tepër shkrime se çdo bashkëmoshatar i tij, madje edhe më tepër se Ben Blushi. Në 1989, me fillimin e vitit të ri shkollor në shtator, Fevziut iu ngarkua që të bënte një reportazh për gazetën “Studenti”, me këtë rast. Ky reportazh me titull “E përbashkëta e një shtatorëve” është botuar tek gazeta “Studenti” në 14 shtator 1989.
      Sa për historinë e intervistave me shkrimtarët, Fevziu nuk mungon të gënjejë edhe këtu. E vërteta është se të gjitha intervistat mbajnë autorësinë e të dyve së bashku, Ben Blushit dhe Blendi Fevziut. Si intervistues, në fakt paraqitej gazeta “Studenti”, por shënohej edhe emri i autorëve të pyetjeve, duke u vënë i pari emri i Ben Blushit dhe i dyti, emri i Fevziut. Gjithsej Fevziu dhe Blushi bënë dymbëdhjetë intervista, të gjitha në vitin 1989. Kryeredaktori Arben Muka kishte të drejtë që ishte skeptik mbi atë se a do t’ u jepnin shkrimtarët intervista këtyre dy studentëve të vitit të dytë, se çdo shkrimtari me njëfarë rëndësie i dukej si ulje për reputacionin e tij që kur e intervistonte një gazetë si “Studenti”, nuk po merrte mundimin ta intervistonte së paku  kryeredaktori. Ben Blushi e kishte me gjysmë zemre këtë punën e intervistave, por Fevziu ngulmonte. Fevziu përdori njohjet e të atit, duke iu kërkuar intervistave shkrimtarëve që kishin qenë dikur studentë bashkë me të atin e tij. I pari që pranoi të jepte intervistë ishte dramaturgu Ruzhdi Pulaha në 26 janar 1989, me ndërhyrjen e babait të Ben Blushit, shkrimtarit Kiço Blushi, i cili ishte kryeredaktor i revistës letrare “Nëntori”.[v] Më tutje, arriti edhe Fevziu që të siguronte një intervistë me poetin Koçi Petriti[vi], i cili kishte qenë bashkënxënës me të atin e tij në shkollën pedagogjike në Korçë, pas përfundimit të së cilës kishin qenë të dy mësues në Skrapar për disa vjet. Në këtë intervistë, emri i Blendi Fevziut është i pari dhe pas tij vjen ai i Ben Blushit. Megjithatë, Blendi Fevziu nuk e ka ftuar kurrherë në emisionin e tij televiziv “Opinion” Koçi Petritin, që i bëri nder duke i dhënë intervistën e parë që e ka bërë ai vetë. Mosmirënjohja e Blendit ndaj Koçi Petritit ngjan edhe më e madhe po të mendosh se kur Koçi Petriti u bë dekan i Fakultetit të Filologjisë pas ardhjes së PD në pushtet, në 1992, ai deshi ta merrte Blendi Fevziun pedagog në katedrën e gjuhë-letërsisë shqipe. Por zëvendësdekani Aurel Plasari, i cili donte të merrte në punë një tjetër në vend të Blendi Fevziut, çoi fjalë në zyrat qeveritare se Fevziu shkruante me pseudonim në shtypin opozitar, kundër Presidentit Berisha dhe qeverisë së PD, ndonëse ishte drejtor në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kështu që Blendi nuk u bë pedagog në atë kohë.
      Kur Fevziu shkoi në Vlorë, në prill 1989, për të bërë reportazhin për Enver Hoxhën, që do të botohej në gazetën “Zëri i Rinisë”, kryeredaktori i gazetës “Studenti”, Arben Muka i dha porosi që të intervistonte shkrimtarin Shefqet Tigani, i cili banonte atje.[vii] Fevziu në fillim mendoi se kjo ishte një nga ato shakatë që u bëheshin në redaksitë e gazetave bashkëpunëtorëve të rinj si ai, do të thotë mendoi se Shefqet Tigani nuk ishte një emër real, por ishte një emër i shpikur, aq më tepër që mbiemri ngjante qesharak. Kështu, Fevziu mendoi se kur ai të shkonte në Vlorë dhe të kërkonte shkrimtarin Shefqet Tigani, me të do të qeshnin të gjithë, dhe po kështu do të ndodhte edhe kur të kthehej në Tiranë. Nuk përjashtohej që pas kësaj t’ i mbetej nofka “Tigani”. Blendi Fevziu, pa i treguar gjë Arben Mukës, shkoi dhe u ankua tek sekretari i Komitetit të Rinisë të Universitetit, Kosta Barjaba, të cilit i tha se kryeredaktori i gazetës “Studenti”tallej me figurën e shkrimtarit e realizmit socialist. Kjo ishte një akuzë që, nëqoftëse në 1989 nuk sillte arrestimin e Arben Mukës,, mund t’ i sillte me siguri humbjen e vendit të punës. Kosta Barjaba as që kishte dëgjuar për një shkrimtar me emrin që i tha Fevziu. Kështu që e mbajti shënim atë që i tha Fevziu, dhe i tha se do të bisedonte “më lart”, siç thuhej në atë kohë në mënyrë evazive, çka nënkuptonte që nga zyrat e larta partiake, deri tek zyrat e Sigurimit të Shtetit. Fevziu u nis në Vlorë dhe atje, kur shkoi në ndërmarrjen bujqësore ku do të bënte reportazhin për gazetën “Zëri i Rinisë”, për të cilin do të flas më tutje, rastësisht i ndodhi që të takohej me shkrimtarin Shefqet Tigani, i cili kishte shkuar atje për një bisedë me nxënësit e shkollës së mesme. Fevziu mendoi se kjo nuk ishte gjë tjetër veçse vazhdim i shakasë që, sipas mendjes së tij, kishte nisur t’ ia bënte në Tiranë Arben Muka, prandaj nisi të bënte shaka me shkrimtarin Shefqet Tigani, duke i thënë se kur e kishte marrë këtë mbiemër, dhe se mos ia kishin vënë me telefon nga Tirana.
