Nuk kemi fuqi të jemi të lirë!


Mero Baze 2 
Nga Mero Baze

Është bërë zakon që çdo 3 maj bota të nderojë lirinë e shtypit, si një vlerë që ka çuar njerëzimin përpara. Historia e pushtetit të katërt, si çdo histori pushteti, nuk është një dhuratë, por një betejë. Unë jetoj në një vend ku ky pushtet, ndryshe nga shumë vende të botës, është dhuratë. Historia e lirisë së shtypit në Shqipëri, pas vitit 1990, nisi dhe u zhvillua jo si një pushtet që duhet të triumfonte me vlerat e tij, por si një pushtet i prodhuar nga pushtetet e tjera.
Nuk dua të bëj moral, se kjo fjalë është jashtë mode në këtë vend, por dua të vizatoj disa probleme të shtypit të sotëm shqiptar, që nuk japin shpresë për një pushtet të katërt të pavarur. Nuk do të flas për represionin e qeverisë dhe të Berishës, pasi është bërë e bezdisshme. Dua të shpjegoj pse nuk kemi fuqi të jemi të pavarur dhe të mbijetojmë.

Modeli i “Sandrit” si ëndrra e çdo pronari TV

Episodi i parë i pafuqisë sonë për të qenë të pavarur, m’u faneps kur pashë në bulevard dhjetëra kolegë gazetarë, kryesisht reporterë nga ata që rropaten gjithë ditën rrugëve e zyrave të shtetit, të protestonin mes të tjerash për vonesa pagash dhe kushte të këqija në punë. Është e vërtetë se shumica e medies kanë probleme serioze me pagesat. Askush nuk do të donte të ishte në pozitën e tyre, por kjo tani është një fakt. Arsyeja pse ata nuk paguajnë dot, është e thjeshtë: ata nuk prodhojnë dot të ardhura për median që kanë. Tregu i medias shqiptare, si çdo gjë shqiptare, është realisht i vogël dhe modest, por pushtetet e tjera e kanë fryrë, e kanë tejzmadhuar, e kanë joshur, e kanë majmur kur u është dashur dhe kanë krijuar kësisoj një treg jo real, një piramidë të vërtetë financiare, e cila jo për faj të pronarëve, tani nuk ia del dot më. Tregu i reklamës nuk është një treg konkurrent, ndërsa tregu i shitjes së gazetave nuk ekziston. Reklamat ka 8 vite që i marrin vëllezërit Frangaj, duke detyruar qeverinë  të paguhen dhe nga reparte ushtarake dhe duke kapur shifra të frikshme me miliona euro. Është kjo arsyeja që sot TV Klani është televizioni më qesharak, pasi siç thotë dhe një kolegu ynë, gazetarët kanë shkuar të gjithë me Ramën dhe emisionet janë me Berishën. Edhe pse mediokër dhe shërbëtorë pushteti, ata nuk ia dalin dot nëse nuk rilidhen me pushtetin e ri. Thjesht ata kanë krijuar një perandori fallco, nga nevoja që pushteti ka pasur për t’i mbajtur nën terrorin e falimentit nëse nuk i shërben. Kanë zaptuar toka dhe kanë bërë studio, kanë marrë miliona euro nga lekët tona për të na pudrosur portretin e Sali Berishës, por nuk jetojnë dot asnjë ditë pa shiringat e këtyre pareve. Thjesht se nuk janë në treg. Televizione të tjera më modeste dhe më korrekte nuk po ia dalin dot. Tregu i pashpresë shqiptar, kriza ekonomike, reklamat politike dhe gjithçka tjetër po punon kundër tyre. I vetmi model suksesi në treg, është modeli i “Sandrit”, i një pronari që bëhet kryeministër në hije, merr fonde publike dhe mban një medie mercenare. Por më kot të tjerët vrapojnë pas këtij modeli. Pushteti nuk ka nevojë për më shumë se një Sandër, as për shumë se një Fevzi. Dhe ata janë dhe janë shumë të mirë për atë që Arjan Çani dikur e ka quajtur bythëlëpirje të Fevziut.
Përballë tyre media më e madhe në vend, Top Channel, është organizmi më perfekt i mbështetur mbi një produkt të shitshim. Kompania mbështetëse e saj, Digitalb, është lider në tregun e shitjes së produkteve televizive dhe e vetmja garanci financiare për suksesin e saj. Falë agjërimit të saj të gjatë në opozitë, ajo është më e strukturuar si biznes dhe gati i vetmi institucion mediatik në vend, që mund të rrezikohet vetëm nga ndonjë konkurrent i ngjashëm, por jo nga ky treg që ekziston.
Duke u kthyer dhe një herë tek gazetarët që protestojnë për pagat e vonuara, dua të theksoj se dhe media, si gjithë bizneset e tjera, do ta kalojë krizën e saj dhe duhet të ulet me këmbë në tokë. Gazetarët duhet të kuptojnë se ata që janë paguar me paga shumë të larta, e kanë pasur atë shanse jo për vlerat e tyre në treg, por për shërbimin që ka shitur media ku janë paguar. Në përgjithësi media është sektori më i mirëpaguar në Shqipëri, i pakrahasueshëm me sektorët e tjerë të biznesit, por më i pastrukturuari në treg sa i përket fuqisë për të mbijetuar si i pavarur. Për këtë arsye, zgjidhja e kësaj situate, sidomos në median televizive, është paradoksale. Ajo vjen përmes shtrëngimit të rripit, uljes se pagave të larta, shkurtimit të stafeve dhe rritjes së punës dhe cilësisë së çdo gazetari për të shkuar tek një ekip modest mbijetues. Çdo rrugë tjetër të çon tek dorëzimi i lirisë. Ndaj dhe ka rëndësi të ndajmë betejën sindikale nga beteja për lirinë e shtypit. Liria e shtypit vjen nga një treg real konkurrent dhe mbijetues me këmbët e veta.

