NUK KA MË PARTI POLITIKE NË SHQIPËRI

ZAMIRA ÇAVO

Zamira Cavo

Zhvillimet e fundit në jetën politike po dëshmojnë qartazi se ekzistenca e partive politike në Shqipëri ka marrë fund, ose së paku të partive politike ashtu si duhet të ekzistojnë në një vend demokratik. Partitë politike, që nga koha kur u krijuan si bashkime vullnetare me synim lidhjen mes popullit dhe shtetit, kanë pasur disa funksione. Detyra e partive është jo thjesht të edukojnë elektoratin, por të artikulojnë interesat dhe kërkesat e grupeve të presionit për të realizuar politika qeverisëse sa më pranë qytetarëve që i mbështesin. Sot, e them pa mëdyshje, se në Shqipëri nuk ka më parti politike. Partitë politike shqiptare janë shndërruar tashmë në klube interesash klienteliste, që përpiqen të uzurpojnë pushtetin nëpërmjet formave që lejon demokracia.
Së pari, partitë politike shqiptare nuk mund t’i konsiderojmë më as si parti politike të elitës, as si parti të masave dhe as si parti elektorale. Në të tria rastet (të paktën tipike për shkencat politike) partitë shqiptare nuk afrohen me karakteristikat që kanë. Që të jenë parti të elitës, më së paku duhej që përfaqësimi individual të vihej mbi disa kritere që vlerësonin individin. Nëse do të ishin parti të masës, më së paku do kishin një pjesëmarrje dhe vlerësim disiplinor të shtrirë në rangjet e veta organizative. Por nuk mund të quhen as parti elektorale (ose gjithëpërfshirëse) pasi do duhej të ofronin shumë oportunitete, për pjesëmarrje aktive të anëtarëve të saj.
Së dyti, partitë politike shqiptare janë klube që drejtohen nga individë dhe jo liderë. Sepse liderët drejtojnë, sjellin zhvillim. Në Partinë Demokratike në 22 vjet që drejtohet nga Sali Berisha nuk gjej askund zhvillim. Gjej vetëm riciklim të ideve, metodave dhe individëve të parapëlqyer të Berishës. Në këtë parti shumë njerëz kanë hyrë me qëllimin e zhvillimit dhe e kanë gjetur veten jo vetëm jashtë këtij qëllimi, por edhe jashtë partisë. Nëse do t’i referohemi vizionit të tij qeverisës, sërish është e dukshme se vetëm zhvillim nuk gjejmë. Vizioni qeverisës i Berishës nuk mund të jetë i ndryshëm nga mënyra me të cilën ai drejton partinë e tij. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për Partinë Socialiste. Në këto vite të transformimit të saj, asgjë e re nuk është shënuar si progres. Çarja në disa parti, ribashkimi për interesa thjesht individuale, ka treguar se në krye të tyre nuk ka pasur liderë, por individë me interesa personale. Duke dëgjuar z. Kokëdhima që i quajti liderë historikë Ramën dhe Metën në këtë bashkim, sinqerisht dyshova se dhe z. Kokëdhima ose nuk ka haber nga politika dhe mashtrohet si një pjesë e mirë e njerëzve, ose pa hyrë ende në politike ka kapur majën e demagogjisë mediatike. Individët që kanë drejtuar të majtën, ku përfshi dhe z. Nano, kanë treguar se nuk kanë fare të bëjnë me të majtën partiake, por me interesa personale të dukshme qartazi dhe të kamufluara me partinë. Sigurisht që të vjen të qeshësh kur dëgjon z. Nano që thotë se është më socialist se cilido tjetër! Nëse është kështu, si i justifikon sulmet e tij ndaj së majtës në momente decizive për këtë parti? Pra nëse duhet t’i quajmë liderë, ok i quajmë, por nuk kanë asnjë tipar të tyre. Cili nga këta “liderë” ka demonstruar aftësi gjeneruese idesh, zhvillimi, kapacitet perspektive afatgjatë? Askush. Secili prej tyre (Berisha, Nano, Meta, Rama) kanë vepruar spontanisht, sipas nevojave personale dhe aspak kolektive e më tej, shtetare. Nuk po flas për parti të tjera të vogla, pasi të gjithë e kemi të qartë se modeli i tyre është edhe më i keq se partitë kryesore të politikës shqiptare. Asnjë prej individëve që drejtojnë këto parti nuk sjell ndonjë tipar lideri, madje as dhe menaxheri të thjeshtë!
Së treti, partitë politike në demokraci, jo vetëm funksionojnë mbi disa parime, por dhe mbi një demokraci të brendshme, e cila siguron (atë që disa e konsiderojnë përjashtues): moralin politik. Teza “një anëtar – një votë”, është një kërkesë e realizimit real të një demokracie, që njeh vlerat e gjithsecilit, që ndihmon zhvillimin dhe që nuk lejon autokracinë në parti. Asnjë parti politike shqiptare, (dhe pse ka folur shumë për këtë parim), nuk e realizon atë. Individët që drejtojnë partitë politike shqiptare, kanë vendosur “pushtetin” e tyre me forma të ndryshme. Berisha i ka nën “fre” duke përdorur diku presionin e diku “besnikërinë” klanore. Nano përdori liberalizmin ekstrem që çoi në papërgjegjshmëri politike, Meta përdor forcën e “parasë” dhe joshjen ndaj pushtetit të saj, Rama përdor “frikën” nga Berisha dhe “besnikërinë bashkiake”. Ndaj është pothuaj e pamundur të konkurrosh demokratikisht përballë individëve të tillë. Këta individë e kanë ndërtuar rolin e tyre si të përjetshëm. Nuk njohin dorëheqje. Nuk kam qenë asnjëherë dakord me atë që Nano është i vetmi Lider që është dorëhequr. Nuk kam asnjë iluzion që Nanos, nëse do t’i interesonte të ishte në politikën e çastit të asaj periudhe, nuk do ta kishte dhënë atë dorëheqje. Por i kishte bërë hesapet personale gabim dhe kjo nuk tregon aftësi Lideri e aq më pak cilësi demokratike, pasi po ky Nano, pa pasur as më të voglin moral politik, u ngrit kundër partisë së tij, kundër interesave të mëdha të vendit, për hir të disa interesave thjesht personale. Unë nuk besoj që Berisha, nëse humb, do japë dorëheqjen nga partia e tij. Nuk besoj aspak që këtë ta bëjë edhe Rama. Aq më pak nuk mund t’ia kërkojmë këtë Metës, i cili ka krijuar partinë e tij private! Shkurt në vendin tonë partitë politike janë shndërruar në kopshte personale. E vetmja gjë që harrojmë është fakti se një pjesë e mirë e financimeve të këtyre partive, del nga xhepat tanë. Dhe ne vazhdojmë të “ushqejmë” privatizimin e tyre jo vetëm me para por edhe me votë! Teza se kush fiton, fiton gjithçka dhe kush humbet, humbet gjithçka, vlen vetëm për partitë, sepse njëshat e tyre, si kur janë në pushtet ashtu dhe në opozitë, gëzojnë të gjitha privilegjet e të qënurit “njësh” autokrat.
Listat e fundit për kandidatë do prodhojnë një Parlament, që sigurisht nuk të bën të ndihesh i përfaqësuar. Madje të bën të ndihesh keq dhe i pashpresë. Populli voton partitë, voton siglat e tyre dhe jo individin. Për rrjedhojë ne duhet të bindemi se militantizmi ndaj këtyre partive na ka dëmtuar të gjithëve dhe ka dëmtuar të ardhmen tonë.
Do isha shumë dakord që pasi të mbarojë maratona e turpshme e amoralitetit dhe dhunës në zgjedhje, Shqipëria të shkonte drejt ndryshimit të Kodit Zgjedhor. Shqiptarët nuk kanë pse votojnë më parti inekzistente! Nga ana tjetër kam bindjen se koha do krijojë mundësi të reja pjesëmarrje në politikë. Kultura politike e shqiptarëve nuk është më ajo e 15 viteve më parë. Sigurisht që kërkohet kohë, por ka me mijëra njerëz të mençur, që e dinë dhe e kuptojnë çka po ndodh në Shqipëri, por ka dhe me qindra që e dinë se duhet të veprojnë dhe jo të presin që gjendja të ndryshojë vetiu!