      Por Shefqet Tigani ishte një person real. Ai ishte me origjinë nga Peja e Kosovës, dhe banonte në Vlorë, ku punonte si mësues në fshatrat e këtij rrethi. Shefqet Tigani  kishte botuar tregime dhe novela në gazetat dhe revistat letrare qendrore, si dhe libra. Shefqet Tigani u nervozua shumë me Blendi Fevziun dhe i përplasi në kokë disa  numra të revistës letrare “Nëntori”që i kishte me vete, dhe ku qenë botuar tregime të tij, si dhe një libër të tij. Shefqet Tigani nuk deshi t’ i linte gjërat me kaq dhe deshi ta rrihte Blendin, por këtë e shpëtoi drejtuesi i vatrës së kulturës të fshatit, i cili e tërhoqi Blendin në vatrën e kulturës, ku i tregoi prova të tjera se Shefqet Tigani ishte shkrimtar. Pas kësaj Blendi Fevziu shkoi i kërkoi të falur Shefqet Tiganit dhe e bëri intervistën me të. Tani problemi i Blendi Fevziut ishte si ta bënte Kosta Barjabën që të mos vazhdonte të merrej me denoncimin që kishte bërë ai ndaj Arben Mukës. Fevziu u përpoq të lidhej në telefon me Kostën Barjabën nga fshati ku gjendej në Vlorë, por nuk ia arriti dot.
      Intervistën tjetër Fevziu arriti që t’ ia merrte Nasho Jorgaqi, i cili ishte pedagogu i tij në Fakultet, ku pikërisht në atë kohë, në vitin e dytë të studimeve, i jepte lëndën e letërsisë së periudhës së Pavarësisë. Për këtë intervistë do të flas gjerësisht më tutje. Ndonëse Blendi Fevziu, tashmë kur prej disa vitesh e bën emisionin katër herë në javë dhe nuk le temë pa diskutuar, që prej ëndrrave deri tek seksi, ai nuk ka bërë kurrë një emision për gazetën “Studenti”. Fevziu nuk e ka ftuar kurrë për një intervistë në emisionin e tij Arben Mukën. Blendi Fevziu kur ishte student nuk e hiqte nga goja shkrimtarin Nasi Lera, të cilin e njihte se kishte qenë nxënës bashkë me të atin. Fevziu u mburrej shokëve se njihte një shkrimtar, duke u thënë: Nasi Lera tha këtë, apo Nasi Lera tha atë. Sot Fevziu nuk e fton kurrë Nasi Lerën në emisionet që bën për letërsinë apo për përkthimet, ndonëse Nasi Lera është përkthyes shumë i mirë.


23.
Incidenti i Fevziut me Nasho Jorgaqin për biografinë e Qemal Stafës

      Në prill 1989, Fevziu vendosi të intervistonte Nasho Jorgaqin për gazetën “Studenti”. Një nga arsyet për të cilat Fevziu e bënte këtë gjë pikërisht në atë kohë ishte se pas dy muajsh ai kishte provim me Nasho Jorgaqin, i cili jepte në Fakultet lëndën e Letërsisë shqipe të periudhës së pavarësisë. Në intevistën me Nasho Jorgaqin, Fevziu e ka vënë emrin i pari. Si titull të intervistës Fevziu zgjodhi fjalët e Nasho Jorgaqit “Kryesorja është të gjesh vetveten në art”[viii], një gjetje kjo që bart ironi, se kryevepra e Nasho Jorgaqit në art, ishte romani voluminoz sigurims “Mërgata e qyqeve”. Është kureshtare renditja që iu bën Fevziu atributeve të Nasho Jorgaqit, në hyrje të intervistës, kur thotë për të se është:
      njëkohësisht prozator dhe biograf, studiues i letërsisë dhe publicist.[ix]
      Kështu, Fevziu e quajti Nasho Jorgaqin “biograf”, para se ta quante studiues të letërsisë, kur kjo e dyta qe fusha kryesore e Jorgaqit, dhe ishte detyra e tij akademike. Por duket se Fevziu dhe Nasho Jorgaqi bisedonin kryesisht për çështje biografike. Fevziu mendonte se intervista do t’ i pëlqente shumë Nasho Jorgaqit dhe me të do të siguronte notën dhjetë në provimin që kishte për të dhënë me të dy muaj më pas. Ditën që doli gazeta në qarkullim, Fevziu dhe Blushi dolën ta presin profesor Nashon tek hyrja e Fakultetit për t’ i dhënë gazetën. Por Nasho Jorgaqi e pati lexuar gazetën para se t’ ia jepnin ata të dy dhe qe zemëruar shumë se në hyrje të intervistës ata e patën quajtur librin e Nasho Jorgaqit “Qemal Stafa”, me të cilin Nashoja mburrej dhe mburret veçanërisht edhe sot, si “biografi letrare”[x]. Madje, edhe në pyetjen që i kishin bërë Nashos për librin “Qemal Stafa” kishte një ndryshim. Pyetja në trajtë komenti ishte bërë:
      Më vonë botuat edhe novela të tjera, për t’ i befasuar pastaj lexuesit me biografinë letrare “Qemal Stafa”…[xi]
      Në këtë fjali ishte shtuar fjala “letrare”. Fevziu e pati shtuar këtë fjalë kur po e rishikonte tekstin e intervistës dhe këtë cilësim e pati bërë thjesht nga injoranca, jo me të keq. Por Nashoja u prek në një pikë delikate të tij, dhe u zemërua shumë se kështu dilte që biografia ishte trillim. Nasho Jorgaqi, kur i pa dy studentët tek hyrja e Fakultetit e kuptoi se përse kishin dalë, dhe vendosi të sillej si Manush Kelmendi, alias Isuf Mullai, heroi i romanit të tij sigurims “Mërgata e Qyqeve”, pra t’ i fshihte përshtypjet e tij.
      Nashoja e mori gazetën që i ofruan të dy studentët, i falenderoi, dhe pastaj i pyeti me një ton që tregonte se detaji që po përmendte nga intervista, e kishte kënaqur veçanërisht.
      -More djem, të fortë jeni, veçanërisht ai të cilit i shkoi ndërmend që të thotë “biografi letrare” për librin “Qemal Stafa”! Cili nga ju të dy e pati këtë ide?
      -Unë profesor Nashoja?- Tha me krenari Blendi Fevziu.
      -Ashtu, ti na qenke! -tha Nasho Jorgaqi, duke e ndryshuar në moment tonin, që i mori nota kërcënuese, dhe shtoi: Epo, e mendova unë, nipi i profesorit tim të adhuruar, Dhimitër Shuteriqi, i cili më ka marrë përdore në rrugën e letërsisë, nuk mund ta bënte këtë gabim ideologjik?
      -Si gabim ideologjik, profesor Nashoja? Ç’ gabim ideologjik ka këtu?- Tha Fevziu i zverdhur.
      -Ke të drejtë, këtu nuk ka gabim, këtu ka krim, krim kundër Partisë dhe pushtetit popullor, -tha Profesor Nashoja. – E di ti more Bilbil, apo si e ke emrin…
      -Blendi, profesor…
      -E di ti more Blendi, se reaksionarët e arratisur jashtë vendit, ata mërgata e qyqeve, kur unë botova biografinë e Qemal Stafës thanë se ky nuk ishte një libër biografik i bazuar në dokumente, por një biografi letrare, domethënë trillim, apo fiction, siç thuhet në gjuhën e Perëndimit dekadent? E di ti more djalë, se me këtë që ke bërë ti, lexuesi do të mendojë se unë e pranoj që kam shkruar një biografi letrare, se këtu unë nuk të korrigjoj ty në përgjigjen time. Shiko sa të qarta janë fjalët e mia,- vazhdoi Nasho Jorgaqi duke lexuar përgjigjen e tij në gazetë:
      Qemali ishte heroi më i dashur i fëmijërisë dhe i rinisë sime. Unë isha i magjepsur nga ai. Prandaj sapo nisa të gjurmoj për jetën e tij, nuk e kisha veten në dorë. Me tërë ato që dëgjoja dhe mblidhja mund të shkruheshin dhjetra tregime, mund të shkruhej edhe roman (unë i kisha menduar këto), por Qemali do të humbiste në qoftë se nuk tregohej për të në gjuhën e dokumentit. Dokumenti nuk është vetëm material i gjallë por në rast se di ta trajtosh, ai ka plot vlera emocionale dhe estetike. Me këtë vepër ndjeva afërsinë shpirtërore me letërsinë dokumentare dhe tani kuptoj se gjithë krijimtaria ime qendron mes artit dhe studimit, ndërmjet përpjekjes për ta dhënë një gjë bukur dhe saktë.[xii]
      -E kupton ti se çfarë do të thotë “letërsi dokumentare”,- tha Nasho Jorgaqi duke i rënë gazetës me pëllëmbën e dorës, dhe shtoi: Kjo nuk ka të bëjë me trillimin letrar. Letërsi dokumentare do të thotë literaturë dokumentare. Të shkruash “letërsi dokumentare” nuk do të thotë se ke shkruar një biografi letrare. Kjo hyn në zhanrin e romanit historik. Por këtu nuk është fjala për një lajthitje studentore, se është marrë një tezë e reaksionarëve me të cilën më kanë luftuar mua për 20 vjet. Habitem me ty, djali i Kiços sesi lejon që emri tënd të keqpërdoret në gazetë nga njerëz që punojnë në prapaskenë.
      Ben Blushi nuk dinte ç’ të thoshte. Nashos befas sikur iu ndez një llampë në tru. Duke qenë se prof. Nashoja kishte shumë njohuri nga historia, atij befas i bëri përshtypje mbiemri i studentit, “Fevziu” dhe tha:
      -Fevziu, Fevziu, kaq herë jam matur të të pyes për këtë mbiemrin tënd. Si shumë i rrallë më duket. Tani që po shkruaj biografinë e Fan Nolit, kam ndeshur emrin e Bajram Fevziut. A ke lidhje me atë ti?
      Blendi u hutua dhe u skuq se e kuptoi që kishte rënë në një mjeshtër. Kur Blendi iu përgjigj se e kishte gjyshin e nënës, prof. Jorgaqi, eksperti i zgjidhjes së enigmave të ndërlikuara në letërsinë sigurimse, e pa me hutim dhe e pyeti se përse mbante mbiemrin e dajës së nënës? Blendi u detyrua që t’ i thoshte se atë e kishte birësuar daja i nënës. Atëherë prof. Nashoja e pyeti se si e kishte emrin i ati i tij biologjik. Kur Blendi iu përgjigj se emri i babait ishte Hektor Bregasi, prof. Nashoja e pyeti se nga ishte me origjinë i ati. Përgjigjia e Blendit, se i ati ishte me origjinë nga Pogradeci, nuk e kënaqi Jorgaqin, dhe ai pyeti më thellë, se nga cili fshat ishte me origjinë. Blendi, i cili e dinte se me kë kishte të bënte, dhe se Jorgaqi mund të zbulonte gjithçka lehtë, u detyrua të thotë se i ati ishte me origjinë nga Starova.
      -Aha, Starova e bejlerëve, - tha prof. Nashoja,- po nuk më thua more djalë, i kujt ishte babai yt atje në Starovë, si quhej gjyshi yt?
      -Neki Starova,- iu përgjigj Blendi Fevziu me gjysmë zëri.
      -Ama nipi i Neki bej Starovës qenke ti more djalë!- tha Nasho Jorgaqi duke tundur kokën i menduar.- Ëhë, qënke dhe stërnipi i Bajram Fevziut, që tradhtoi Fan Nolin në 1924. E ti sot në vitin 1989 më shkruan se libri im “Qemal Stafa” është biografi letrare. E shikon se si punon Reaksioni brez pas brezi, more nipi i profesor Dhimitër Shuteriqit!- iu drejtua Nashoja Ben Blushit.
      Nasho Jorgaqi sinjalizoi, siç thuhej në gjuhën e kohës, deri në zyrat më të larta të regjimit komunist për këtë problem, por nuk gjeti mirëkuptim. Në ndërkohë, Nashoja bëri të vetmen gjë që kishte në dorë, e la në provim Fevziun për në vjeshtë. Por, para se Fevziu të paraqitej në provim, në vjeshtë, Nashos i erdhi sinjalizimi “nga lart”, se kjo çështje quhej e mbyllur, madje i bënë me dije në mënyra që Nashoja i kuptonte mirë se studenti Fevziu bënte shërbime më të mëdha se gabimet. Që prej atij momenti prof. Jorgaqi e mori me sy shumë të mirë këtë student të zellshëm, dhe më pas i tha se nëse do të diplomonte me një temë, ai ishte gati që të bëhej udhëheqësi shkencor i tij. Fevziu ishte i lumtur që ta bënte këtë gjë, me rekomandimin e prof. Nashos, i cili ligjëronte mbi letërsinë e periudhës së Pavarësisë, pra periudha letrare mes kohës së Rilindjes dhe asaj të Realizmit Socialist. Fevziu zgjodhi Konicën, për shkak se, siç i tha Fevziu prof. Jorgaqit, e ndjente se duhet të bënte luftën e klasave kundër një intelektuali borgjez që ishte dhe bej, për t’ ia shpërblyer Partisë dhe shokut Enver, që i dhanë atij, një djali nga një familje bejlerësh, të drejtën e studimit në Universitet.
     Gjithsesi, Fevziu u hakmor në mënyrën e tij ndaj Nasho Jorgaqit duke mos e ftuar kurrë në emisionin e tij, ndonëse profesor Jorgaqi ende gëzon shëndet të mirë dhe është aktiv intelektualisht. Incidenti i Fevziut me Nasho Jorgaqin është i tillë që Fevziu mund të krenohej me këtë bëmë të tij, ta përmendte atë me të madhe pas vitit 1990, si një veprim prej disidenti të tij. Ndonëse Fevziu e bëri pa vetëdije këtë veprim, ai mund të kishte thënë fare mirë se e bëri me qëllim, në një moment guximi prej të marri, ashtu siç thotë se bëri kur i foli për Karl Marxin atij që po i priste me gërshërë pantallonat bluxhins amerikane. Fevziu nuk ka nguruar që ta përmendë këtë episod me Nasho Jorgaqin, nga modestia, se ai është mburrur për shumë gjëra të tjera të pabesueshme. Fevziu thjesht ka nguruar për shkak se do t’ i duhej të shpjegonte se përse ai nuk e pësoi në këtë rast.


24.
Incidenti i luftës së klasave, i Blendi Fevziut në shtëpinë e Shefqet Peçit

      Intervistat e Blushit dhe Fevziut u ndërprenë në mënyrë tragjikomike, kur do të bëhej intervista me “poetin” Shefqet Peçi. Shkak u bë Fevziu, i cili i propozoi Blushit që të intervistonin Shefqet Peçin, ish-komandantin e njohur partizan, i cili kishte qenë zyrtar i lartë i regjimit komunist dhe tashmë që i kishte kaluar të tetëdhjetat, ishte anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, që jetonte në një vilë të madhe që u ishte konfiskuar “reaksionarëve”, dhe e kalonte kohën me vjersha, kujtime dhe duke u marrë me biografitë politike të njerëzve. Shefqet Peçi kishte maninë e vargëzimit dhe besonte se ishte dhe poet. Ben Blushi nuk donte që ta bënin këtë intervistë, se do t’ i duhej të qethte flokët. Shefqet Peçi ishte i dëgjuar për verejtjet që u bënte të rinjve që ndiqnin modën “borgjeze”. Nga Shefqet Peçi duhej pritur çdo gjë, edhe që të të jepte tridhjetë minuta kohë për t’ u qethur, dhe për t’ u paraqitur tek ai ushtarakisht pastaj, për të vazhduar intervistën. Por Fevziu kishte shumë dëshirë ta bënte këtë intervistë. Madje ai qe përgatitur shumë për këtë intervistë, lexoi librat me poezi të Shefqet Peçit, si dhe librat e tij me kujtime nga lufta, që ta befasonte këndshëm “komandantin lab” me njohuritë e tij. Më në fund Ben Blushi pranoi por i tha si me shaka se nëse Shefqet Peçi do t’ i dërgonte të qetheshin, atëherë ai Fevziu do të qethej zero, si ushtarët, si dënim që i futi në këtë situatë. Ky ishte kushti, dhe Fevziu pranoi. Por, ditën që shkuan për të bërë intervistën në shtëpinë e Shefqet Peçit, Fevziu i kishte qethur flokët që një ditë më parë si gardist i kuq kinez. Qethja sipas normës më strikte të modës revolucionare të regjimit komunist, që kishte bërë Fevziu, bënte që të binin edhe më tepër në sy, flokët “borgjezë” të Ben Blushit. Por fati e solli që Fevziut t’ i ishte rezervuar një e papritur në shtëpinë e Shefqet Peçit.       
      Kur Blushi dhe Fevziu shkuan në shtëpinë e Shefqet Peçit, në një zonë rezidenciale të zyrtarëve të lartë komunistë, në Tiranë, atje gjetën edhe Haxhi Lleshin, i cili kishte ardhur të vizitonte Shefqet Peçin. Sa pa Haxhi Lleshin, Fevziu u drodh si gomari që shikon ujkun, por nuk kishte çfarë të bënte. Shefqet Peçit, i cili pati qenë oficer në kohën e Monarkisë, dhe i dinte emrat e e krerëve të ushtrisë së viteve ‘20- ‘30, i bëri përshtypje mbiemri i Blendi Fevziut, dhe i tha këtij të fundit se ky ishte një mbiemër shumë i rrallë të cilin nuk e kishte ndeshur përveçse tek Bajram Fevziu, madje e pyeti se çfarë lidhje kishte me këtë të fundit. Blendi u ndodh ngushtë dhe u përpoq të dilte nga kjo situatë e vështirë duke thënë se nuk i njihte mirë lidhjet e ngatërruara familjare. Por Peçi dhe Lleshi, të cilët e kishin pasion hetimin e biografive, filluan të luajnë me Blendin si dy maçokë pleq dinakë të luftës së klasave, me një mi të njomë, naiv.[xiii]
      -Ju more djem, Partia po u përgatit që të punoni në sektorin e propagandës, kështu që duhet të mësoni që të përdorni një armë të fuqishme të Partisë sonë, që është kërkimi në biografitë e njerëzve. Ja, ne do t’ u mësojmë sot me një shembull konkret si ta bëni këtë punë, - tha Shefqet Peçi, duke bërë sikur nuk e kuptonte se nëse ky kërkim dilte me sukses atëherë e pësonte njëri nga “djemtë”, dhe shtoi: apo jo shoku Haxhi?
      -Patjetër, -tha Haxhiu,- a keni dëshirë t’ i mësoni këto marifete, çuna?
      -Sigurisht shoku Haxhi,- u përgjigj vetëm njëri nga çunat, Ben Blushi.
      Dhe Haxhi Lleshi, sa për t’ i dhënë një dorë në këtë lojë mikut të vet, Shefqet Peçit, i tha se mund të ndërtohej lidhja mes Blendit dhe Bajram Fevziut, nëse ajo ekzistonte, mjaft që djali të jepte të dhënat e duhura. Bajram Fevziu ka vdekur vetëm gjashtëdhjetë vjet më parë, shtoi Haxhi Lleshi, kështu që lidhja nuk është e largët.
      Blendi Fevziu ishte në dilemë se e dinte se këta dy burra nuk mund t’ i gënjente, se mund të kishte pasoja të rënda. Por cilin emër të përmendte, atë të babait biologjik, apo atë të babait adoptiv? Nga pikëpamja e luftës së klasave ishte si midis Schillës dhe Karribdës. Nëse do të përmendte babain biologjik, atëherë ata do t’ ia nxirrnin shpejt emrin e Neki Starovës, dhe ai e merrte me mend se çfarë do të ndodhte në këtë rast. Nëse do të përmendte emrin e babait adoptiv, do t’ i nxirrnin të tjera gjëra. Gjithsesi, meqënëse atje ishte Haxhi Lleshi, Blendi e gjeti më me vend që të përmendte emrin e babait adoptiv. Kështu që Blendi, i zbehur, u përgjigj se babai i tij quhej Ali.
      -Me cilën është martuar ky Aliu, si quhet nëna tënde,- pyeti Haxhi Lleshi.
      -Prit Haxhi, të mbarojmë punë njëherë me linjën atërore,- tha Shefqet Peçi.
      -Mund të ecim edhe paralel,- tha Haxhiu, të cilit nuk i erdhi mirë nga kjo vërejtje e Shefqetit, të cilin e kishte pasur vartës në Presidiumin e Kuvendit Popullor, se iu duk si cënim i autoritetit të eprorit.
      -Nëna ime quhet Rezana,- tha Blendi krejt i hutuar, duke gjetur tek pyetja një shteg për t’ ju ikur sadopak linjave të rrezikshme të bisedës që hapnin pyetjet e atyre të dyve.
      -Nga cila familje ishte Rezana, gruaja e Ali Fevziut?- Pyeti Shefqet Peçi.
      -Rezana nuk ishte gruaja e Ali Fevziut, shoku Shefqet.- Iu përgjigj Blendi me një zë si në të qarë.
      -Mor çun, a nuk na the ti se je djali i Aliut dhe se nëna tënde quhet Rezana?- Pyeti Haxhiu, që e ndjeu veten disi ngushtë nga toni i tjetrit.
      -Shoku Haxhi, Aliu është daja i nënës time.- tha Blendi.
      -Atëherë si ka ka ndodhur që ti je djali i dajës së pamartuar të nënës dhe i mbesës së tij?- Pyeti Haxhi Lleshi.
      -Babai im quhej Hektor, - tha Blendi që e kuptoi se me përgjigjen e tij kishte krijuar një situatë absurde.
      -Ti na the se babai quhej Ali?- tha Haxhi Lleshi dhe vështroi nga të tjerët,- apo jo?
      -Sikur nuk e dëgjova të thotë Ali, -tha Shefqet Peçi që kështu gjeti rastin t’ ia marrë hakun Haxhiut për mënyrën si i foli pak më parë,- nejse vazhdojmë me këtë Hektorin.
      -Ti shoku Shefqet je duke thënë që më bënë veshët mua kur e dëgjova të thotë Ali?- Pyeti Haxhi Lleshi me të keq.
      -Jo o i uruar, -tha Shefqet Peçi, -po të jetë për të bërë veshët, kjo më ndodh mua që kam bateri. Po vazhdo e pyete tani për këtë Hektorin, meqënëse e nise.
      Haxhiut i erdhi inat që Shefqeti ia la në derë edhe nisjen e këtij hetimi, që e kishte bërë vetë, megjithatë nuk i ktheu përgjigje dhe vazhdoi me Blendin. Haxhi Lleshi, i cili mendoi se babai i Blendit e kishte mbiemrin Fevziu, e pyeti:
      -Tani na thuaj se si quhej babai i Hektor Fevziut?
      -Jo i Hektor Fevziut, shoku Haxhi,- u përgjigj Blendi me një fije zëri, -i Hektor Bregasit.
      -More djalë, na e bëre mendjen dhallë,- i tha Shefqet Peçi,- ti na the se e ke mbiemrin Fevziu, e tani po thua se je i biri i Hektor Bregasit?! Nuk po të marr vesh. Pse nuk quhesh Blendi Bregasi ti?
      -Mua më ka adoptuar daja i nënës shoku Shefqet.- Iu përgjigj Blendi.
      -E si quhej ky daja i nënës?- E pyeti Haxhi Lleshi.
      -Ali Fevziu.- Ktheu përgjigje Blendi.
      -Pra Aliu është babai yt adoptiv,- tha Haxhi Lleshi që i kishte mësuar mirë këto terma në Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe shtoi: E dëgjon Shefqet, nuk më bënë veshët mua pak më parë.
      -Si urdhëron, shoku Haxhi, ashtu është.- Tha Blendi Fevziu.      
      -Kurse Hektori është babai tënd natyral, burri i Rezanës.- Tha Haxhi Lleshi, i kënaqur që ia gjeti fillin lëmshit të ngatërruar gjenealogjik të Blendi Fevziut.
      -Haxhi, më duket se dolëm nga shinat,- tha Shefqet Peçi,- ne po kërkojmë të dijmë për Bajram Fevziun, kështu që na duhet të ndjekim linjën e Aliut. Që të hyjmë prapë në shina, na thuaj se si quhej babai i Aliut, more djalë.
      -Bajram,- u përgjigj Blendi.
      -E mor djalë se na e more shpirtin, - i tha Haxhi Lleshi duke pshertirë,- pra Bajram Fevziu na paska qenë babai i dajës së nënës tënde, dhe gjyshi i nënës tënde. Tani na thuaj, çfarë e ke ti Bajram Fevziun?
      -Kështu del se e kam stërgjysh,-murmuriti Blendi me një habi të shtirur, a thua se po mësonte një gjë të re. Për fatin e keq të Blendit të dy pleqtë e panë gjenealogjinë e tij si një mënyrë interesante për të shtyrë kohën, atje nën hijen e pjergullës, në oborrin e vilës së Shefqet Peçit. Ky i fundit tani donte të dinte se me kë qenë martuar fëmijët e Bajram Fevziut. Në fakt, Shefqet Peçi mendonte se kështu do të zbulonte lidhje të reja me familjet e mëdha të deklasuara.
      -Nuk e di mirë,- u përpoq të bishtnonte Blendi, por dy “dacët” pleq të luftës së klasave, e patën kapur për bishti “miun” e deklasuar dhe ai nuk kishte nga të luante.
      -Aliu, daja i nënës, me kë është martuar?- E pyeti Haxhi Lleshi.
      -Nuk është i martuar,- tha Blendi si i lehtësuar.
      -Fëmija tjetër i Bajram Fevziut del të jetë gjyshja tënde, nëna e nënës tënde, me cilin ishte martuar ajo? Pra si quhet gjyshi yt nga nëna?- Pyeti Shefqet Peçi.
      -Ali,- u përgjigj Blendi me një fije zëri.
      -Ali kush more djalë, - gërmoi Shefqet Peçi,- nuk e di mbiemrin e gjyshit?
      -Ali Ypi,- tha Blendi Fevziu.
      -Aha, Ypi,-tha Shefqet Peçi, -e mora vesh. Nipi i Xhafer Ypit që i dërgoi kurorën Viktor Emanuelit në 1939.
      -Kurse vajza e Ali Ypit na është martuar me këtë, si ia the emrin babait tënd…-vazhdoi Shefqet Peçi.
      -Hektor Bregasi, shoku Shefqet,- tha Blendi.   
      -Hm, “Bregasi”, “Bregasi”- po thoshte Shefqet Peçi sikur të ishte duke folur me vete, duke kërkuar në depon e kujtesës së tij të famshme për punë biografish.- Si quhej babai i këtij Hektorit, domethënë gjyshi yt?     
      -Neki,- u përgjigj Blendi.
      -Neki…- përsëriti Shefqet Peçi dhe shtoi: Nga e keni origjinën juve?
      -Nga Pogradeci,- tha Blendi Fevziu.
      -Nga cili fshat?
      -Nuk e di… - dredhoi Blendi.
      -Por ky Nekiu çfarë pune ka bërë, me çfarë është marrë?- Vazhdoi të pyeste Shefqet Peçi.
      -Ka marrë pjesë në Lëvizjen e Fierit, Zogu e dënoi me vdekje.- tha Blendi me krenari.
      -Sikur nuk ka Neki Bregasi ndër të dënuarit me vdekje të Lëvizjes së Fierit,- tha Shefqet Peçi,- apo jo more Haxhi?
      -As unë nuk di që të ketë, vetëm një Neki kishte ndër ta, Neki Starova…- tha Haxhi Lleshi, i cili ishte marrë me këtë çështje për shkak se në 1974 patën dashur të rehabilitonin Neki Starovën. Shefqet Peçi, i cili ishte më i mprehtë se Haxhiu, dhe e kuptoi se “në ç’ ferrë flinte lepuri”, tha duke i rënë ballit me dorë:
      -Prit o Haxhi, se më duket se u ngatërruam me këmbët tona, dhe bëmë një gabim dialektik.
      -Përse e ke fjalën? -tha Haxhi Lleshi i prekur, se iu duk që ish-vartësi ia cënoi përsëri  autoritetin.
      -Ky djali nuk na tha se gjyshi i tij quhej Neki Bregasi. Atë e nxorrëm ne si përfundim.- Tha Shefqet Peçi i kënaqur që ishte treguar më i zgjuar se Haxhiu në këtë lojë, dhe shtoi duke u kthyer nga Blendi: Si e mbante mbiemrin gjyshi more djalë?
      Blendi e kuptoi se nuk mund të dredhonte më, se ata mund t’ ja merrnin për tallje, prandaj u përgjigj:
      -Starova.
      -Nipi i Neki bej Starovës qenke ti more djalë?- Ulëriu Haxhi Lleshi.
      -Po,- belbëzoi Blendi.
      Shefqet Peçi nuk e mbajti dot të qeshurën se iu duk shumë e bukur kjo histori. Të dy “dacët pleq” të luftës së klasave kishin arritur që ta mbërthenin edhe këtë herë “miun”.       
      -Ky është provokim që ma bëjnë Nexhmija dhe Ramizi,- tha Haxhiu, duke harruar se në ç’ rrethana u ballafaqua me nipin e Neki beut.- Të më dërgojnë mua nipin e vrasësit të babait. Tani kam gojë t’ u flas mirë, se deri më sot e mohonin se kanë ndonjë gjë me mua, dhe se më larguan nga posti i kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor se kujdesen për shëndetin tim.
      -Prit o Haxhi se nuk ta dërguan ty por mua, ai erdhi të më marrë intervistë mua, e ti u ndodhe këtu.- Tha Shefqet Peçi.
      -Ç’ rëndësi ka, -tha Haxhi Lleshi që kishte marrë zjarr,- nipin e Neki beut e dërgojnë t’ i marrë intervistë Shefqet Peçit, komandantit të Brigadës V Sulmuese. Jepja intervistën o Shefqet, se do të kthehet përmbys në varr Heroi i Popullit Kajo Karafili, që ia numëroi me nagant Neki beut! Do të kthehen përmbys në varre dëshmorët e Brigadës tënde! Për këtë luftuan e vranë ata o Shefqet, për këtë luftuam ne, që nipi i Neki beut, stërnipi i Xhafer Ypit, e kushedi se i kujt armiku tjetër që do të zbulosh po të gërmosh në biografinë e tij, të vijë këtu e të të marrë intervistë ty. Hajde o i nipi Neki bej Starovës, bëja pyetjet Heroit të Popullit, Shefqet Peçi! Cila është pyetja e parë: A e ke bërë ndonjë vjershë për Heroin e Popullit Kajo Karafili, shoku Shefqet? Hë more Shefqet, a do të më thuash se po bëj ndonjë gabim dialektik tani?
      Sipas dëshmitarëve, Blendi, që po rrinte atje pa ditur ç’ të bënte, kishte lagur me urinë pantallonat bluxhins që ia kishte dërguar gjyshja nga Amerika. Ben Blushi po dëgjonte i habitur dhe i tmerruar. Shefqet ua bëri me shenjë dy studentëve që të largoheshin dhe ata ikën pa fjalë. Tek dera Ben Blushi u nda nga Blendi Fevziu pa i folur dhe ata pothuajse u nuk shoqëruan më të dy deri në dhjetor 1990, kur u ngarkuan një detyrë të posaçme. Pas zhurmës që bëri Haxhi Lleshi, botimi i intervistave të Blendi Fevziut tek gazeta “Studenti” u ndërpre, dhe me këtë rast e pësoi edhe Ben Blushi. Kur e pyesnin se përse u ndërprenë intervistat, Blendi Fevziu thoshte se tani nuk kishte kohë të merrej me intervista, se ishte duke shkruar një roman. Nëse Blendi kishte arsye për të heshtur për këtë incident, sa kohë ishte ende në fuqi regjimi komunist, është kërshërore heshtja e tij e mëvonshme. Blendit nuk i pëlqen që ta përmendë këtë përndjekje të tij të hershme si “gazetar”, nga ana e regjimit komunist. Kuptohet se përse. Atij nuk i pëlqen të përmendë detajet e incidentit të tij me Haxhi Lleshin në shtëpinë e Shefqet Peçit. Nëse një djali i ri, i deklasuar, i cili donte të bëhej shkrimtar, dhe që pas rënies së regjimit komunist do të shkruante në shtyp, si dhe do të botonte libra, do t’ i kishte ndodhur që t’ i nënshtrohej një gjyqi të luftës së klasave në shtëpinë e një prej drejtuesve më të njohur për zhvillimin e luftës së klasave, siç qe Shefqet Peçi, atëherë ky djalë me siguri që do të kishte shkruar për këtë eksperiencë personale dhe do ta përmendte atë shpesh. Kjo është një nga ato ngjarje për të cilat mund të shkruhej një libër i tërë. E megjithatë Blendi Fevziut nuk i pëlqen që ta përmendë një ngjarje të tillë. 

     
25.
Reportazhi për Enver Hoxhën i Fevziut në gazetën “Zëri i Rinisë” në 1989

      Ndonëse Blendi Fevziu ka folur dhe shkruar shumë për fillimet e tij në gazetari, ai nuk e përmend kurrë shkrimin e tij të parë në shtypin qendror të vendit. Ai përmend vetëm shkrimin e tij të parë në gazetën “Studenti”. Arsyeja bëhet e qartë nëse lexohet shkrimi i parë i Fevziut në shtypin qendror, që është një reportazh i botuar në gazetën “Zëri i Rinisë”, në prill 1989, e cila ishte një nga gazetat kryesore në Shqipërinë komuniste. Blendi Fevziu që në vitin e dytë të studimeve universitare u ngarkua nga gazeta “Zëri i Rinisë” që të bënte një reportazh në Vlorë, për të përshkruar frymën që ekzistonte në përvjetorin e katërt të vdekjes së Enver Hoxhës, në Ndërmarrjen Bujqësore “Rinia”, në Vlorë. Titulli i reportazhit të Fevziut është “Takim i paharruar”. Meqënëse Fevziu, 26 vjet pas botimit të këtij reportazhi u bë “biografi” i Enver Hoxhës, ia vlen që ky reportazh të sillet i plotë, në librin tim biografik për Fevziun. Ja se çfarë shkruan biografi i Enver Hoxhës në reportazhin e botuar në 8 prill 1989:
      Përgjatë bregdetit, në të majtë të rrugës automobilistike që të çon në Ujin e Ftohtë, lartohen brezaret përherë të gjelbëra të NB “Rinia”. Ndërmarrja, si vetë emri dhe ata që punojnë aty, është ende e re, pa i mbushur 24 vjetët. 200 punëtorë iu ngjitën të parët kodrave pranë Ujit të Ftohtë majin e 1965-ës. Ishte aksioni i madh kombëtar për hapjen e tokave të reja. Bregdeti nisi të ndryshojë. “T’ u qepemi kodrave e maleve, t’ i zbukurojmë e t’ i bëjmë ato pjellore si dhe fushat”.- thoshte shoku Enver në Kongresin e 5-të. Dhe zjeu vendi nga brohoritjet e vullnetarëve. 2000 të rinj, studentë të Universitetit të Tiranës (nga të cilët 800 vajza), punuan gjatë vitit ’67-’68 në hapjen e brezareve në Jonufër. Më 1969 filluan mbjelljet, ndërsa një vit më vonë të katër sektorët u bashkuan në NB që mori emrin “Rinia”. 1300 ishin punëtorët e parë, me qindra të tjerë kanë punuar gjatë kësaj kohe aty.
      Fotografitë nëpër stendat e korridoreve të drejtorisë flasin shumë. Tërheq vëmendjen një fotografi e shokut Enver me punonjës të saj, gjatë takimit të 23 marsit 1977. Është një nga ngjarjet më të bukura që e kujtojnë aq shpesh. Fytyrat e punonjësve pranë udhëheqësit, prej vitesh buzëqeshin krenarë nga fotografia. Dhe po të kërkosh të dish diçka më tepër për atë takim të gjithë do të përmendin emrin e Haziz Zyrtajt, ekonomist, një prej kuadrove më të vjetër të ndërmarrjes.
      -Është dita më e bukur e jetës sime- tregon ai. E kujtoj shpesh dhe gjithmonë më duket e re. Na lajmëruan mesditën e 22 marsit, nuk e dinim që do të vinte vetë shoku Enver. Këtë e mësuam mbasdite. Punuam deri vonë. Në mëngjes erdhëm herët. Brigadat u shpërndanë në vendet e punës. Ne sikur nuk na mbanin dot orët. Prisnim që shoku Enver të qëndronte, poshtë në zyrat. Në orën 11.00 e pamë makinën që ndaloi sipër, tek sektori i Ujit të Ftohtë. Ai u fut vetë në mes të punëtorëve. Brigadat e mëposhtme u ngjitën me vrap lart. Drejtori nxorri letrat ta informonte.
      -S’ ka nevojë për letra. Hajde bisedojmë një herë bashkë lirisht.
      Na pyeti për familjet, për punën, për ullirin. Ngrohtësia dhe afërsia e tij na i largoi emocionet. Ndërprisnim njëri-tjetrin duke folur.
      -M’ u bë qejfi që i pashë të rinjtë e të rejat si bleta mbi lule- na tha.- Kini kujdes me ullirin. Atij po nuk i bëre shërbim që të vogël mbetet rakitik, si fëmija.
      Dhe nuk e harruam këtë. Folëm gjatë për të gjitha. Pothuaj dy orë. Ishte edhe shoqja Nexhmije.
      -Të ardhurat nga ullinjtë, në qoftë se i bëhen me të vërtetë shërbimet e duhura kësaj bime kaq të vlefshme, do të jenë të mëdha- tha shoku Enver gjatë bisedës.
      NB Ulliri, që tani është ndarë nga NB “Rinia” e ka kthyer këtë në moto. Kur shoku Enver vizitoi një vit më vonë Sarandën, në mitingun e Ksamilit dhe bisedën e Lukovës, foli përsëri për detyra të reja, për punën në të ardhmen.
      NB “Rinia”, si një pjesë e atij gjerdani perlash bregdetare që vargëzohen nga Vlora në Sarandë, po i tejkalon detyrat e veta. Pas Plenumit të 7-të të KQ të PPSH zotimet janë rritur. Misër do të merret 250 kv mbi planin, grurë 170 kv, ullinj 150 kv, 200-300 kv agrume, 1.107.000 lekë fitim. Janë shifra e zotime të marra nga punonjës që fjalën e veprën e kanë një.[xiv]
      Ky është reportazhi i Fevziut. Arsyeja për të cilën Fevziu nuk pëlqen që ta përmendë atë, nuk është se reportazhi ishte një tekst i shkruar sipas shablloneve propagandistike të regjimit komunist. As që mund të imagjinohet që Fevziu, ose çdokush tjetër i cili do të ngarkohej që të shkruante një reportazh të tillë, të kishte shkruar ndryshe në atë kohë. Madje, Fevziu mund ta kishte përmendur këtë reportazh në librin e tij për Enver Hoxhën, duke e sjellë si shembull të eksperiencës së tij të drejtpërdrejtë me makinerinë propagandistike të përbindshme që ndërtoi Enver Hoxha, e cila kërkonte ta mbushte humnerën mes jetës reale të njerëzve dhe utopisë zyrtare, me një lumë fjalësh të rreme. Por Fevziu nuk e ka bërë një gjë të tillë se ai është i vetëdijshëm që me biografinë politike familjare që kishte, atij normalisht nuk mund t’ i jepej e drejta për të botuar në gazetën “Zëri i Rinisë”, e aq më pak një reportazh për Enver Hoxhën. Në atë kohë kryeredaktorët e gazetave dhe revistave tregonin një kujdes të jashtëzakonshëm veçanërisht për autorët që do të botonin shkrime për Enver Hoxhën. Nëse një njeri me biografi të keqe politike shkruante për Enver Hoxhën, atëherë nga kjo gjë mund ta pësonte kryeredaktori dhe të tjerë në gazetë apo revistë. Remzi Lani nuk mund ta ngarkonte Blendi Fevziun të shkruante një reportazh për Enver Hoxhën, pa qenë i sigurt se ai kishte biografi të përshtatshme politike. Është e vërtetë se në 1989 fryma e luftës së klasave ishte zbutur disi, por jo në atë masë sa një njeri me biografinë politike të Blendi Fevziut të shkruante një reportazh për Enver Hoxhën.
      Para se ta ngarkonte Fevziun me këtë detyrë, Remzi Lani ishte dashur ta pyeste studentin Blendi Fevziu për familjen e tij, babain, nënën, duke ia bërë të qartë edhe se ata që shkruanin për “shokun Enver” duhet të qenë me përbërje të mirë politike. Fevziu nuk do të kishte guxuar të gënjente se e dinte që do të kishte pasoja të rënda nëse e bënte këtë. Emri i tij do të dilte në gazetë, dhe ata që e dinin historinë e tij familjare do të shkruanin letra në zyrat e larta të regjimit komunist, duke bërë të ditur gjithçka. Por Remzi Lani kishte një rekomandim për Fevziun nga zyrat sekrete të regjimit se këtij djaloshi duhej t’ i ngarkohej të bënte një reportazh për shokun Enver, si shpërblim për punët që kishte bërë ai.
      Remzi Lani ka qenë i ftuar shumë herë në emisionin televiziv të Blendi Fevziut për çështje të ndryshme, dhe për ato të medias. A nuk ishte dashur që Fevziu, natyrshëm, ta kishte përmendur ndonjëherë gjatë këtyre emisioneve se Remzi Lani ka qenë kryeredaktori që ka botuar shkrimin e tij të parë në shtypin qendror? Fevziu nuk e ka bërë asnjëherë kët