Falimentimi i medias së shkruar

Një situatë më paradoksale është me median e shkruar. Disa ditë më parë një vajzë e re, besoj gazetare, më kish nisur një e-mail dhe më thoshte se kush studiuar fizikisht tregun e shitjes së gazetave dhe kishte shifra që sipas saj ishin shumë të këqija për shitjet. Kërkonte mendim nëse kishte shpjegim kjo situatë. Bëhet fjalë që shumica e gazetave ndajnë në Tiranë nga 1000 kopje dhe që të gjitha së bashku nuk shesin as një gazetë dhjetë vite më parë.
Unë kam një shpjegim aspak alarmant për këtë. Tirazhet e ulëta të shtypit të shkruar nuk i dikton vetëm tregu, por dhe vetë botuesit. Kostoja e një gazete, nëse përfshin në të pagat e gazetarëve, shpenzimet ndihmëse dhe shtypshkronjën, e nxjerrin koston e një gazete mbi 50 lekë, ndërkohë që të gjitha gazetat shiten 20 apo 30 lekë. Kaq shiteshin dhe 20 vjet më parë.
Në këto kushte, sa më shumë të shesësh, aq më shumë do humbasësh, dhe shumica e botuesve kanë gjetur një shifër tirazhi të vogël që gazeta të jetë prezent në treg, të dalë në pasqyrë shtypi në mëngjes, ta shikoj dikush nga pushteti dhe ata të bëjnë ndonjë punë tjetër duke pasur gazetë. Po t’iu shtosh kësaj situate dhe disa pengesa në shpërndarje apo kuota që vetë shitësit vendosin për të marrë gazetën, nen ndikimin e “monopolisteve” është normale që të kemi këtë situatë. Pra, nuk kemi më gazeta që shiten dhe të sjellin lekë, por gazeta që duhet të të sjellin sa më pak humbje. Kjo pastaj ka bërë që të bjerë cilësia e gazetave, të mos ketë individualitet dhe të mos të të ngelet asgjë në mendje prej tyre. Ato janë sot thjesht disa newsletter-a të kompanive të falimentuara të ndërtimit, apo iniciativa lobuese me prapavijë politike të disa botuesve që ia kanë parë hairin politikës dhe medias. Por në treg nuk janë, dhe si të tilla prej tyre s’mund të prodhohet asnjë liri.

E ardhmja?

Nuk shikoj shumë shpresë se ndryshimi i pushtetit apo dalja nga kriza ekonomike do përmirësojë klimën e lirisë së shtypit në Shqipëri. Ajo do jetë përherë problem si nga represioni shtazarak i tipit Berisha, ashtu dhe nga mbytja e mizave me mjaltë e modelit Meta- Rama.
Nuk kam ndonjë recetë se si mund t’ia dalë gjithë kjo industri medie pa falimentuar. Thjesht duhet të falimentojë pa shumë dhimbje dhe duhet të riorganizohet me këmbë në tokë. Modeli i të bërit para dhe pushtet me media, ndoshta do të mbijetojë, por gazetarët dhe liria e shtypit nuk do t’ia dalë dot të mbijetojnë. Mediat online, edhe pse duket se janë lehtësi e madhe, janë një ferr i vërtetë për të mbijetuar financiarisht. Gazeta Tema, e  cila ka mbi 100 mijë lexues unikë në ditë, nuk fiton thuajse asgjë, dhe nëse nuk kapitalizohet ky treg, do të ketë sërish një dështim. Në një shoqëri më të lirë, pa Berishën, “pa Sandrat” dhe sekserët e tyre, që as shurrën nuk bëjnë pa leje,  ajo mund të fitojë reklama, por duhet të biem dakord që pagat do të jenë më të ulëta dhe numri i gazetarëve më i vogël.
I vetmi aset me vlerë në treg mbetet dhe do bëhet dhe më i shtrenjtë në të ardhmen, individualiteti i gazetarëve, emri i atyre që kanë lexuesit dhe shikuesit e tyre dhe ristrukturimi përmes tyre i një medie më modeste, më pak luksoze, më pak të dhjamosur, por më autoritare dhe e besueshme për lexuesit. Është e vetmja mënyrë që t’ua vjedhim pushtetin e katërt atyre që na e kanë dhuruar, pa e merituar. Dhe e vetmja mënyrë për të shembur këtë piramidë fallco mediatike, ku ngatërrohen punonjësit e  medies me gazetarët dhe politikanët me pronarët. Ndryshe nuk do kemi fuqi të jemi të lirë, dhe as në Pushtet të Katërt!

Related Posts: